Botë

Trump përsërit kritikat ndaj Zelenskyt, thotë se ai do të mund të merrte pjesë në takimin në Riad

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka ashpërsuar kritikën ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai ka bërë punë të tmerrshme dhe që ai do të mund të merrte pjesë në bisedimet që janë zhvilluar këtë javë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në Arabinë Saudite, nëse do të dëshironte.

Trump i ka bërë këto komente në një takim në Majami, me shefa biznesorë të fondit sovran pasuror të Arabisë Saudite, pas komenteve tjera të ashpra ndaj Zelenskyt.

Trump ka shkruar në platformën e tij Truth Social se Zelensky është “diktator pa zgjedhje” dhe ka paralajmëruar që ai “më mirë e ka të veprojë shpejt, apo do të mbetet pa shtet”.

Në fjalimin e tij në Majami, ai ka vlerësuar që Zelensky është duke keqpërdorur ndihmën amerikane të ndarë për luftë, dhe që e ka shfrytëzuar administratën e ish-presidentit amerikan, Joe Biden.

Këto komente duket se janë kundërpërgjigje ndaj kritikës së Zelenskyt se Trump “jeton në hapësirën e tij të dezinformatave” të nxitur nga Moska.

“Ne i kemi parë këto dezinfirmata”, ka thënë Zelensky më 19 shkurt. “Ne e kuptojmë se kjo vjen nga Rusia”.

Zelensky i ka bërë këto komente pasi Trump e ka fajësuar atë për luftën e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se është i “zhgënjyer” që Zelensky është ankuar pse nuk është ftuar në bisedimet e zhvilluara mes SHBA-së dhe Rusisë për dhënie fund të luftës.

Zelensky i ka përsëritur shqetësimet e tij për bisedimet e zhvilluara në Arabinë Saudite për dhënie fund të luftës së nisur pothuajse tre vjet më parë.

Ai ka thënë se bisedimet e nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Rusisë në Riad, kanë pasur qëllim “nxjerrjen e [presidentit rus, Vladimir] Putin prej izolimit” dhe që krejt kjo mund të rezultojë me ndryshime të dinamikave gjeopolitike, që do të ndikojnë në sigurinë e Ukrainës.

“Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar Putinit të dalë prej izolimit… Putin dhe rusët janë shumë të lumtur për këtë”, ka thënë Zelensky.

Zelensky ka thënë se Ukraina nuk është ftuar në takimet në Riad.

Mirëpo Trump u ka thënë gazetarëve më 19 shkurt se rusët “kanë marrë shumë territor dhe i kanë kartat në duar” në negociatat për dhënie fund të luftës.

Trump, i cili ka çuar përpara nismën për takimin në Riad, në kuadër të përpjekjeve për dhënie fund të luftës, ka qenë kritik edhe për mosmbajtje të zgjedhjeve në Ukrainë.

Ukraina nuk ka mundur t’i mbajë zgjedhjet për shkak se është në gjendje lufte, e cila është shpallur kur Rusia ka nisur luftën në shkurt të vitit 2022.

Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt do të duhej të përfundonte në maj të vitit 2024, ndërsa Putin ka thënë se nuk do të negocionte me presidentin ukrainas, sepse ai nuk ka autoritet për të nënshkruar marrëveshje për paqe.

Disa anëtarë të Kongresit amerikan kanë thënë se komentet e Trumpit kanë qenë të rënda për mijëra ukrainas që kanë vdekur në luftë.

Senatori demokrat, Richard Blumenthal, ka thënë se Trump “e ka flakur tutje të vërtetën dhe sakrificën e burrave dhe grave të guximshme që po luftojnë për lirinë e tyre dhe tonën. Lufta e tyre është lufta jonë dhe dorëzimi i presidentit është patetik dhe i dobët”.

Senatori tjetër demokrat, Chris Coons, ka thënë se republikanët tjerë në Senat e dinë që Putini nuk është partneri ynë.

Ai ka thënë se Trump rrezikon të bëhet “humbësi më i madh i shekullit 21, nëse nuk i kërkon Putinit t’i japë fund luftës, duke e kërcënuar me sanksione apo me dërgim të më shumë armëve në Ukrainë”.

Komentet e Trumpit janë kritikuar edhe nga liderë evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Scholz e ka quajtur akuzën ndaj Zelenskyt si diktator, si të “gabuar dhe të rrezikshme”, ndërsa Baerbock ka thënë se njerëzit në Evropë që jetojnë “në kushte diktature” janë në Rusi dhe Bjellorusi.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka paralajmëruar më 19 shkurt se kritikat e Zelenskyt ndaj Trumpit do t’i nxjerrin telashe.

“Zelensky mendon se do t’i ndryshojë mendjen presidentit duke folur keq për të publikisht, por të gjithë e dinë që presidenti do t’i tregojë se kjo është mënyrë mizore për t’u përballur me këtë administratë”, ka thënë Vance./REL/

lajme

Zelensky konfirmon sulmin me dronë ndaj anijes luftarake ruse në brigjet e Libisë

Published

on

By

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se Ukraina qëndron pas sulmit që çoi në fundosjen e një anijeje luftarake ruse në brigjet e Libisë, duke bërë të ditur se në operacion janë përdorur shtatë dronë detarë të prodhimit ukrainas.

Përmes një postimi në platformën X, Zelensky deklaroi se objektiv i sulmit ishte një korvetë ruse, të cilën e përshkroi si një nga anijet më të reja të flotës ruse, të futur në shërbim në vitin 2023.

Ky zhvillim vjen pasi në raportimet paraprake ishin ngritur pretendime se sulmi me dronë detarë ndaj anijes ruse mund të kishte origjinën nga territori i Shqipërisë.

Megjithatë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë i kishte mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pambështetura në prova të verifikueshme.

Diplomacia shqiptare kishte theksuar se territori i vendit nuk ishte përdorur dhe as nuk ishte vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e sulmit.

Ndërkohë, Zelensky theksoi se Ukraina do të vazhdojë operacionet kundër forcave ruse dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake.

“Ne vazhdojmë operacionet tona në ujërat e përcaktuara. Po i përgjigjemi agresionit të Rusisë. Po zhvillojmë armët ukrainase”, u shpreh presidenti ukrainas. /E.A/

Continue Reading

Botë

Samiti i klimës COP31 në Turqi mbyllet pa marrëveshje, BE-ja refuzon draftin për shkak të lëndëve djegëse fosile

Published

on

By

Samiti i Kombeve të Bashkuara për klimën, COP31, i mbajtur në Antalia të Turqisë, ka përfunduar zyrtarisht pa arritur një konsensus për një marrëveshje të re globale, pas dështimit të vendeve pjesëmarrëse për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera refuzuan draft-marrëveshjen e katërt të propozuar, për shkak se dokumenti nuk përfshinte nevojën për heqjen graduale të lëndëve djegëse fosile, të cilat konsiderohen si shkaktari kryesor i ndryshimeve klimatike globale. Negociatat u zgjatën me dy ditë shtesë në përpjekje për të arritur një kompromis, duke e shënuar këtë si samitin më të gjatë në historinë e këtyre bisedimeve, por pa rezultat konkret.

Dështimi për të arritur një marrëveshje ka nxitur reagime dhe kritika të ashpra nga aktivistë dhe figura të njohura të mbrojtjes së mjedisit. Ish-zëvendëspresidenti amerikan Al Gore e cilësoi situatën si skandaloze, duke deklaruar se është e papranueshme që një grup i vogël shtetesh prodhuese të naftës të kenë fuqinë e vetos mbi çdo përmendje të lëndëve djegëse fosile në dokumentet zyrtare. Mbetet e paqartë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në diplomacinë globale të klimës pas këtij ngërçi në Turqi. /BBC/

Continue Reading

Live

Sulme masive ruse në Ukrainë, goditen urat në Kiev dhe stacionet hekurudhore; së paku nëntë të vdekur

Published

on

By

Rusia ka goditur urat në Kiev dhe stacionet hekurudhore gjatë natës në një sulm të madh, i cili u ndërmor vetëm pak ditë pasi Ukraina dëmtoi rëndë Urën strategjike të Krimesë. Raketat balistike goditën pikat kyçe të kalimit në kryeqytetin ukrainas gjatë një sulmi në shkallë vendi, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi si një nga goditjet më masive të luftës deri më tani, duke lënë të vrarë të paktën nëntë persona dhe duke plagosur së paku 28 të tjerë.

Sipas presidentit Zelensky, sulmet goditën disa qytete dhe rajone, përfshirë ndërtesa banimi dhe objekte energjetike, ndërsa sirenat e alarmit ajror zgjatën pa ndërprerje gjatë gjithë natës deri në orët e mëngjesit. Ai bëri të ditur se Rusia lëshoi mbi 110 raketa dhe më shumë se 400 dronë sulmues, duke përdorur taktika të lëshimit të valëve në intervale prej 20 deri në 30 minutash, gjë që vështirësoi shuarjen e zjarreve, pastrimin e rrënojave dhe rikthimin e shërbimeve. Si pasojë e goditjeve, tri urat e shënjestruara në Kiev – ura Podilsko-Voskresensky, ura Darnytskyi dhe Ura Jugore – u mbyllën për qarkullim, ndërsa kryebashkiaku Vitali Klitschko u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet me vetura private në qytet, duke konfirmuar shtatë të vdekur dhe 17 të plagosur vetëm në kryeqytet.

Dy viktima të tjera u regjistruan në qytetin perëndimor të Lvivit, ku u dëmtua rëndë stacioni hekurudhor Sknyliv, një nga pikat kryesore të hyrjes në Ukrainë për njerëzit dhe ndihmat ndërkombëtare. Ky kundërsulm vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin kishte kërcënuar me hakmarrje të dhimbshme pas operacionit ukrainas që shembi një pjesë të rrugës së Urës së Krimesë, të cilën Moska e përdor për furnizimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake që nga aneksimi i paligjshëm i gadishullit në vitin 2014.

Sulmet ruse përkuan me zhvillimet e dendura diplomatike në Berlin, ku liderët evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Andy Burnham, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, deklaruan se janë të gatshëm për negociata me Moskën për t’i dhënë fund luftës. Në takimin e “koalicionit të të vullnetshmëve”, ku morën pjesë Zelensky dhe të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner pretendoi se Rusia do të ishte e hapur ndaj garancive të sigurisë për Ukrainën të bazuara në Nenin Pesë të NATO-s. Megjithatë, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov e hodhi poshtë këtë ide, duke theksuar se një anëtarësim i tillë i Ukrainës në NATO është i papranueshëm për Rusinë. Nga ana tjetër, Trump, i cili u kyç në bisedime nga avioni presidencial pas takimeve në Kinë me Putinin dhe Xi Jinpingun, raportohet se vuri në pikëpyetje vendimin e liderëve evropianë për të ndarë 70 miliardë euro fonde ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, tensionet u përhapën edhe përtej kufirit ukrainas, pasi kryeministri polak Donald Tusk akuzoi Rusinë për provokim të qëllimshëm kur një raketë lundruese ruse ra rreth 50 kilometra brenda territorit polak, së bashku me dy predha të tjera të paidentifikuara që ranë në fshatrat përreth pa shkaktuar viktima, çka detyroi ngritjen në ajër të avionëve luftarakë polakë dhe suedezë në krahun lindor të NATO-s. Pas sulmeve në Kiev, ku raportohet se u dëmtuan edhe ambasadat e Austrisë dhe Holandës, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke i quajtur goditjet ruse krime për të cilat Moska do të duhet të japë llogari. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Samiti Britani–BE në Bruksel, pritet marrëveshje për lëvizjen e të rinjve dhe tregtinë

Published

on

By

Andy Burnham do të qëndrojë sot në Bruksel për të marrë pjesë në samitin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, në një përpjekje për të riformësuar marrëdhëniet e Britanisë me bllokun evropian. Gjatë këtij takimi, i cili pritet të nisë zyrtarisht më vonë gjatë mëngjesit të sotëm me ceremoninë e mirëseardhjes, në tryezë janë edhe marrëveshje të reja në fushën e ushqimit dhe tregtisë.

Një nga pikat kryesore që pritet të miratohet është skema e lëvizshmërisë së të rinjve. Sipas burimeve të BBC-së, kjo marrëveshje do t’u mundësojë 100 mijë të rinjve nga Bashkimi Evropian që të udhëtojnë, punojnë dhe studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit, ndërsa e njëjta kuotë do të vlejë edhe për të rinjtë britanikë që duan të shkojnë në Evropë. Megjithatë, Downing Street ende nuk ka komentuar mbi detajet e këtij plani.

Këto zhvillime vlerësohen si paketa më e madhe e ndryshimeve në raportet me Brukselin që nga koha e Brexit-it, ndonëse në thelb mbeten një sërë rregullimesh të pjesshme. Siç komenton redaktori politik i BBC-së, Chris Mason, këto hapa ende nuk përbëjnë një rishikim të plotë e rrënjësor të marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara