Aktualitet

Pacientët e prekur nga diabeti në rrezik, në Kosovë që 6 muaj s’ka insulinë

Published

on

Po bëhen gjashtë muaj që kur qytetarët e Kosovës të cilët janë të prekur me diabet po përballen me mungesë të insulinave nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Kjo gjë ka bërë që qytetarët të mbesin me shpresën që Ministria e Shëndetësisë do ta zgjidh një problem të tillë.

Idriz Ethemi nga Shoqata e të sëmurëve me diabet në Pejë, ka thënë për Telegrafin se kjo është një situatë e rëndë e sidomos për pacientët që janë të varur nga insulina.

“Po hyjmë në muajin e gjashtë me mungesë të insulinës në Qendrat e Mjekësisë Familjare, insulina të cilat vijnë nga Ministria”, tha Ethemi.

Ai më tej shtoi se përveç mungesës së insulinës, qytetarët kanë shqetësim dhe për gjendjen e tyre ekonomike, e pastaj mbetet shqetësim edhe furnizimi i barnatoreve me insulina.

“Kemi shqetësime të mëdha, sa i përket pacientit së pari për mungesën e insulinës, e dyta është gjendja ekonomike e pacientëve dhe e treta furnizimi me insulina nëpër barnatore që nuk nënkupton që e kanë prejardhjen e dyshimtë por janë me prejardhje jo të sigurte për pacientin, Insulina duhet të sjellët nëpër frigorifer e jo nëpër torba ose me posta të shpejta qysh i sjellin”, u shpreh Ethemi.

Më tej ish-kryetari i Shoqatës Kombëtare të Diabetit në Kosovë, bëri të ditur se çmimi i insulinave atyre që nuk janë në listë esenciale, sillet nga 3.50 deri në 7 euro nëpër barnatore.

Ethemi tutje shtoi se për problemin e mungesës së insulinave i janë drejtuar edhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtorëve në Prokurim mirëpo nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Sipas informatave që kemi marrë persona të caktuar që shkojnë për insulina në ministri, ua kanë jep vetëm 50 kutia insulina të cilat kanë refuzuar mi marr, sepse po ta shikojmë vetëm Peja i ka rreth 1600 pacientë që marrin insulinën e që janë të prekur me diabet, prej tyre numri i fëmijëve të prekur sillet nga 35 deri në 50, por fatmirësisht për ta Shoqata e të sëmurëve me diabet në Pejë, ua siguron insulinën me ndihmën e shoqatës dhe Kuvendit Komunal në Pejë, falë fondit që ndan kryetari Muhaxheri për blerjen e insulinave për fëmijë”, u shpreh Ethemi.

Ethemi shtoi se në nivel vendi janë afro 30 mijë qytetarë që janë të prekur me diabet.

“Pasi kam qenë edhe kryetar i Shoqatës Kombëtare të Diabetit të Kosovës, numri i pacientëve të prekur me diabet në tërë Kosovën sillet nga 26 deri në 28 mijë pacientë të cilët varen nga insulina dhe lista esenciale”, u shpreh Ethemi.

Ai shtoi se kanë pritur që kjo Qeveri do ta zgjidh këtë problem.

“Ne kemi prit që kjo udhëheqje do ta kfjellë këtë punë, ky është problem i para pesë muajve nuk është problem vetëm i kësaj udhëheqësie të Ministrisë së Shëndetësisë, po kjo ministri e ka trashëguar dhe e kanë vazhduar të keqen e ministrive të kaluara. Menaxhimi është shumë i dobët. Pacientit i duhet insulina”, tha Ethemi për Telegrafin.

I pyetur se sa guxon një pacientë me diabet të qëndroj pa marrjen e insulinës, Ethemi shtoi se pacienti nuk guxon të qëndroj pa insulinë as edhe dy orë, dhe kjo varet krejt nga ajo se sa herë në ditë ai e ka të caktuar marrjen e saj.

“Nëse një pacient e ka të caktuar me marrë dy herë në dite, dhe me marrë dy orë para ushqimit ose mbas ushqimit, ai fare nuk guxon me qëndrua jashtë asaj që ja ka caktuar mjeku, faktikisht jo pesë muaj por as dy orë nuk guxon të qëndroj pa insulinë. E gjitha varet nga ajo sesi ja ka caktuar mjeku dhe sa njësi i merr”, tha Ethemi.

Ndryshe ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të kenë insulina në Qendrat e Mjekësisë Familjare, pasi siç tha ai janë në përfundim të marrëveshjes për t’i siguruar ato.

Vendi

UBT kryeson në renditjet edhe në viti 2026 në SCImago, lider në kërkimin shkencor në rajon

Published

on

By

UBT ka konfirmuar edhe një herë pozicionin e tij si institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin, si në nivel rajonal ashtu edhe ndërkombëtar, i përforcuar nga të dhënat më të fundit të renditjes së vitit 2026 nga SCImago Institutions Rankings.

SCImago Institutions Rankings (SIR) është një sistem vlerësimi ndërkombëtarisht i njohur që analizon universitetet dhe institucionet kërkimore në mbarë botën, bazuar në prodhimtarinë shkencore, performancën në inovacion dhe ndikimin shoqëror, duke u mbështetur në të dhënat e publikimeve dhe citimeve nga Scopus dhe indikatorë të tjerë relevantë.

Ekselencë rajonale në renditje

Sipas të dhënave nga raportet më të fundit rajonale dhe në përputhje me metodologjinë e SCImago:

UBT është renditur nder vendet e para në përgjithësi ndër të gjitha universitetet në vendet kryesore shqipfolëse, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke zënë vendin e parë ndër universitetet private në rajon.

Në fushën e ekselencës në kërkim shkencor, UBT është renditur i pari në Kosovë dhe i pari ndër universitetet private në hapësirat kryesore shqipfolëse, duke u pozicionuar i dyti ndër të gjitha universitetet në nivel rajonal.

Në fushën e Inxhinierisë Civile, UBT ka zënë vendin e parë në vendet shqipfolëse dhe është renditur në mesin e pesë universiteteve më të mira (vendi i pestë) në rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Kosovë).

Këto arritje reflektojnë një performancë të qëndrueshme akademike dhe shkencore, duke e pozicionuar UBT-në ndër institucionet më të avancuara të arsimit të lartë në Evropën Juglindore.

Njohja nga SCImago dhe konteksti global

Renditja e SCImago Institutions Rankings përpilohet çdo vit dhe përfshin mijëra universitete dhe institucione kërkimore në nivel global, bazuar në tregues sasiorë si produktiviteti shkencor, bashkëpunimi ndërkombëtar, indikatorët e inovacionit dhe ndikimi shoqëror. Ky sistem ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi ndikimin shkencor të institucioneve.

Megjithëse lista zyrtare e vitit 2026 është e gjerë dhe përfshin institucione nga sektorë të ndryshëm, si qeveritarë, shëndetësorë dhe të arsimit të lartë, pozicionimi udhëheqës i UBT-së në kërkim dhe inovacion në nivel rajonal spikat qartë në kontekstin e këtyre standardeve globale.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i mirëpriti këto rezultate si një dëshmi e përkushtimit të universitetit për ndërtimin e një mjedisi kërkimor me ndikim të lartë. Ai theksoi se performanca e qëndrueshme në renditjet e SCImago, krahas vlerësimeve të tjera ndërkombëtare, dëshmon angazhimin e UBT-së për të ngritur cilësinë e shkencës, inovacionit dhe arsimit në Kosovë dhe më gjerë.

Me një bazë të fortë në prodhimtarinë shkencore, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe cilësinë akademike, UBT po vazhdon të ndërtojë momentum drejt njohjes edhe më të madhe në renditjet globale të arsimit të lartë. Performanca në renditjen SCImago, veçanërisht lidershipi në hapësirat shqipfolëse dhe në kategoritë përkatëse të Ballkanit Perëndimor, konfirmon një trajektore të qartë të rritjes së ndikimit dhe prezencës në skenën akademike rajonale dhe globale.

