“Të lumtë Marcel”, me këto fjalë ish-ministrja ultranacionaliste e socialdemokratëve rumunë (PSD), Olguța Vasilescu, përgëzoi kryetarin e partisë së saj Marcel Ciolacu pas negociatave për koalicion me liberal-konservatorët e PNL: “Edhe të vdekurit ia hoqe paratë nga gjoksi”, tha ajo, duke aluduar për një zakon të vjetër ortodoks rumun, që supozon se vendosja e monedhave dhe kartëmonedhave në gjoks, do ta ndihmojë të vdekurin në kalimin në jetën e përtejme. Në koalicionin e ri, që drejtohet nga kryeministri Nicolae Ciucă i PNL, peshën e fjalës do ta ketë në fakt PSD.
Shpresë për stabilitet
Në deklaratën zyrtare të aktorëve kryesorë në Bukuresht thuhet se koalicioni i madh, i miratuar nga parlamenti me 25.11. 2021, do të sjellë stabilitet në vendin e tronditur nga pandemia, çmimet e energjisë dhe kriza e vazhdueshme politike. Por shanset për stabilitet janë të pakta.
Kryeministri Nicolae Ciucă i PNL
Partitë e koalicionit të krijuar në Rumani ishin deri dje armiq të betuar. Sipas kritikëve i vetmi emërues i përbashkët në këtë “koalicion amoral” është nacionalizmi dhe babëzia. Pas kompromisit me PSD ish-komuniste, që vazhdimisht akuzohet për korrupsion dhe qëndrim antievropian, rreth 20 deputetë, mes tyre edhe ish-kryetari i saj dhe kryeministri Ludovic Orban, e braktisën partinë PNL.
Përveç liberal-konservatorëve edhe presidenti Klaus Iohannis kritikohet si përkrahës i këtij koalicioni të ri, Mbështetësit e tij të mëparshëm i kujtojnë atij premtimin e përsëritur dhe tashmë të shkelur, për të mos bashkëpunuar kurrë me komunistët nacionalistë të PSD-së. Para dy vjetësh, kur mori mandatin e tij të dytë pas fitores në zgjedhje, Ioannis pati thënë: “Rumania do të jetë një shtet normal, vetëm nëse PSD dërgohet në opozitë.”
Kjo nuk ka për të ndodhur, pasi Iohannis e çoi PNL “e tij” në koalicionin e madh me PSD, me kryeministër një ish-gjeneral nga rrethi i miqve të tij. Me këtë ai bëri një kthesë rrënjësore. Për më tepër marrëveshja e koalicionit parashikon, që një politikan i PSD-së të marrë postin e kryeministrit pas një viti e gjysmë.
Marcel Ciolacu dhe përfaqësues të socialdemokratëve rumunë (PSD)
Edhe shoqëria civile e një vendi të tradhtuar vazhdimisht nga qeveritë postkomuniste është shumë e zemëruar. 26 OJQ të njohura publikuan një deklaratë, të firmosur nga personalitete të shumta, që u faturon pushtetarëve “tradhtinë më të pacipë që nga viti 1990”. Deklarata bën fjalë për protesta në rrugë, nëse do të kalohen “vijat e kuqe” për “fatin evropian të Rumanisë”. Kreu i shtetit dhe koalicionistët e rinj akuzohen për cinizëm dhe “restaurim” të rrethanave antidemokratike.
Iohannis si personi përgjegjësi për largimin nga reformat
Shumë ankohen për një lulëzim të qëllimshëm të klaneve të korruptuara, nacionaliste dhe të lidhura me Moskën, që sunduan Rumaninë që nga viti 1945 apo e kontrolluan atë në prapaskenë, pushteti i të cilëve u duk sikur u frenua, apo u thye pas zgjedhjeve të fundit.
A do të kishte qenë i shmangshëm ky ndryshim kursi dhe transformim i presidentit nga idol i kombit në gogol? Po, mendojnë kritikët. Pas prishjes së koalicionit të qendrës së djathtë, partia reformuese USR do të ishte e gatshme për një përpjekje të dytë për të hyrë në koalicion me PNL, pavarësisht pakënaqësive të mëparshme. Por as PNL dhe as presidenti Iohannis nuk deshën t`ia dinin.
Politologu Ioan Stanomir nga Universiteti i Bukureshtit është i bindur se e kupton synimin e këtyre manovrave: “Aleanca e re-e vjetër e dy partive PSD dhe PNL është vepër e Klaus Iohannis. Ai është edhe përfituesi kryesor i saj”, thotë Stanomir për DW. Një nga synimet kryesore strategjike të presidentit është sigurimi i një mandati të qetë dhe pa shqetësime, thotë politologu. Për liberalët ky është një përqafim i helmët i presidentit, që do ta dobësojë dhe minojë besueshmërinë e partisë.
Por edhe kredibiliteti i vendit është në rrezik. Sipas vëzhguesve të pavarur nuk mund të përjashtohet, që BE përveç situatës në Poloni dhe Hungari, të duhet të ndjekë me sy shqiponje edhe shfaqjen e një fëmije tjetër problematik, të pakontrollueshëm në horizontin e demokracive joliberale evropiane.
Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.
Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.
Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.
“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.
BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.
Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.
“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.
Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.
Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.
Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.
Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.
Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.
“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/