Lajmet

Mbi 14 mijë aplikime për regjistrim për zgjedhje

Published

on

Mbi 14 mijë aplikacione për regjistrim kanë arritur deri sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga personat që duan të regjistrohen për votime në zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe prej tyre 10 mijë e 172 aplikacione janë aprovuar. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u bë e ditur se deri më tani janë telefonuar 8 mijë votues në diasporë.

Kryeshefi i Sekretariatit në KQZ, Burim Ahmetaj tha se nga 14 mijë e 307 aplikacione që kanë arritur për regjistrim, është bërë vlerësimi i zotësisë juridike për 13 mijë e 138 prej tyre.

“Lidhur me periudhën e aplikimit për regjistrim dhe votim jashtë vendit deri më sot, raporti i referohet orës 12:00, në sistem janë të futura gjithsej 14 mijë e 307 aplikacione për regjistrim, prej tyre 13 mijë e 138 aplikacione është bërë vlerësimi i zotësisë juridike. Prej këtyre, të aprovuara janë 10 mijë e 172 aplikacione. Në statusin momental të refuzimit janë 2 mijë e 426 aplikacione për regjistrimin e të cilave duhet të dërgojnë dokumente mbështetëse, me qëllim të aprovimit”, tha ai.

Ndërsa janë rreth 68 mijë emaile ende të pa hapura, por u tha se gjatë verifikimit do të mund të dihet numri i saktë i tyre, meqë aplikuesit po dërgojnë më shumë se një email dhe mund të ketë duplifikime në aplikim.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se të gjitha aplikacionet do të shqyrtohen derisa u bëri thirrje qytetarëve që mos të dërgojnë më shumë se një email për aplikim.

“Lus qytetarët jashtë Kosovës që të mos ngarkojnë emalin duke i dërguar nga tre herë të njëjtat aplikime, sepse siç duket e kanë keqkuptuar që do të ketë ndonjë pengesë dhe tani për t’u siguruar dërgojnë emailin e njëjtë në tri emaile tona zyrtare dhe bllokojnë pa nevojë emailin. Të gjitha aplikacionet do të shqyrtohen”, tha Daka.

Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi tha se ka pranuar ankesa nga qytetarët në diasporë se të njëjtit janë telefonuar anonim.

“Kemi pasur mesazhe të ndryshme për një pjesë të atyre njerëzve që kanë marrë telefonata dhe ato telefonata kanë dalë si anonime, ka prej tyre me gjasë që kanë kundërshtuar me dhënë të dhëna sepse është numri anonim”, tha ai.

Ndërkohë Ahmetaj nuk e përjashtoi mundësinë për gabime të tilla, që sipas tij janë teknike.

“Deri më dje janë telefonuar apo janë marrë konfirmime diku rreth tetë mijë votues që konsiderojmë që nuk kemi stagnim në këtë aspekt, kemi pasur problem teknik që në raste të caktuara ka mundur edhe të mos u shfaqet numri, mirëpo besoj që ky problem teknik besoj që posta veç e ka rregulluar. Sa u përket thirrjes së votuesve, sigurisht që nuk do të ngelet vetëm me një thirrje, por do të tentohet prapë me thirrjen e dytë, thirrjen e tretë”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u kërkua kujdes në çështjen e votave që vijnë me postë nga mërgata, duke theksuar nevojën e respektimit të ligjeve në fuqi.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së gjithashtu u tha se nga aplikacionet për certifikim të subjekteve politike, përfshirja e grave është 33.5%.

Ylli Buleshkaj nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës tha se nuk ka ndonjë përmirësim sa i përket aspektit gjinor.

“I kemi 28 aplikacione për certifikim të subjekteve politike si total i kemi 1081 kandidatë, nga ta janë 362 gra apo 33.5% dhe 719 burra apo 66.5%. Nga aspekti gjinor nuk është që ka ndonjë përmirësim tepër të madh nga hera e kaluar”, tha ai.

Ndryshe, KQZ ka miratuar edhe Fondin për Mbështetjen e Partive Politike.

Lajmet

Gjermania ndalon tubimet e partive kosovare për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Published

on

Ambasada gjermane në Kosovë, ka lëshuar një njoftim drejtuar kandidatëve për kryeministër dhe subjekteve politike në garën për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku ambasada rikujton se organizimi i tubimeve zgjedhore në territorin gjerman nuk lejohet më pak se tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në vendin e tyre.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, do të mbahen më 28 dhjetor, kjo do të thotë se nuk mund të ketë tubime në Gjermani, një nga vendet ku ka më së shumti diasporë kosovare.

“Meqenëse kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, ngjarjet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftim.

Së fundmi, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar tubim në Frankenthaler të Gjermanisë më 13 dhjetor./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Auditimi zbulon mangësi në ndërtimin e objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji

Published

on

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar mangësi të shumta në procesin e ndërtimit të objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) për periudhën 2018-2025.

Raporti i auditimit “Ndërtimi i objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji”, ka vlerësuar procesin e ndërtimit duke nisur nga buxhetimi dhe planifikimi, procedurat e tenderimit, deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

Gjithashtu, janë evidentuar mangësi në buxhetim, tenderim dhe menaxhim të fondeve, përfshirë mospërputhjen në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit, qasjen e dyfishtë në hartimin e specifikave teknike, mospërputhjen mes dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, mangësinë në procesin e vlerësimit të ofertave gjatë tenderimit dhe dobësinë në menaxhimin e shpenzimeve.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se këto mangësi tregojnë nevojën për një qasje më sistematike dhe respektim të plotë të kornizës ligjore në zbatimin e projekteve, për të rritur përgjegjësinë, transparencën dhe integritetin në menaxhimin e fondeve publike.

ZKA-ja ka dhënë pesë rekomandime për përmirësimin e proceseve:

1. Forcimi i kontrolleve të brendshme për harmonizimin e buxhetimit dhe transparencën e fondeve;

2. Kontroll më efektiv të njësive kërkuese dhe zyrës së prokurimit për specifika teknike të qarta;

3. Përmirësimi i sistemit të kontrollit gjatë përgatitjes së paramasës për të harmonizuar dokumentacionin teknik me kërkesat e projektit;

4. Sigurimi që tenderët të konsiderohen të përgjegjshëm vetëm kur janë në përputhje me të gjitha kërkesat e dosjes;

5. Ndarja e qartë e burimeve dhe shpenzimeve për secilin projekt dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm për identifikimin e gabimeve që në faza të hershme./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

BE: Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës

Published

on

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023.

BE-ja ka bërë të ditur se blloku evropian synon të vazhdojë me heqjen e mëtejshme të këtyre masave dhe thanë se kanë mirëpritur dorëzimin e qetë të qeverisjes lokale në katër komunat veriore.

Po ashtu, BE-ja ka marrë në dijeni shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, që pritet të mbahen në më 28 dhjetor, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues  përfshirë certifikimin e partive politike, pjesëmarrjen e tyre dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet.

“BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen, dhe të vazhdojë mbështetjen për vendin në rrugën drejt integrimit evropian”, thuhet në përgjigje.

BE-ja shtoi se pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme evropiane dhe të avancojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Liderët fetarë në Kosovë nënshkruajnë deklaratë kundër dhunës me bazë gjinore

Published

on

Në përmbyllje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Ambasada britanike në Prishtinë ka mbledhur së bashku udhëheqësit kryesorë fetarë të Kosovës për të nënshkruar Deklaratë të Përbashkët për Dhunën me Bazë Gjinore dhe Dinjitetin Njerëzor si një akt i vlerësuar si historik.

Sipas njoftimit të ambasadës britanike, nën drejtimin e ambasadorit Jonathan Hargreaves, përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, komuniteti hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore u bashkuan në të njëjtën tavolinë për të sinjalizuar një qëndrim të qartë dhe të unifikuar: dhuna nuk ka vend në fe, familje apo shoqëri.

Mbretëria e Bashkuar, e cila pozicionohet si kampione globale në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, theksoi se promovimi i barazisë dhe dinjitetit njerëzor është shtylla e paqes dhe prosperitetit.

Ambasadori Hargreaves nënvizoi se në Kosovë këto vlera luajnë rol kyç në forcimin e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit.

Gjatë 16 ditëve të aktivizmit, siç thotë njoftimi, ambasada vendosi të punojë ngushtë me liderët fetarë, duke theksuar ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në formimin e normave dhe vlerave brenda komuniteteve.

“Deklarata e nënshkruar përfaqëson një zotim të shkruar dhe një premtim publik për mbrojtjen e më të cenueshmëve dhe sfidimin e praktikave të dëmshme. Ajo dërgon një mesazh shprese se komunitetet fetare në Kosovë janë të bashkuara në thënien ‘mjaft’ ndaj dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftim./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara