Lajmet

Prezantohet programi “Kujdesi në grup për prindërim”, në përkrahje të prindërve dhe foshnjave

Published

on

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Shëndetësisë, Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka prezantuar programin e ri “Kujdesi në grup për prindërim”, që ka për qëllim përkrahjen dhe fuqizimin e prindërve të rinj, me një fokus të veçantë te prindërit dhe foshnjat. Ky program është një hap i rëndësishëm në mbështetje të shëndetit të prindërve dhe fëmijëve, duke ofruar informacione dhe mbështetje për periudhën kritike të prindërimit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë prezantimit të programit, theksoi se ky program është pjesë e një procesi të gjerë që ka filluar dy vjet më parë me vizitat në shtëpi për prindërit e foshnjave të sapolindura dhe trajnime për gratë shtatzëna. Ai shtoi se sot është dita e parë e trajnimit për prindërit që kanë foshnje të sapolindura, ku ata po përfitojnë informacione të nevojshme për të pasur një periudhë sa më të shëndetshme, si për foshnjat ashtu edhe për prindërit.

“Për trajnimet që kemi filluar sot është dita e parë e trajnimit të prindërve që kanë foshnje të sapolindura, për t’u trajnuar me informata shtesë që u nevojiten për të pasur një periudhë sa më të shëndetshme, si në aspektin psikik, ashtu edhe fizik, si për foshnjat, ashtu edhe për prindërit”, tha Kryetari Rama.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, foli gjithashtu për rëndësinë e këtij programi, duke e cilësuar si programin e tretë të këtij lloji që ka për qëllim forcimin e kapaciteteve për gratë, nënat dhe fëmijët. Ai theksoi se ky program synon të kontribuojë në uljen e numrit të vdekjeve të grave gjatë shtatzënisë dhe të fëmijëve të porsalindur, duke i ofruar atyre mbështetje dhe informacion të duhur për kujdesin shëndetësor.

“Ne dëshirojmë të forcojmë programet për nënat dhe fëmijët. Sot në botë, për fat të keq, vdesin 300 mijë gra gjatë shtatzënisë dhe dy milionë fëmijë të porsalindur. Përmes këtyre programeve dhe përkrahjes që ofron UNICEF-i dhe Ministria e Shëndetësisë, ne kemi arritur të krijojmë kapacitetet për këto tri programe”, tha Sadiku.

Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, e vlerësoi progresin që është arritur në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve, por theksoi se ende ka nevojë për angazhim më të madh. Ajo theksoi se shumë fëmijë ende nuk marrin vaksinat, përfshirë fëmijët nga komunitetet rome, ashkalinj dhe egjiptianë, dhe për këtë arsye programet si vizitat në shtëpi duhet të zgjerohen.

“Fëmijët janë kapitali më i madh njerëzor i Kosovës. Vetëm një në tre fëmijë ushqehen me gji në mënyrë të plotë. Shumë fëmijë ende nuk marrin vaksinat. Prandaj, programe si vizitat në shtëpi duhet të zgjerohen, dhe prindërit duhet të kenë më shumë njohuri për kujdesin ndaj fëmijëve”, tha Vashchenko, duke shtuar se UNICEF është i përkushtuar të vazhdojë punën për mirëqenien e fëmijëve në Kosovë.

Një nga prindërit që ka marrë pjesë në këtë program, Qwndresa Qarreti, e cila është bërë nënë për herë të parë, ka ndarë përvojën e saj. Ajo theksoi se ky trajnim ka qenë një ndihmë shumë e madhe për të, veçanërisht për sa i përket gjidhënies dhe ushqyerjes së foshnjës.

“Për mua ka qenë ndihmesë shumë e madhe, sidomos për gjidhënien, sepse jemi nëna të reja dhe nuk kemi shumë informata për ushqyerjen e bebës, cila është më e mira për foshnjën e porsalindur. Për këtë gjë jam shumë falënderuese“, tha Qarreti.

Ky program është një hap i rëndësishëm për mbështetje të prindërve të rinj dhe përmirësimin e kushteve të kujdesit ndaj foshnjave, duke u siguruar atyre informacionet dhe mbështetjeve të nevojshme për të kaluar periudhën e paslindjes në mënyrë sa më të shëndetshme dhe të suksesshme./UBTNews/

Continue Reading

Vendi

Prof. Dr. Denis Celcima pjesë e tryezës përmbyllëse të projektit kërkimor STI(G)MA

Published

on

By

Dekania e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Prof. Dr. Denis Celcima, ishte pjesë e tryezës së rrumbullakët që shënoi përmbylljen e ciklit kërkimor të projektit “STI(G)MA”, një iniciativë shkencore që vendosi në qendër fuqinë e fjalës dhe ndikimin e saj në ndërtimin e kuptimeve shoqërore.

Tryeza u organizua si moment reflektimi dhe diskutimi mbi rezultatet e projektit, i cili nisi nga një pyetje thelbësore: Çfarë bëjnë fjalët me ne — dhe çfarë bëjmë ne me fjalët? Në fokus të studimit ishte diskursi mediatik dhe mënyra se si stigmatizimi shpesh nuk shfaqet me zë të lartë, por depërton në mënyrë të heshtur përmes strukturave gjuhësore dhe modeleve të komunikimit. Koordinatore e këtij projekti ishte, profesoresha Eriola Bonja – Qafzezi. Prof. Dr. Denis Celcima, në cilësinë e ekspertes së fushës së psikologjisë, kontribuoi në diskutim duke theksuar rëndësinë e analizës së gjuhës si faktor kyç në formësimin e perceptimeve, qëndrimeve dhe sjelljeve sociale.

Ajo vuri në pah se fjalët nuk janë thjesht njësi komunikimi, por bartëse të kuptimeve, etiketimeve dhe përgjegjësive shoqërore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike dhe në marrëdhëniet ndërpersonale. Projekti STI(G)MA nuk u kufizua vetëm në një analizë teorike të diskursit, por u konceptua si një ftesë për të lexuar dhe dëgjuar me më shumë kujdes, për të kuptuar se stigmatizimi shpesh vepron në mënyrë subtile, duke lënë gjurmë të thella në individ dhe komunitet.

Nga “sti(g)ma” te “stima”, siç u theksua gjatë tryezës, fjalët bëjnë dallimin — nga etiketimi drejt vlerësimit, nga gjykimi drejt kuptimit. Në këtë aktivitet morën pjesë studiues, pedagogë, studentë dhe bashkëpunëtorë të projektit, të cilët përmes diskutimeve dhe pyetjeve të tyre kontribuan në një dialog të hapur ndërdisiplinar. U shpreh mirënjohje e veçantë për Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Universitetin “Fan S. Noli” për mbështetjen dhe besimin në këtë iniciativë kërkimore. Tryeza përmbylli zyrtarisht projektin, por jo edhe pyetjet që ai hapi.

Siç u theksua në përfundim, kërkimi shkencor është një proces i vazhdueshëm, ku përfundimet shpesh shërbejnë si pikënisje për rrugë të reja studimi. Dialogu mbi gjuhën, stigmatizimin dhe përgjegjësinë shoqërore mbetet i hapur, ndërsa rruga e kërkimit vazhdon aty ku kurioziteti shkencor nuk ndalet.

Continue Reading

Vendi

Hajrizi: Para 20 vjetësh kishim 5 studentë të IT-së, sot kemi me mijëra

Published

on

By

Edmond Hajrizi, Rektor i UBT-së, në EURO n’T7 ka thënë se ndër vite ka ndryshuar në tërësi kërkesa për drejtimet që të rinjtë duan të studiojnë; kjo tregon se edhe kërkesat për punë kanë ndryshuar.

Hajrizi, i cili me UBT shënon sivjet 25-vjetorin, tregon se kur kanë hapur degën për studime të teknologjisë informative kishin vetëm 5 studentë në këtë drejtim, derisa sot kanë me mijëra dhe kjo tregon se edhe nevojat e tregut kanë ndryshuar.

“Sot ka ndryshuar mindset-i i të rinjve. Fakti që ne si UBT kemi shkollën më të madhe të shkencave kompjuterike e nuk e kemi fakultetin juridik, i cili është më i vogli, tregon se të rinjtë duan të orientohen nga profesionet e së ardhmes siç janë IT, mjekësia dhe industria kreative, në funksione që faktikisht janë interesante. Njerëzimi sot ka nevojë për shumë profesione e profesionistë, sepse numri i të rinjve po bie, derisa ekonomia po rritet dhe nevojë për juristë të mirë e për ekonomistë të mirë do të ketë gjithmonë. Fakti që çdo vit regjistrohen me mijëra të rinj në fakultete si këto tregon se tregu ka nevojë për profesionistë si juristë ashtu edhe ekonomistë”, ka thënë Hajrizi.

Në anën tjetër, rektori i UBT-së ka kërkuar nga institucionet vendore që të largojnë të gjitha barrierat dhe t’u japin mundësi të rinjve për të studiuar duke mos kufizuar numrin e studentëve për drejtimet më të kërkuara, siç po ndodh në drejtimin e shkencave kompjuterike, ku kërkesa është e madhe derisa numri i studentëve është i kufizuar.

