Lajmet

Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e presidentes Osmani për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së

Published

on

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani e cila kishte kërkuar interpretim për ndarjen e vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.

Kushtetuesja përmes një njoftimi ka bërë të ditur se kërkesa e presidentes nuk e ka plotësuar njërin kriter pasi kompetenca e Presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Komunikata e plotë e Gjykatës Kushtetuese:

Përmbledhja e rastit:

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 2 korrik 2021, Gjykata shqyrtoi rastin KO88/21, përkatësisht kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës për (i) “interpretimin e nocionit “grupi më i madh parlamentar” në kontekst të ndarjes së vendeve në KQZ për grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në kuptim të nenit 139, paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe (ii) “për zgjidhje të konfliktit të autorizimeve të grupeve parlamentare për të propozuar anëtarët e KQZ-së”.

Gjykata vëren se bazuar në faktet e këtij rasti, rezulton se (i) më 22 prill 2021, Presidentja e Republikës kishte dërguar kërkesë tek grupet parlamentare për nominimin e kandidatëve për anëtarë të KQZ-së; dhe (ii) në mes të datave 29 prill 2021 dhe 12 maj 2021, grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të garantuara, përkatësisht LVV, PDK, LDK dhe AAK, kishin propozuar anëtarët përkatës, ndërsa subjektet politike të cilat mbajnë vende të garantuara për komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë, gjithashtu kishin dorëzuar nominimet e tyre.

Presidentja e Republikës së Kosovës, më 12 maj 2021, ka emëruar tetë (8) anëtarë të KQZ-së. Dy (2) anëtarët e tjerë nuk janë emëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, sepse (i) LVV ka propozuar tre (3) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, ndërsa PDK ka propozuar dy (2) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, dhe duke pretenduar “paqartësi” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës që përcakton se “nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, Presidentja e Republikës së Kosovës i është drejtuar Gjykatës me kërkesën për interpretim të “grupit më të madh parlamentar” në kontekst të dispozitës së lartcekur, përkatësisht nëse vendet e lira në KQZ i takojnë vetëm grupit apo grupeve më të mëdha parlamentare; dhe (ii) komuniteti boshnjak, në strukturën aktuale të Kuvendit, është i përfaqësuar përmes tri (3) subjekteve të ndryshme politike me numër të barabartë të ulëseve në Kuvend, ndërsa në Presidencë janë dorëzuar tri (3) propozime nga ky komunitet, ndonëse të njëjtit i takon vetëm një (1) vend në KQZ. Rrjedhimisht, Presidentja e Republikës gjithashtu pretendon “paqartësi” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës, përkitazi me emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastet kur një komunitet përfaqësohet nga më shumë subjekte politike, por me numër të barabartë ulësesh në Kuvend.

Në kontekst të rrethanave të lartcekura dhe duke theksuar se “paqartësia e kompetencave po i pamundëson Presidentes që ti emërojë të gjithë anëtarët e KQZ-së, si organ i cili i administron dhe menaxhon zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të drejtpërdrejta në Kosovë”, Presidentja e Republikës së Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me (i) kërkesën për interpretimin e nocionit të “grupit më të madh parlamentar” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës, duke u bazuar në paragrafin 9 të nenit 84 të Kushtetutës; dhe (ii) kërkesën për zgjidhjen e konfliktit të “autorizimeve” të grupeve parlamentare për të propozuar anëtarët e KQZ-së, duke u bazuar në pikën 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës.

(i) Përkitazi me vlerësimin e pranueshmërisë në kontekst të paragrafit 9 të nenit 84 të Kushtetutës

Në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës së Presidentes për interpretim të paqartësive kushtetuese bazuar në paragrafin 9 të nenit 84 të Kushtetutës dhe kërkesën përkatëse për përgjigjen në katër (4) pyetje të parashtruara para Gjykatës dhe të cilat do të reflektohen në tërësi në Aktvendimin për Papranueshmëri që do të publikohet në përputhje me rregullat procedurale në ditët në vijim, Gjykata konstatoi që kërkesa e Presidentes është e papranueshme. Gjykata përmes praktikës së saj gjyqësore, duke përfshirë rastin KO79/18, në të cilin gjithashtu është trajtuar një kërkesë e Presidentit të Republikës për interpretimin e paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës, ka qartësuar që (i) paragrafi 9 i nenit 84 të Kushtetutës nuk është i pavarur nga neni 113 i Kushtetutës; (ii) paragrafi 9 i nenit 84 dhe paragrafi 1 i nenit 112 të Kushtetutës nuk mund të interpretohen jashtë kontekstit të nenit 113 të Kushtetutës; dhe (iii) bazuar në nenin 113 të Kushtetutës, Gjykatës i është kufizuar mundësia që të marrë rol konsultativ apo këshillëdhënës përmes përgjigjes në pyetje të parashtruara para saj, ngase ky rol do të binte ndesh me rolin e saj themelor për vendosjen e rasteve të ngritura para saj.

