Kulturë

Perlat e polifonisë shqiptare në Folkloriadën VI Botërore në Rusi

“Bilbili” solli jo vetëm Iso-Polifoninë, si kryevepër shpirtërore të njerëzimit, por edhe vallen tradicionale.

Published

on

Grupi folklorik “Bilbili” mori pjesë nga 3-10 korrik në Folkloriadën  VI Botërore, që u zhvillua në Republikën e Bashkortostanit, Rusi.

Në këtë festival grupi folklorik “Bilbili” solli jo vetëm Iso-Polifoninë, si kryevepër shpirtërore të njerëzimit, por edhe vallen tradicionale e atë të përpunuar, nga jugu në veri.

Artistët vlonjatë shpalosën në tokën ruse polifoninë dhe vallen shqiptare.

Performanca e grupit “Bilbilit” u ndoq nga afër edhe vetë Ministrja e Kulturës e Bashkokorstanit, Amina Shafikova, e cila takoi nga afër dhe falënderoi për pjesëmarrjen folkloristët nga Vlora dhe i përgëzoi për prezencën në këtë festival të stërmadh folklori.

Nga afër e ndoqi performancën e grupit edhe presidenti i Cioff, Philippe Beaussant i cili gjeti rastin të shpreh falënderimet për folklorin e pasur e krejt të veçantë shqiptar.

Drejtori artistik i grupit “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “pas hapjes së festivalit me një aktivitet të jashtëzakonshëm në “Ufa Arena” dhe koncertit prej “5 minuta” me të gjitha grupet pjesëmarrëse në skenën e qendrore të festivalit, organizatorët kishin planifikuar ndarjen e grupeve në katër zona kryesore duke bërë që festivali të prekte republikën në të 143 mijë km2 të tij”.

Folk Grup “Bilbili” i takoi të jetë në pjesën lindore të vendit së bashku me grupet nga Mali i Zi, Costa Rica, Zvicera, Amerika, Kyrgistani, Hungaria si dhe grupet vendase nga Rusia.

Për pesë ditë me radhë, duke përshkruar për çdo ditë mesatarisht nga 400 km nga resorti akomodues në rajonin Askarov, grupi pati rastin të njihet dhe të performojë në pesë distrikte të pjesës lindore të vendit , kryesisht rajone të vendosura në pjesën e Vargmaleve Urale, madje njëri prej tyre me pjesën më të madhe me shtrirjes në Azi.

“Në të gjitha koncertet e organizuara, po edhe në pjesë të tjera të veprimtarive të festivalit si paradat, performancat e përbashkëta dhe spektaklet përmbyllëse të çdo koncerti, folkloristët vlonjatë u shquan për paraqitje mjaft të lartë artistike e interpretative duke merituar përherë admirimin, duartrokitjet dhe ovacionet e publikut të pranishëm”, – theksoi Gjokoli.

Sipas tij, këngët polifonike, instrumentet popullorë, vallet si dhe orkestrina popullore ishin në çdo koncert më të mirëpriturat e programit.

“Kjo jo vetëm për shkak të përkushtimit e shpirtit të artistëve tanë por edhe të magjisë së pa diskutueshme të folklorit shqiptar”, shtoi Gjokoli.

Kostumet autentike, ngjyrat dhe ornamentet në to, falë edhe veshjeve të grupit të valleve i dhanë grupit bukuri dhe hijeshi.

Grupi u përshëndet e u vlerësua posaçërisht edhe nga Ministrja e Kulturës e Bashkortostanit Amina Shafikova si dhe Presidenti i CIOFF Philippe Beaussant.

Rreth 2000 interpretues nga rreth 40 vende morën pjesë në Folkloriada VI CIOFF World, ndërkohë që shumë grupe të tjerë nuk mundën të udhëtojnë për shkak të rregullave antikovid.

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare. Grupi folklorik “Bilbili” është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar zhvilluar në Moldavi, në vitin 1995. Në vitin 1996 është pjesëmarrës në Folkloriadën e Parë Botërore, organizuar në Brunssum (Holandë), në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Balltika” në vitin 1999 është titulluar laureat i Festivalit.

Gjithashtu është pjesëmarrës në Festivalin Folklorik “Këngë Jeho”, në Strugë, po në vitin 1999. Në vitin 2002 merr pjesë në Festivalin e Klinës (Kosovë) , ku dhe fiton çmimin e parë në këtë festival.Në Tetor të vitit 2009 është pjesëmarrës në Festivalin e pestë Ndërkombëtar të Izmirit-Turqi. Gjithashtu në takimin e shoqatave kulturore, organizuar në qytetin e Sarandës në vitin 1996, grupi “Bilbili” ka fituar çmimin e parë. Ka nxjerrë në tregun muzikor vendas mbi 20 CD-i, të cilat qarkullojnë, si dhe janë përpunuar e kanë zënë vend në muzikën moderne.

Continue Reading

Lajmet

Hapet ekspozita fotografike “Kronologjia e Lirisë” nga Ridvan Slivova në Prishtinë

Published

on

By

Sot, më 9 tetor 2026, me fillim nga ora 18:00, në hapësirat e Barabar Centre në Prishtinë, do të hapet ekspozita fotografike e titulluar “Kronologjia e Lirisë”, me autor fotografin e njohur Ridvan Slivova.

Ngjarja organizohet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”. Ekspozita sjell një kronikë të fuqishme vizuale të periudhës së luftës në Kosovë, duke dokumentuar ngjarje tragjike – përfshirë Masakrën e Gollakut – si dhe momente të tjera kyçe të rezistencës dhe rrugëtimit të popullit të Kosovës drejt lirisë.

Të gjithë të interesuarit dhe dashamirët e artit e historisë mund të marrin pjesë në këtë ngjarje ose të informohen më shumë përmes uebfaqes zyrtare të festivalit, www.fotoist.org.

Continue Reading

Lajmet

“Neighbours – From Motherland” bashkon kulturën shqiptare dhe kurde në Prishtinë

Published

on

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë janë bashkuar në skenën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë, përmes shfaqjes koreografike “Neighbours – From Motherland”, e cila trajton rrënjët, identitetin dhe të përbashkëtat mes kulturave shqiptare e kurde.

Shfaqja, e realizuar nga koreografët Brigel Gjoka dhe Rauf Yasit, u prezantua të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, pas paraqitjeve më 3 dhe 4 tetor në Tiranë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit.

Koreografia ndërthur kërcimin bashkëkohor me elemente të vallëzimit tradicional, ndërsa lëvizjet, ritmi dhe muzika krijojnë një dialog mes kulturave. Në performancë janë ndërthurur tinguj të muzikës kurde, turke dhe shqiptare, përfshirë këngën tradicionale “Fustanin që ta solla mbrëmë”.

Koreografi Rauf Yasit ka treguar se vepra është zhvilluar në disa etapa. Pjesa e parë u krijua në vitin 2019, fillimisht në heshtje, ndërsa në vitin 2021 u ndërtua pjesa e dytë, me përfshirjen e muzikës.

“Ne festojmë rrënjët tona dhe prejardhjen tonë”, ka thënë Yasit, duke shpjeguar se koncepti është zhvilluar gradualisht përmes hulumtimit të lëvizjes dhe identitetit kulturor.

Për koreografin Brigel Gjoka, i cili për herë të parë ka punuar me Baletin Kombëtar të Kosovës, ky bashkëpunim ka qenë një përvojë e veçantë dhe emocionale.

“Unë nuk do të them se ka të bëjë me humbjen e rrënjëve; do të them se ka të bëjë me rikthimin te rrënjët. Mendoj se jemi më afër secilit person tjetër, pavarësisht kombësisë së tij”, ka deklaruar Gjoka.

Edhe balerina Rovena Shqevi ka theksuar se mesazhi i shfaqjes shkon përtej kulturave shqiptare dhe kurde, duke përcjellë një thirrje për mirëkuptim, respekt dhe bashkëjetesë.

“Në fund të ditës, të gjithë jemi njerëz, pavarësisht kombësive të cilave u përkasim. Marrëdhënia jonë duhet të jetë gjithmonë e mirë, e bukur, me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin, pa dhunë, pa luftë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, balerina e Baletit Kombëtar të Kosovës, Jeta Musolli, e ka vlerësuar lart bashkëpunimin mes dy trupave, duke thënë se gjatë rreth pesë javëve të punës intensive në Tiranë, artistët kanë funksionuar si një trup i vetëm.

Në shfaqje kanë interpretuar edhe dy koreografët, si dhe Isa Gjocaj, Aulonë Nuhiu, Rigon Krasniqi, Sead Vuniqi, Isida Mollaymeri, Livia Lara, Armando Meci dhe Enea Qiriçi.

“Neighbours – From Motherland” sjell në skenë një rrëfim për afërsinë mes kulturave dhe rikthimin te rrënjët e përbashkëta, duke përcjellë mesazhin se arti mund të krijojë ura komunikimi përtej dallimeve kombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gonxhja: Muzetë përjetohen bukur edhe në mbrëmje

Published

on

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ka vënë në pah mundësinë e përjetimit të muzeve edhe gjatë orëve të mbrëmjes.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja ka ndarë mesazhin: “Muzetë përjetohen bukur edhe në mbrëmje!”, duke e shoqëruar me hashtagun #AlbaniaAllSenses.

Mesazhi vë në fokus muzetë si hapësira ku historia, arti dhe trashëgimia kulturore mund të zbulohen në mënyra të ndryshme, përtej vizitave gjatë ditës.

Nën atmosferën e mbrëmjes, objektet dhe veprat që ruajnë kujtesën historike marrin një tjetër dimension, duke ofruar një përvojë të veçantë për vizitorët./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi 2026

Published

on

Poetja kanadeze Anne Carson është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2026.

Akademia Suedeze e ka nderuar 76-vjeçaren për “veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.

Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, tha se ia kishte komunikuar lajmin Carsonit përmes telefonit, pak para njoftimit zyrtar.

“Ajo u kap në befasi, por ishte shumë e lumtur”, tha Carlberg, duke shtuar se Carson i kishte treguar se në atë moment ndodhej në Islandë.

Anne Carson lindi në vitin 1950 në Toronto të Kanadasë. Ajo është poete, eseiste, përkthyese dhe ish-profesoreshë universitare, ndërsa gjatë karrierës së saj ka ndërthurur poezinë, prozën, përkthimin dhe studimet klasike.

Krijimtaria e saj është e njohur për kapërcimin e kufijve mes zhanreve dhe për ndërthurjen e letërsisë bashkëkohore me traditën klasike. Suksesi i saj i madh erdhi në vitin 1998 me veprën “Autobiography of Red”.

Carson ka botuar më shumë se 20 libra me poezi, ese dhe përkthime. Në vitin 2001, ajo u bë gruaja e parë që fitoi çmimin “T.S. Eliot” për veprën “The Beauty of the Husband”.

Vitin e kaluar, Çmimi Nobel për Letërsi iu dha shkrimtarit hungarez László Krasznahorkai, për veprën e tij që, sipas jurisë, mbron fuqinë e artit përballë “tmerrit apokaliptik”.

Njoftimi për Çmimin Nobel për Letërsi vjen pas shpalljes së çmimeve në mjekësi, fizikë dhe kimi, ndërsa këtë javë pritet të shpallet edhe Çmimi Nobel për Paqen./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara