Histori

Pse duhet të studiojmë edhe historinë që nuk ka ndodhur kurrë?

Nga Nandini Das.

Publikuar

Nga Nandini Das

Aludimi mbi skenarët alternativë është një praktikë gjithnjë joshëse, si në jetën tonë të përditshme, po ashtu edhe kur përpiqemi të kuptojmë të kaluarën. Pyetjet rreth asaj që ndodhi rrëshqasin shumë lehtë në hamendësime: po sikur të mos ndodhte, apo të kishte ndodhur ndryshe?

Historianët priren të mos i trajtojnë me dashamirësi spekulime të tilla. Prej tyre ushqehet shumë letërsia dhe kinemaja e fanta-shkencës. Në nëntorin e vitit 1616, ambasadori i parë anglez në Indi, Sër Tomas Roi, u shkroi drejtuesve të Kompanisë Indive Lindore.

Në letër Roi i paralajmëron ata se “lufta dhe tregtia janë të papajtueshme midis tyre”, dhe se ishte më mirë që të kërkohej fitimi përmes një “tregtie të qetë”. Roi nuk ishte aspak idealist kur bëhej fjalë për ambiciet globale angleze. Këshilla e tij bazohej në përdorimin më të mirë të burimeve të kompanisë. Pos siç na tregon e historia, “tregtia e qetë’ nuk mbeti qëllimi kryesor i anglezëve në Indi.

Po çfarë do të kishte ndodhur nëse do të ishin ndjekur këshillat e Roit? Kur po shkruaja mbi historinë e ambasadës së parë angleze në Indi, kjo ishte një pyetje që u ngrit vazhdimisht, si nga unë po ashtu edhe në bisedat me të tjerët. Ndërsa përgjigjja e thjeshtë është se nuk mund ta dimë, injorimi i kësaj pyetjeje do të thotë të imponosh një ndjenjë të pashmangshmërisë mbi praninë e britanikëve në Indi, duke mos pasur parasysh pasiguritë që e përkufizuan atë.

Por spekulimi mbi ngjarjet historike që nuk kanë ndodhur nuk është ndonjë gjë e re. Ndoshta shembulli më i njohur i tij është pyetja e vjetër: “Po sikur Hitleri ta kishte fituar Luftën e Dytë Botërore?”. Historiani romak Tit Livi ngriti këtë pyetje për Aleksandrin e Madh.

Ai arriti në përfundimin se edhe nëse Aleksandri do të kishte pushtuar Romën, romakët do të kishin fituar në fund përmes forcës së disiplinës së tyre ushtarake. Spekulimet të ngjashme nga kolegët e tij shtrihen nga sumerët dhe egjiptianët, deri tek spekulimet e famshme të shekullit XVII-të të Blez Paskal mbi efektin që mund të ketë pasur gjatësia e hundës së Kleopatrës në historinë e botës.

Linja e të menduarit “Po sikur Lufta e Dytë botërore të përfundonte ndryshe” ka gjeneruar një grup romanesh nga “Njeriu në fortesën e lartë” të Filip Dik, tek “Atdheu” i Robert Harris apo “Dominion” i C.J.Sansom, secili duke u përballur me një skenar në të cilin fuqitë aleate humbasin ndaj Gjermanisë së Hitlerit.

Të tjerët kthehen shumë më pas në kohë me librin “Vitet e orizit dhe kripës” të Kim Robinson, kur shfarosja e popullsisë së Evropës (dhe Krishterimit) nga murtaja çon në një gjeopolitikë alternative në të cilën fetë mbizotëruese janë Islami dhe Budizmi.

Për historianët, historia kundër-faktuale dhe vëmendja që i kushtohet asaj që nuk ndodhi është si një mbretëri e çuditshme, e errët, shpeshherë idiote, ndonjëherë e rrezikshme dhe gati gjithmonë problematike.

Kur Riçard J.Evans shkroi një ese me titull “Po sikur? Një humbje kohe” në The Guardian në vitin 2014, fokusi i tij ishte mbi pasojat ideologjike të analizave të tilla. Ai i referohej prirjes popullore të karakterizuar nga libra si “Historia virtuale: Alternativat dhe kundër-faktet” nga  Niall Ferguson.

Për Evans, problemi me ushtrime të tilla nuk qëndronte thjesht tek spekulimet që përbënin themelin e tyre. Rreziku i vërtetë ishte në atë që ai e quan një lloj “atavizmi intelektual”, duke u tërhequr në një linjë të shkrimit të historisë mbi “Burrat e Mëdhenj”, ku veprimet e disave përcaktuan lëvizjen e ngjarjeve botërore.

“Pse jemi kaq të prirur në fillim të shekullit XXI-të që t’i qasemi historisë në këtë mënyrë?’- Pyeti Evans. Për të, interesi ynë për historinë e asaj që mund të kishte qenë është i lidhur me gjendjen post-moderne, me mosbesimin tek ekspertiza dhe faktet që duket se e ngjyrosin debatin publik dhe akademik.

Këto janë shqetësime me vlerë. Por ekziston një perspektivë alternative. Në librin e tyre të vitit 2021 “Një e shkuar e mundësive: Historia që mund të kishte ndodhur”, Kuentin Delormoz dhe Pier Sinzharavlou pranojnë rreziqet, por theksojnë se edhe metodat historike konvencionale nuk janë të imunizuara ndaj asaj që dikush mund ta quajë një paragjykim i përditshëm.

Pra përfundimet që dalin nga kërkimi ynë historik, diktohen jo vetëm nga njohuritë tona, por nga kontekstet brenda të cilave veprojmë. Vënia në pikëpyetje e përfundimeve të tilla përmes pyetjes “Po sikur”, është e ndryshme nga spekulimet e pakufizuara.

Një nga pretendimet e tyre më interesante është se përtej Evropës, hamendësimet dhe historiografitë alternative, kanë gjetur shpesh hapësirë në vendet dikur të kolonizuara, në Indi dhe Australi, në vendet e Amerikës Latine dhe në komunitetet e margjinalizuara.

Siç argumentojnë ata, këto projekte “po përpiqen të ndërtojnë një tjetër narrativë të historisë botërore, duke e ndryshuar shkallën e analizës dhe rivendosur këndvështrime të tjera”.

Për shumë njerëz të angazhuar sot në trajtimin e pyetje të tilla, shtysa drejt historisë kundër-faktuale nuk ka të bëjë me dhënien e përparësive të njerëzve të mëdhenj dhe ngjarjeve të mëdha. Përkundrazi, ato na kujtojnë se arkivat dhe metodologjitë nga të cilat varen “provat” konvencionale historike nuk janë në vetvete pothuajse asnjëherë neutrale.

Kush jetoi? Të dhënat e kujt mbijetuan? Cilat histori tregohen, dhe si janë vënë në punë? Këto pyetje janë varur gjithmonë nga qasja diferenciale tek pushteti. Për studiuesen amerikane Saidija Hartman, këto kufizime kanë kërkuar mënyra të reja për të analizuar të kaluarën, duke prodhuar një mënyrë shkrimi të cilën ajo e ka quajtur një “fabulizim kritik”.

Ndërsa për historianë si Stefani Smolludd, ndërsa debatet aktuale rreth asaj se çfarë përbën historia, vazhdojnë të ngjallin imazhe të një kuptimi monolit e të pandryshueshëm të së kaluarës, të ndërtuar nga blloqe faktesh neutrale të gërmuara nga arkivat, ka ardhur ndoshta koha që t’i kushtojmë një vëmendje të re fragmenteve dhe zërave të humbur, ngërçeve historike dhe pikë-kthesave të humbura ndaj historisë që nuk u regjistrua dhe historisë që nuk ndodhi. / “The Guardian” – Bota.al

Histori

“Kur paqja dukej e mundur“

Publikuar

nga

Nga Enrico Franceschini

Nuk ka pasur gjithmonë luftë mes izraelitëve dhe palestinezëve. Ishte një periudhë në gjysmën e dytë të viteve nëntëdhjetë, kur unë isha korrespondent në Jerusalem, në të cilën procesi i paqes i nisur nga Rabini dhe Arafat jepte shpresë të madhe dhe atmosfera midis dy popujve të thirrur nga historia për të ndarë të njëjtën tokë, ishte paqësore.

Bashkëpunëtorim im palestinez largohej rregullisht nga Ramallahu, kryeqyteti i Territoreve Autonome të qeverisura nga Arafati në Bregun Perëndimor, për të ardhur me makinë me të dashurën e tij dhe notuar në plazhin e Tel Avivit, e më pas ndaleshin për darkë në breg të detit.

Shumë izraelitë shkonin për të bërë pazar në Bregun Perëndimor sepse produktet ishin më të lira. Më shumë se njëqind mijë palestinezë në ditë largoheshin nga Gaza për të punuar në vende të ndryshme izraelite. Dhe pelegrinët e krishterë, pasi vizitonin Varrin e Shenjtë brenda mureve të Qytetit të Vjetër, merrnin një autobus ose taksi për të parë Kishën e Lindjes së Krishtit në Betlehem.

Turizmi po lulëzonte, e ardhmja dukej premtuese, krijimi i një shteti palestinez të gatshëm për të jetuar në paqe dhe siguri reciproke përkrah Izraelit dukej i afërt.

Nuk ka rëndësi se kush ishte më përgjegjës për dështimin e këtij projekti dhe kthimin (për fat të keq, mjaft shpejt: ndërsa jetoja ende në Jerusalem) tek terrorizmi dhe lufta.

Por kujtimet e mia tregojnë se një zgjidhje e konfliktit është e mundur, pavarësisht se ekstremistët e shtyjnë atë. Megjithatë, si një udhëheqës izraelit ashtu edhe një udhëheqës palestinez duhet të dëshirojnë të arrijnë në zgjidhje. Duhen dy për të kërcyer tangon, siç thotë një shaka e vjetër, dhe gjithashtu për të bërë paqe mes armiqve./bota.al

Vazhdo të lexosh

Histori

George Washington u këshillua ta shpallte veten sundimtar të SHBA-së, por refuzoi

Publikuar

nga

Gjenerali George Washington para 240 vjetësh ishte komandanti i Ushtrisë Kontinentale dhe më 4 dhjetor 1783, u takua me oficerët e tij të lartë në një tavernë të Nju Jork-ut për t’u lënë lamtumirën.

Oficerët ishin të emocionuar ngaqë gjenerali Washington nuk ishte vetëm komandanti, por edhe heroi i tyre.

Historianët thonë se disa nga oficerët e këshilluan që ta shpallte veten sundimtar të Shteteve të Bashkuara. Ata e siguruan se do të kishte edhe mbështetjen e ushtarëve.

Washington hodhi poshtë idenë si të gabuar, duke thënë se nuk dëshironte asgjë tjetër veçse të kthehej në plantacionet e tij në Mount Vernon në Virgjinia.

Megjithatë, katër vjet më vonë ai doli përsëri në skenë, jo si sundimtar fuqiplotë, por si presidenti i parë i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vazhdo të lexosh

Histori

Sot ditëlindja e Enver Hoxhës, çfarë dihet për fëmijërinë e tij

Ai ishte djalë i një familjeje modeste gjirokastrite.

Publikuar

nga

Enver Hoxha ishte djalë i një familjeje modeste gjirokastrite. Ai besohet se ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen Palorto, në familjen e Halil dhe Gjyle Hoxhës. Pavarësisht se 16 tetori ishte festa e ditëlindjes së tij, kërkimet dokumentare për të janë të rrëmujshme.

Në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, për Enver Hoxhën, janë shënuar 5 ditëlindje të ndryshme. Regjistri i bashkisë Gjirokastrës, nr. 6, fleta 75 shënimet për lagjen “Teqe-Meçite-Hazmurat”, shënon se Enver Hoxha, ka lindur më 12 maj 1908.

Shënimi sqaron se prindërit e tij janë Halil (babai) dhe Gjylo (nëna)”. Në Liceun e Korçës, Hoxhës i janë shënuar dy ditëlindje: 17 qershor dhe 3 tetor (vitet 1929 e 1930).

Në Francë, figuron me ditëlindje 3 tetor ndërsa gazeta “Bashkimi” 1946 vendoste si ditëlindje 3 shtatorin. 16 Tetori, ditëlindja që ai festonte vetë u bë publike në gazetën Bashkimi më 16 tetor 1947. Por këto të dhëna s’kanë luajtur ndonjë rol në biografinë e tij. Janë me gjasë produkt i kaosit që shoqëronte Shqipërinë në atë kohë.

Ai kishte një vëlla më të madh të quajtur Beqir, i cili vdiq në moshë të re nga tuberkulozi, dhe tre motra Fahrien, Haxhon dhe Sanijen.

Enver Hoxha e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në dy qytete të Shqipërisë, në Gjirokastër dhe në Korçë.

Gjirokastra luajti rol pothuajse modest në formimin e tij, ndërsa Korça është qyteti ku ai u formua vërtet. Transferimi i Hoxhës në Korçë ndodhi në mbarim të vitit të dytë liceal.

Në tetor 1930, Enver Hoxhës iu dha një bursë nga qeveria e Zogut për të studiuar biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Montpeljesë, Francë.

Në korrik të vitit 1936, Enver Hoxha kthehet përfundimisht në Shqipëri. Për disa ai drejtoi Shqipërinë me nder për 40 vite, kurse për pjesën tjetër, Hoxha sundoi Shqipërinë gjatë kësaj periudhe. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij.

Ai shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij. Pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985 vdes më 11 prill 1985.

Vazhdo të lexosh

Histori

Historia e rebelimit të madh në burgjet amerikane

Nëntë pengje dhe më shumë se 30 të burgosur u vranë nga plumbat e policisë gjatë sulmit.

Publikuar

nga

Më 13 shtator 1971, afro 1 mijë e 500 policë dhe roje burgu sulmuan burgun shtetëror të Atikës në shtetin New York për të shtypur një nga rebelimet më të mëdha të burgjeve në historinë amerikane.

Nëntë pengje dhe më shumë se 30 të burgosur u vranë nga plumbat e policisë gjatë sulmit. Rebelimi kishte shpërthyer më 9 shtator, kur një grup të burgosurish nuk pranoi të ndahej në grupe më të vegjël për të kryer punët e zakonshme të mëngjesit.

Revolta u përhap, ndërkohë që të burgosurit filluan të thyenin dritaret dhe të digjnin orenditë e burgut. Brenda disa orësh, 1 mijë e 500 të burgosur iu bashkuan revoltës dhe morën peng dhjetëra punonjës të burgut.

Vendimi për dërgimin e policisë u mor katër ditë pas dështimit të bisedimeve të vështira për lirimin e pengjeve.

Të burgosurit u kishin paraqitur zyrtarëve një listë kërkesash, përfshirë përkujdesje më të mirë mjekësore, heqjen e censurës mbi materialet për lexim, lirinë fetare dhe një program për ”rehabilitim real” për t’i përgatitur të burgosurit për jetën jashtë mureve të burgut. Zyrtarët plotësuan disa prej kërkesave.

Mirëpo, zyrtarët kundërshtuan kërkesat e të burgosurve që ata të mos gjykoheshin për vdekjen e rojeve të burgut dhe për pjesëmarrjen në rebelim./KosovaPress/

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara