Lajmet

Lufta për artefaktet e Kosovës

Published

on

Muzeu Kombëtar i Kosovës i ka dokumentet e nënshkruara nga autoritetet serbe për marrjen, në fund të viteve të 90-ta, të eksponateve arkeologjike dhe etnologjike, për ekspozim të përkohshëm në muzetë në Beograd, të cilat eksponate më nuk janë kthyer në vendin e origjinës, thotë drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci.

Më 19 maj të këtij viti, Muzeu Kombëtar i Kosovë zyrtarisht ka kërkuar nga autoritetet kompetente në Serbi, për t’ia kthyer artefaktet arkeologjike dhe etnologjike që i janë marrë në fund të viteve të 90-ta.

Ministria e Kulturës e Qeverisë së Kosovës ka mbështetur kërkesën e Muzeut të Kosovës, duke thënë se do të ndjekë të gjitha rrugët institucionale për t’i kthyer nga Beogradi eksponatet që i takojnë Kosovës.

Por, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, ka thënë se të gjitha artefaktet që burojnë nga Kosova, janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Serbisë.

Një aerkelog në Kosovë tregon një pjesë të një ene të qeramikës të gjetur më 2011 në fshatin Reshan, në afërsi të Prishtinës. Ky vendbanim besohet se është i vjetër 6.000 vjet.
Një aerkelog në Kosovë tregon një pjesë të një ene të qeramikës të gjetur më 2011 në fshatin Reshan, në afërsi të Prishtinës. Ky vendbanim besohet se është i vjetër 6.000 vjet.

Kërkesa për kthimin e 1.247 artefakteve nga Serbia

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, thotë për Radion Evropa e Lirë se më 19 maj të këtij viti, ka dërguar kërkesën zyrtare në adresat e Muzeut Kombëtar në Beograd, të Muzeut Etnologjik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, që t’i kthejnë 1.247 artefakte që janë marrë nga lufta e fundit, në fund të viteve të 90-ta.

“Do të thotë, kemi 571 eksponate etnologjike dhe gjithashtu 676 eksponate arkeologjike. Janë të periudhave të ndryshme dhe secila ka rëndësinë e vet, duke filluar që nga periudha e neolitit, 6.000 vjet para erës sonë, periudha e bronzit, 2.000 vjet para erës sonë. Periudhës së hekurit, periudhës dardane, periudhës romake, të mesjetës së hershme. Këto janë nga sektori i arkeologjisë. Gjithashtu edhe të sektorit të etnologjisë kemi veshje popullore, punime të dorës prej argjendi dhe të tjera”, theksoi Leci.

Ndërtesa e Muzeut Kombëtar të Serbisë. Beograd, gusht, 2020.
Ndërtesa e Muzeut Kombëtar të Serbisë. Beograd, gusht, 2020.

Kërkesën e Muzeut Kombëtar të Kosovës e ka mbështetur edhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

“Ky është hapi i parë” i institucioneve të Kosovës

Klodeta Krasniqi, shefe e kabinetit të ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se kërkesa e Muzeut Kombëtar të Kosovës është vetëm fillim i përpjekjeve për rikthimin e artefakteve, të cilat i janë marrë këtij muzeu nga Serbia.

“Ky është vetëm hapi i parë që është ndërmarrë prej institucioneve të Kosovës. Ne si ministri, mbesim të përkushtuar që këtë çështje që është filluar ta çojmë deri në fund dhe do të ndjekim të gjitha rrugët institucionale që ta bëjmë realitet kthimin e artefakteve në Kosovë. Në kohën e duhur do t’ju informojmë për hapat që do t’i ndërmarrë Kosova”, theksoi Krasniqi.

Më 19 maj, vet ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Hajrulla Çeku kishte publikuar në Twitter kërkesën e Muzeut Kombëtar të Kosovës drejtuar dy muzeve në Beograd. Ai ka thënë se është për keqardhje që Serbia mban në mënyrë të paligjshme 1.247 artefakte të Kosovës.

“Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjeve origjinale, konventës së UNESCO-s mbi pasurinë kulturore dhe Planit të Ahtisaarit. Sot kërkuam zyrtarisht kthimin e pronës sonë kulturore”, ka shkruar ministri Çeku në Twitter.

Mbështetje kërkesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës i ka dhënë edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës, Donika Gërvalla.

Serbia “nuk e njeh trashëgiminë kulturore të Kosovës”

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, më komunikatë për opinion, më 20 maj, i ka cilësuar artefaktet e Muzeut Kombëtar të Kosovës si “trashëgimi kulturore dhe historike të Serbisë”.


Siç thuhet në komunikatën e kësaj zyre, “Kosova është pjesë e territorit të Serbisë” dhe ashtu siç shteti i Serbisë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, po ashtu “nuk e njeh as kategorinë e trashëgimisë kulturore të Kosovës”.

“Për këtë arsye, theksojmë që janë të pavlefshëm të gjitha argumentet me të cilat Muzeu Kombëtar i Kosovës i kërkon artefaktet kulturore-historike”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Dokumentet e nënshkruara për “ekspozim të përkohshëm”

Por, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, thotë se posedojnë dokumentet që tregojnë se artefaktet që janë marrë nga muzetë në Beograd, i takojnë Muzeut të Kosovës, si pronar i ligjshëm.

“I kemi dokumentet që janë nënshkruar. I posedojmë ato dokumente, se ato (artefaktet) janë marrë për ekspozim të përkohshëm. Mendojmë dhe besojmë që ato artefakte duhet të kthehen në vendin e origjinës, pra, në Muzeun Kombëtar të Kosovës”, theksoi Leci.

Arkeologu Haxhi Mehmetaj, ish-drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se artefaktet që kanë përbërë “thesarin arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës” praktikisht janë “grabitur” nga Muzeu i Kosovës nga autoritet e Beogradit , në fund të viteve të 90-ta, përmes intrigave.

“Thesari arkeologjik dhe etnologjik i Muzeut të Kosovës, ishte përgatitur për një ekspozitë të përhershme të Muzeut të Kosovës. Ndërsa, është marrë me dredhi dhe është dërguar në Beograd për një ekspozitë të përkohshme dhe më nuk është kthyer. Bëhet fjalë për eksponate arkeologjike dhe etnologjike, të cilat paraqesin kulmet e krijimtarisë. Pra, paraqesin kulturën lëndore dhe shpirtërore të popullatës së Kosovës, që nga mijëvjeçari i gjashtë para Krishtit, me vijimësi deri në shekullin 12 pas Krishtit”, tha Mehmetaj.

Ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës, Michael Steiner, duke mbajtur në dorë "Hyjneshën në Fron", që u kthye nga Serbia. Ky artefakt, që është zbuluar afër "Tjerrtores" në Prishtinë, është edhe simboli i Komunës së Prishtinës.
Ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës, Michael Steiner, duke mbajtur në dorë “Hyjneshën në Fron”, që u kthye nga Serbia. Ky artefakt, që është zbuluar afër “Tjerrtores” në Prishtinë, është edhe simboli i Komunës së Prishtinës.

Ai shtoi se të gjitha eksponatet, nisur që nga periudha e neolitit, ku bëjnë pjesë artefaktet e punuara nga argjila sikurse “Hyjneshat” ose “Okarina e Runikut”, janë unike në Evropë dhe të papërsëritshme. Unike, sipas tij, në mesin e eksponateve janë edhe “Stolitë princërore”, të punuara nga argjendi dhe të gjetura në një varrezë ilire në Banjë të Pejës. Gjithashtu në mesin e eksponateve janë edhe monedhat e periudhës së perandorëve Konstantin dhe Justinian, por të veçanta dhe unike janë ato të qytetit ilir Damastion, të cilat janë udhërrëfyes i mirë për lokalizimin e këtij qyteti. Artefakte të ngjashme unike, sipas arkeologut Mehmetaj, janë të shumta në kuadër të thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës, të cilat janë marrë nga Serbia.

Instrumentet e “harruara” në duar të mjeshtrit

Deri më tash, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës i është kthyer vetëm një prej tyre, “Hyjnesha në Fron”, e cila një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja” të Prishtinës.

Për kthimin e këtij eksponati, në maj të vitit 2002, ishte angazhuar asokohe ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës, Michael Steiner.

Lajmet

Miratohet buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare

Published

on

By

Në mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar, Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar angazhim të menjëhershëm, duke e kthyer takimin ceremonial në një mbledhje pune.

Ai theksoi se përvoja e fituar dhe përgatitja e kabinetit janë garanci se “ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës”.

Fokus i veçantë iu dha zhbllokimit të fondeve ndërkombëtare që kishin mbetur peng i shpërndarjes së Kuvendit.

Kurti vuri në dukje rëndësinë e votimit të planit të rritjes nga BE-ja prej 882.6 milionë eurosh dhe marrëveshjeve me Bankën Botërore, duke deklaruar: “Me votën tuaj sot po i japim vendit një mundësi tjetër për t’i ratifikuar këto marrëveshje”.

Në përfundim të mbledhjes, kabineti miratoi pa asnjë kundërshtim projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili kap vlerën rekord prej mbi 4 miliardë eurosh.

Kurti e përmbylli këtë pikë duke konfirmuar riprocedimin e menjëhershëm të këtij projektligji drejt Kuvendit për miratim final.

Qeveria Kurti 3 u votua më 11.02.2026. Për kanë votuar 66 deputetë për, 49 kundër dhe asnjë abstenim.

Continue Reading

Lajmet

Avokati i Veselit: ZPS-ja po përdor dëshmitë e pasluftës sepse nuk ka prova për periudhën e luftës

Published

on

By

Në Gjykatën Speciale në Hagë, mbrojtja e Kadri Veselit ka argumentuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar po tenton të përdorë zhvillimet e pasluftës për të mbuluar mungesën e provave gjatë periudhës së luftës.

Avokati Rodney Dixon ka sqaruar para trupit gjykues se dëshmitë që lidhen me Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) i përkasin një periudhe shumë më të vonshme se ajo e pretenduar në aktakuzë.

Gjatë fjalës së tij, Dixon deklaroi se: “Dëshmia e Veselit, së cilës ata i referohen, ka të bëjë me SHIK-un pas luftës, ku ai përshkruan zhvillimet në periudhën pasluftës në gjysmën e dytë të vitit ’99 dhe pastaj në vitin 2000 deri në zhbërjen e strukturës së SHIK-ut në vitin 2008. Veseli shprehet se kapacitetet e SHIK-ut si strukturë në fillim ishin të kufizuara sa i përket numrit dhe trajnimeve, dhe vetëm më vonë, në gjysmën e dytë të vitit 2000, kishin filluar një bazë të strukturës që funksiononte në mënyrën e duhur sa i përket operacioneve.”

Më tej, mbrojtja u ndal edhe te dëshmitë e bashkëluftëtarëve të tij, duke specifikuar se asokohe nuk kishte trajnime të mirëfillta të inteligjencës.

Avokati përmendi se: “Për këtë dha dëshmi edhe Jakup Krasniqi, se ai ishte rekrutuar në verën e vitit 2000 dhe në dëshminë e tij ai tha se kur bëri trajnimin e parë nga miqtë ndërkombëtarë, ishte trajnimi i parë që kishte të bëjë me shërbimet e zbulimit.” Në mbyllje të argumentit të tij, Dixon akuzoi ZPS-në për mungesë faktesh konkrete për periudhën e konfliktit, duke theksuar se: “Pra, e gjitha kjo është pas lufte dhe ajo çfarë bëri ZPS-ja është se kaloi në periudhën e pasluftës, sepse nuk kanë asgjë gjatë luftës.”

Mbrojtja e Veselit kërkon hetim të thellë për dokumentet e Beogradit

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me provat që dorëzohen nga autoritetet serbe në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara.

Ai ka kërkuar që çdo material që vjen nga Beogradi t’i nënshtrohet një analize të rreptë për të vërtetuar origjinën dhe vërtetësinë e tij, duke insistuar se Prokuroria ka detyrim të verifikojë çdo detaj përpara se t’i paraqesë ato si prova.

“Duhet kushtuar rëndësi e veçantë dokumenteve që u janë dhënë autoriteteve e sigurisht që do t’i cekim shënimet dhe dokumentet; duhet trajtuar po ashtu edhe autenticiteti, zinxhiri i ruajtjes e të tjerë. Dhe, sipas Dhomës së Apelit, është shumë e rëndësishme që të shikohen me shumë imtësi provat që janë dhënë nga autoritetet e Beogradit lidhur me përgjimet dhe dokumentet e tjera, dhe kjo është një gjë që duhet ta bëjë realisht prokuroria. Është tjetër gjë t’i japësh të gjitha dokumentet në grup pa vënë në diskutim asnjë prej tyre, por është tjetër gjë të shohësh me hollësi se çfarë origjine kanë këto dokumente dhe çfarë autenticiteti; kjo si punë duhet të bëhet absolutisht me shumë hollësi.”, tha avokati i Veselit

Dixon: ZPS po përdor dokumente pa vërtetësi nga frika e dëshmitarëve

Gjatë seancës gjyqësore në Hagë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka hedhur akuza të rënda ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke e cilësuar qasjen e tyre për nxjerrjen e provave si tërësisht jo logjike.

Dixon argumentoi se prokuroria po tenton të fusë dokumente si prova pa i ballafaquar dëshmitarët me to, pasi sipas tij, prokurorët janë të pasigurt për atë që mund të thuhet në sallë.

“Sigurisht kur je i frikësuar se çfarë mund të thotë dëshmitari, është më e sigurt që të kërkosh pranimin e provave jo gojore,” u shpreh ai, duke kujtuar se shumë dëshmitarë kanë deklaruar se nuk dinë asgjë për dokumentet që u janë treguar.

Avokati theksoi se ZPS-ja ka për detyrë të vërtetojë autenticitetin e çdo materiali, por në vend të kësaj po tenton të shmangë lidhjen direkte midis dëshmisë dhe dokumentit.

Sipas Dixon, prokuroria po aplikon standarde të dyfishta, duke kundërshtuar dokumentet e mbrojtjes kur nuk i volit, ndërsa insiston në vërtetësinë e dokumenteve të veta pa asnjë bazë solide: “ZPS-ja e ka për detyrë të tregojë që këto janë dokumente autentike në qoftë se duan të mbështeten në vërtetësinë e përmbajtjes së tyre.”

Mbrojtja e Veselit nis fjalët përfundimtare

Pas përfundimit të mbrojtjes së Hashim Thaçit, procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Para trupit gjykues, Veseli po përfaqësohet nga avokati i tij, Rodney Dixon, i cili po shpalos argumentet përmbyllëse kundër akuzave të Prokurorisë.

Ky proces po zhvillohet në një moment kyç, pasi vetëm një ditë më parë ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi mbylli zyrtarisht fjalën e tij përfundimtare.

Të dy udhëheqësit, së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, po gjykohen për pretendimet mbi krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse nga të gjitha ekipet e mbrojtjes, trupi gjykues do të tërhiqet për të shqyrtuar provat përpara shpalljes së aktgjykimit.

Continue Reading

Lajmet

Kallas: Qeveria e re, momentum per dialogun Kosovë- Serbi

Published

on

By

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka përshëndetur formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pas më shumë se një viti bllokade politike.

Përmes një reagimi në rrjetin “X”, ajo e cilësoi si lajm inkurajues krijimin e institucioneve të reja dhe uroi kryeministrin Albin Kurti për marrjen e detyrës.

“Pas më shumë se një viti ngërçi politik, formimi i qeverisë së re të Kosovës është lajm inkurajues. Urime Albin Kurti!”, thuhet në reagim e Kallasit.

Ajo theksoi se tani është thelbësore që qeveria të veprojë shpejt në zbatimin e reformave, duke nënvizuar se kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian.

Sipas saj, ky zhvillim krijon një momentum të ri për avancimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës, si dhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Shefja e diplomacisë evropiane ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të organizuar së shpejti një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut

Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë e re të Kosovës, dje më 11.02.2026, në krye me Albin Kurtin. Pro qeverisë votuan 66 deputetë, 49 votuan kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Me këtë votim, Kuvendi zgjodhi zyrtarisht Qeverinë e re të Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë në Graçanicë dhe Hajvali, konfiskohen armë e municion

Published

on

By

Policia e Kosovës në Raportin një ditor ka njoftuar për dy raste të ndara të të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e 11 shkurtit 2026 në Graçanicë dhe në fshatin Hajvali të Prishtinës.

Sipas raportit policor, rreth orës 22:19 në Graçanicë është raportuar për të shtëna me armë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dhe 71 fishekë. Rasti është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje” dhe po hetohet nga organet kompetente.

Ndërkaq, rreth orës 21:52 në Hajvali, pas pranimit të informatës për të shtëna me armë zjarri, policia ka kontrolluar banesën e një të dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe shtatë fishekë. I dyshuari është arrestuar, ndërsa me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me të dyja rastet janë në vazhdim.

Continue Reading

Të kërkuara