Lajmet

Serbia kërkon hetime nga SHBA-ja dhe Rusia për topin zanor

Published

on

Kryeministri në dorëheqje i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se i ka dërguar një kërkesë Byrosë Federale të Hetimit (FBI) të Shteteve të Bashkuara dhe Shërbimit rus të Sigurisë (FSB), për të kryer hetime të pavarura nëse është përdorur ose jo topi zanor në protestën e 15 marsit në Beograd.

Duke folur për Televizionin Pink të Serbisë, Vuçeviq tha se i ka nënshkruar zyrtarisht dokumentet dhe se, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, përkatësisht ambasadave serbe në Uashington dhe Moskë, ua ka dërguar kërkesat shërbimeve të sigurisë së këtyre vendeve.

“Me përgjegjësinë më të madhe mund të them se, më 15 mars, në asnjë lokacion, nuk është përdorur topi zanor apo diçka e ngjashme. Asnjë urdhër nuk është lëshuar për të dhe askush nuk e ka parë atë pajisje. Është e pamundur të mos ketë lëndime shëndetësore në momentin që përdoret ajo pajisje. Ajo shkakton pasoja të menjëhershme”, tha Vuçeviq.

Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se ministri Ivica Daçiq i ka dërguar një letër drejtorit të FBI-së, Kash Patel, duke e ftuar të ndihmojë në një analizë në fushën e përdorimit të pajisjeve që lëshojnë valë zanore.

Ndihma u tha se u kërkua “duke marrë parasysh se Ministria e Brendshme është përballur me akuza publike dhe mediatike, se anëtarët e saj kanë përdorur ‘top zanor’ gjatë një mitingu publik, të mbajtur në Beograd më 15 mars”.

Daçiq tha për portalin “Danas” se policia posedon armë sonike, ose “topa zanorë”, dhe se këto sisteme, të cilat janë blerë në vitin 2021, janë në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Daçiq tha se këto sisteme ruhen në kuti në depo, se janë në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por se nuk janë futur në përdorim dhe nuk janë montuar në ndonjë mjet apo sistem.

Paraprakisht, zyrtarë të lartë shtetërorë të Serbisë këmbëngulën se as policia dhe as ushtria nuk posedojnë “topa zanorë”.

“Ka qenë një deklaratë e paqartë. Ajo që nënkuptohej me të, ishte se Ministria e Brendshme nuk e ka përfshirë këtë mjet në arsenalin e saj të mjeteve shtrënguese”, tha Daçiq për “Danas”-in.

Zyrtarët i mohuan edhe akuzat e organizatës ndërkombëtare joqeveritare, “Earshot”, e cila, në bazë të analizave të videove dhe audio-incizimeve nga protestat e 15 marsit, deklaroi se në to dëgjohet tingull i prodhuar nga arma Vortex Ring Gun, apo topi Vortex.

Videot e postuara në rrjetet sociale treguan qytetarë të mbledhur në protestë, të cilët, pasi dëgjojnë një zhurmë, largohen anash me nxitim.

Ngjarja nxiti panik te qytetarët, ndërsa, tash për tash, nuk ka asnjë informacion zyrtar se çfarë e shkaktoi reagimin e tillë të turmës.

Më 15 mars, në Beograd u zhvillua një protestë e madhe, për shkak të incidentit në Novi Sad, ku, nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit, humbën jetën 15 persona, nëntorin e kaluar.

Që nga ajo kohë, nën organizimin e studentëve, mbahen vazhdimisht protesta anembanë Serbisë. Studentët kanë bllokuar edhe dhjetëra fakultete, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për incidentin në Novi Sad.

Disa parti opozitare i akuzuan, gjithashtu, autoritetet serbe për përdorimin e topit zanor në protestë – gjë të cilën autoritetet e mohuan.

Topi zanor i përket një grupi armësh jovdekjeprurëse, që mund të përdoren për qëllime policore dhe ushtarake, si: kontrolli i trazirave, zmbrapsja e sulmeve ose komunikimi në distanca të gjata.

Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për vitin 2020 thonë se, edhe pse llojet e tilla të armëve janë krijuar për të reduktuar rrezikun e vdekjes në krahasim me armët konvencionale të zjarrit, përdorimi i tyre mund të shkaktojë lëndime serioze ose vdekje./REL/

Vendi

Kosova barazon me Austrinë dhe mbetet në vendin e dytë në Ligën e Kombeve

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës është ndalur në një barazim 1-1 kundër Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës B në Ligën e Kombeve.

Pas një pjese të parë të tensionuar dhe me raste nga të dyja palët, “Dardanët” kaluan të epërsi në minutën e 70-të kur Fisnik Asllani shënoi pas asistimit të bukur të Edon Zhegrovës, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Milot Rashica pati mundësinë të dyfishonte rezultatin por goditi shtyllën.

Kur dukej se fitorja ishte afër, Austria barazoi shifrat në minutën e 85-të përmes një goli me kokë të Lang nga rivendja anësore, duke bërë që ndeshja të mbyllet baras.

Me këtë pikë, Kosova ngjitet në kuotën e pesë pikëve si e dyta në grup, tri më pak se Austria, ndërsa ciklin kualifikues do ta mbyllë në nëntor me ndeshjen ndaj Izraelit në shtëpi dhe udhëtimin në Irlandë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për Ligjin e Speciales

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot në orën 09:00 në një seancë të jashtëzakonshme, ku pika kryesore e rendit të ditës është votimi i Ligjit për Specialen.

Ky zhvillim vjen pas mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, e cila është caktuar për orën 08:00 për të shqyrtuar këtë projektligj në lexim të parë.

 

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara