Aktualitet

​Largimi i notimit diferencial, qëndrime pro dhe kundër

Published

on

Paralajmërimi për heqjen e notimit diferencial për nxënësit e klasave 1 deri në 5, ka ngjallur dilema se cili do të jetë ndikimi që mund të ketë tek nxënësit.

Ata që e vlerësojnë si hap pozitiv dhe që do të hiqte stresin e nxënësve për notat, kanë dilemat se si një gjë e tillë do të menaxhohej pastaj në klasën e 6-të, kur nxënësit do të përballeshin edhe me notim, dhe me mësim lëndor.

Ndërsa, ata që janë kundër largimit të notave, thonë se kjo do të ndikonte në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.

Aktualisht në vendin tonë nxënësit e klasave 1 dhe 2 nuk vlerësohen me notim diferencial, por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nuk kanë kthyer përgjigje se a kanë një plan konkret rreth largimit të notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor dhe kur pritet të realizohet një gjë e tillë.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thotë se nga MASHTI kërkojnë që të mos merren vendime pa një analizë të thellë, në mënyrë që të mos dëmtohen nxënësit me vendime dhe strategji eksperimentale.

Një reformë e tillë, sipas tij, duhet të bëhet me një strategji konkrete e cila duhet të implementohet në disa faza kohore dhe jo të jetë aty për aty.

“Ne si Këshill i Prindërve të Kosovës kërkojmë që mos të merren vendime të rëndësishme pa një analizë të thellë, në mënyrë që të mos e dëmtojmë arsimin respektivisht interesin e nxënësve me vendime dhe me strategji eksperimentale, sepse për 20 vite fëmijët tanë kanë qenë eksperiment në arsim, gjë që fatkeqësisht edhe koha tregoi. Gjithashtu, vendimet e MAShT-it për këso çështje duhet të merren në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Prindërve të Kosovës sepse po vendoset për të ardhmen edukative arsimore të fëmijëve tanë”, thuhet në përgjigje.

Reshiti potencon se asnjë veprim që prek nxënësit nuk do të ketë sukses nëse injorohet Këshilli i Prindërve të Kosovës, për çka edhe fton MAShTI-në që asnjë vendim të mos merret pa u konsultuar me ta.

E një ide të tillë që të largohet notimi diferencial e përkrahin edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, megjithatë kanë dilemat e tyre se çfarë ndikimi do të kishte tek nxënësit kur të njëjtit do të dalin në klasën e 6 dhe të përballeshin edhe me notim edhe me mësim lëndor.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj thotë se heqja e notimit do të largonte stresin e nxënësve të cikli të ulët për notat.

“Mbase kjo ide duhet provuar dhe janë dy momente, një moment se do të hiqej stresi i fëmijëve për notat, do të hiqej presioni i mësimdhënësve nga prindërit sepse kemi informacione se prindërit një pjesë e tyre po them insistojnë në nota të larta për fëmijët e tyre dhe në këtë mënyrë mbase do të bëhej më e relaksuar mësimi nga 1-5. Por, e keqja që na frikëson është se në klasën e 6 pastaj fëmijët do të përballen me nota, do të përballen me një ndërrim total të sistemit arsimor se kalojnë te mësimi lëndor dhe mbase do të jenë mësuar pa nota dhe nuk di si do të reagojnë, si do të angazhohen kur fillon notimi i tyre. Pra, duhet studiuar mirë këtë çështje, mbase do të provohet në shtator, ne nuk e kundërshtojmë këtë gjë”, thotë ai.

Në anën tjetër, njohës të fushës së arsimit janë të ndarë rreth ndikimit që do të kishte largimi i notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor.

Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se largimi i notimit diferencial është një reformë e thellë e sistemit arsimor, por që një gjë e tillë deklaron se mund të ndikojë në uljen e përkushtimit të nxënësve për të mësuar.

“Largimi i vlerësimit diferencial si koncept vije nga vendet perëndimore në një sistem goxha të avancuar dhe në një kulturë më të lartë sa i përket arsimit, tash sa është e zbatueshme e njëjta tek ne kjo është diçka për të debatuar. Mirëpo, frika jonë është që largimi eventual i vlerësimit do të eliminojë atë përkushtimin që nxënësit e këtyre grupmoshave e kanë pasur. Rikujtojë që është pikërisht cikli fillor që dallon shumë më shumë sesa cikli i shkollave të mesme të ulëta dhe të larta në përkushtim të nxënësve dhe në nota më të mira. Jemi të vetëdijshëm se vlerësimi i brendshëm në të gjitha nivelet pa përjashtim nuk është real, mirëpo eliminimi i po të njëjtit për këto grup mosha dhe për këtë cikël kemi frikë që përkundrazi do të kishte kundërefekte”, thotë ai.

Krejt ndryshe mendon njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani, i cili thotë se largimi i notimit diferencial është një hap i qëlluar, por që thotë se një vendim i tillë duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

“Unë mendoj se ky hap është i qëlluar, por megjithatë duhet pasur parasysh që duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore, në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe me krijimin e një ambienti të dashur për fëmijët ku ata do të zhvillojnë me një fjalë talentet dhe shkathtësitë e tyre. Vlerësimi mund të jetë motivim, por mund të jetë edhe demotivim për nxënësit varësisht se prej çfarë këndvështrimi analizohet. Mendoj që kjo nuk lidhet shumë me kushtet që u përmenden infrastrukturore dhe me kushtet e tjera përcjellëse në arsim, por që Qeveria definitivisht nuk guxon ta realizojë si masë të vetme, duhet ta përcjellë edhe me masa të tjera shtesë nëse me të vërtetë kanë synim që të ngrisin cilësinë e arsimit”, thotë ai.

Se largimi i vlerësimit tradicional do të ketë ndikim pozitiv tek nxënësit e thotë edhe Arian Musliu, psikolog nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore.

Një gjë e tillë, ai shprehet se e largon konkurrencën që shtyhet nga prindërit që fëmijët e tyre të kenë të gjitha notat 5, derisa potencon se heqja e notave nuk do të ketë ndikim në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.

“Në psikologjinë e edukimit dhe në shkencat e të mësuarit nota nuk është aspekti motivues kryesor edhe kjo konkurrenca për të arritur të gjitha 5 nuk ndikon shumë në motivimin e brendshëm tek nxënësit. Unë mendoj që notat në këtë drejtim nuk do të ulin interesimin e nxënësve për arritje, por interesimi i nxënësve do të rritet në këtë formë. Pra, jo për shkak të eliminimit të konkurrencës po për shkak se nuk do të kenë diçka me të cilën ata do të ballafaqohen vazhdimisht, pra notën. Nga ana tjetër ne i marrim shembull gjithmonë notat pozitive, pra 5, 4, po eliminojmë ndikimin negativ që kanë notat negative që është shumë më i madh sesa ndikimi pozitiv i tyre, pra notat 1, 2 ose edhe 3 në raste të caktuara”, thotë ai.

Musliu thotë se më pastaj mësimdhënësit do të duhej t’i përgatisnin nxënësit të cilët kalojnë nga klasa 5 në të 6 me idenë se tashmë do të vlerësohen me notë.

Çështja e notimit për klasat 1 dhe 2 është rregulluar me udhëzim administrativ në vitin 2016, ku në nenin 3 pika 3.7.2 thuhet se nxënësit e shkallës I (klasa para fillore dhe klasat 1-2) nuk vlerësohen me notë numerike por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit.

Continue Reading

Botë

Spiegel: Zbulohen emrat e serbëve të lidhur me sulmin në Leipzig. Të kapur me eksplozivë

Published

on

By

Hetuesit gjermanë kanë zbuluar detaje të reja rreth tentativës së sulmit me dron ndaj një aeroplani mallrash ukrainas në aeroportin e Leipzigut, dhe të dhëna kyçe çojnë direkt në Serbi, shkruan e përjavshmja gjermane Spiegel, duke cituar burime në qarqet lokale të sigurisë.

Një nga të dyshuarit në sulmin në Leipzig është i lidhur me një burrë që u arrestua në Serbi në qershor për posedim eksplozivash. Sipas Spiegel, më 11 qershor, policia serbe ndaloi dy makina që po shkonin drejt Bashkimit Evropian pranë kufirit hungarez. Ata ishin Danilo B., i cili ka shtetësi serbe dhe ruse, dhe shtetasi serb Slobodan D.

 

Dronë dhe eksplozivë në kanaçe: “Serbia është një pikë e nxehtë për sabotimin rus”

Në makinën e parë, policia gjeti pjesë të një droni të modifikuar dhe qarqe kontrolli, ndërsa në të dytën, në një ndarje të fshehur, ata zbuluan kanaçe të mbushura me eksplozivë. Të dy kanë qenë në paraburgim që nga qershori, dhe autoritetet gjermane tani po kontrollojnë lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me të dyshuarit në aksionin në Leipzig – një bjellorus dhe një me shtetësi të dyfishtë ruse dhe letoneze.

Përveç kësaj, hetuesit rindërtuan lëvizjet e të dyshuarve dhe zbuluan se njëri prej tyre iku në Rusi pas operacionit nëpërmjet rrugës përmes Serbisë dhe Stambollit. Për shkak të gjithë kësaj, shërbimet evropiane të inteligjencës e shënojnë Serbinë si një “pikë të nxehtë” për sabotimin rus në të gjithë Evropën, duke deklaruar se shërbimet ruse atje rekrutojnë dhe trajnojnë operativë për operacione në terren.

Hetuesit u habitën menjëherë nga metoda identike e prodhimit të pajisjes. Në Leipzig, rreth 600 gramë të eksplozivit plastik jashtëzakonisht shkatërrues Semtex, i cili përdoret edhe nga ushtria, u vendosën në një kanaçe metalike të bashkangjitur në aeroplan, saktësisht e njëjtë me kanaçet e sekuestruara në kufirin serb.

 

Si dështoi sulmi në Leipzig

Vetë sulmi në Leipzig ndodhi më 4 gusht dhe u shmang vetëm nga një kombinim rrethanash. Një dron që mbante eksplozivë fluturoi drejt aeroplanëve të parkuar ukrainas të mallrave Antonov dhe goditi krahun e njërit prej aeroplanëve, por pajisja shpërthyese nuk shpërtheu për shkak të një sigurese të dëmtuar. Aeroplani që goditi droni kishte rezervuarë karburanti plot dhe kishte transportuar ndihmë ushtarake dhe municione në Ukrainë vetëm një ditë më parë.

Aeroporti i Leipzig/Halle është një qendër kyçe logjistike për operacionet e NATO-s dhe dërgimin e armëve në Kiev. Hetuesit përcaktuan se droni i rrëzuar ishte modifikuar shumë: kishte një bateri shtesë për rreze më të gjatë veprimi, një kamerë, një router 5G dhe dy karta SIM, pa drita të jashtme dhe mund të kontrollohej nga një distancë e gjatë përmes një rrjeti celular. Një antenë e veçantë u gjet gjithashtu në një pemë aty pranë që shërbente si përforcues sinjali.

 

Gjurmët e ADN-së dhe zjarrvënia në Poloni

Një përparim në hetim u soll nga gjurmët e ADN-së të izoluara nga një dron, një antenë dhe një kanaçe që përmbante Semtex, të cilat u përputhën përmes bazave të të dhënave në Lituani dhe Finlandë. Hetuesit gjithashtu lidhin një nga të dyshuarit me një sabotim të mëparshëm në qytetin polak të Loxh, ku një zjarr u vu në një dyqan të madh materialesh ndërtimi Leroy Merlin në korrik 2024. Megjithëse fillimisht u mendua se insekticidet ishin ndezur, prokurorët polakë më vonë vërtetuan se ishte sabotim rus.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës nga disa shërbime evropiane, të paktën katër rrjete sabotatorësh nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Moskës janë aktualisht aktivë në tokën e Bashkimit Evropian, dhe policia po kontrollon nëse avionë të tjerë morën pjesë në operacionin në Leipzig. Konkretisht, po atë natë, një aeroplan mallrash i DHL goditi një objekt fluturues të panjohur gjatë uljes.

Për shkak të gjithë çështjes, Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, njoftoi publikisht se strukturat shtetërore ruse ishin direkt pas sulmit. Si shenjë hakmarrjeje, Berlini urdhëroi mbylljen e konsullatës ruse në Bon dhe dëbimin e stafit të saj, si dhe ndërpreu kontratën me Shtëpinë Ruse në Berlin. Moska u hakmor duke pretenduar se ishte një gjyq i montuar dhe një provokim dhe mbylli Institutet Gjermane Goethe dhe konsullatën në Shën Petersburg.

Burimi: Index.gr/Spiegel

Continue Reading

Vendi

FSK me përfaqësim në akademitë prestigjioze ushtarake në SHBA

Published

on

By

Një kadet i Qendrës për Studime Universitare (QSU) ka nisur studimet semestrale me bursë në Universitetin Norwich në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar kështu një moment historik për këtë institucion ushtarak.

Kjo është hera e parë që një student nga QSU fiton një mundësi të tillë akademikosh në SHBA. Përzgjedhja e kadetit vlerësohet si dëshmi e ngritjes së nivelit akademik e ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe barazimit të standardeve të saj me akademitë më prestigjioze botërore.

Nga institucioni është bërë me dije se ky hap reflekton vizionin e udhëheqjes ushtarake për zhvillimin profesional të kuadrove të reja, duke përfaqësuar një investim afatgjatë në gjeneratën e ardhshme të oficerëve të FSK-së.

Continue Reading

Vendi

SHBA: Reorganizimi i trupave të KFOR-it do të jetë gradual dhe i koordinuar

Published

on

By

Aleanca e NATO-s ka nisur një proces gradual për optimizimin e pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë, proces ky që do të zhvillohet në bashkëpunim me të gjithë aktorët relevantë. Në një përgjigje për Telegrafin, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë të ditur se prioritet kryesor i Uashingtonit mbetet stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Sipas zëdhënësit të ambasadës amerikane, gjatë kësaj periudhe pritet vazhdimi i bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë në Kosovë, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë. SHBA-ja vlerësoi përkushtimin e misionit të NATO-s për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.

Ky zhvillim vjen në kohën kur KFOR-i po zbaton riorganizimin e trupave në terren, përfshirë edhe praninë te ura e Ibrit në Mitrovicë. Lidhur me hapjen e mundshme të urës për qarkullim, misioni ushtarak ka ripersëritur se ky vendim u takon institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Published

on

By

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kanë njoftuar se të enjten është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok.

Arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me këtë rast dhe sipas urdhrit të PSRK-së.

Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale ndaj të arrestuarit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara