Botë
Macron: Franca dhe aleatët janë të bashkuar për Ukrainën
Published
1 year agoon
By
UBTnewsPresidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca dhe aleatët e saj janë pajtuar se të drejtat e Ukrainës dhe shqetësimet për sigurinë evropiane duhet të merren parasysh në çdo marrëveshje të mundshme për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Qëndrimi i Francës dhe i aleatëve të saj është i qartë dhe i bashkuar. Ne dëshirojmë paqe në Ukrainë që do të ishte e qëndrueshme”, tha Macron përmes një postimi në X, pasi u takua me udhëheqësit e 19 shteteve, përfshirë të Kanadasë. Në takim, shumica nga ta morën pjesë përmes video-lidhjes.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka befasuar Bashkimin Evropian, duke thënë se është gati të rinisë diplomacinë me presidentin rus, Vladimir Putin, tre vjet pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës.
SHBA-ja dhe Rusia veçse kanë mbajtur një takim në Riad më 18 shkurt, në të cilin nuk u ftua Kievi, e as Evropa.
Macron mbajti një takim të ri për Ukrainën të mërkurën pasdite, në përpjekje për të koordinuar përgjigjen evropiane për atë që ai e ka cilësuar si “kërcënim ekzistencial” nga Rusia, pas ndryshimit të papritur të politikës amerikane.
“Ne qëndrojmë me Ukrainën dhe do të vazhdojmë të kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona për të ofruar paqe dhe siguri në Evropë”, tha Macron pas video-konferencës.
Por, ai tha se pjesëmarrësit – ku bënin pjesë krerët e shteteve apo qeverive të BE-së, por edhe të Islandës dhe Norvegjisë – theksuan se Ukraina duhet të përfshihet dhe “të drejtat e saj duhet të respektohen” në këtë proces.
Ata thanë se kërkohen “garanci të forta dhe të besueshme” në mënyrë që të sigurohet një marrëveshje e qëndrueshme” dhe se “shqetësimet për sigurinë evropiane”, duhet të merren parasysh.
“Ne jemi të bindur për nevojën që të rriten shpenzimet tona të mbrojtjes e sigurisë dhe të rriten kapacitetet për Evropën dhe për çdo shtet tonin”, shtoi Macron.
Ndërkaq, përmes një postimi në X, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se Macron e kishte informuar atë për takimin me udhëheqësit evropianë dhe të Kanadasë.
“Evropa ka nevojë për paqe të qëndrueshme dhe themeli i saj mund të jenë vetëm garancitë e sigurisë”, tha ai.
Mediat kanë raportuar se Macron pritet që javën e ardhshme të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.
Zelensky, ndërkaq tha se do të takohet me të dërguarin amerikan për Ukrainë dhe Rusi, Keith Kellogg të enjten, duke shtuar se shpreson për bashkëpunim “konstruktiv” me SHBA-në.
Këto deklarata ai i bëri pasi Trump bëri reagimin më të ashpër ndaj Zelenskyt deri më tani, duke e quajtur “diktator pa zgjedhje”.
Po ashtu, Trump ka lënë të kuptohet se e fajëson Ukrainën për nisjen e luftës më 2022.
Franca është një nga mbështetëset më të mëdha të Ukrainës që kur ka nisur lufta.
Macron veçse kishte mbajtur një samit për Ukrainën. Në Paris, të hënën ai mblodhi udhëheqësit evropianë, përfshirë ata nga Gjermania, Britania, Italia, Polonia, Holanda, por edhe shefat e NATO-s dhe BE-së për bisedime urgjente, por disa shtete më të vogla, sikurse Rumania dhe Republika Çeke raportohet se janë shqetësuar se nuk ishin ftuar në takim.
Në takimin e 19 shkurtit, presidenti në detyrë i Rumanisë, Ilie Bolojan, dhe kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, ishin prezentë në takimin në Paris, tha Presidenca franceze.
Udhëheqësit nga Lituania, Qiproja, Finlanda, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Estonia, Greqia, Irlanda, Islanda, Letonia, Norvegjia, Portugalia, Suedia, Sllovenia dhe Republika Çeke iu bashkuan takimit përmes video-lidhjes.
Hungaria dhe Sllovakia, kryeministrat e të cilave shihen si të afërt me Putinin, por edhe anëtarja e NATO-s, Turqia, nuk ishin në listën e të ftuarve për takimin e 19 shkurtit./REL/
Lajmet
Izraeli nis sulmin kundër Iranit, shpall gjendje të jashtëzakonshme në vend
Published
13 hours agoon
February 28, 2026By
ubtnews
Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.
Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.
Izraeli mbylli hapësirën ajrore të shtunën në mëngjes, tha Ministria e Transportit, pasi vendi kreu sulme ajrore ndaj Iranit, shkruan CNN.
Ende nuk është e qartë se si do të reagojë Irani. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar më parë se trupat amerikane në rajon mund të jenë në shënjestër nëse sulmohet.
Aktualitet
Amerikanët dyshojnë në pretendimet e Trumpit për ekonomi “në lulëzim”
Published
1 day agoon
February 27, 2026By
UBTNews
Edhe pse presidenti Donald Trump ka deklaruar se ekonomia amerikane po lulëzon dhe inflacioni është zgjidhur, një sondazh i Reuters/Ipsos tregon se shumica e amerikanëve nuk pajtohen me këtë.
Sipas sondazhit, 68% e të anketuarve nuk besojnë se ekonomia po përjeton rritje të madhe, përfshirë edhe shumë republikanë. Brenda Partisë Republikane, opinionet janë të ndara: 56% mendojnë se ekonomia po lulëzon, ndërsa 43% nuk pajtohen.
Rezultatet vijnë ndërsa afrojnë zgjedhjet e pjesshme të Kongresit më 3 nëntor, ku republikanët do të mbrojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. /Reuters/
Aktualitet
Pakistani nis sulme në Afganistan, ministri: “Luftë e hapur”
Published
2 days agoon
February 27, 2026By
UBTNews
Pakistani ka bombarduar caqe qeveritare në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, si dhe në Kandahar, ku është e vendosur udhëheqja talibane, thanë zyrtarë nga të dyja vendet të premten, ndërsa ministri pakistanez i Mbrojtjes e cilësoi konfliktin si “luftë të hapur”.
Sulmet ajrore pakistaneze shënojnë herën e parë që Islamabadi ka vënë në shënjestër drejtpërdrejt instalime të talibanëve, e jo militantë që pretendohet se mbështeten prej tyre, duke sinjalizuar një përçarje të thellë në marrëdhëniet mes dy fqinjëve islamikë, dikur aleatë të afërt.
Burime të sigurisë në Pakistan thanë se sulmet përfshinë raketa ajër-tokë ndaj zyrave dhe pikave ushtarake talibane në Kabul, Kandahar, si dhe në provincën Paktia. Gjithashtu, janë raportuar përleshje tokësore në disa sektorë përgjatë kufirit mes dy vendeve.
Talibanët thanë se kanë nisur sulme hakmarrëse ndaj objekteve ushtarake pakistaneze.
Të dyja palët raportuan humbje të mëdha, duke dhënë shifra dukshëm të ndryshme, të cilat Reuters nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.
“Durimit tonë i ka ardhur fundi. Tani është luftë e hapur mes nesh dhe jush (Afganistanit)”, deklaroi ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Muhammad Asif. /Reuters/
Aktualitet
Si krahasohen ushtritë e Pakistanit dhe talibanëve afganë mes rritjes së tensioneve?
Published
2 days agoon
February 27, 2026By
UBTNews
Përleshjet ndërkufitare mes Pakistanit dhe Afganistanit janë intensifikuar gjatë natës, me të dyja palët që pretendojnë humbje të mëdha, ndërsa ministri pakistanez i Mbrojtjes ka deklaruar se vendi i tij ndodhet në një “luftë të hapur” me fqinjin.
Ndërsa tensionet vazhdojnë, ja një vështrim se si Pakistani e tejkalon ndjeshëm Afganistanin për nga forcat ushtarake dhe arsenali, sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër.
Forcat e armatosura të Pakistanit përfitojnë nga rekrutimi dhe mbajtja e mirë e personelit, të mbështetura nga pajisje ushtarake të furnizuara nga partneri i tij kryesor në mbrojtje, Kina. Islamabadi vazhdon të investojë në programet e tij bërthamore dhe po modernizon gjithashtu marinën dhe forcën ajrore.
Ndërkohë, kapacitetet e forcave të armatosura të talibanëve afganë janë në rënie, për shkak të dobësimit të aftësisë për të përdorur pajisjet e huaja që grupi islamist mori pas rikthimit në pushtet në vitin 2021. Mungesa e njohjes ndërkombëtare të administratës talibane ka ndikuar po ashtu negativisht në modernizimin ushtarak.
Personeli
Pakistani ka rreth 660 mijë trupa aktive në forcat e tij të mbrojtjes, prej të cilëve 560 mijë në ushtri, 70 mijë në forcën ajrore dhe 30 mijë në marinë.
Forcat e talibanëve afganë janë dukshëm më të vogla, me rreth 172 mijë trupa aktive. Megjithatë, grupi ka njoftuar plane për ta rritur numrin në 200 mijë.
Mjetet luftarake dhe artileria
Pakistani disponon më shumë se 6 mijë mjete të blinduara luftarake dhe mbi 4,600 njësi artilerie.
Forcat afgane posedojnë gjithashtu mjete të blinduara, përfshirë tanke kryesore beteje të epokës sovjetike, transportues të blinduar personeli dhe mjete të tjera, por numri i saktë i tyre nuk dihet. Edhe numri i artilerisë që zotërojnë – të paktën tre lloje të ndryshme – mbetet i panjohur.
Forca ajrore
Pakistani ka një flotë prej 465 avionësh luftarakë dhe më shumë se 260 helikopterë, përfshirë helikopterë shumëfunksionalë, sulmues dhe transportues.
Afganistani nuk ka avionë luftarakë dhe praktikisht nuk ka një forcë ajrore funksionale. Dihet se posedon të paktën gjashtë avionë – disa prej tyre që datojnë nga periudha sovjetike – dhe 23 helikopterë, por nuk është e qartë sa prej tyre janë në gjendje funksionale.
Arsenali bërthamor
Pakistani është një shtet me armë bërthamore dhe posedon rreth 170 koka bërthamore, ndërsa Afganistani nuk ka arsenal bërthamor. /Retuers/
Prof. Dr. Denis Celcima pjesë e tryezës përmbyllëse të projektit kërkimor STI(G)MA
Hajrizi: Para 20 vjetësh kishim 5 studentë të IT-së, sot kemi me mijëra
Izraeli nis sulmin kundër Iranit, shpall gjendje të jashtëzakonshme në vend
“Ishte gjenocid” – Prof. Dr. Salih Krasniqi rrëfen tmerrin e spitaleve gjatë luftës dhe shpëtimin e qindra të plagosurve
Amerikanët dyshojnë në pretendimet e Trumpit për ekonomi “në lulëzim”
Kurti takon kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Nga skandal në ikonë: Si u bë “My Bed” i Tracey Emin simbol i artit modern
REL: Beograd: Një shtetas i Kosovës dënohet në mungesë me 15 vjet burgim
Atmosferë e zjarrtë në Prizren, Kosova sfidon Sllovakinë
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