(ii) Përkitazi me vlerësimin e pranueshmërisë në kontekst të pikës (1) të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës

Në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës së Presidentes, bazuar në pikën 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës, përkitazi me zgjidhjen e konfliktit të “autorizimeve” në mes të “kompetencës kushtetuese” të Presidentes dhe “kompetencës së grupeve parlamentare të përfaqësuara në Kuvend” për nominimin e anëtarëve të KQZ-së, Gjykata fillimisht theksoi se neni i lartcekur i Kushtetutës përcakton që Presidenti i Republikës së Kosovës është një nga tri palët e autorizuara që të ngre çështje të “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës”. Kjo dispozitë është interpretuar nga Gjykata përmes Aktvendimeve në rastet KO131/18 dhe KO181/18, duke sqaruar tri kriteret kumulative kushtetuese të cilat duhet të plotësohen në mënyrë që kërkesat e ngritura në bazë të këtij neni të kalojnë testin e pranueshmërisë. Në rastet e lartcekura, Gjykata kishte sqaruar se në kuptim të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, duhet të plotësohen tri kriteret në vijim: (i) konflikti të ngritët nga njëra nga tri palët e autorizuara; (ii) konflikti të ngritët për “kompetenca kushtetuese” të Kuvendit, Presidentit dhe/ose Qeverisë së Republikës së Kosovës; dhe që (iii) të ketë një konflikt.

Gjykata vlerësoi se në rrethanat e këtij rasti është plotësuar kriteri i parë kushtetues, sepse kërkesa është dorëzuar në Gjykatë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, si njëra nga tri palët e autorizuara. Megjithatë, Gjykata konstatoi se kriteri i dytë kushtetues në kontekst të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, nuk është plotësuar, sepse siç ka sqaruar Gjykata në rastet KO131/18 dhe KO181/18, konflikti i supozuar duhet të burojë nga kompetencat kushtetuese të përcaktuara me Kushtetutë për palët e autorizuara. Në rrethanat e rastit konkret, për dallim nga nenet 84 (26), 139 (3) dhe 139 (4) të Kushtetutës, e të cilat përcaktojnë kompetencën kushtetuese të Presidentes për emërimin e Kryesuesit të KQZ-së dhe mënyrën e emërimit të anëtarëve të këtij të fundit, kompetenca e Presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, përkatësisht me pikën (a) të paragrafit 3 të nenit 61 të tij.

Rrjedhimisht, në vlerësimin e Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të “kompetencave kushtetuese”, sipas përcaktimeve të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpalli kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme bazuar në nenin 113 të Kushtetutës dhe refuzoi kërkesën për caktim të masës së përkohshme bazuar në nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Lajmet

Dyshohet se Sami Lushtaku sulmoi fizikisht zëvendësministrin Hysni Mehani në Skenderaj

Published

on

By

Zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, dhe aktivisti Bahri Zabeli kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës pas lëndimeve në kokë që morën gjatë një përleshjeje në një kafene në Skenderaj. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Mehani u sulmua nga kryetari i komunës, Sami Lushtaku, dhe truprojat e tij derisa po pinte kafe.

Në reagimin e tyre, Vetëvendosje tha se Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Ky sulm tregon se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje.”

Ndërsa, Sami Lushtaku i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk i sulmoi ai, por se qytetarët reaguan të irrituar nga provokimet.

“Etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan!”, shkroi Lushtaku në Facebook.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi nga organet e rendit që të veprohet menjëherë.

“Mandati publik nuk është mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik. Ftoj organet e rendit të veprojnë menjëherë dhe pa asnjë hezitim”, shkruan Haxhiu.

Policia tashmë ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmit.

Continue Reading

Lajmet

Përfundon evakuimi në Trepçë: Dalin edhe 18 minatorët e fundit që mbetën të ngujuar në Stan Tërg

Published

on

By

Ka përfunduar me sukses operacioni i evakuimit në minierën e Trepçës në Stan Tërg, ku të gjithë minatorët që kishin mbetur të bllokuar tashmë kanë dalë mbi sipërfaqe. Lajmi është konfirmuar pas nxjerrjes së 18 punëtorëve të fundit, të cilët po qëndronin në zgafellë si pasojë e një defekti të rëndë elektrik.

Më herët, menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” kishte sqaruar përmes një njoftimi zyrtar se nga rreth 50 punëtorë sa ishin bllokuar fillimisht, 29 prej tyre kishin arritur të dalin menjëherë, ndërsa 18 të tjerë pritën ndërhyrjen alternative për shkak të bllokimit të liftit, raporton Ekonomia online.

Sipas ndërmarrjes, ky incident erdhi si pasojë e një avarie në linjën 35 kilovolt në Stan Tërg, ku shkëputja e një përcjellësi në hyrje të trafostacionit dëmtoi izolatorët dhe shkaktoi djegie në trafon kryesore që furnizon flotacionin me energji elektrike. Ekipet teknike kanë qenë në teren për të sanuar dëmtimet e stabilimenteve, ndërsa gjendja e minatorëve të evakuuar raportohet të jetë stabile. /Ekonomia online/

 

Continue Reading

Lajmet

REL: SHBA-ja i jep dritën e gjelbër armatimit për Kosovën me vlerë prej 14 milionë dollarësh

Published

on

By

Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.

Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

Sipas dokumentit, njoftimi mban numrin e transmetimit DDTC 26–017, dhe i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.

Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë licencë. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Spektakël në finalen e Botërorit: Madonna, Shakira dhe BTS performojnë në New Jersey

Published

on

By

Madonna, Shakira dhe grupi i njohur i K-popit, BTS, do të jenë yjet kryesorë që do të performojnë në spektaklin e pushimit mes pjesëve, të stilit Super Bowl, në finalen e Kupës së Botës këtë verë.

Turneu, i cili do të bashkëorganizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, përfundon me finalen e madhe që do të zhvillohet në New Jersey më 19 korrik. BBC raporton se se ky spektakël do të zgjasë saktësisht 11 minuta.

Më parë kishte raportime se shfaqja mund të zgjaste më shumë se 15 minuta, gjë që bie ndesh me rregullat e lojës, të cilat specifikojnë se pushimi mes pjesëve nuk duhet ta kalojë këtë kohëzgjatje. Megjithatë, spektakli në finalen e Botërorit për Klube verën e kaluar në SHBA, mes Chelsea-t dhe Paris Saint-Germain, kishte zgjatur më shumë se 24 minuta. Performatat para ndeshjeve në ngjarje të mëdha si finalja e Ligës së Kampionëve tashmë janë bërë të zakonshme, por kjo do të jetë hera e parë që organizohet një shfaqje e tillë gjatë pushimit të pjesëve në një finale të Kupës së Botës.

Ylli kolumbian i muzikës pop, Shakira, do të publikojë këtë të enjte këngën e saj zyrtare për Kupën e Botës të titulluar “Dai Dai” — një shprehje italiane që do të thotë “shkojmë” ose “hajde” — në bashkëpunim me këngëtarin nigerian Burna Boy. Këngëtarja 49-vjeçare, e njohur për hitin “Hips Don’t Lie”, kishte realizuar gjithashtu këngën “Waka Waka (This Time for Africa)” për turneun e vitit 2010 në Afrikën e Jugut.

Nga ana tjetër, “Mbretëresha e Popit”, Madonna, artistja femër me më së shumti albume të shitura në historinë e muzikës, po përgatitet të lansojë albumin e saj të 15-të, “Confessions II”, më 3 korrik. Në prill, 67-vjeçarja bëri një paraqitje të papritur si mysafire gjatë koncertit të Sabrina Carpenter në festivalin e muzikës Coachella, ku kënduan në duet hitet “Vogue” dhe “Like A Prayer”.

Ndërkohë, shtatë anëtarët e grupit BTS janë artistët me më së shumti albume të shitura në historinë e Koresë së Jugut, me mbi 45 milionë kopje. Ata, së bashku me grupin Coldplay, arritën vendin e tretë në toplistat britanike me këngën “My Universe” në vitin 2021. Grupi po rikthehet në skenë pas një pauze trevjeçare në muzikë për të përfunduar shërbimin e tyre të detyrueshëm ushtarak, dhe do të jenë në mes të një turneu botëror prej 85 datash kur të performojnë në finale.

Në mars, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi se kjo shfaqje “do të jetë një moment historik për Kupën e Botës, i denjë për ngjarjen më të madhe sportive në botë”.

Spektakli i pushimit mes pjesëve është kuruar nga lideri i Coldplay, Chris Martin, dhe do të mbledhë fonde për Fondacionin Global të FIFA-s për Edukimin e Qytetarëve, një iniciativë që synon të sigurojë 100 milionë dollarë (73 milionë funte) për fëmijët në mbarë botën. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara