Kulturë

“Aline”, një film homazh për Céline Dion

Gjestet, kostumet, zëri … Asgjë nuk i lihet rastësisë.

Published

on

Midis të qeshurave dhe lotëve, Valérie Lemercier prezantoi dje në mbrëmje në Kanë filmin e saj “Aline”, që tregon me humor, por pa kaluar kurrë në parodi, jetën e këngëtares së njohur nga Kebeku, Céline Dion.

I frymëzuar lirisht nga jeta e yllit ndërkombëtar, filmi, i drejtuar dhe i realizuar nga Valérie Lemercier, tregon historinë e Aline Dieu, një këngëtare nga Kebeku, e katapultuar në nivelin e një ylli falë zërit të saj të jashtëzakonshëm.

Më shumë sesa një biografi, ky film, i gjashti me metrazh të gjatë nga Valérie Lemercier, është në të vërtetë një deklaratë dashurie për këngëtaren.

Gjestet, kostumet, zëri … Asgjë nuk i lihet rastësisë.

Gjatë filmit, Valérie Lemercier, e cila arrin të realizojë mishërimin e një Aline Dieu në të gjitha moshat, zhduket nën tiparet e Celine Dion.

I mbushur me humor, filmi përpiqet të tregojë ngritjen e një vajze të re, të cilën asgjë nuk e paracaktoi për një fat të tillë, por pa rënë kurrë në karikaturë.

“Qëllimi nuk ka qenë kurrë tallja. Ajo është dikush që e admiroj shumë, e cila nuk më mërzit kurrë. E bukur. Në të gjitha moshat”, deklaroi sot regjisorja gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e filmit.

“Aline” është një film plot gjallëri, i xhiruar me një grup aktorësh ekskluzivisht nga Kebeku (Danielle Fichaud, Sylvain Marcel, Antoine Vézina dhe Pascale Desrochers), në lartësinë e një Valérie Lemercier verbuese./

Continue Reading

Lajmet

“Ku-Fest” nis edicionin e tretë në Kumanovë, sjell teatrin shqiptar dhe artistë nga rajoni

Published

on

Edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Teatrit “Ku-Fest” ka nisur në Kumanovë, duke sjellë në skenë një program të pasur artistik dhe teatrin shqiptar.

Pas ceremonisë së hapjes, publiku ka ndjekur shfaqjen “Rinoqerontët” të Eugène Ionesco-s, me regji të Vasil Vasilev dhe në interpretim të Teatrit Shqiptar – Shkup. Shfaqja ka shënuar hapjen zyrtare të programit teatror të festivalit.

Mbrëmja ka vijuar me muzikë live nga “Nezafete Shala dhe Melodia e Vjetër”, duke krijuar atmosferë festive për të pranishmit.

Programi i “Ku-Fest” vazhdon sonte, më 1 shtator, me shfaqjen “Vetmi në perëndim” të Martin McDonagh, në produksion të S.H.E. Kulturës – Abdulla Krashnica dhe Teatrit të Qytetit – Preshevë, me regji të Afeida Boriqit.

Festivali synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për teatrot dhe artistët e rajonit, përmes shfaqjeve dhe aktiviteteve që promovojnë kulturën, artin dhe bashkëpunimin ndërkufitar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Çeku viziton SBAShK-un me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor

Published

on

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me zëvendësministrin në detyrë, Përparim Kryeziu, ka vizituar SBAShK-un me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026/2027.

Ata janë pritur nga kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri.

Gjatë takimit është diskutuar për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, rolin e mësimdhënësve, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të komunitetit arsimor, si dhe për synimin e përbashkët për rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Ministri Çeku ka uruar një vit të mbarë shkollor për mësimdhënësit dhe nxënësit, ndërsa ka falënderuar përfaqësuesit e SBAShK-ut për mikpritjen dhe bashkëpunimin.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vlerësuar vizitën e zyrtarëve të MASh-it dhe ka shprehur mbështetjen e sindikatës për Strategjinë e Arsimit 2035+, të cilën e ka cilësuar si dokument të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit gjatë dekadës së ardhshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Galeria Lumi91 hap dyert me një ekspozitë të rrallë fotografike për Prishtinën

Published

on

Galeria e re Lumi91 hapet në Prishtinë me ekspozitën “1928 – Rexhep Rakovica, Portrete”, e cila sjell para publikut një përzgjedhje të fotografive të fotografit Rexhep Rakovica (1909–1988).

Ekspozita përfshin portrete individuale, familjare dhe grupore, duke ofruar një pasqyrë të rrallë të jetës dhe kujtesës së Prishtinës së dikurshme. Rakovica nisi të merrej me fotografinë në vitin 1928 dhe gjatë veprimtarisë së tij dokumentoi momente të rëndësishme të jetës së qytetit.

Hapja e galerisë dhe ekspozitës synon të sjellë një hapësirë të re për artin dhe kulturën në kryeqytet, ndërsa fotografitë e Rakovicës rikthejnë për publikun një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë vizuale të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati nis kontrollet, udhërrëfyesit turistikë duhet të jenë të licencuar

Published

on

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur inspektimet në terren për të kontrolluar ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë në Kosovë.

Sipas njoftimit, rastet e ushtrimit të kësaj veprimtarie pa licencë po ndëshkohen me gjoba, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Inspektorati u ka bërë thirrje të gjithë personave që ushtrojnë këtë veprimtari pa licencë që të kryejnë procedurat e licencimit dhe të vazhdojnë punën në mënyrë të rregullt dhe profesionale.

Sipas autoriteteve, licencimi përbën një detyrim ligjor, por njëkohësisht edhe një garanci për ofrimin e shërbimeve më profesionale dhe cilësore për turistët.

“Një turizëm i zhvilluar kërkon rregulla të qarta, zbatim të ligjit dhe shërbime cilësore për vizitorët”, thuhet në njoftim./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara