Aktualitet
Ministria e Mbrojtjes i dërgon telegram ngushëllimi familjes së nënkolonelit të FSK-së
Published
5 years agoon
By
Betim GashiMinistria e Mbrojtjes i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së nënkolonel Skender Hajdarit. I ndjeri dyshohet se kreu vetëvrasje dje në fshatin Zjaqë të Mitrovicës.
“Dje na tronditi të gjithëve lajmi i hidhur për ndarjes tragjike nga jeta e nënkolonel Skender Hajdarit. Në cilësi të ministrit të Mbrojtjes dhe si bashkëpunëtor i tij, shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e madhe jo vetëm për familjen por edhe për institucionet shtetërore dhe shoqërinë tonë në përgjithësi.Nënkolonel Hajdari si personalitet me vlera të larta kombëtare, qoftë si luftëtar i UÇK-së, si intelektual dhe ushtarak profesionist i TMK-së e FSK-së, dha shumë për të gjitha të arriturat e deritashme të FSK-së, Ministrisë së Mbrojtjes dhe vendit në përgjithësi. Ai, si lider, reflektoi edhe me karakterin dhe personalitetin e tij moral dhe profesional si shembull i ushtarakut me dinjitet e integritet të lartë. Në këto momente të vështira për familjen, jemi pranë tyre dhe bashkëndjejmë në dhembjen e madhe për të.Qoftë i përhershëm kujtimi për jetën dhe veprat e nënkolonel Skender Hajdari!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit./UBTNews
Live
Trump “shpërthen” ndaj Gjermanisë: Merz nuk e ka idenë se çfarë flet, po e shkatërron vendin
Published
2 minutes agoon
April 29, 2026By
UBTNews
Një përplasje e fortë në distancë ka nisur mes Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Kancelarit gjerman, Friedrich Merz. Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka lëshuar akuza të rënda ndaj liderit gjerman, duke e cilësuar qasjen e tij ndaj Iranit si një rrezik për sigurinë globale. Sipas Trump, Merz mendon se është e pranueshme që Irani të pajiset me armë bërthamore, një skenar ky që sipas tij do ta mbante të gjithë botën peng.
“Ai nuk e di për çfarë po flet!”, ka shkruar Trump, duke shtuar se SHBA po ndërmerr veprime ndaj Teheranit që presidentët e mëparshëm duhet t’i kishin bërë kohë më parë. Ky reagim i ashpër i Presidentit amerikan erdhi si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Merzit, i cili gjatë një aktiviteti në Gjermaninë Perëndimore u shpreh se Irani po poshtëron Shtetet e Bashkuara.
Përveç kritikave për politikën e jashtme, Trump nuk ka kursyer as gjendjen e brendshme të Gjermanisë, duke e cilësuar situatën ekonomike atje si të mjerueshme. Ai deklaroi se nuk është aspak befasuese që Gjermania po përballet me rënie të fortë si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë social, duke ia faturuar këtë dështim lidershipit aktual gjerman.
Në fund, Presidenti Trump ka shprehur irritim të thellë edhe me aleatët e NATO-s, të cilët sipas tij nuk po kontribuojnë ushtarakisht në pikat e nxehta të konfliktit. Ai kritikoi ashpër mungesën e flotave detare aleate në Ngushticën e Hormuzit, e cila mbetet pothuajse e bllokuar. Kjo situatë në këtë rrugë kyçe ujore ka shkaktuar tronditje në tregjet botërore dhe ndërprerje të paprecedentë të furnizimit me energji, duke rritur tensionet mes Uashingtonit dhe partnerëve evropianë.
Vendi
Dështon zgjedhja e presidentit, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme
Published
2 hours agoon
April 29, 2026By
UBTNews
Qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen sërish kutive të votimit, për herë të pestë brenda 16 muajve të fundit, nëse përfshihen edhe dy rundet e zgjedhjeve lokale.
Të martën, në ditën e fundit të afatit kushtetues, partitë e përfaqësuara në Kuvend nuk arritën të zgjedhin presidentin. Si pasojë, bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Gjatë së martës u bënë katër tentativa për zgjedhjen e presidentit. Përpjekja e parë nisi në orën 10:00 si vazhdim i seancës së një dite më parë, ndërsa seancat vijuan në orët 14:30, 19:30 dhe në fund në 23:00. Megjithatë, në asnjërën prej tyre nuk u sigurua kuorumi i nevojshëm për të proceduar me votim.
Deputetët e koalicionit qeverisës, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ishin të pranishëm në sallë, ndryshe nga ata të opozitës. Këta të fundit kishin paralajmëruar paraprakisht se nuk do të merrnin pjesë në votim pa një marrëveshje politike.
Kandidate për presidente ishin Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje pas tërheqjes, të hënën në mbrëmje, të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut. Ndryshe nga seanca e së hënës, kur pati votim për zgjedhjen e pasardhësit të Vjosa Osmanit, gjatë katër tentativave të së martës nuk u zhvillua fare proces votimi.
Në seancën e fundit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve të opozitës të rikthehen në sallë dhe të marrin pjesë në votim.
“Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë dhe do të heqin dorë nga barrikadimet. Kjo është arsyeja pse vazhdimisht kam bërë thirrje që ata të jenë këtu. Këto janë minutat e fundit të kësaj legjislature dhe kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, tha Haxhiu.
Gjatë kohës së pritjes nga deputetët e shumicës, fjalën e mori ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mos votojnë partitë opozitare, duke i akuzuar ato për bojkotim të Kuvendit dhe sabotim të shtetit.
“Kur këta përfaqësues të opozitës të kërkojnë vota, qytetarët duhet të pyesin veten pse t’i votojnë. Ata janë zgjedhur nga populli, por në këtë rast nuk po e përfaqësojnë atë”, deklaroi Murati.
Ai gjithashtu paralajmëroi për humbjet financiare që mund të sjellin zgjedhjet e reja.
“Përveç rreth 10 milionë eurove që kushton organizimi i zgjedhjeve, vendi rrezikon të humbasë edhe dhjetëra milionë të tjera. Kosova pritet të përfitojë 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, por kjo kërkon miratimin e reformave. Pa Kuvend funksional, kjo nuk është e mundur”, shtoi ai.
Pas tij, para deputetëve foli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme partia e tij do të rrisë mbështetjen.
“Ata e dinë që zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Nuk duan përgjegjësi e as pushtet, por synojnë që këtë të mos e kemi as ne. Megjithatë, vendimin e merr populli i Kosovës, i cili vazhdimisht na ka mbështetur për realizimin e zotimeve dhe përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike dhe të sigurisë. Pas një qeverisjeje pesëvjeçare, mbështetja për ne është rritur dhe kështu do të vazhdojë”, tha Kurti.
Pas përfundimit të seancës, Kurti mbajti një konferencë për media së bashku me kandidaten për presidente, Feride Rushiti.
“E ndërmora këtë hap vetëm që vendi të dalë nga ngërçi politik. Udhëtimi im do të vazhdojë me organizatën joqeveritare që përfaqësoj”, deklaroi Rushiti.
Vendi
PDK: Përpjekjet për zgjedhjen e presidentit në mënyrë jokushtetuese janë shqetësuese
Published
11 hours agoon
April 28, 2026By
UBTNews
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se përpjekjet për vazhdimin e procesit të zgjedhjes së presidentit në mënyrë jokushtetuese janë shqetësuese për opozitën, përfshirë edhe PDK-në, si dhe për përfaqësues të shoqërisë civile.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit është çështje me interes të përgjithshëm dhe nuk është dashur të trajtohet në mënyrë të njëanshme.
“Tendenca që kemi parë për të vazhduar zgjedhjen e presidentit në mënyrë jokushtetuese ka qenë shqetësuese jo vetëm për ne si PDK, por edhe për të gjitha subjektet opozitare, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët”, deklaroi Tahiri.
Ai theksoi se opozita ka pasur një qasje konstruktive gjatë gjithë procesit, duke filluar nga konstituimi i institucioneve deri te votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Nuk kemi dashur të jemi sonte në konferencë për këtë temë, por kjo ka qenë një situatë e imponuar, për të cilën kemi alarmuar vazhdimisht”, shtoi ai.
Lajmet
Berisha: Bashkimi i opozitës do të zgjidhte krizën politike
Published
12 hours agoon
April 28, 2026By
UBTNews
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar në një konferencë për media se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e, siç e quajti ai, një procesi që po dëmton rendin kushtetues dhe po shndërrohet në një spektakël politik që ka zgjatur tash e katër muaj.
Sipas Tahirit, ky proces nuk përfaqëson një procedurë të mirëfilltë demokratike për zgjedhjen e presidentit, por një përpjekje për manipulim të opinionit publik. Ai theksoi se AAK-ja nuk do të marrë pjesë në atë që e cilësoi si “komplot ndaj shtetit”, në asnjë rrethanë.
Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, u shpreh se nëse partia e tij do të kishte një rol më të madh në këtë proces, çështja do të mund të zgjidhej brenda një kohe shumë të shkurtër.
Berisha gjithashtu theksoi se bashkimi i opozitës do të ishte çelësi për tejkalimin e situatës aktuale. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po kontribuon në përçarje, ndërsa shtoi se ndalimi i kësaj përçarjeje do t’i hapte rrugë zhvillimit dhe përparimit të vendit.
Trump “shpërthen” ndaj Gjermanisë: Merz nuk e ka idenë se çfarë flet, po e shkatërron vendin
Promovohet në Bruksel vepra pesëvëllimëshe për Ydriz Bashën e Novosejt
29 Prilli shënon Ditën Botërore të Baletit
Dështon zgjedhja e presidentit, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme
PDK: Përpjekjet për zgjedhjen e presidentit në mënyrë jokushtetuese janë shqetësuese
Berisha: Bashkimi i opozitës do të zgjidhte krizën politike
Lushaku-Sadriu: Propozimi i Kurtit synon ta çojë kandidaten e VV-së në presidencë
Kurti fton LDK-në të propozojë kandidat, ofron mbështetje me nënshkrime; Hoxha gati të tërhiqet
Tentimi i fundit për zgjedhjen e Presidentit sonte në orën 23:00
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoKoordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford
-
Lajmet2 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
-
Live2 months agoKryegjykatësi Smith III shpall mbylljen e çështjes gjyqësore
