Lajmet

OBSH paralajmëron për rrezik të lartë infektimi nga Omicron

OBSH: Rreziku global nga varianti Omicron është “shumë i lartë.

Published

on

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të hënën se rreziku global nga varianti Omicron është “shumë i lartë” bazuar në të dhënat paraprake, duke thënë se koronavirusi që ka pësuar mutacione, mund të çojë në rritje të rasteve me “pasoja të rënda”.

Vlerësimi nga agjencia shëndetësore e OKB-së, i përfshirë në një dokument teknik të lëshuar për shtetet anëtare, përbënte paralajmërimin më të fortë, më të qartë të OBSH-së për variantin e ri që u identifikua për herë të parë ditë më parë nga studiuesit në Afrikën e Jugut.

Raporti vjenë në një kohë kur po rritet numri i vendeve në mbarë botën që po raportojnë raste të infeksioneve me variantin Omicron dhe shumë vende morën masa të reja kufizimesh përfshirë ndalimin e udhëtimeve nga vendet e Afrikës jugore.

Japonia ka njoftuar ndalimin hyrjen e të huajve në vend, duke iu bashkuar Izraelit që tashmë kishte marrë një vendim ngjashëm. Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kanë ndaluar udhëtimet nga Afrika Jugore.

OBSH tha se ka “pasiguri të konsiderueshme” në lidhje me variantin Omicron. Por, ajo tha se provat paraprake ngrenë mundësinë që varianti të ketë mutacione që mund ta ndihmojnë atë të shmangë një përgjigje të sistemit imunitar dhe të rrisë aftësinë e tij për t’u përhapur nga një person në tjetrin.

“Në varësi të këtyre karakteristikave, mund të ketë rritje të infeksioneve me Covid-19, që mund të kenë pasoja të rënda, në varësi të një numri faktorësh, duke përfshirë vendin ku mund të ndodh një rritje e infektimeve me Covid-19”, thuhet në raportin e OBSH-së. “Rreziku i përgjithshëm global … vlerësohet si shumë i lartë.”

OBSH theksoi se ndërsa shkencëtarët po kërkojnë prova për ta kuptuar më mirë këtë variant, vendet duhet të përshpejtojnë ritmin e vaksinimit të banorëve të tyre.

Ndërsa asnjë vdekje e lidhur me Omicronin nuk është raportuar deri më tani, ka pak informacion të sigurt për këtë variant të ri. Nuk dihet nëse ai është më ngjitës, ka më shumë gjasa të shkaktojë sëmundje serioze ose më i aftë për të shmangur vaksinat. Javën e kaluar, një panel këshillues i OBSH-së tha se ai mund rrisë mundësinë e riinfektimit të njerëzve që tashmë e kanë kaluar Covid-19.

Spanja të hënën u bë një nga vendet më të fundit që raportoi rastin e parë të konfirmuar të infektimit të një personi me variantin Omicron, të zbuluar në një udhëtar që u kthye të dielën nga Afrika e Jugut pasi kishte bërë një ndalesë në Amsterdam.

Ndërsa shumica dërrmuese e infeksioneve të regjistruara në mbarë botën kanë qenë në udhëtarë që vinin nga vende të tjera, rastet në Portugali dhe Skoci kanë ngritur frikën se varianti tashmë mund të ketë qenë duke u përhapur në nivel lokal.

“Shumë prej nesh mendojnë se kemi mbaruar punë me Covid-19. Por, ai (virusi) nuk ka mbaruar me ne”, paralajmëroi Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

Disa ditë pasi varianti shkaktoi një frikë të madhe në botën financiare, gati dy vjet pas fillimit të pandemisë së koronavirusit që ka shkaktuar vdekjen e mbi 5 milionë njerëzve, tregjet patën një reagim të përzier të hënën. Tregjet evropiane të aksioneve u rikuperuan pas një rënie në fillim të ditës dhe tregu i aksioneve në Nju Jork u hap më lart, ndërsa tregjet aziatike të aksioneve ranë më tej.

Continue Reading

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara