Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 30 maj – 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

(“Bujku” e zwvendwsoi gazetwn e ndaluar “Rilindja”

30 maj 1993

Adem Demaçi në ditën e shtatë të grevës së urisë

Adem Demaçi, sot hyri në ditën e shtatë të grevës së urisë, të cilën e filloi në shenjë kundërshtimi të shkatërrimit të “Rilindjes” dhe në mbrojtje të mendimit dhe të fjalës së lirë shqipe.

Sipas raportit të sotëm të konziliumit të mjekëve, gjendja shëndetësore e Adem Demaçit nuk ka ndryshuar ka dita e djeshme. Adem Demaçi është nën përkujdesjen e përhershme mjekësore dhe konziliumi i mjekëve të Fakultetit të Mjekësisë të Prishtinës,varësisht nga gjendja e tij shëndetësore, do të lëshojë kumtesa të veçanta.

 

Konferencë për gazetarë e Këshillit Grevist të “Rilindjes”

Në konferencën e sotme për gazetarë që mbajti Këshilli Grevist i “Rilindjes”, dr.Ali Jakupi njoftoi për gjendjen e grevës së urisë dhe asaj të përgjithshme në ndërmarrjen “Rilindja”.

Me këtë rast u paraqit komunikata e Këshilli Grevist rreth takimit të fundit me përfaqësuesin e Misionit të KSBE-së. Më 29 maj, thuhet në kumtesë, rreth orës 22.00 në lokalet e Pallatit të Shtypit u mbajt takim i ri i Këshillit Grevist me përfaqësuesit e KSBE-së për Kosovën, i cili prej 28 majit është duke ndërmjetësuar në procesin e negociatave me palën serbe.

Mediatori i KSBE-së informoi Këshillin Grevist për bisedat me palën serbe rreth propozimeve dhe marrëveshjeve të inicuara nga Këshilli Grevist më 28 maj, pas takimeve të para me përfaqësuesin e KSBE-së.

Bazuar në informacionin e ofruar nga përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së pritet që më 31 maj të arrihet marrëveshje konkrete. Kontaktet me mediatorin e KSBE-së po vazhdojnë.

Greva e urisë dhe greva e përgjithshme e punonjësve të “Rilindjes” nuk do të ndërpritet pa u arritë marrëveshja me shkrim, thuhet në fund të kësaj kumtese.

Në këtë konferencë për gazetarë, ekipi kujdestar i mjeteve paraqiti raportin për gjendjen shëndetësore të grevistëve, në të cilin thuhet se gjendja shëndetësore e grevistëve përcillet në vazhdimësi. Disa grevistëve të urisë u është preferuar të ndërprejnë grevën e urisë për shkak të simptoneve të keqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore, kurse gjendja shëndetësore e përgjithshme e 22 grevistëve është relativisht e mirë, thuhet në raportin e mjekëve.

Këshilli Grevist i “Rilindjes” bëri të ditur se greva e urisë dhe greva e përgjithshme po vazhdon dhe ka rrjedhë normale, njerëzit janë të mobilizuar dhe në këto rrethana po kryejnë çdo detyrë që parashtrohet nga Këshilli Grevist.

 

Lista e grevistëve të urisë

Në grevën e urisë, përpos Adem Demaçit, po marrin pjesë edhe: Shaip Beqiri, Bardh Hamzaj, Blerim Shala, Halil Matoshi, Shpend Vinca, Agim Zogaj, Idriz Ulaj, Ali Hajdini, Muhamet Ahmeti, Bejtush Halimi, Aqif Mulliqi, Safet Zejnullahu, Shkëlzen Stublla, Milaim Breznica, Bajram Kosumi, Milazim Krasniqi, Besim Rexhaj, Ali Podrimja, Ali Jakupi, Zenun Çelaj, Abdullah Konushevci dhe Baton Haxhiu.

 

30 maj 1994

Represioni në Kosovë

Podujevë: – Më 25 maj, policia serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve për herë të tretë bastisi shtëpinë e Halim Bajgorës në Dobratin të Podujevës. Pas bastisjes, policia mori me vete Halim Bajgorën në stacionin e policisë dhe bëhet me dije se është rrahur brutalisht.

Po këtë ditë, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, mori vëllezërit Fehmi dhe Nijazi Xheladinin nga Podujeva dhe i dërgoi në stacionin e policisë në Podujevë. Vëllezërit Xheladini në polici u mbajtën rreth dy orë, të cilët u keqtrajtuan rëndë.

Të njëjtën ditë, policia për herë të dytë kërkoi në shtëpinë e tij, Muhamet Latifin, kryetar i Nëndegës së LDK-së në fshatin Pollatë. Po këtë ditë e njëjta ekspeditë e policisë, nën pretekst të kërkimit të armëve ishte në shtëpitë e Hamdi Latifit, Enver Monollit dhe të Muharrem Demës në Pollatë të Podujevës. Policia ishte edhe në shtëpinë e Sahit Demës për të kërkuar djalin e tij Nallber Demën, i cili nuk gjendej në shtëpi. Të lartëpërmendurve policia ua la thirrjet që të paraqiten në stacionin e policisë në Podujevë.

Më 27 maj, Rrahim Ademi nga Metohia e Podujevës iu përgjegj thirrjes së policisë që e kishte marrë ditë më parë. Bëhet me dije se Rrahim Ademi nën pretekst të dorëzimit të armëve u rrah rëndë në stacionin e policisë në Podujevë.

Po këtë ditë, policia armë kërkoi edhe nga Hajdar e Rifat Hajdari nga Podujeva. Policia ia la thirrjen bijëve të Rifat Hajdarit që të paraqitet në polici, kurse Rifatin e urdhëruan që në afat prej tre ditësh të dorëzojë një pushkë.

Prishtinë: – Më 26 maj, rreth orës 21, katër policë serbë hynë dhe bastisën shtëpinë e Maliq Demirit (55), pensionist në lagjen 1″Ulpiana” C -1, kati II, nr. 6. Bastisja u bë nën pretekst të kërkimit të armëve. E shoqja e Maliqit, Remzia u tha policëve se familja e saj nuk ka kurrëfarë arme. Pas bastisjes, policët morën pasaportat e dy djemëve të Maliqit, Fehmiut (22) dhe të Xhavitit (20). Policët iu kërcënuan kësaj familjeje se do ta bastisin sërish.

Policia la një vërtetim për bastisje dhe një tjetër për marrjen e dy pasaportave.

Novobërdë: – Më 26 maj, policia e Novo Bërdës, nën pretekst të kërkimit të armëve rrahu rëndë, Gani Abdylin nga Kosnica.

Po këtë ditë, policia, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi disa herë shtëpinë e Sadik Hasimit nga Llabjani i Prishtinës, i cili punon përkohësisht në botën e jashtme. Bëhet me dije se bashkëshortja e Sadik Hasimit së bashku me pesë fëmijët është larguar nga shtëpia për t’i ikur keqtrajtimeve të njëpasnjëshme të policisë serbe.

Njoftohet se në pyetje u morën Salih e Nazmi Zeqiri nga Llabjani, të cilët u urdhëruan që të paraqiten sërish në polici nën pretekst të dorëzimit të armëve.

Malishevë: – Javën e fundit dhuna dhe represioni i policisë serbe kundër banorëve të fshatrave Bubavec, Shkarashnik, Lubizhdë, Mirushë, Malishevë, Kijevë e tj., po shkallëzohet nga dita në ditë. Kështu vetëm në fshatin Lubizhdë, policia plaçkiti rreth 4.000 marka gjermane.

Më 25 maj, rreth orës 4 të mëngjesit, rreth 30 policë serbë të postkomandës së Kijevës, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisën shtëpitë e Halit dhe Kadri Krasniqit në Drenoc të Malishevës. Ndonëse në këto dy familje nuk u gjet kurrfarë arme, policët në prani të anëtarëve të familjes keqtrajtuan fizikisht vëllezërit Shani dhe Ismail Krasniqin, si dhe anëtarët e tjerë të familjes. Bëhet me dije se policia rrahu edhe plakun 60-të vjeçar, Kadri Krasniqin.

Më 26 maj rreth orës 15, policia e postkomandës së Kijevës, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Milaim M.Kryeziut. Ndonës e nuk u gjet kurrfarë arme, policia

në prani të anëtarëve të familjes rrahu rëndë Milaim M.Kryeziun, ndërsa më pas edhe në postkomandën e Kijevës u rrah rreth një orë. Bëhet me dije se Milaim M.Kryeziu pësoi lëndime të rënda trupore.

Të njëjtën ditë në të njëjtin fshat, policia bastisi edhe shtëpinë e Ramadan Kryeziut.

Ndërsa në fshatin Shkarashnik, policia rrahu rëndë edhe invalidin ushtarak, Veli D.Thaçin në prani të anëtarëve të familjes. Në shtëpinë e Veli D.Thaçit u rrah edhe Ejup Bujupi nga Arrlati, i cili ndihmonte Veli D.Thaçin në punë ndërtimi. Bëhet me dije se policia e mori me vete Veli D.Thaçin, të cilin e dërguan në afërsi të varrezave të lagjes Zymraj të Carrallukës, ku sërish vazhduan me tortura kundër tij. Veli D.Thaçi mbeti i alivanosur një kohë të gjatë derisa u gjet nga një kalimtar rasti. Bëhet me dije se gjendja shëndetësore e Veli D.Thaçit është e rëndë.

Vushtrri: – Më 27 maj rreth orës 14, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Sheremet Saraçit në fshatin Gllavatin të Vushtrrisë. Meqë Sheremeti nuk gjendej në shtëpi, policia atë e gjeti në shkollë dhe bëhet me dije se nën pretekst të kërkimit të armëve Sheremet Saraçi është rrahur rëndë në poskomandën e Prilluzhës dhe ashtu të alivanosur e kanë hedhur në rrugë.

Viti: – Mbrëmë rreth orës 23.00, polici serb Mija Krstiç, hyri në shtëpinë e Kamber A.Krasniqit në Reshtan të Suharekës, shtëpia e të cilit edhe më parë është bastisur nga policia serbe. Polici, Mija Krstiç e dërgoi Kamberin në stacionin e policisë në Viti, ndërsa më vonë nën ndikim të alkoolit u kthye sërish në shtëpinë e Kamber A.Krasniqit, i cili provoi që të marrë në pyetje bashkëshorten e Kamberit, e cila nuk pranoi. Polici Krstiç me t’u kthyer në stacionin e policisë e liroi Kamber A.Krasniqin rreth orës 1, pas mesnate me kusht që patjetër të dorëzojë një revole.

Më 26 maj, rreth orës 11, dy policë hynë në lokalet e Këshillit Komunal për Financim në Viti dhe konfiskuan dokumente e materiale të ndryshme që gjendeshin në zyre. Bëhet me dije se policia nga arkatari përveç dokumenteve dhe materialeve të tjera, plaçkiti edhe 100 CFR, 65 DM, 70 dinarë, si dhe librin e protokolit.

Pas plaçkitjes, policia mori me vete arkatarin e Këshillit për Financim, Emrush Azizin, i cili në lokalet e policisë u mbajt deri rreth orës 16 dhe u lirua me kusht që të paraqitet sërish të nesërmen në orën 8 në stacionin e policisë në Viti.

Më 27 maj, inspektorët e sigurimit serb morën në pyetje edhe sekretarin e Këshillit Komunal për Financim, Nijazi Miftarin, i cili u mbajt rreth 4 orë në polici.

Po këtë ditë në polici ishte edhe kryetari i këshillit Komunal për Financim, Zaim Zejnullahu. Zaim Zejnullahu u mor në pyetje edhe një ditë më vonë.

 

 

30 maj 1995

 “Bujku” komenton grackat e disa ankandeve për shitjen e pasurisë së Kosovës

Gazeta “Bujku” komenton në numrin e saj të sotëm ofertën e publikar dy herë brenda pesë ditëve të “3 T” në gati një të pestën e faqes së fundit të gazetës “Bujku” për shitjen e lokaleve afariste në qendrën tregtare në Podujevë.

Po në ditën e parë kur u botua kjo ofertë-reklamë në gazetën tonë, më 20 maj (që për fat të keq u përsërit edhe më 25 maj), në gazetën “Politika” të Beogradit, u botua shpallja e ankandit për shitjen e lokaleve afariste të “Jugoautos” në Prishtinë, që gjenden përballë Radio Prishtinës.

Herë pas herë ankande të tilla janë shpallur edhe për lokale të tilla e të ngjashme në qytete të ndryshme të Kosovës.

Shpallja e ankandeve të tilla në kushte e rrethana normale, nuk do të bënte ndonjë përshtypje të posaçme, së paku jo në opinionin e gjerë dhe tek ata që s’do të kishin kapital për të blerë lokalet e ankandit. Megjithatë, në rrethanat tona aktuale, kur pushteti i instaluar okupues serb në Kosovë shqiptarët i ka shpronësuar nga çdo e drejtë elementare nacionale, ankandet e tilla të ngjashme, për arsye të shumta, nuk mbesin pa jehonë, as pa komentime të ndyshme, shkruan autori Xhemajl Rexhepi.

Autori vlerëson se posaçërisht jehonë negative bëri riaktualizimi i projektit të ndërtimit të lokaleve afariste në Podujevë. Organet e instaluara serbe, e patën inauguruar këtë projekt para më se tre vjetësh dhe përkundër vërejtjeve e kundërshtimeve të banorëve e arkitektëve shqiptarë se duhet të ruhet parku i qytetit, ata i bënë “kryq e tërthor” themelet e betonit, duke sakatosur kështu parkun e vogël dhe të vetëm të qendrës së Llapit. Por, ashtu si i vendosën, ashtu u mbetën, për të dalë tani në skenë “3 T” i cili me pompë kërkon blerës për këto lokale që duan t’i ndërtojnë në parkun e qytetit.

Edhe pse ky projekt po reklamohet me të madhe, gjasat për inkuadrimin e shqiptarëve si blerës (eventualë) janë minimale. Në radhë të parë për shkak se projekti në fjalë është planifikuar të ndërtohet aty ku me kurrfarë logjike e as plani urbanisitik nuk do të duhej të ndërtohej. Sepse, ta shkatërrosh parkun në zemër të qytetit për të bërë kasolla tregtarësh, këtë s’do ta bënte askush që ia do të mirën këtij qyteti dhe banorëve të tij. Pse e bënë këtë organet e instaluara serbe, llapjanët këtë e dinë fare mirë, prandaj edhe mosinteresimi i tyre për lokale të tilla afariste me “bisht” është i natyrshëm. Ata mendjelehtë që mashtrohen duke besuar se me këtë gjoja po mundësohet që të hapin vende të reja pune e të fitojnë, le të rikujtojnë se po ky pushtet mbi 120 mijë shqiptarë i përzuri nga puna, në 400 ndërmarrje kosovare i futi masat e dhunshme, e mbi 100 mijë nxënës e studentë të shkollave të mesme e të shkollave të larta e të fakulteteve i përzuri jashtë lokaleve mësimore, e të mos flasim për dhunën e represionin e institucionalizuar mbi tërë popullatën shqiptare, shkruan autori.

Ndërsa duke komentuar ankandin për lokalet afariste të “Jugoautos” në Prishtinë, autori pasi përkujton se për një metër katror çmimi fillestar do të jetë 4.500 dinarë, shkruan se çmimi kaq i lartë do të ishte befasi edhe për qendrën e Beogradit, e lëre më për Prishtinë. Por, miti i hedhur nga guvernatori i bankës jugosllave se “Kosova dhe shqiptarët bëjnë oazën më të pasur në botë me kapital financiar”, sikur i katandisi politbiznismenët e Beogradit që nga shqiptarët të nxjerrin ekstraprofite. Përshpëritjet e këtoditshme se në këtë ankand do të marrin pjesë edhe blerës të interesuar shiptarë, të cilët në ankandin e 30 majit do të “nxehen” e shtyhen mes veti deri në dyfishimin e çmimit fillestar, besojmë se do të mbesin vetëm fjalë e përshpëritje.

Kjo për arsye se një investim i tillë fantastik prej 500-600 mijë markash gjermane në pronë të patundshme, e për çka ky sistem nuk paraqet kurrfarë garancie juridike, është “hesap pa hanxhiun” si thotë populli.

Le të përkujtojnë famijen prishtinase që para më se një muaji u nxorr nga shtëpia që para më se dhjet vjetësh e kishte blerë nga pronari serb për 400 mijë marka. Por, të përkutjohet edhe fati i mbi 500 familjeve shqiptarë që u nxorrën nga banesat e tyre, edhe pse kishin të drejtën e banesës. Në anën tjetër nuk duhet harruar edhe faktin se me pazare të tilla në mënyrë të drejtëpërdrejtë ndihmohet materialisht ky pushtet që s’po lë të keqe pa bërë mbi shqiparët, shkruan në koment Xhemajl Rexhepi, në gazetën a sotme “Bujku”.

 

 30 maj 1998

Në fshatrat e Gjakovës u vranë dje të paktën dy shqiptarë e dy policë serbë

Sipas njoftimeve nga terreni, gjatë sulmeve të djeshme serbe janë vrarë Rexhep Sadiku nga Nivokazi dhe Halit Asllani nga Brovina. Në rrethana të panjohura ka vdekur edhe Xhafer Krasniqi, por supozohet se ka edhe të vrarë e të plagosur të tjerë.

Njoftohet se ka të vrarë edhe në anën e okupatorit serb. Në morgun e spitalit të Gjakovës thuhet të jenë mbajtur për një kohë të shkurtër dy policë të vrarë.

Edhe mbrëmë në drejtim të fshatrave të Rekës së Keqe kanë vazhduar të shtënat dhe granatimet, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Forcat ushtarake serbe kanë granatuar edhe fshatrat Palabardh e Bitash si edhe fshatrat përreth.

Në Bitash forcat serbe kanë shkatërruar shtëpitë e Xhafer Imerajt, Gjon Jakajt, Rasim Pukës dhe Hilë Vilajt.

Në Palabardh është shkatërruar shtëpia e Lan Delisë.

Gjendje shumë e tensionuar mbretëron edhe sot në komunën e Gjakovës. Një helikopter i policisë serbe ka bartur policë të plagosur nga ndërtesa e policisë serbe në Gjakovë.

Edhe sot po vazhdojnë granatimet e fshatrave të Rekës së Keqe që nga Juniku deri te Batusha. Armiku ka pasur edhe dëme materiale, si kamionë, transporterë dhe automjete të blinduara.

Qyteti i Gjakovës ende mbahet në bllokadë të hekurt dhe është e pamundshme të arrihet në frontet e luftimeve. Vazhdon lëvizja e shtuar e forcave të armatosura ushtarake dhe policore serbe. Janë shkyçur lidhjet telefonike. Furnizimi i popullatës me artikuj ushqimorë dhe medikamente ende është në bllokadë totale.

Ende mbahet në arrest dr. Fehmi Vula, ndërsa sot u mor përsëri Besa Arllati, që të dy anëtarë të Kryesisë së Degës së LDK-së në Gjakovë.

Në Gjakovë sot forcat serbe kanë urdhëruar mbylljen e të gjitha dyçaneve të shqiptarëve që gjenden afër stacionit të policisë. Burimet e LDK-së në Gjakovë njoftuan përmes Prizrenit, pasi lidhjet telefonike janë ndërprerë qysh prej ditës së djeshme, se janë mbyllur rreth 35 dyçane të shqiptarëve.

 

Kryetari Rugova bisedoi me sekretaren e shtetit Ollbrajt

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova u takua sot në Stejt Departament me sekretaren amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt.

Në takimin e përzemërt, që filloi në orën dhjetë dhe që zgjati një orë, u bisedua për situatën në Kosovë dhe për nevojën e për mundësitë e angazhimit të SHBA-ve dhe të faktorëve ndërkombëtarë për zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës.

Kryetari Rugova e përshkruajti gjendjen në Kosovë shumë të rëndë e të rrezikshme për shkak të aksioneve të forcave policore e ushtarake serbe. Duke pasur parasysh gjendjen e ashpërsuar në dy ditët e fundit, dr. Rugova bëri thirrje për veprime urgjente të SHBA-ve e të aleatëve të saj për të ndërprerë këto aksione dhe me qëllim të tërheqjes së forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova.

Kryetari i Republikës së Kosovës theksoi përcaktimin e udhëheqjes së Kosovës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili ka filluar me ndihmën dhe me përkrahjen e SHBA-ve. Ai ritheksoi përcaktimin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Sekretarja e shtetit Medlin Ollbrajt theksoi përcaktimin e SHBA-ve dhe angazhimin e gjithanshëm të administratës amerikane për të ndihmuar Kosovën. Zonja Ollbrajt kujtoi takimin e fundit të NATO-së në nivel të ministrave, Grupin e Kontaktit dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, në kuadrin e të cilave SHBA-të po e ndihmojnë arritjen sa më shpejtë të zgjidhjes së çështjes së Kosovës përmes një statusi shumë të lartë në kuadër të Jugosllavisë.

Sekretarja e shtetit amerikan, duke iu drejtuar kryetarit Rugova dhe delegacionit që e kryeson, tha se SHBA-të do t’u përkrahin fuqishëm në rrugën Tuaj paqësore dhe në procesin e negociatave. Ajo u angazhua për intensikimin e dinamikës së bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Dr. Rugova në takim shoqërohej nga kryeministri i Republikës së Kosovës, dr. Bujar Bukoshi, koordinatori i Grupit të Këshilldhënësve dr. Fehmi Agani dhe nga Veton Surroi, anëtar i këtij grupi.

Ndërsa, Medlin Ollbrajt shoqërohej nga Robert Gelbard, i dërguar special për Ballkanin i Presidentit Klinton dhe Sekretares së shtetit Ollbrajt, Kristofer Hill – ambasador i SHBA-ve në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë dhe nga diplomati Xhim Svajgert.

Kryetari Rugova me këtë takim përfundoi vizitën në Uashington dhe u nis për në Nju-Jork, ku të hënën do takohet me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan.

 

Tre të vrarë e tre të plagosur në Vranoc të Pejës

Gjatë sulmit të djeshëm të forcave serbe kundër fshatrave të Lugut të Baranit u vranë tre shqiptarë, së paku tre u plagosën dhe u dëmtuan shumë shtëpi.

Burime nga Peja bëjnë të ditur se sulmi ishte i një intensiteti më të lartë ndaj fshatit Vranoc, i cili u granatua nga ora 5. 30 deri në orën 17. 30 të ditës së djeshme.

Në këtë fshat u vranë Beqir (Rrustem) Krasniqi, hoxhë, Imer (Elez) Ukaj (55) dhe Fazë (Zenun) Krasniqi (35), ndërsa u plagosën Ismet, Metë dhe Cufë Krasniqi.

Po në këtë fshat nga granatimet u dëmtuan shtëpitë e Ramë, Zymer, Naim, Gani, Ali, Emrush, Zenun, Sadik, Isuf, Shkëlzen, Ramush e Rexhë Krasniqit. U dëmtuan gjithashtu edhe shkolla dhe xhamia e fshatit.

Në përpjekje për të mbrojtur shtëpitë dhe fshatin e tyre, sulmit iu kundërvunë banorët vendës, ndërkohë që gratë dhe fëmijët u evakuuan nga fshati.

Po dje u sulmua edhe fshati Kryshec, ku u granatua sidomos lagja e Gërvalljave, në të cilën u dëmtuan disa shtëpi. Edhe banorët e kësaj lagjeje janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Gjatë ditës së djeshme policia serbe ka ndërhyrë edhe në fshatin Zllopek. Në këtë fshat forcat serbe kanë tubuar dhe i kanë transportuar me automjete të ndryshme civile e policore disa banorë të fshatit, kryesisht gra dhe fëmijë dhe i kanë dërguar në Pejë. Njoftohet se policia ka arrestuar Vesel I. Dizdarin (40), vëllezërit e tij Istrefin (25) dhe Dautin (22) nga Zllopeku dhe Selman H. e Smajl Elezajn nga Boriq dhe Benjamin Mazrekajn nga Peja, të cilët u dërguan në sigurimin serb në Pejë, ku u keqtrajtuan fizikisht. Nuk ka njoftime nëse janë liruar të gjithë.

Njoftimi nga Peja thekson gjithashtu se gjatë incidentit të djeshëm në lagjen Zatra, kur policia ndërhyri në kërkim të ushtarëve serbë të ikur nga kazerma ushtarake, forcat serbe ndërhynë në disa familja shqiptare, duke thyer dyert dhe dritaret e shtëpive.

Policët hynë në shtëpitë e Genc Beqirit, Isuf e Kurtesh Mushkolajt, Enver Osmanit, Ramë Krasniqit, Rrustem Mamajt e Rasim Gashit, ku dëmtuan e thyen orendi e pajisje teknike. Policët gjithashtu rrahën Fadil Musën i cili së bashku me familjen e tij po largohej nga shtëpia.

Disa qytetarë u keqtrajtuan edhe në qytet, si Ismet Bytyçi e Aziz Syla nga Peja.

Njoftohet gjithashtu se policia shtiu me armë zjarri në objektet e ndërmarrjeve “Banana”, “Albi”, “Viktor B” etj.

Edhe në këtë situatë të rëndë Dega e LDK-së në Pejë dhe subjektet tjera të kësaj komune i bëjnë apel popullatës që të mos bie nën ndikimin e dezinformatave dhe të mos i lëshojnë shtëpitë e tyre pa pasur ndonjë arsye të madhe.

Në vet qytetin e Pejës jeta pothuaj është gati e paralizuar. Sot rreth mesditës u mbyllën dyqanet ndërsa lëvizjet e njerëzve janë reduktuar dukshëm.

Mjaft i reduktuar ishte edhe qarkullimi i automjeteve të udhëtarëve, veçanërisht në drejtim të Deçanit dhe të Prishtinës.

 

Një i vrarë e tre të plagosur në Kopiliç

Edhe gjatë ditës së sotme forcat serbe granatuan fshatrat e Drenicës, Kopiliçin, Açarevën, Burojën, Vojnikun, Turiçecin dhe Llaushën.

Burime të LDK-së bëjnë të ditur se nga granatimet u vra në shtëpinë e tij Fatmir Xhemajli (28) nga Kopiliqi, ndërsa u plagosën Valon Milazimi (28), Mujë J. Mala (60) dhe Xheladin Neziri (60), po ashtu nga Kopiliqi.

Njoftohet se forcat serbe u larguan nga postblloku i vendosur në Turiçec, duke djegur shtëpitë e lagjes së Kastratëve, ku ishte e vendosur policia dhe duke lënë të minuar vendin ku ishte postblloku. Gjithashtu, gjatë largimit policët granatuan në të gjitha anët dhe pastaj shkuan në drejtim të Klinës.

Forcat policore serbe janë tërhequr sot edhe nga postblloku policor në Morinë. Tash për tash këto forca po qëndrojnë në Polac.

Tash për tash nuk ka njoftime për pasojat e sulmit serb në Llaushë, Burojë e Vojnikë.

 

Mediat njoftojnë për tre ushtarë të vrarë dje në Morinë të Gjakovës

Shërbimi informativ i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave kumtoi sot se dje në afërsi të karrakollit Morina, në zonën kufitare me Shqipërinë, janë vrarë tre ushtarë dhe janë plagosur dy të tjerë.

Sipas njoftimit që e transmetoi radio “Evropa e lirë”, ushtarët e vrarë janë: Dragan Ignatoviq, Vojkan Matiq dhe Vukan Satiq.

 

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara