Vendi

Në pritje të diasporës për ringjallje ekonomike

Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, ka thënë se do të ketë rimëkëmbje gjatë verës.

Published

on

Besa Ismaili nga Fushë Kosova, është në pritje të stabilizimit të situatës pas pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, në mënyrë që të blejë një veturë më të re për familjen e saj. Besa, veturën thotë se do ta blejë më paratë e kursyera gjatë kohës se pandemisë.

“Situata ka qenë e paqartë, ne si familje shumë pak kemi dalë për shëtitje, kemi kursyer në maksimum, pasi nuk kishim informata se çfarë mund të ndodhë. Vitin e kaluar, kam pasur plan të shkoj për vizitë te vëllai, që jeton dhe punon në Gjermani. Edhe këtë vizitë e kemi anuluar. Në këtë mënyrë kemi kursyer para dhe tashmë besoj se mund të blej një veturë të re”, tha për Radion Evropa e Lirë, Besa Ismaili.

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë parashikuar një rritje ekonomike në shumë vende të botës, pas rënies së rasteve me COVID-19 si dhe pas rritjes së numrin të të vaksinuarve. Sipas këtyre dy organizatave financiare, kjo kryesisht do të vjen kur njerëzit që kanë kursyer gjatë pandemisë, pritet të bëjnë shpenzime më të mëdha.

Përveç Besës, edhe pronari i një biznesi në Prishtinë, thotë se është i gëzuar me fillimin e vaksinimit të qytetarëve në Kosovë, kundër COVID-19, pasi sipas tij, imunizimi i masës do të ringjallë biznesin e tij. Blerim Shkodra, pronar i një agjencie për marrjen e veturave me qira, e quajtur InterRent dhe e cila ka në dispozicion 180 vetura për klientë, shprehet se gjatë vitit 2020, ka pasur qarkullim financiar shumë të vogël. Ai shpreson se gjatë këtij viti do rritet aktiviteti biznesor, pasi ai pret ardhjen e diasporës.

“Para pandemisë kemi dhënë 20 vetura brenda ditës me qira, në kohën e pandemisë, asnjë. Kjo pasi 99 për qind e biznesit tonë është i varur nga diaspora. Bazuar në lëvizjet që janë shumë pozitive, sa i përket numrit të rasteve të të infektuarve dhe vaksinimit të qytetarëve në vendet e Bashkimit Evropian, ku është e përqendruar mërgata jonë, besojmë se do thyejmë çdo rekord”, tha ai.

Imunizimi i popullatës në Kosovë, ka nisur në muajin mars të këtij viti, kurse deri më tani janë vaksinuar mbi 72 mijë qytetarë. Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit, të vaksinojë 60 për qind të popullatës.

Rukiqi: Mërgata pritet të rikuperojë dëmet ekonomike

Edhe Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, shpreson se gjatë muajve të verës, do ketë rikuperim të pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Kjo sipas tij, do të ndodhë me rritjen e konsumit dhe me ardhjen e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

“Rritje të konsumit pritet të ketë në sektorin e argëtimit, artikujt bazikë, por edhe te sektori i patundshmërive”, shprehet Rukiqi.

Sipas Bankës Qendrore, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 shënoi rënie deri në 4 për qind.

Kurse, Banka Botërore në raportin e publikuar në muajin prill, vlerëson se pas një recesioni historik, pritet rimëkëmbje graduale ekonomike në Kosovë dhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë raport, thuhet se rimëkëmbja ekonomike në Kosovë do të jetë graduale dhe aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm më 2022. Rimëkëmbja do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit.

Ymeri: Rritja e optimizmit, rrit edhe konsumin

Me vaksinimin e qytetarëve, siç po ndodh edhe në vende të ndryshme të botës, ka një tendencë që edhe në Kosovë të ketë një ringjallje ekonomike, thotë Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Ymeri vlerëson se pas përfundimit të pandemisë COVID-19, do të rritet optimizmi i qytetarëve për një normalitet të ri, rrjedhimisht edhe rritje të konsumit.

“Optimizmi i tyre për ditë të mira do të rritet dhe kur rritet optimizmi, natyrisht se do rritet edhe aktiviteti ekonomik. Sepse, gjatë kohës së pandemisë dhe krizave në përgjithësi, jo vetëm shëndetësore, tendenca e njerëzve në përgjithësi është që të kursejnë, sepse nuk dihet se çka do të ndodhë. Kurse tash, kur rritet optimizmi dhe parashikueshmëria e asaj se çka do të ndodhë, njerëzit bëhen më dorëlirë”, tha ai.

Vlera e kursimeve të qytetarëve 4.4 miliardë euro

Se qytetarët kanë kursyer gjatë kohës se pandemisë, tregojnë edhe të dhënat zyrtare. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, vlerat e depozitave të qytetarëve, në muajin mars të këtij viti, kanë arritur në 4.4 miliardë euro, deri sa kjo vlerë në muajin mars të vitit 2019, ka qenë 3.3 miliardë euro.

Përveç kursimeve të qytetarëve, Ymeri thekson se edhe ardhja e qytetarëve nga diaspora në Kosovë do të ndikojë në rritjen ekonomike.

“Këtu e kemi edhe një faktor shtesë, që është ardhja e mërgatës, duke pasur parasysh që gjatë vitit të kaluar, nuk kanë arritur që të vijnë në Kosovë, sivjet besoj se do të vijnë në numër më të madh dhe besoj se kjo do të ketë ndikim jashtëzakonisht pozitiv në ekonominë e vendit”, thekson Ymeri.

Vitin e kaluar për shkak të masave kufizuese, si në Kosovë ashtu edhe në vendet e Bashkimit Evropian, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë vizituar Kosovën, ka qenë simbolik. Megjithatë, remitencat nuk kanë munguar.

Sipas të dhënave zyrtare, vlera e përgjithshme e parave të qytetarëve me prejardhje nga Kosova, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, në vitin 2019 ka qenë 851 milionë euro, shifër kjo që është rritur vitin e kaluar në rreth 980 milionë euro.

Kurse në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitencave ka arritur në 242 milionë euro. Përveç remitencave, qytetarët me prejardhje nga Kosova, shpenzojnë miliona euro gjatë vizitave që bëjnë në Kosovë.

Burimi: Radio Evropa e Lirë

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Lajmet

Sot seancë e jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme në orën 16:00 lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në një deklarim për media, Nagavci theksoi se të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar të veprojnë apo të ofrojë mbrojtje në këtë rast duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi të plotë.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Continue Reading

Të kërkuara