Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Deçanit, Korab Mushkolaj, paraqitur kundër vendimit të PZAP-së pasi iu refuzua certifikimi për zgjedhjet e 12 tetorit.
“Ankesa është e pa themeltë”, ka vendosur Supremja.
Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike pas vërtetimit se Mushkolaj është i angazhuar me aktemërim të përhershëm të Ministrisë së Jashtme si zyrtar i lartë, i pati kërkuar PDK-së që ta zëvendësojë atë, por partia pati refuzuar ta bëjë këtë gjë. Zyra më pas ka rekomanduar certifikimin e të gjithë kandidatëve të tjerë të PDK-së, përveç Mushkolajt. PZAP po ashtu ia ka refuzuar ankesën Mushkolajt, siç parashihet me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, i cili nuk lejon kandidimin e një anëtari të shërbimit të jashtëm.
Gjykata Supreme e ka pranuar konstatimin e PZAP-së, teksa ka theksuar se moscertifikimi i Mushkolajt nuk është i kundërligjshëm.
“Prandaj, nga këtu, kjo Gjykatë, konsideron se në rastin konkret juridik, është marrë vendim i drejtë, me të cilin nuk është bërë diskriminim dhe lidhur me rastin konkret nuk është cenuar e drejta zgjedhore dhe ndonjë e drejtë themelore e paraparë me Ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk janë shkelur parimet themelore të procesit zgjedhor të parapara shprehimisht me dispozitat e nenit 4 të Ligjit Për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe me dispozitat përkatëse të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut”, thuhet në vendim.