“Ne duhet ta ruajmë cilësinë e studimeve, por po ashtu duhet t’u japim mbështetje edhe më të madhe të rinjve që të kemi sa më shumë kuadro. Unë nuk mendoj se sot ne kemi ndonjë problem sa i përket përmbajtjes, infrastrukturës apo temave që trajtohen në botë; ne jemi në rrugën e njëjtë me të gjithë. Veç lodhesh duke menduar të shkosh diku jashtë për cilësi, sepse këtu i kemi të gjitha, sikur në Amerikë apo diku në Evropë”, ka shtuar Hajrizi.

Kreu i UBT-së po ashtu ka kërkuar nga niveli qendror e lokal i qeverisjes që të ndryshojnë mënyrën e qeverisjes për t’i dhënë më shumë hapësirë zhvillimit të vendit.

Continue Reading

Live

Izraeli nis sulmin kundër Iranit, shpall gjendje të jashtëzakonshme në vend

Published

on

By

Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.

Izraeli mbylli hapësirën ajrore të shtunën në mëngjes, tha Ministria e Transportit, pasi vendi kreu sulme ajrore ndaj Iranit, shkruan CNN.

Ende nuk është e qartë se si do të reagojë Irani. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar më parë se trupat amerikane në rajon mund të jenë në shënjestër nëse sulmohet.

(more…)

Continue Reading

Lajmet

“Ishte gjenocid” – Prof. Dr. Salih Krasniqi rrëfen tmerrin e spitaleve gjatë luftës dhe shpëtimin e qindra të plagosurve

Published

on

By

Kirurgu i përgjithshëm Prof. Dr. Salih Krasniqi ka rrëfyer në UBT podcast periudhën e luftës në Kosovë, ku përveç punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai shërbeu edhe në spitalet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke trajtuar qindra ushtarë dhe civilë të plagosur. Ai e cilëson atë periudhë si një ndër më të vështirat e jetës së tij, duke e quajtur hapur “gjenocid” atë që ndodhte në spitalet e kohës.

Sipas Krasniqit, vetëm rreth 10 për qind e stafit shqiptar kishte mbetur në punë në spitalet publike, ndërsa ai dhe kolegët e tij punonin paralelisht: gjatë javës në QKUK, ndërsa fundjavave në spitalet ushtarake në terren. Lufta, tha ai, mori përmasa të mëdha pas rënies së familjes Jashari, kur filloi të shtohej ndjeshëm numri i të plagosurve.

Ai ka dokumentuar 1,239 pacientë të trajtuar gjatë asaj periudhe, prej të cilëve 120 kanë vdekur në spital, sidomos pas fillimit të bombardimeve, kur – sipas tij – u rritën keqtrajtimet ndaj pacientëve shqiptarë në QKUK.

Krasniqi ka shërbyer në disa zona lufte, përfshirë Malishevën, Gradicën dhe Llapin. Në korrik të vitit 1998, ai mori pushimin vjetor për t’u angazhuar në Malishevë, ku numri i të plagosurve ishte shumë i madh. Në vitin 2001, ai u angazhua edhe në zonën e Likovës, ku për 43 ditë trajtoi rreth 375 të plagosur.

Rreziku më i madh, sipas tij, ishte rruga drejt spitaleve. “Na dilnin prita. Kishin mundësi të na likuidonin apo të na rrihnin,” rrëfen ai, duke përmendur raste kur mjekë shqiptarë janë keqtrajtuar fizikisht.

Ai ndau edhe dëshmi tronditëse për torturat ndaj pacientëve shqiptarë në spital: rrahje, lidhje për radiatorë, djegie me cigare dhe etiketime si “terrorist” në dokumente mjekësore. Në disa raste, ai arriti të shpëtojë pacientë duke i nxjerrë fshehurazi nga spitali dhe duke i dërguar në vende më të sigurta.

Prof. Dr. Salih Krasniqi e përshkruan atë që ndodhte në sistemin shëndetësor gjatë luftës si një përpjekje të organizuar për shkatërrimin e shëndetësisë shqiptare dhe frikësimin e popullatës civile. Ai thekson se largimi i stafit mjekësor shqiptar nga repartet kyçe, si gjinekologjia, kishte për qëllim pengimin e trajtimit dhe detyrimin e popullsisë për t’u larguar nga vendi.

Rrëfimi i tij mbetet një dëshmi e drejtpërdrejtë e sakrificës së mjekëve shqiptarë gjatë luftës dhe një dokumentim i rëndësishëm i asaj periudhe të errët të historisë së Kosovës.

Ju ftojmë të ndiqni episodin e parë të këtij podcasti: Podcasti

Continue Reading

Të kërkuara