Aktualitet

Projektbuxheti për 2022 kritikohet nga opozita, Hoti: RTK-ja mund të falimentojë

Murati gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ka treguar për mënyrën e mbushjes dhe ndarjes së buxhetit.

Published

on

Ndonëse pati kritika dhe kundërshtime nga deputetët e opozitës, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere më shumicë votash të mërkurën ka miratuar në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2022.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë prezantimit të projektbuxhetit për 2022, i cili parashihet të jetë 2 miliardë 748 milionë euro, ka treguar për mënyrën e mbushjes dhe ndarjes së buxhetit.

Derisa ka thënë se përveç rritjes së buxhetit për disa dikastere, është paraparë vazhdimi i programit të Ringjalljes Ekonomike meqenëse ekonomia e vendit ende ka nevojë për mbështetje.

“Projektligji i buxhetit për vitin 2022 parash një buxhet të përgjithshëm në vlerën prej 2 miliardë e 748 milionë euro si shpenzime, kurse projeksioni për të hyrat është 2 miliardë e 364 milionë, ku shumica janë të hyra tatimore 2 miliardë e 103 milionë… Sa I përket deficitit dhe borxhit publik kemi një ngadalësim të ritmit për sa i përket deficitit… Sa I përket risive që parashihen me këtë projektligj, përveç rritjes pothuajse në të gjitha kategoritë për shumicën e dikastereve qeveritare, ka edhe disa risi të tjera është paraparë vazhdimi i Programit të Ringjalljes Ekonomike, meqenëse konsiderojmë që ekonomia e vendit ende ka nevojë për mbështetje”, theksoi Murati.

Në anën tjetër opozita ka pasur kritika për projektbuxhetin 2022, për çka kanë thënë se nuk është zhvillimor. Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku ka pasur vërejtje për projektbuxhetin, të cilin e quajti jo zhvillimor dhe pa vizion.

Deputeti Lushtaku po ashtu ngriti edhe çështjen e rritjes së borxhit publik dhe manipulimi siç tha ai me shifra për rritje ekonomike.

“Një projektbuxhet pa vizion e me borxhe të larta publike nuk garanton zhvillim, ministër për më shumë do të jep dëshpërim për fatin e keq të gjithëve. Si opozitë do të abstenojmë për me vazhduar tutje në mes dy leximeve ku do të japim kontributin tonë”, theksoi ai.

Deputeti Avdullah Hoti nga LDK-ja ngriti çështjen e shkurtimit të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, dhe ka pyetur ministrin Murati se a është buxhetuar Ligji për pagat.

“Tek pagat në sektorin publik, cili është projeksioni dhe kur pritni që të miratohet Ligji I pagave, edhe a është buxhetuar rritja e pagave që buron nga ky ligj… Tek ndërmarrjet publike ka pasur nga ana juaj akuza bukur të rënda vazhdimisht për rrjedhje financiare, tash i keni ndal ato rrjedhje apo? I keni ndërruar krejt bordet dhe tash i keni nën kontroll të plotë. Tash kemi prapë një 12 milionë euro subvencione për NP-të. Jeni para për ndërmarrje publike… E keni shkurtuar buxhetin për RTK-në rreth 2 milionë euro. Cili është plan nga do të kompensohet këtë 2 milionë? Dhe nëse e zvogëlojmë këtë ne praktikisht e falimentojmë mediumin publik”, pyet Hoti.

Për këtë ai mori përgjigje nga ministri Murati, se nëse miratohet ky ligj do të mbulojnë me anë të mjeteve nga siç tha ai kontigjenca me 55 milionë euro.

“Sa i përket Ligjit të Pagave, është një kontigjencë që e parasheh, në rast se ka miratim të ligjeve të reja, që mund të kenë kosto buxhetore, kemi paraparë një kontigjencë. Sa i përket suprimimeve nëpër Ministri, por nëse thoni 56 milionë euro shkurtim në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, ju siguroj që është gabim, për shkak se diku 60 milionë euro është I tërë buxheti I Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Murati.

Derisa Murati për shkurtimin e buxhetit të RTK-së tha se rreth 100 punonjës në këtë medium publik marrin paga më të larta se paga e një ministri. Një buxhet i tillë për RTK, ai tha se është i mjaftueshëm.

“Ndoshta edhe e dini që në RTK janë rreth 100 paga të cilat janë më të larta se paga e një ministri. Kemi kursime rreth 2 milionë euro nga AKP nga ulja e pagave, që e kemi shfrytëzuar për rekrutime në FSK nga AKP. E njëjta gjë mund të bëhet edhe nga RTK. Nëse RTK i ka 100 persona që marrin me shumë se paga e ministrit, kjo për mua nuk është në rregull. Konsideroj që një buxhet i tillë është më se i mjaftueshëm për RTK-në duke marrë parasysh nivelin e pagave që kemi në vend”, tha ai.

Deputeti Pal Lekaj nga AAK kritikoi ministrin Murati për mos përfshirjen e Ligjit të pagave dhe shkurtimin e buxhetit disa dikastere siç tha ai me rëndësi.

Deputeti Lekaj po ashtu shprehi dyshimin e tij për keqpërdorimin e fondit nga kontigjenca prej 50 milionë euro, i cili nuk përjashtoi mundësinë që viti 2022 të jetë vit zgjedhor.

Derisa plasën të qeshurat nga anëtarë e Komisionit për konstatimin e Lekajt për zgjedhjet.

“Më bëri përshtypja çështja për kontigjencën prej 50 milionë euro që me mbetur si rezervë. Ne praktikat e deritashme nuk kemi pasur diçka të tillë. Unë pajtoj për me mbetur një shumë në kuptimin që ndoshta dikush ka shpenzime më të mëdha, dikush më pak, dhe për mos me mbetur në suficit mirë keni menduar. Por, me ligj në praktikë nuk është kjo, sepse mund ta keqpërdorni. Edhe pse ndoshta nuk do të jetë vit zgjedhor, por nëse ka vit zgjedhor kjo mund të keqpërdoret. Nëse, s’e nuk i dihet. Nëse ka, por nuk e di, nuk po e themi as për shaka. Kjo është diçka që ia vlen të diskutohet në thelb”, tha Lekaj.

Deputeti nga radhët e VV Eman Rrahmani ka thënë se e kupton që pritjet e opozitës janë të mëdha, por shtoi se me anë të këtij buxheti do të ketë trende të rritjes ekonomike dhe zhvillim ekonomik.

“Është një fillim i mirë e i mbarë e që do të vazhdohet edhe për vitet e ardhshme. E di që pritjet janë shumë të mëdha sidomos nga opozita që po mundohen që brenda vitit, mirëpo realiteti është ky që të ecim me hapa të sigurt dhe të mos ketë kthim mbrapa. Për zhvillim ekonomik besoj që janë faktet që po tregojnë, rritja ekonomike dhe këtij fakti duhet ti gëzohemi të gjithë”, theksoi Rrahmani.

Ish-ministri i Financave, Hoti ka kërkuar përgjegjësi edhe për shkurtimin e buxhetit projektet kapitale rrugore, atë për Podujevë, Gjilan, derisa kërkoj përgjigje edhe rritjen e pagës minimale.

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara