Dy filma kosovarë, “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.
Ndër vite, disa produksione vendore kanë qenë pjesë e përzgjedhjeve të kësaj gare, në kategori dhe faza të ndryshme.
Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Babai”, me regji të Visar Morinës, dhe “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, u përzgjodhën në vitin 2015. Në vitin 2021, në këtë rrugëtim u përfshi edhe filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.
Edhe filmat e shkurtër kosovarë kanë shënuar pjesëmarrje të rëndësishme. “Në mes” dhe “Rrugës”, të Samir Karahodës, u përzgjodhën për garën evropiane përkatësisht në vitet 2020 dhe 2024, ndërsa “I Believe the Portrait Saved Me”, me regji të Alban Mujës, ishte pjesë e përzgjedhjes për vitin 2026.
Një tjetër sukses ishte filmi “Home”, me regji të Daniel Mulloy, i cili në vitin 2016 u përfshi mes 15 filmave të nominuar për çmimin e filmit të shkurtër evropian. Në vitin 2021, “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës, arriti në fazën finale si njëri prej pesë filmave të nominuar.
Ndërkaq, filmi “Kthimi”, me regji të Blerta Zeqirit, u përzgjodh nga Festivali i Sarajevës për garën evropiane të filmit të shkurtër në vitin 2012, por më pas u tërhoq nga gara.
Përzgjedhja e “Dua” dhe “Shame and Money” për edicionin e vitit 2027 i jep kinematografisë kosovare një tjetër mundësi për të prezantuar historitë e saj para publikut evropian dhe për të vazhduar rrugëtimin në skenën ndërkombëtare./A.K/