Ora e kursimit të ditës u prezantua për herë të parë në Britaninë e Madhe në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore, me qëllim kursimin e energjisë dhe shfrytëzimin më të mirë të dritës natyrore.
Sot, kjo praktikë zbatohet në rreth 70 vende, por studimet tregojnë se ndryshimi ka pasoja negative për shëndetin, veçanërisht gjatë pranverës, kur humbim një orë gjumë. Një studim amerikan i vitit 2014 zbuloi se numri i shtrimeve në spital për atak në zemër rritet menjëherë pas ndryshimit të orës.
Rezultate të ngjashme janë vërtetuar edhe nga kërkime në Suedi, Kroaci, Gjermani dhe vende të tjera.
Një meta-analizë e studimeve ekzistuese tregoi se rreziku për atak në zemër rritet me rreth 4% në këtë periudhë, raporton BBC.
Kkërkimet tjera kanë lidhur ndryshimin e orës në pranverë me rritje të goditjeve në tru, si dhe me përkeqësim të çrregullimeve të humorit, depresionit, ankthit dhe abuzimit me substanca. Edhe aksidentet fatale në trafik janë më të shpeshta pas kalimit në orën verore. Një studim në SHBA vlerësoi se rreziku për aksidente vdekjeprurëse rritet me 6%, për shkak të mungesës kolektive të gjumit.
Por pse ky ndryshim ka një ndikim kaq të madh?
Ekspertët shpjegojnë se arsyeja qëndron te prishja e ritmit biologjik, “ora e brendshme” që përcakton kur flemë dhe kur zgjohemi. Në mbrëmje, errësira nxit prodhimin e melatoninës, hormonit të gjumit, ndërsa drita e mëngjesit e ndalon këtë proces dhe stimulon kortizolin, hormonin që na zgjon.
Kur ora ndryshon në pranverë, drita e zgjatur e mbrëmjes vonon prodhimin e melatoninës, mëngjeset më të errëta i detyrojnë njerëzit të zgjohen më herët se trupi i tyre të jetë gati. Kjo “humbje” e një ore gjumë mund të ndikojë negativisht në përqendrim, energji dhe gjendje shpirtërore gjatë gjithë javës.
Nga ana tjetër, ndryshimi i orës në vjeshtë është lidhur me një rritje të rasteve të depresionit. Një studim danez zbuloi se frekuenca e episodeve depresive u rrit me 11% në dhjetë javët pas kalimit në orën dimërore.
Më 2019, Parlamenti Evropian votoi për heqjen e ndryshimit sezonal të orës, por vendimi ende nuk është zbatuar, pasi shtetet anëtare nuk kanë arritur marrëveshje nëse duhet të mbajnë orën verore apo dimërore. Sipas shumicës së biologëve, koha standarde dimërore do të ishte më e shëndetshme për organizmin, pasi përputhet më mirë me ritmet natyrore të trupit. /A.Z/UBT News/