Lajmet

Sfida me sigurimin e teksteve shkollore, shtatë komuna pa librari

Klina, Hani i Elezit dhe Kaçaniku janë ndër komunat që kanë mungesë të librarive.

Published

on

Asociacioni i Komunave të Kosovës e cilëson si problem çështjen e shpërndarjes së teksteve shkollore, duke theksuar se janë rreth shtatë komuna që nuk kanë librari në qytetin e tyre. Klina, Hani i Elezit dhe Kaçaniku janë ndër komunat që kanë mungesë të librarive, për çka shprehen se po vështirësohet mjaft shumë fillimi i vitit të ri shkollor.

Ndërkaq nga drejtoria e Podujevës e e shohin si të politizuar diskutimin e temës rreth rimbursimit të mjeteve për libra nga Kolegjiumi për Arsim.

Të hënën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bëri me dije se janë duke e shqyrtuar mundësinë e rimburimit të parave tek prindërit në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.

Në mbledhjen e mbajtur nga Asociacioni i Komunave dhe Kolegjiumi për Arsim, kryesuesja e këtij të fundit, Besianë Musmurati u shpreh se në këto kushte është e pamundur që mësimi të fillojë me një shtator, duke potencuar problemin me mungesën e librarive në disa komuna.

“Takime të tilla ne kemi shpresuar që do duhej të ftoheshin nga Ministria e Arsimit, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po ndodh, dhe ne po detyrohemi si Asociacion të takohemi pa ministren gati se çdo here. Kjo është me të vërtetë për të ardhur keq, sepse kemi shumë tema të cilat duhet t’i diskutojmë së bashku me ministren dhe të kërkojmë zgjidhje për shumë probleme. Nëparim, në nuk kemi asnjë problem rreth mënyrave alternative të diskutimit, të furnizimit me libra, përderisa furnizimi bëhet me një shtator, ne jemi të bindur si drejtor komunal të arsimit që një gjë e tillë, me këtë mënyrë siç është propozuar nga ministria, do të jetë ë pamundur që mësimi të fillojë në kohë, sepse pajisja me tekste shkollore nuk do të ndodhë me kohë, për shkak të gjithë këtyre problemeve logjistike që do të krijohen. Kemi edhe shumë qytete të cilat nuk kanë librari fare, po e shoh këtu edhe drejtorin e Klinës, kemi edhe komunat e tjera, është edhe Hani i Elezit, mos gabofsha janë shtatë komuna në të cilat nuk ka fare librari dhe që do të ketë probleme logjistike me furnizim”, tha Musmurati.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit nga komuna e Klinës, Qemajl Sejdiu tha se Këshilli i Prindërve ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën e furnizimit me libra për nxënësit, derisa tregoi se janë të detyruar të shkojnë në Pejë për t’i blerë ato.

“Tash rrugës na doli edhe një problem, furnizimi me libra, gjë e cila nuk është prit mirë hiç në komunën tonë. Ne kemi pas takime me Këshillin e Prindërve, ata e kanë shprehur shqetësimin për shkak që komuna e Klinës nuk ka as librari, këtë opsion të qeverisë që tash e kemi, fatkeqësisht, që mendoj se nuk është i mirë hiç, dhe nuk pajtohem me këtë vendim, se kjo është dashtë me qenë e përgatitur më herët, e jo mi sjell prindërit në këtë sfidë. Ne po e shohim sa probleme po kemi me numër të nxënësve, po bien nxënësit, me u qitë edhe një barrë tjetër prindërve që ata të kujdesen edhe për libra, mendoj se nuk ka qenë e mirë, dhe në si komunë nuk pajtohemi. Ne Klina tash duhet të shkojmë në Pejë nuk kemi tjetër zgjidhje, kjo na ka mbete zgjidhja, kjo është ajo që ka ofruar ministria. Është mirë të gjithë ata prindër që kanë nxënës në komunën e Klinës të shohin veprimet e Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Sejdiu.

Po ashtu, edhe Drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina e sheh si të vonuar lajmin nga MASHT-i për rimbursimin e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore.

“Ne si drejtori e arsimit i kemi bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, por është shqetësues fakti që pikërisht në kohën kur do të duhej që të shpërndaheshin librat nëpër shkolla dhe nxënësit të furnizoheshin me libra na vjen një lajm nga Ministria e Arsimit, një lajm shumë i vonuar i cili të paktën do të ishte mirë që të kumtohej në qershor, e jo tash kur jemi pak ditë prej fillimit të procesit arsimor. Është një shqetësim jo vetëm i drejtorisë së arsimit por edhe i prindërve, sepse ende nuk e din askush se si do të furnizohen me tekste shkollore. Unë nuk e di se si mund të fillojë procesi mësimor në qoftë se nxënësit nuk e kanë elementin bazë për nxënie që është libri”, tha Morina.

Ndërsa, Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në komunën që qeveriset nga partia Vetëvendosje në Podujevë, e lëshoi mbledhjen, duke thënë se Kolegjiumi për Arsim është i politizuar dhe vendimet e tyre vijnë nga “byrotë politike”, derisa shprehet se kjo temë nuk duhet të merret si çështje dramatike.

“E lëshova takimin këtu, për arsye se kryetarja e kolegjiumit e bëri një deklaratë e cila do të duhej të postohej në faqen zyrtare të kolegjiumit, e cila është apolitike, mirëpo pas një kohe relativisht rreth 10 minutave e anuluan atë, dhe konsideroj se sikur t’i vije prej byrove politike të tyre e ndryshuan deklaratën dhe e publikuan një deklaratë skandaloze dhe e shndërruan në çështje shumë të politizuar këtë çështje të librave, fillimisht ka një qasje shumë produktive ku të gjitha drejtoritë komunale të arsimit do të jemi ndihmesë të Ministrisë së Arsimit për shpërndarjen e këtyre librave, duke adresuar fajin te MASHT-i sipas tyre. Mirëpo, me kalimin e kohës e ndryshuan. Çështja e librave ka filluar nga fillimviti, mirëpo kanë dalë këto probleme për të cilat kanë dhënë arsyetimin Ministria e Arsimit, alternativën që e kanë dhënë nuk duhet parë asnjë drejtori e arsimit si dramatike”, tha Fetahu.

Ndërkaq, kryesuesja e Kolegjiumit të Arsimit, Besianë Musmurati tha se deklarata është neutrale, jo tendencioze, dhe është miratuar me shumicë votash, përveç Fetahut, për të cilin thotë se vetëm doli nga mbledhja, duke mos dhënë ndonjë propozim se çka duhej të përmbajë deklarata.

Asociacioni i Komunave të Kosovës, gjatë ditës ka njoftuar se vonesa e shpërndarjes së teksteve mësimore nga MASHT-i, pamundëson fillimin e mbarë të viti shkollor, derisa potencojnë se për ta me rëndësi është që mësimi të fillojë më 1 shtator.

lajme

Katër raste te dhunës ne familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër raste të ndryshme të dhunës në familje, ku janë arrestuar tre persona dhe janë shoqëruar dy të tjerë në stacionet policore përkatëse.

Në Prishtinë janë shoqëruar në stacionin policor një grua dhe një burrë pasi pas një mosmarrëveshjeje ishin përleshur fizikisht mes vete.

Për rastin janë njoftuar Mbrojtësi i Viktimave dhe Qendra për Punë Sociale, ndërsa të dyshuarit kanë refuzuar tretmanin mjekësor dhe me vendim të prokurorit rasti procedohet në gjendje të lirë.

Një rast tjetër është shënuar në Klinë, ku është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një grua, me ç ‘rast me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë po ashtu është arrestuar një person për dhunë ndaj viktimës grua. Viktima nuk ka pësuar lëndime fizike dhe ka refuzuar strehimin pasi është deklaruar se ndihet e sigurt në banesën e saj, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq në Mitrovicë të Jugut, një burrë ka raportuar se një i dyshuar kishte tentuar ta godasë. I dyshuari është arrestuar menjëherë nga policia dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

lajme

Policia nis hetimet për vdekjen e një personi në Prishtinë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e një personi, i cili është gjetur i shtrirë në Prishtinë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësia policore dhe ekipe të emergjencës. Viktima është transportuar me urgjencë drejt Qendrës Kliniake Universitare të Kosovës (QKUK) për tretman mjekësor pasi në ato momente shfaqte ende shenja jete.

Megjithatë, përkundër përpjekjeve të mjekëve, stafi mjekësor i emergjencës ka konfirmuar vdekjen e tij.

Me vendim të prokurorit të kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t’ju nënshtruar obduksionit, ndërsa rasti po trejtohet nga Policia si “Hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

UBT lidh studentët me industrinë përmes përvojave praktike në fushën e patundshmërive

Published

on

By

Programi Menaxhimi i Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT vazhdon t’u ofrojë studentëve mundësi për të ndërthurur njohuritë akademike me përvojat konkrete nga industria, duke i përgatitur ata për sfidat dhe mundësitë e tregut të punës.

Në kuadër të lëndës “Ndërmarrësia në Patundshmëri”, studentët patën kënaqësinë të mirëpresin CEO-n e kompanisë “Shtepiaku”, Besnik Vrella, i cili ndau me ta përvojën e tij praktike në krijimin, zhvillimin dhe menaxhimin e një ndërmarrjeje.

Gjatë këtij takimi, studentët u njohën nga afër me rrugëtimin e një ideje biznesore drejt krijimit të një ndërmarrjeje, procesin e identifikimit dhe realizimit të një mundësie biznesore, si dhe faktorët që ndikojnë në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e një biznesi në treg.

Përmes përvojës së ndarë nga Vrella, studentët patën mundësi të kuptojnë më konkretisht edhe sfidat që shoqërojnë zhvillimin e një biznesi, mënyrat e përballimit të tyre dhe mundësitë që ofron tregu i patundshmërive për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë apo të zhvillojnë iniciativa të tyre sipërmarrëse.

Aktivitete të tilla janë pjesë e qasjes së UBT-së për një mësimdhënie të orientuar drejt praktikës dhe industrisë, ku studentët nuk kufizohen vetëm në njohuritë teorike të trajtuara gjatë ligjëratave, por kanë mundësi t’i shohin ato të zbatuara në situata reale dhe përmes përvojave të profesionistëve të fushës.

Përmes ligjëratave praktike, takimeve me profesionistë, diskutimeve me përfaqësues të industrisë dhe aktiviteteve të orientuara drejt praktikës, studentët e këtij programi përfitojnë një përvojë më të plotë akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Lajmet

Plani amerikan për sigurinë e Evropës: Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën?

Published

on

By

Prania e NATO-s në Kosovë nuk pritet të ndikohet drejtpërdrejt nga ndryshimet e mundshme në sigurinë evropiane. Perspektiva e Kosovës për anëtarësim në Aleancë dhe marrëdhëniet e saj të sigurisë me Shtetet e Bashkuara, megjithatë, mund të përballen me sfida të reja.

Kështu vlerëson ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, për Radion Evropa e Lirë, në kohën kur Uashingtoni ka propozuar një kornizë më të gjerë për sigurinë e Evropës, krahas përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Sipas tij, dy çështje mund të kenë rëndësi të veçantë për Kosovën: përpjekjet e Rusisë për të penguar zgjerimin e NATO-s dhe ato për të kufizuar praninë ushtarake amerikane në Evropë.

Propozimi amerikan, i paraqitur më 5 nëntor nga Jared Kushner, i dërguari i presidentit Donald Trump, synon të forcojë konsultimet për sigurinë, komunikimin në raste krizash dhe transparencën ushtarake, si dhe të krijojë mekanizma për uljen e rrezikut të përshkallëzimit të tensioneve.

Nisma vjen në prag të bisedimeve të planifikuara ndërmjet SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, më 10 dhe 11 nëntor, në Abu Dabi.

Trump ka lënë të kuptohet se përpjekjet diplomatike mund t’i hapin rrugë një marrëveshjeje që shtrihet përtej Ukrainës dhe përfshin sigurinë e Evropës.

Kushner, ndërkaq, ka theksuar se NATO-ja duhet të mbetet në qendër të mbrojtjes kolektive evropiane dhe se asnjë shtet nuk duhet të ketë të drejtë vetoje mbi zgjedhjet e sigurisë apo aleancat e një vendi tjetër.

Ende nuk dihet se çfarë do të përfshinte një marrëveshje e tillë, ndërsa nuk ka informacione publike se Kosova dhe KFOR-i janë pjesë e diskutimeve.

Pse KFOR-i nuk pritet të ndikohet?

Për Shean, KFOR-i nuk pritet të preket nga ndryshimet e mundshme në sigurinë evropiane, për shkak të mandatit dhe natyrës së tij paqeruajtëse.

“Nuk do të mendoja se po”, thotë ai, i pyetur nëse këto ndryshime mund të kenë pasoja për misionin e NATO-s në Kosovë.

KFOR-i vepron në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1999 edhe me votën e Rusisë.

“Moska e vlerëson faktin që KFOR-i është atje kryesisht për të mbrojtur komunitetin serb të Kosovës”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Rusia synon të kufizojë praninë e forcave të NATO-s me armatim të rëndë në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërsa KFOR-i, si mision paqeruajtës, nuk bën pjesë në këtë kategori.

I vendosur në Kosovë pas përfundimit të luftës, KFOR-i ka për detyrë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet.

Misioni numëron rreth 4.700 ushtarë, pas përforcimit të pranisë në vitin 2023, si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës.

 

Përmirësimi i situatës së sigurisë, sipas vlerësimit të NATO-s, ka hapur rrugën për një përshtatje graduale të numrit të trupave.

Në qershor të këtij viti, Aleanca paralajmëroi synimin për t’iu kthyer niveleve të mëparshme, në varësi të kushteve në terren.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përmendur si objektiv një prani prej rreth 3.000 deri në 3.500 ushtarësh.

NATO-ja ka theksuar se procesi është i kthyeshëm dhe e ka lidhur atë me vlerësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Nëse Kosova apo KFOR-i janë përfshirë në diskutimet e fundit për sigurinë evropiane, mbetet e paqartë.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, NATO-ja nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje.

Zëdhënësja Allison Hart konfirmoi se përfaqësues të NATO-s, SHBA-së, Ukrainës, vendeve evropiane dhe Bashkimit Evropian u takuan më 5 nëntor në Bruksel, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

E pyetur sërish nëse Kosova ose KFOR-i ishin pjesë e diskutimeve, NATO-ja tha se nuk ka informacione të tjera për të ndarë.

 

A mund të pengohet anëtarësimi i Kosovës në NATO?

Nëse KFOR-i nuk pritet të preket drejtpërdrejt, zgjerimi i NATO-s është një çështje ku Shea sheh pasoja të mundshme për Kosovën.

Rusia e kundërshton prej kohësh zgjerimin e Aleancës.

Në dhjetor të vitit 2021, para pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, Moska kërkoi garanci që NATO-ja të mos pranonte anëtarë të rinj dhe të kufizonte praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore.

Kërkesa e Moskës për kufizimin e pranisë ushtarake të NATO-s në nivelet e para vitit 1997 është rikthyer në vëmendje, mes raportimeve se Rusia mund ta shtrojë sërish gjatë negociatave për sigurinë evropiane.

Sipas Sheas, Rusia do të përpiqet të pengojë zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s, me Ukrainën si shqetësimin kryesor. Një kufizim i tillë, thotë ai, do të kishte pasoja edhe për aspiratat e Kosovës.

“Kjo do t’i pengonte mundësitë e Kosovës për t’u anëtarësuar një ditë në NATO”, thotë Shea.

Rruga e Kosovës drejt Aleancës, sidoqoftë, është e ndërlikuar edhe pa kërkesat ruse.

Katër vende anëtare – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – nuk e njohin pavarësinë e saj, ndërsa pranimi i anëtarëve të rinj kërkon konsensusin e të gjithë aleatëve.

NATO-ja vazhdon të mbështesë politikën e dyerve të hapura. Edhe propozimi amerikan thekson se asnjë shtet nuk duhet të ketë të drejtë vetoje mbi zgjedhjet e sigurisë apo aleancat e një vendi tjetër.

Kështu, ndalimi i zgjerimit të NATO-s mbetet kërkesë e Moskës, jo pjesë e qëndrimit të shpallur amerikan.

Përveç anëtarësimeve të reja, Shea vlerëson se Rusia mund të përpiqet të pengojë edhe vendosjen e forcave shtesë të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, Moska mund të shqetësohet veçanërisht nëse ndryshimet politike në Serbi e afrojnë Beogradin me Aleancën.

Megjithatë, thekson se Ballkani Perëndimor nuk është ndër përparësitë kryesore ushtarake të Rusisë.

Vëmendja e Moskës, sipas tij, është e përqendruar më shumë në rajonin e Detit të Zi, Poloni, shtetet baltike dhe veriun e Evropës – zona më pranë kufijve rusë.

 

Çfarë mund të ndryshojë në angazhimin amerikan?

Përtej zgjerimit të NATO-s, një tjetër çështje me rëndësi për Kosovën është e ardhmja e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

Shea kujton se Rusia ka kërkuar edhe më herët tërheqjen e forcave amerikane nga kontinenti.

“Një masë e tillë mund të ndikojë në Kosovë, e cila ka kultivuar gjithmonë marrëdhënie të ngushta të sigurisë me SHBA-në”, thotë ai.

Uashingtoni tashmë po rishikon angazhimet ushtarake në Evropë, duke kërkuar që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.

Në Kosovë, prania amerikane është zvogëluar gradualisht që nga përfundimi i luftës, më 1999. Nga mijëra ushtarë në vitet e para të misionit, kontingjenti amerikan në KFOR numëron sot rreth 600 pjesëtarë.

Në qershor, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM) konfirmoi për REL-in se do ta përshtaste kontributin amerikan në KFOR në faza, në përputhje me planet e NATO-s dhe vlerësimet e sigurisë.

Ajo theksoi se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë KFOR-in një komponent kyç të stabilitetit rajonal, pa dhënë hollësi për përmasën e ndryshimeve.

Një tjetër zhvillim u shënua më 12 tetor, kur Garda Kombëtare e Floridës ua dorëzoi komandën e KFOR-it për Rajonin Lindor njësive aktive të Ushtrisë amerikane, në kampin Bondsteel.

Ky ndryshim, i pari i këtij lloji pas më shumë se një dekade, përbën riorganizim të njësive dhe nuk është shoqëruar me njoftim për tërheqje nga Kosova.

Nëse rishikimi më i gjerë i angazhimeve amerikane në Evropë do të ndikojë në të ardhmen e pranisë së tyre në Kosovë, mbetet e paqartë.

Radio Evropa e Lirë pyeti Pentagonin nëse propozimi për sigurinë evropiane mund të ketë pasoja për KFOR-in, trupat amerikane në Kosovë apo angazhimet e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.

Pentagoni e udhëzoi REL-in t’i drejtohej Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në përgatitjen e këtij artikulli.

Sipas Sheas, zvogëlimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë ka nisur pavarësisht negociatave me Rusinë.

Ai vlerëson se përbërja e re e Kongresit amerikan mund t’ia vështirësojë administratës Trump reduktimin e mëtejshëm të forcave.

 

Kosova përballë një roli më të madh të Evropës

Ndërsa Uashingtoni shqyrton një kornizë më të gjerë të sigurisë, vendet evropiane kërkojnë të kenë rol në vendimet që prekin të ardhmen e kontinentit.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka theksuar se Evropa tashmë ka një arkitekturë të sigurisë, por se Rusia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet mbi të cilat ajo mbështetet.

Kallas ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka të drejtë vetoje mbi sigurinë evropiane dhe se BE-ja duhet të përfshihet në negociatat për çdo marrëveshje paqeje për Ukrainën.

Kërkesa për përfshirje u përforcua më 8 nëntor, kur ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, konfirmoi se përfaqësues evropianë do të marrin pjesë në diskutimet e planifikuara në Abu Dabi.

Propozimi amerikan, ndërkohë, mbetet në fazën e diskutimeve dhe nuk ka ndonjë marrëveshje për ndryshimin e arkitekturës së sigurisë evropiane.

Shea thotë se Kosova duhet të përgatitet për një rol më të madh të vendeve evropiane në sigurinë e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht rezultatit të negociatave aktuale.

Sipas tij, evropianët tashmë kanë marrë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë e rajonit, ndërsa Kosova duhet t’i forcojë marrëdhëniet me ta dhe me Bashkimin Evropian, në vend që të mbështetet së tepërmi tek Uashingtoni.

Për Shean, kjo nevojë shkon përtej negociatave me Rusinë dhe lidhet me ndryshimet afatgjata në rolin ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Evropë. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara