“Rojtari”, vepër e piktorit të njohur serb, Paja Jovanoviq, është konfiskuar në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, kanë raportuar mediat në Serbi. Një udhëtar kishte tentuar ta kontrabandonte veprën duke e fshehur në bagazh.
“Një 39-vjeçar nga Beogradi, duke marrë bagazhet u nis drejt daljes së aeroportit nëpër zonën e gjelbër, ku kalojnë ata që s’kanë çfarë të deklarojnë për doganim. Kur bagazhet e tij u kontrolluan, midis gjësendeve personale u gjet edhe vepra e kornizuar ‘Rojtari’, me dimensione 70 me 56 centimetra”, kanë njoftuar autoritetet doganore të Serbisë.
Vepra “Rojtari” e Paja Jovanoviqit, e konfiskuar tashmë në Beograd, muajin e kaluar në Vjenë ishte shitur për 110 mijë euro
“Rojtari” muajin e kaluar u shit në ankand në “Dorotheum” të Vjenës.
Në fakt, edhe kjo vepër, njashtu si shumë të tjera të Jovanoviqit (16 qershor 1859 – 30 nëntor 1957), paraqet shqiptarin. Piktori i njohur ka një seri veprash ku portretizohen shqiptarët në Egjipt me kostume të dallueshme tradicionale.
Pos veprës, doganierët të premten kanë gjetur te ky udhëtar edhe faturën origjinale me shumën prej 137 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat. Më 7 qershor, vepra tashmë e konfiskuar, arriti të shitej për 110 mijë euro në njërën prej shtëpive më të njohura të ankandeve, “Dorotheum”, e themeluar në vitin 1707.
Pos “Rojtarit” – në po të njëjtin ankand të veprave të shekullit XIX – u shit edhe vepra tjetër e Jovanoviqit, e titulluar “Albaneze” që paraqet ushtarin shqiptar, me dimensione 16 me 12 centimetra. U vlerësua prej 12 mijë deri në 16 mijë euro, në ankand shpresuan ta shisnin për 20 mijë euro, por e kaloi edhe këtë shifër, tek e arriti çmimin prej 38 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat.
Edhe “Rojtari” theu rekord. U llogarit të shitej për 20 deri në 30 mijë euro, por arriti trefishin. Por, një ditë pas konfiskimit, autoritetet e kryeqytetit të Serbisë kanë dalë me plane për “Rojtarin”.
Nënkryetari i Beogradit, Goran Vesiq, të shtunën ka thënë se kjo vepër do të ekspozohet për publikun e gjerë. Ka bërë me dije se ajo do të zërë vend në Muzeun e Qytetit të Beogradit. Ka zbuluar edhe një tjetër detaj: vetë qeveria lokale e kryeqytetit serb, kishte synuar ta blinte atë në ankandin e shtëpisë austriake.
“Nuk kemi guxuar ta zbulojmë faktin që ishim të interesuar ta blejmë këtë vepër, sepse do t’ia rrisnim çmimin. E kemi lutur një kompani perëndimore që vepron në Beograd që ta blejë atë dhe t’ia dhurojë Muzeut të Qytetit të Beogradit. Ajo ishte e gatshme ta paguajë deri në 50 mijë euro në ankand, por ajo arriti çmimin prej 110 mijë eurosh”, ka thënë Vesiq.
Veprat e mjeshtrit Paja Jovanoviq, ka kohë që ofrohen për shitje nga shtëpi të njohura ankandesh. Vetëm “Dorothemum” ka shitur 12 vepra të këtij autori. Muajin e kaluar, Dimitra Reimüller, kuratore e artit të klasicizmit në këtë shtëpi, kishte zbuluar se si kishte arritur te ta vepra “Rojtari”.
“Edhe kjo vepër i përkiste një koleksioni privat. Erdhi te ne nga Italia dhe ishte në pronësi të së njëjtës familje mbi 100 vjet. Hulumtuan për prejardhjen dhe e rikonstruktuam historinë. Sipas të gjitha gjasave, është blerë, gjegjësisht i është porositur direkt artistit”, kishte thënë Reimüller për mediat në Serbi.
Paja Jovanoviq llogaritet të ketë bërë tetë piktura me temë shqiptare, ndër të cilat veprat: “Lufta e gjelave”, “Zbukurimi i nuses” apo “Shqiptari me duhan”. Edhe në “Dy bashibozukët para portës” dallohen lehtë kostumet shqiptare. /koha
Muzeu “Reporting House” është anëtarësuar në Network of European Museum Organisations, një arritje e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe kujtesës kolektive të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ky vlerësim konfirmon rëndësinë e rrëfimit për luftën, rezistencën dhe rolin e gazetarisë në ruajtjen e së vërtetës, duke e vendosur historinë e Kosovës në një kontekst më të gjerë evropian dhe duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi. Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se i ka ofruar këtij muzeu mbështetje trevjeçare, duke kontribuar në zhvillimin e tij si një hapësirë e rëndësishme për dokumentim, edukim dhe kërkim.
Nga kjo ministri është vlerësuar puna e ekipit të muzeut, duke e cilësuar këtë sukses si një hap të rëndësishëm në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të kujtesës kolektive.
Në Bruksel është prezantuar vepra pesëvëllimëshe “Kujtesa e Kosovës: Ydriz Basha i Novosejt”, një projekt trevjeçar i realizuar nga Fondacioni Ydriz Basha në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Botimi përmbledh materiale të përzgjedhura nga një arkiv i pasur digjital me mbi 20 mijë njësi, të dhuruara nga familja Basha në vitin 2018, duke dokumentuar veprimtarinë e Ydriz Bashës në mbështetje të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Ngjarja u mbajt në ambientet e Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës, në praninë e përfaqësuesve diplomatikë, pjesëtarëve të diasporës shqiptare, institucioneve kulturore belge dhe kryetarit të Bashkisë së Brukselit, Philippe Close.
Ky botim është pjesë e projektit “Kujtesa e Kosovës”, i nisur në vitin 2022, që synon të dokumentojë historinë e patreguar të vendit përmes dëshmive dhe përjetimeve të atyre që kanë kaluar periudha të shtypjes dhe padrejtësive. Bashkëpunimi shënon herën e parë që Biblioteka Kombëtare e Kosovës i kushton vëmendje të veçantë kontributit të diasporës politike, duke vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Evropë gjatë viteve të rezistencës.
Kimete Mitrovica, një nga themelueset e fondacionit, theksoi se puna do të vazhdojë me mbledhjen dhe digjitalizimin e historive të diasporës shqiptare, me synimin për t’i përfshirë ato më fuqishëm në kujtesën kulturore shqiptare dhe evropiane.
Në këtë aktivitet folën edhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, si dhe drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, e cila ftoi komunitetin shqiptar në mërgim të kontribuojë me materiale arkivore për ruajtjen e kujtesës historike dhe politike.
Sot, më 29 prill, në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Baletit, një ditë e dedikuar promovimit të këtij arti skenik dhe vlerësimit të balerinëve dhe koreografëve.
Kjo datë është zgjedhur në nder të Jean-Georges Noverre, i cili konsiderohet si themelues i baletit modern. Në këtë ditë, institucione kulturore dhe studio baleti organizojnë shfaqje, aktivitete artistike dhe punëtori për të afruar publikun me këtë formë të veçantë arti.
Kjo ditë shërben gjithashtu si një kujtesë për rëndësinë e baletit në kulturë dhe në zhvillimin e artit skenik bashkëkohor.
Në kuadër të Ditës Botërore të Vallëzimit, më 29 prill, Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë premierën e parë për vitin 2026, duke sjellë një mbrëmje të veçantë artistike për publikun.
Programi do të përfshijë dy shfaqje koreografike që do të eksplorojnë tema të ndryshme përmes lëvizjes dhe muzikës. Vepra “We will never give up on love”, me koreografi nga Erion Kruja, do të vijë me muzikë nga Chase & Status dhe vetë koreografi, ndërsa asistent do të jetë Fatmir Smani.
Ndërkohë, pjesa e dytë “Bletë” do të mbajë firmën koreografike të Clébio Oliveira, me asistencë nga Lela Di Costanzo dhe muzikë nga Matresanch.
Premiera do të mbahet më 29 prill, ndërsa repriza e parë do të zhvillohet më 30 prill, duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Kjo mbrëmje pritet të jetë një festë e vallëzimit dhe krijimtarisë bashkëkohore, duke shënuar një fillim të rëndësishëm të sezonit artistik për vitin 2026.