Continue Reading

Vendi

Kryeparlamentari shqiptar në takim me Haxhiun

Published

on

By

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Kosovë, ku u prit nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Takimi u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe shënoi fillimin e vizitës së kryeparlamentarit shqiptar në Kosovë.

Gjatë ditës, Peleshi do të zhvillojë takime edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në orën 11:15, dhe me Kryeministrin, Albin Kurti, në orën 11:50. Vizita ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe forcimin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Foto: Ekonomia online

Continue Reading

Rajoni

Gjykata e Strasburgut regjistron padinë kundër Serbisë për pasivizimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Published

on

By

Për herë të parë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka regjistruar një padinë kundër Serbisë, e dorëzuar nga Teuta Fazliu, lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sipas njoftimit të avokatit Drin Grazhdani, padia synon të adresojë shkeljet e të drejtave të njeriut nga autoritetet serbe, duke përfshirë praktikat e pasivizimit të adresave jo vetëm për shqiptarët që punojnë jashtë vendit, por edhe për ata që jetojnë brenda Serbisë. Ky proces, sipas Grazhdanit, ka pasoja serioze për qytetarët shqiptarë, duke i privuar ata nga të drejtën për letërnjoftim dhe pasaportë, sigurim shëndetësor, pensione dhe e drejtën e votës.

Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut konsiderohet një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se më shumë se 90% e rasteve refuzohen në fazën fillestare.

Grazhdani thekson se qëllimi kryesor është që Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (Rregulla 61), duke bërë që vendimi të mos ketë ndikim vetëm për të, por të ndalojë praktikën sistematike të pasivizimit për të gjithë shqiptarët në rajon dhe të aplikohet në raste të ngjashme.

Në njoftim bëhet thirrje gjithashtu që të gjithë qytetarët e prekur nga pasivizimi të ndjekin procedurat ligjore në Serbi, pavarësisht refuzimeve të mundshme nga autoritetet.

“Është një fitore fillestare, dhe do të jem i përkushtuar që të përfundojë me fitore të plotë,” deklaron Grazhdani.

Continue Reading

Lajmet

RTK: Sot BE-ja pritet t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës

Published

on

By

Ka pritje reale që të ndodhë heqja përfundimtare e të gjitha masave të Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Kështu paralajmërojnë jozyrtarisht burime nga Brukseli, të cilat madje përmendin këtë të hënë si datë orientuese kur mund të merret vendimi përfundimtar.

Siç mësohet jozyrtarisht, në nivel të Komisioni Evropian janë përfunduar të gjitha procedurat vendimmarrëse që i përkasin këtij institucioni. Ka mbetur vetëm mbajtja e takimit të përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së, të ngarkuar me çështjet e rajonit.

Në këtë takim, i cili pritet të mbahet të hënën, pritet të miratohet heqja e masave ndaj Kosovës.

Masat janë vendosur në vitin 2023. Një vit më vonë, ish-shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e tyre, por u deshën mbi 18 muaj që vendimi të formalizohej.

Ndërkohë, mbi 400 milionë euro asistencë financiare evropiane u bllokuan që nga ai moment. Në fund të vitit 2025 u hoq gjysma e këtyre masave financiare, ndërsa tani mbetet të zhbllokohet edhe pjesa tjetër.

Në kuadër të masave ndëshkuese ishte përfshirë edhe suspendimi i takimeve bilaterale të zyrtarëve evropianë me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, përveç rasteve kur organizoheshin takime me karakter rajonal.

Ndërkohë, Kosova është vendi të cilin komisionerja për zgjerim, Marta Kos, ende nuk e ka vizituar. Ajo planifikon të zhvillojë një vizitë në Kosovë gjatë këtij muaji. Plani ideal, sipas zyrtarëve evropianë, do të ishte që këtë vizitë ta shfrytëzojë për të komunikuar lajmin për heqjen e masave. /RTK/

Continue Reading

Të kërkuara