Një këshillë që vjen nga të moshuarit – “mendoni pozitivisht” – tani mbështetet edhe nga shkenca. Një studim i ri i publikuar nga Times of India tregon se mendimet e vazhdueshme negative mund të dëmtojnë seriozisht shëndetin mendor dhe aftësitë njohëse te të rriturit më të moshuar.
Studiuesit në Wuhan të Kinës analizuan 424 persona mbi 60 vjeç dhe zbuluan një lidhje të fortë mes mendimeve të përsëritura negative dhe performancës më të dobët në testet e kujtesës, vëmendjes dhe arsyetimit. Vlerësimet u kryen me pyetësorin RNT dhe metodën Montreal Assessment Scale, duke treguar se ata që kishin më shumë mendime negative, shfaqnin funksione njohëse dukshëm më të dobëta.
Ky rezultat mbeti i pandryshuar edhe kur u morën parasysh faktorë si mosha, arsimi, të ardhurat apo sëmundjet kronike.
Sipas studiuesve, grupmosha 60–79 ishte më e prekura, tek të moshuarit mbi 80 vjeç ose tek ata me arsim të ulët, ndikimi ishte më i dobët.
Ky nuk është studimi i vetëm që arrin në këtë përfundim, kërkime të ngjashme në Universitetin e Kalifornisë dhe në Universitetin e Barcelonës kanë dalë me rezultate të njëjta. Shkencëtarët shpjegojnë se mendimet negative shkaktojnë stres afatgjatë, rritje të kortizolit, inflamacion dhe tension të lartë gjaku – faktorë që, me kalimin e kohës, dëmtojnë trurin.
Përveç kësaj, ndryshimet biologjike, edukimi dhe mosha përforcojnë efektet negative.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e masave parandaluese: kontrolle të rregullta shëndetësore, terapi për menaxhimin e stresit, gjumë të mirë, aktivitet fizik, përfshirje në shoqëri dhe ushqim të shëndetshëm. Po aq e rëndësishme është nxitja e mendimeve pozitive.
Studimi kinez ka kufizime: mungesë të pjesëmarrësve nga kultura të ndryshme e vështirësi në raportimin e saktë të mendimeve negative.
Studiuesit sugjerojnë se duhen të dhëna afatgjata për të kuptuar më qartë si mendimet ndikojnë në funksionin njohës me kalimin e viteve.