Bota
Rusia thotë se ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen e gjeneralit në Moskë
Published
3 hours agoon
By
UBTnewsAutoritetet ruse kanë njoftuar të mërkurën se kanë arrestuar një shtetas të Uzbekistanit, i cili, sipas tyre, ka pranuar montimin e një bombe që vrau gjeneralin rus, Igor Kirillov, në Moskë, një ditë më parë, me porosi nga shërbimi i sigurisë i Ukrainës.
Kirillov, i cili ishte shef i Trupave për Mbrojtje Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë, u vra para banesës së tij, bashkë me asistentin e tij, pas shpërthimit të një bombe të fshehur në një skuter elektrik.
Ndonëse asnjë individ apo grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen, një burim brenda shërbimit të inteligjencës i Ukrainës, SBU – agjenci që ka akuzuar Kirillovin se ka qenë përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase, diçka që Moska e mohon – ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shpërthimi ka qenë rezultat i një operacion special të SBU-së.
Komiteti Hetues i Rusisë, i cili heton krime serioze, ka thënë përmes një komunikate, të mërkurën, se i dyshuari i paidentifikuar u kishte thënë, gjatë marrjes në pyetje, se kishte ardhur në Moskë, ku kishte marrë një pajisje të improvizuar shpërthyese për të kryer vrasjen.
Deklarata e autoriteteve ruse ka thënë se ai ka përshkruar se si e kishte vendosur mjetin shpërthyes në një skuter elektrik, të cilin e kishte parkuar para hyrjes së ndërtesës së banimit, ku Kirillov jetonte.
Hetuesit e kanë cituar atë të ketë thënë se ai kishte vendosur një kamerë monitoruese në një veturë të marrë me qira aty afër, dhe se organizatorët e vrasjes, që ai thuhet të ketë thënë se janë nga qyteti ukrainas i Dnipros, kishin përdorur kamerën për të gjurmuar Kirillovin dhe e kishin aktivizuar bombën na largësia, pas daljes së tij nga banesa.
Sipas deklaratës së hetuesve rusë, të dyshuarit, i lindur më 1995, i ishin ofruar 100.000 dollarë për rolin e tij në vrasjen e gjeneralit, si dhe banim në një vend evropian.
Hetuesit rusë kanë thënë se janë duke identifikuar njerëz të tjerë të përfshirë në vrasje, ndërsa e përditshmja Kommersant ka raportuar se është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër.
Ky pohim nuk ka qenë i mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur./REL/
Bota
Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkon respektimin e marrëveshjes së 1974 për shkëputjen e Sirisë
Published
1 hour agoon
December 18, 2024By
UBTnewsKëshilli i Sigurimit i OKB-së të martën u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë plotësisht Marrëveshjen e Shkëputjes të vitit 1974 në lidhje me “zonën e ndarjes” në Siri, duke kërkuar qetësi dhe ulje të tensioneve.
Në një deklaratë për shtyp, anëtarët e Këshillit rikonfirmuan angazhimin e tyre të fortë për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë. Ata u bënë thirrje të gjitha shteteve që të respektojnë këto parime dhe i kërkuan Sirisë dhe fqinjëve të saj që të përmbahen reciprokisht nga çdo veprim apo ndërhyrje që “mund të minojë sigurinë e njëri-tjetrit”.
Ai theksoi më tej mbështetjen e tij për Forcën Vëzhguese të Shkëputjes së Kombeve të Bashkuara (UNDOF) dhe mandatin e saj, duke u kërkuar të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të rrezikojnë sigurinë e paqeruajtësve ose infrastrukturën e tyre.
Nuk ka ‘strehë të sigurt’ për terrorizmin në Siri
Këshilli i Sigurimit theksoi rëndësinë e zbatimit të një procesi politik gjithëpërfshirës, të udhëhequr nga Siria dhe në pronësi të Sirisë, në përputhje me Rezolutën 2254 të OKB-së.
Deklarata shprehte mbështetjen për rolin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Geir Pedersen për të lehtësuar një proces të tillë, i cili do të përmbushte “aspiratat legjitime të sirianëve”, do të mbronte të drejtat e tyre dhe do t’i lejonte ata të përcaktojnë “në mënyrë paqësore, të pavarur dhe demokratike” të ardhmen e tyre.
Këshilli gjithashtu nënvizoi domosdoshmërinë e luftimit të terrorizmit në Siri, duke theksuar rëndësinë e parandalimit të grupeve të tilla si Daesh/ISIS që të rindërtojnë aftësitë e tyre ose të gjejnë “strehë të sigurta” brenda vendit.
Duke përsëritur detyrimin për të respektuar të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare, deklarata bëri thirrje për akses të papenguar humanitar dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të rrisë mbështetjen për OKB-në dhe organizatat e tjera humanitare që ndihmojnë civilët anembanë Sirisë.
Së fundi, ai theksoi nevojën për të ruajtur stabilitetin në rajon duke mbrojtur ata që punojnë për të mbështetur paqen dhe përpjekjet humanitare.
Bashar Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e kryeqytetit Damaskun më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, i cili kishte sunduar Sirinë që nga viti 1963.
Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në të gjithë Sirinë ditët e fundit, duke synuar objektet ushtarake pas rrëzimit të Asadit.
Izraeli deklaroi gjithashtu rënien e Marrëveshjes së Shkëputjes së vitit 1974 me Sirinë, e cila kishte krijuar një zonë mbrojtëse të demilitarizuar në Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli. Ushtria izraelite që atëherë ka vendosur forca në zonën tampon, një veprim i dënuar nga OKB-ja dhe disa vende arabe.
Përdorimi botëror i qymyrit pritet të arrijë nivel rekord të të gjitha kohëve më 2024, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare për Energji, teksa viti që po lëmë pas sipas të gjitha gjasave do të jetë më i ngrohti i regjistruar në histori.
Pavarësisht thirrjeve për të ndalur djegien e lëndës më të ndyrë fosile të njerëzimit që po nxit ndryshime klimatike, ANE ka thënë se pret që kërkesa globale për qymyr të arrijë shifra rekorde për të tretin vit rresht, raporton AFP.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se gazrat serrë që ngrohin planetin duhet të reduktohen në mënyrë drastike, për të kufizuar ngrohjen globale, në mënyrë që të shmangen efektet katastrofike ndaj Tokës dhe njerëzimit.
Më herët, në dhjetor, monitoruesi i klimës i Bashkimit Evropian, Copernicus, tha se viti 2024 “pothuajse sigurisht” do të jetë më i nxehti në histori – duke thyer rekordin e vënë nga viti i kaluar.
Raporti “Thëngjilli 2024” i ANE-së, i publikuar të mërkurën, parashikon se bota do të arrijë kulmin e përdorimit të thëngjillit më 2027, teksa vetëm këtë vit ka kapërcyer shifrën e 8.77 miliardë tonëve.
Por, kjo do të varet nga Kina, e cila gjatë çerekshekullit të fundit ka konsumuar 30 për qind më shumë qymyr sesa pjesa tjetër e botës bashkë, ka thënë ANE.
Kërkesa në rritje e Kinës për energji ka qenë faktori më i madh prapa rritjes së përdorimit të qymyrit, teksa më shumë se një e treta e qymyrit të përdorur në botë është karbonizuar në termocentralet e saj.
Rritja e kërkesës për qymyr në Kinë, si dhe në ekonomitë në rritje, si India dhe Indonezia, minimizuan rënien e vazhdueshme në ekonomitë e avancuara.
Megjithatë, kjo rënie është ngadalësuar në BE dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përdorimi i qymyrit atje pritet të ulet për 12, përkatësisht 5 për qind, krahasuar me 23 dhe 17 për qind më 2023.REL/
Bota
Presidenti turk Erdogan kërkon mbështetjen e BE-së për kthimin e refugjatëve sirianë
Published
20 hours agoon
December 17, 2024By
UBTnewsPresidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i kërkoi BE-së të mbështesë kthimin e refugjatëve sirianë që ikën gjatë luftës civile 13-vjeçare të vendit.
Gjatë një konference për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ai bëri thirrje për një administratë gjithëpërfshirëse në Siri dhe përjashtoi çdo rol të grupeve “terroriste” në rajon.
“Ne kemi parë se jemi dakord për krijimin e një administrate gjithëpërfshirëse në Siri,” tha Erdogan.
Shtetet perëndimore po hapin gradualisht kanale për autoritetet e reja në Damask të udhëhequra nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), megjithëse ata vazhdojnë ta cilësojnë atë si një grup terrorist.
Erdogan tha se nuk kishte vend për organizatat terroriste në rajon, duke iu referuar veçanërisht Shtetit Islamik dhe grupeve militante kurde. Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ka theksuar më parë rëndësinë e një procesi tranzicioni gjithëpërfshirës në Siri.
Erdogan gjithashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të mbështesë kthimin në shtëpi të sirianëve që ikën nga lufta, miliona prej tyre në Turqi.
“Ne presim që Bashkimi Evropian të mbështesë kthimet në Siri,” tha ai.
Bota
Sulmi izraelit në Gazë i vret 8 persona nga e njëjta familje, thonë zyrtarët shëndetësorë
Published
20 hours agoon
December 17, 2024By
UBTnewsNjë sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës i ka lënë të vdekur të paktën tetë njerëz nga familja e njëjtë, thanë të martën zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Shumica e të vdekurve në këtë sulm janë gra dhe fëmijë, sipas tyre.
Sulmi ndodhi të hënën natën dhe e goditi një shtëpi në lagjen qendrore, Daraj, në qytetin Gaza, sipas shërbimit emergjent të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Një baba me tre fëmijë dhe gjyshja e fëmijëve ishin në mesin e trupave të nxjerrë nga rrënjat, sipas Associated Press.
Ushtria izraelite ende nuk e ka komentuar këtë sulm.
Lufta e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Ushtria izraelite ka thënë se i ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë dëshmi për këtë.
Lufta në Gazë filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL/
Del në ankand kopja 237 vjeçare e Kushtetutës së SHBA-së
Shqipëria nënshkruan Marrëveshjen e Partneritetit të Sigurisë e Mbrojtjes me BE-në
Sulmi në Ibër Lepenc, Musliu tregon kush qëndron pas
Publikohet studimi që zbulon se sa të vjetra janë unazat e Saturnit
Presidentja e Sllovenisë në vizitë, Policia e Kosovës njofton për ndërprerje të përkohshme të trafikut
Rashford paralajmëron largimin nga United
Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkon respektimin e marrëveshjes së 1974 për shkëputjen e Sirisë
Dyshohet se keqpërdori sigurimet e veturave, arrestohet një person
Tom Cruise merr mirënjohje nga marina amerikane falë rolit në “Top Gun”
Të kërkuara
-
Bota2 months ago
Trump premton paqe në Liban nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë
-
Bota2 months ago
Koreja e Veriut rrit frikën në botë, lëshon raketën e re balistike ndërkontinentale
-
Kulturë3 months ago
Marigona Ferati, profesoresha e UBT-së, zëri i artit në jurinë ndërkombëtare në festivalin e teatrove në Oman
-
Bota1 month ago
“Ethet” e kthimit të Trump! Takohen Macron e Starmer, zbardhet fokusi i diskutimeve