Lajmet

Rritje shqetësuese e dhunës në familje, vrasje në tentativë dhe aksidente në raportin 24‑orësh të Policisë së Kosovës

Published

on

Në raportin e fundit 24 orësh nga Policia e Kosovës, në disa qytete të Kosovës ka pasur incidente kriminale dhe shifra të larta të gjobave të shqiptuara në kundërvajtje.

AKSIDENTE TRAFIKU DHE GJOBA

Gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2573 tiketa trafiku, janë shkaktuar 46 aksidente me dëme materiale dhe 26 aksidente me të lënduar. Zyra e Informimit nga PK ka njoftuar se 17 persona janë arrestuar, kurse 11 janë dërguar në mbajtje.

 INCIDENTET KRIMINALE-PRISHTINË

 LËNDIM I LEHTË TRUPOR & POSEDIM I NARKOTIKËVE

Rr. Lidhja e Pejës, Prishtinë 18.09.2025-20:00.  Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare derisa kishte qenë në shoqëri me të e cila ka pranuar trajtim mjekësor. Gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një sasi e vogël substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

DHUNË NË FAMILJE

Podujevë 15.09.2025 – 13:30. Me 18.09.2025 është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se me datën e cekur ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës bashkëshortes së tij dhe po ashtu dyshohet se e ka detyruar viktimën të largohet nga shtëpia. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

VRASJE NË TENTATIVË & SH. RR. P.& ARMËMBAJTJE PA LEJE

Prishtinë 13.09.2025-18:28.  Lidhur me rastin është raportuar se me 18.09.2025 janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe gjatë kontrollit në vendbanimet e tyre dhe në një veturë pronë e njërit prej tyre,  janë gjetur dhe konfiskuar : një armë e shkurtër – pistoletë dhe një AK-47. Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

RASTET TJERA/ NGJARJET:

PERSON I ZHDUKUR

Rr. Dardania, Fushë Kosovë 14.09.2025 – 18:00.  Me datë 18.09.2025 ankuesja ka raportuar se djali i saj i mitur, me datën e cekur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij.  Rasti është duke u hetuar.

Rr. Bedri Bajrami, Podujevë 14.09.2025 – 12:00. Ankuesi ka informuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar.

INCIDENTE KRIMINALE-GJILAN

VRASJE NË TENTATIVË

Fsh. Debëlldeh, Viti 18.09.2025 – 14:25. Viktima mashkull kosovar, ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pasi që i dyshuari mashkull kosovar (për motive të panjohura), dyshohet se ka shtënë me armë gjuetie në drejtim të tij. Viktima për shkak të lëndimeve është dërguar për tretman mjekësor në QE-në Gjilan, ndërsa i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Njësitet policore në konsultim e koordinim me prokurorin gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të dyshuarit kanë gjetur dhe konfiskuar: 1-pushkë gjysmë automatike, 1-pushkë pneumatike, 1-pistoletë me gaz, 149-fishekë, 3-gëzhoja dhe 2-DVR të kamerave të sigurisë. Rasti duke u hetuar.

DHUNË NË FAMILJE

Gjilan 17.09.2025 – 23:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht babanë e tij viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

INCIDENTE KRIMINALE-FERIZAJ

Asgjë me rëndësi për të raportuar.

 INCIDENTE KRIMINALE-PRIZREN

DHUNË NË FAMILJE

Suharekë 18.09.2025 – 15:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.  

VJEDHJE E VETURËS

Fsh. Landovicë, Prizren 18.09.2025 – 02:05. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se persona të panjohur (gjatë natës) i kanë vjedhur veturën me targa vendore, të cilën e kishte të parkuar në oborrin e tij.  Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Raport shtesë:

KULTIVIM I BIMËS SË HASHASHIT, SHKURRES SË KOKAINËS OSE BIMËVE TË KANABISIT  

Fsh. Maqitevë, Suharekë 16.09.2025 – 17:30. Lidhur me rastin, sistemi për ujitje dhe disa pajisje që kanë shërbyer për mbjellje të bimëve narkotikë janë asgjësuar me vendim të prokurorit. Rasti është duke u hetuar.

INCIDENTE KRIMINALE-PEJË

Asgjë me rëndësi për të raportuar.

INCIDENTET KRIMINALE-GJAKOVË

DHUNË NË FAMILJE

Gjakovë 17.09.2025 – 19:00. Me 18.09.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se me datën e cekur në gjendje të dehur ka fyer dhe sulmuar fizikisht viktimatbashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur. Viktimat kanë refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Raport shtesë:

DHUNË NË FAMILJE

Gjakovë 16.09.2025 – 09:30. Lidhur me rastin me 18.09.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-MITROVICË VERI

 VDEKJE E DYSHIMTË

Fsh. Jasenovik i Poshtëm, Zubin Potok 18.09.2025 – 06:40. Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës femër kosovare. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

RASTET TJERA/ NGJARJET:

AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME

Rr. Sutjeska, Mitrovicë Veri 18.09.2025 – 21:00. Vozitësi mashkull kosovare, me veturë dyshohet nga pa kujdesia ka goditur këmbësoren femër kosovare- e mitur. Viktima është dërguar në Spitalin e Mitrovicës për tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar.

INCIDENTET KRIMINALE-MITROVICË JUG

VRASJE NË TENTATIVË

Mitrovicë Jug 18.09.2025 – 09:00. Ankuesja femër kosovare, ka informuar se nipi i saj i dyshuari mashkull kosovar, kishte tentuar të privojë nga jeta. I dyshuari është dërguar në neuropsikiatri nga familjarët. Viktima është dërguar në IML për ekzaminim. Rasti është duke u hetuar.

DEPARTAMENTI I POLICISË KUFITARE

KALIM ILEGAL I KUFIRIT

Rr. Eksodi 99, Hani Elezit 18.09.2025 – 17:10. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i R. Maqedonisë Veri, pasi që kishte kaluar kufirin ilegalisht. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

/S.K/PK/

 

 

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

83 vjet nga vdekja e Faik Konicës

Published

on

Më 15 dhjetor 1942 ndërroi jetë mjeshtri i hollë i gjuhës shqipe Faik Konica. Ai mbahet mend si krijuesi i prozës moderne shqipe.

Faik Konica njihet si një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

I lindur më 15 mars 1876 në Konicë, Konica ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.

Rrjedh nga një familje e vjetër feudale, dhe mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke.

Konica mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar.

Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”.

Ai fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta.

Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi botoi broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”.

Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj.

Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve.

Në Kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore e më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Në vitin 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet ‘20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri përmes gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”.

Me dështimin e Revolucionit Demokratik dhe me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial.

Konica la pas vetes veprat letrare “Doktor Gjilpëra”, (prozë satirike), “Katër përralla nga Zullulandi”, (cikël tregimesh), “Shqipëria si m`u duk”, (udhëpërshkrim) dhe “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës juglindore”, (dorëshkrim anglisht i veprës)./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Policia e Kosovës paralajmëron shoferët për kujdes të shtuar në trafik nga mjegulla

Published

on

Policia e Kosovës apelon te shoferët e automjeteve që të kenë kujdes në këto kohë me mjegull, të përdorin dritat e shkurtra dhe dritat e mjegullës si dhe të evitojnë përdorimin e dritave me rreze të gjata. Gjithashtu ata theksuan se shoferët duhet të ngadalësojnë dhe mbajnë shpejtësinë nën kontroll,  të mbajnë krahun e djathtë të rrugës dhe të shtojnë vëmendjen ndaj ndryshimeve të papritura të dukshmërisë.

Si pasojë e kushteve atmosferike, në rajonin e Ferizajt, përfshirë komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit, është vërejtur prezencë e mjegullës, veçanërisht në zonat me pozitë më të ulët gjeografike dhe në afërsi të lumenjve, duke ulur dukshmërinë në rrugë.

“Mjegulla mund të krijojë iluzione optike dhe t’ju bëjë të mendoni se po lëvizni më ngadalë se sa në të vërtetë. Siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftim./S.K/PK/

Continue Reading

Lajmet

27 vjet nga rasti “Panda”, avokati Jashari: Një mësim historie që Kosova nuk guxon ta harrojë

Published

on

Rasti Panda kujtohet si rasti kur 27 vjet më parë, Serbia kishte vrarë gjashtë të rinj serbë dhe kishte plagosur 15 të tjerë në një lokal në qytetin e Pejës në mënyrë që faji të vihej te shqiptarët. Megjithatë për rastin, avokati Arbër Jashari thotë se autorët e krimit asnjëherë nuk u vënë para përgjegjësisë.

Megjithëkëtë, Jashari thotë se rasti “Panda” është një mësim historie që Kosova nuk guxon ta harrojë.

“Rasti “Panda”, një mësim historie qe Kosova nuk guxon ta harrojë. Sot bëhen 27 vjet nga rasti “Panda”. Vrasja e gjashtë të rinjve serbë, rreth tri dekada më parë, në një lokal në qytetin e Pejës, e kryer nga vetë shteti serb me qëllim që fajësia t’u hidhej shqiptarëve, shpërfaq më së miri mendësinë e një politike të rrezikshme, barbare dhe djallëzore të këtij shteti ndaj shqiptarëve. Ky është një mësim historie që Kosova nuk guxon ta harrojë kurrë. Se krimi u krye nga serbët, e kishte pranuar rreth dy vjet më parë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Megjithatë, mbetet për keqardhje fakti që autorët e këtij krimi, ndonëse të njohur nga shteti, nuk janë vënë kurrë para përgjegjësisë”, ka shkruar Jashari.

Gjashtë të rinj shqiptarë u arrestuan dhe u shpallën fajtorë për krimin pas ngjarjes (17 deri në 22 vjeç). Gjashtë djemtë u torturuan dhe njëri prej tyre pranoi vrasjen nën tortura.

Mirëpo, në gjyq ata u shpallën të pafajshëm pasi nuk kishte prova për përfshirjen e tyre.

Ata u dënuan me nga një vit burg për prishje të rendit publik, por u liruan një muaj më vonë. Që atëherë, njëri prej tyre ka pësuar probleme të shëndetit mendor, të cilat janë përkeqësuar me kalimin e kohës.

Shumë vite pas incidentit, qeveria serbe zyrtarisht e ka pranuar se ajo ishte kryer nga agjentë të Shërbimit Sekret Serb./S.K/EO/

 

Continue Reading

Lajmet

Tërmet 3.1 ballë të shkallës Rihter në Kosovë

Published

on

Një tërmet me magnitudë 3.1 ballë të shkallës Rihter është regjistruar sot në mëngjes në rajonin kufitar mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave sizmologjike, lëkundja ka ndodhur më 15 dhjetor 2025, rreth orës 07:20 sipas kohës lokale (06:20 UTC). Epiqendra e tërmetit është lokalizuar në koordinatat 42.3734° N, 21.2843° E, rreth 35 kilometra në juglindje të Prishtinës dhe 11 kilometra në verilindje të Ferizajt.

Tërmeti ka pasur një thellësi prej rreth 9 kilometrash./S.K/EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara