Kulturë

Odhise Paskali: Skulptori që i dhuroi Shqipërisë formë dhe frymë

Published

on

Më 13 Shtator 1985, Shqipëria humbi një nga figurat më të shquara të artit të saj, skulptorin Odhise Paskali. Me ndarjen nga jeta të Paskalit, arti shqiptar humbi një krijues të madh që kishte lënë një gjurmë të thellë në kulturën dhe identitetin kombëtar.

Odhise Paskali, i cili kishte ndjekur studimet për skulpturë në Universitetin e Torinos dhe i përmbylli ato në vitin 1927, u kthye në Shqipëri për të ndihmuar në ndërtimin e një tradite të re në skulpturë. Ai është konsideruar si babai i skulpturës shqiptare për ndihmesën e tij të jashtëzakonshme në këtë fushë, me realizime që e karakterizuan si një artist me vizion dhe përkushtim për artin monumental.

Pas kthimit në Tiranë, Paskali vendosi themelet e skulpturës moderne shqiptare, duke u shquar për krijimet e tij me karakter monumental që ishin të pasura në simbolikë dhe emocion. Ai e kushtoi jetën e tij zhvillimit të artit në Shqipëri, duke kontribuar jo vetëm si artist, por edhe si mentor dhe lider kulturor.

Nga viti 1947 deri në vitin 1953, ai ushtroi detyrën e mentorit në Liceun Artistik, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të artistëve. Në vitin 1951, Paskali u përzgjodh si anëtar i delegacionit kulturor që vizitoi Bashkimin Sovjetik, një nder që reflektonte rëndësinë e tij në arenën ndërkombëtare. Më pas, në vitin 1957, ai u emërua në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve, një rol në të cilin e vazhdoi angazhimin e tij për të promovuar artin shqiptar.

Përveç skulpturës, Odhise Paskali ishte gjithashtu një poet, eseist, përkthyes, botues dhe akademik i nderuar. Ai është nderuar me tituj shumë prestigjiozë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën dhe artin shqiptar.

Skulpturat monumentale të Paskalit janë të pranishme në sheshet e qyteteve kryesore të vendit dhe kanë një vend të veçantë në përditshmërinë shqiptare. Grafikat e realizimeve të tij janë përdorur në pasaportat shqiptare, në monedha, në pulla postare, në kartolina dhe në publikime qeveritare, duke u bërë pjesë e pandashme e identitetit kombëtar dhe kulturor të Shqipërisë.

Përkujtojmë sot Odhise Paskalin, një emër që mbetet i ndritur në historinë e artit shqiptar dhe që vazhdon të frymëzojë breza të tërë me krijimtarinë e tij të përjetshme./UBTNews/

Lajmet

UBT organizoi Konferencën Akademike “Arti dhe Dizajni ndërmjet Praktikës dhe Hulumtimit: Qasje Ndërdisiplinore në Kontekste Bashkëkohore”

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve Ditët e Artit dhe Dizajnit, të organizuara me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të UBT-së, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit organizoi Konferencën Akademike me temë “Arti dhe Dizajni ndërmjet Praktikës dhe Hulumtimit – Qasje Ndërdisiplinore në Kontekste Bashkëkohore”.

Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Dekanes së Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, Ariana Gjoni, e cila theksoi rëndësinë e ndërthurjes së praktikës artistike me hulumtimin, si dhe rolin e artit dhe dizajnit në krijimin e njohurive të reja dhe adresimin e sfidave bashkëkohore përmes qasjeve ndërdisiplinore.

Aktiviteti mblodhi profesorë, artistë, studiues, profesionistë dhe studentë nga fusha të ndryshme të artit, dizajnit, arkitekturës, muzikës dhe teatrit, duke krijuar një platformë për shkëmbim idesh, prezantim hulumtimesh dhe diskutim mbi zhvillimet bashkëkohore në këto fusha.

Gjatë konferencës u prezantuan tema që trajtuan aspekte të ndryshme të artit dhe dizajnit bashkëkohor. Dea Luma prezantoi temën “Neuroarkitektura: Integrimi i Neuroshkencës në Arkitekturë dhe Dizajn”, ndërsa Labinot Kelmendi solli reflektime filozofike përmes prezantimit “Kjo nuk është dizajn – kjo është Dasein”.

Prof. Dr. Ariana Gjoni prezantoi hulumtimin e saj me titull “Qëndrueshmëria përmes Dizajnit: Ndërthurja e Trashëgimisë Kulturore, Qëndrueshmërisë dhe Praktikës Bashkëkohore të Modës”, duke trajtuar potencialin e trashëgimisë kulturore si burim për praktika të qëndrueshme dhe inovative në modën bashkëkohore.

Pjesë e konferencës ishin edhe artistët e njohur Helidon Gjergji dhe Sislej Xhafa, të cilët prezantuan temat “Tango Down” dhe “Nuk po kuptoj”, duke ndarë me pjesëmarrësit përvojat dhe perspektivat e tyre mbi praktikën artistike bashkëkohore.

Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Marigona Bekteshi me temën “Imagjinata dhe Trajnimi i Aktorit”, Korab Shaqiri me prezantimin “Lija e Qikave: Analizë e veprës korale SATB”, si dhe Liburn Jupolli, i cili prezantoi projektin inovativ “Octo – Instrumenti i Ri Inovativ”.

Konferenca dëshmoi rëndësinë e dialogut ndërmjet praktikës dhe hulumtimit në art dhe dizajn, duke ofruar një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e njohurive, zhvillimin e ideve të reja dhe forcimin e bashkëpunimit ndërdisiplinor.

Continue Reading

Lajmet

Prishtina hap muzeun e kujtesës për eksodin e vitit ’99

Published

on

Që nga dita e djeshme, në Stacionin e Trenit në Prishtinë është i hapur Muzeu i Eksodit ’99, i cili sjell rrëfime dhe dëshmi mbi dëbimin masiv të qytetarëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999.

Brenda një vagoni treni janë vendosur 48 intervista të refugjatëve që përjetuan eksodin, duke dokumentuar një nga periudhat më të rënda të historisë së vendit.

Drejtoresha e Reporting House, Jeta Xharra, ka thënë se muzeu ka rëndësi të veçantë historike dhe edukative, pasi kujton dëbimin e qindra mijëra qytetarëve nga Kosova përmes linjës hekurudhore.

Gjatë luftës, familje të tëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë qytetarë u grumbulluan në Stacionin Hekurudhor të Prishtinës dhe u larguan me trena jashtë Kosovës. Muzeu synon që këto rrëfime të mos harrohen dhe të mbeten pjesë e kujtesës kolektive. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ ka njoftuar hapjen e një ekspozite fotodokumentare me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Published

on

Ekspozita mban titullin “KFOR and Kosovo +25” dhe është organizuar në bashkëpunim me organizatën britanike Heartstone, duke sjellë një pasqyrë vizuale mbi zhvillimet në Kosovë gjatë më shumë se dy dekadave të fundit.

Në fokus të ekspozitës është edhe roli i KFOR në vendosjen dhe ruajtjen e paqes në Kosovë pas vitit 1999.

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 12 qershor 2026 , në orën 16:00, në hollin e ekspozitave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Lule Elezi bëhet anëtarja e parë shqiptare e Shoqatës Frédéric Chopin në Varshavë

Published

on

Pianistja e njohur kosovare Lule Elezi është zgjedhur anëtare e rregullt e Shoqatës Frédéric Chopin në Varshavë, duke u bërë artistja e parë shqiptare që pranohet në këtë institucion prestigjioz.

Vendimi është bërë i ditur nga Shoqata Frédéric Chopin në Varshavë, pas një serie koncertesh solistike të suksesshme të Elezit në qytete të ndryshme të Polonisë, ku ajo ka interpretuar vepra të kompozitorit të njohur Frédéric Chopin.

Në reagimin e saj, Elezi ka shprehur mirënjohje për drejtoreshën e përgjithshme të shoqatës, Ewa Sławińska, dhe bordin drejtues, duke theksuar se ky emërim është rezultat i angazhimit të saj artistik dhe paraqitjeve të shumta në Poloni.

Sipas saj, ky vlerësim përbën një kurorëzim të punës së saj shumëvjeçare në interpretimin e veprave të Chopin-it në aktivitete të organizuara nga kjo shoqatë në qytete të ndryshme polake.

Continue Reading

Të kërkuara