Lajmet

Kurti në Davos: Kosova po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Davos ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror, tha se partnerëve ndërkombëtarë dhe atyre potencialë u kanë prezantuar mundësitë për investime në Kosovë, duke theksuar rolin e qeverisë si partnere e besueshme, stabilitetin institucional dhe potencialin e të rinjve të vendit.

“Ne të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe partnerëve të mundshëm ndërkombëtarë u tregojmë mundësitë për investime në Kosovë, prej faktit që atje do të kemi një qeveri që është partnere – jo vetëm një treg apo vetëm një platformë për prodhimtari të lirë, por edhe një shtet me politika fiskale të favorshme dhe me mundësi për të angazhuar të rinjtë tanë, të cilët janë energjikë, të talentuar dhe shumëgjuhësh,” tha Kurti për RTK-në.

Ai theksoi se Kosova ofron mundësi unike për krijimin e degëve apo bizneseve të reja, duke qenë në zemër të rajonit EMEA.

“Është një mundësi unike që të krijojnë degët e tyre apo bizneset e tyre në vendin tonë, i cili është në zemër të këtij rajoni që njihet në mënyrë të popullarizuar si EMEA – Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore,” u shpreh ai.

Kurti theksoi rëndësinë e besimit dhe stabilitetit institucional në kohë turbulencash gjeopolitike.

“Kërkojmë që sa më shumë, për shkak të miqësisë dhe afërsisë në kohë turbulencash gjeopolitike dhe kur kemi çrregullim të linjave botërore tregtare, te Kosova ta kenë edhe shtetin demokratik me sundim të ligjit dhe parashikueshmëri institucionale,” tha ai.

Sipas tij, Kosova po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike. “Është një ekonomi që sa vjen e rritet çdo vit dhe ku ndërmarrjet me pronësi të huaj, krahasuar me para katër viteve, janë rritur për plot 55%,” theksoi Kurti.

Duke folur për pjesëmarrjen në Davos, Kurti tha se këtë vit aktivitetet kanë qenë më intensive.

“Rregullisht, Qeveria e Kosovës merr pjesë, përveç meje zakonisht edhe disa ministra. Por kësaj radhe është e veçantë, aktivitetet që kemi zhvilluar në Shtëpinë e Kosovës kanë qenë më të dendura se kurrë më parë. Kemi pasur më shumë panele se herën e kaluar, më shumë takime bilaterale,” tha ai.

Ai falënderoi edhe ndërmarrësit nga mërgata. “Dua të falënderoj ndërmarrësit nga mërgata, të cilët kanë kontribuar kaq shumë që në Davos, që është një kryeqendër e përkohshme e globit, të ketë kaq shumë mysafirë nga e gjithë bota në Shtëpinë e Kosovës, e cila këtë herë u quajt edhe Shtëpia apo Vatra e Talentit,” u shpreh Kurti.

Kurti potencoi se në fjalimet e tij në “Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” në Davos, foli për çështjen e besimit në politikë dhe rëndësinë e tij për shoqërinë dhe ekonominë.

“Aty ishte çështja e besimit në politikë. Unë besoj se besimi në institucionet publike dhe besimi i qytetarëve në shoqëri tek njëri-tjetri kanë edhe një aspekt të fuqishëm, jo vetëm për kohezionin social dhe për mbijetesën në kriza, por edhe për hovin ekonomik edhe për shanset më të mëdha për zhvillim dhe progres. Besimi është shumë i rëndësishëm, sa i përket besimit të qytetarëve në udhëheqësi, por edhe vetëbesimit të udhëheqësve kur ata ndodhen në kauza dhe ide fisnike që i shërbejnë interesit të përgjithshëm,” tha Kurti.

Continue Reading

Rajoni

Osmani kujton nisjen e bombardimeve të NATO-s: Aleancat t’i ruajmë sa lirinë

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar përvjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore të Serbisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka vlerësuar lart ndërhyrjen e aleancës që i dha fund shtypjes ndaj popullit të Kosovës.

“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron”, ka shkruar presidentja.

Ajo ka theksuar se aleancat që mbrojnë lirinë duhet të ruhen me të njëjtin përkushtim si vetë liria.

Në kuadër të këtij përvjetori, presidentja Osmani ka shpërndarë edhe fjalimin historik të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, përmes të cilit ai kishte dhënë urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese 78-ditore.

Video:

Continue Reading

Sport

Sot luan Kosova U19: Dardanët e rinj përballen me Armeninë

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e moshave nën 19 vjeç do të zbresë sot në fushë për t’u ballafaquar me përfaqësuesen e Armenisë. Ndeshja është e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian të UEFA-s për këtë grupmoshë.

Sipas agjendës zyrtare, takimi ndërmjet Armenisë U19 dhe Kosovës U19 do të zhvillohet me fillim nga ora 11:00. Përballja do të luhet në Turqi, konkretisht në kompleksin sportiv “Arslan Zeki Demirci”.

Ky ballafaqim shihet si një mundësi e rëndësishme për dardanët e rinj që të tregojnë formën e tyre në arenën ndërkombëtare dhe të kërkojnë rezultat pozitiv në kuadër të grupit kualifikues.

Lista e 11-shes startuese të Kombëtares së Kosovës U19 kundër Armenisë.

Continue Reading

Vendi

Kosova në ditën e dytë të përgatitjeve: sot seanca vendimtare para udhëtimit

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës po numëron minutat deri në nisjen e seancës së dytë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, e cila është planifikuar të fillojë sot në orën 11:00.

Pas grumbullimit të djeshëm ku u vu theksi te motivimi dhe rigjenerimi i lojtarëve, dita e sotme pritet të jetë përcaktuese për skemat taktike që përzgjedhësi Franco Foda do të aplikojë ndaj Sllovakisë.

Në stërvitjen e paradites së sotme, pritet që grupi të jetë i plotë në fushë, përfshirë edhe gjashtë futbollistët që dje punuan vetëm në palestër. Ky është momenti kyç ku stafi teknik do të testojë gjendjen fizike të lojtarëve pas ngarkesave me klubet e tyre, duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për gjysmëfinalen e “play-off”-it për Botërorin 2026.

Edhe pse përballja me Sllovakisë shihet si një pengesë e vështirë, energjia pozitive që ka rrethuar kampin dardan që nga dita e parë jep shpresë për një rezultat historik. Pas përfundimit të stërvitjes së sotme, ekipi do të ketë një pasqyrë më të qartë mbi gjendjen e lojtarëve të lënduar dhe formacionin që do të kërkojë fitoren në Bratislavë të enjten mbrëma.

Continue Reading

Lajmet

I dyshuari në kërkim për plagosjen me armë zjarri në Prishtinë

Published

on

By

Një person është plagosur mbrëmjen e së hënës në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë, pas një incidenti me armë zjarri rreth orës 20:45, sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës

Me të mbërritur në vendngjarje, ekipet e emergjencës dhe policia gjetën viktimën me lëndime trupore, i cili u dërgua menjëherë për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.

Ndonëse policia ka arritur të identifikojë personin e dyshuar për këtë sulm, ai ende nuk është rënë në pranga dhe po kërkohet intensivisht nga autoritetet.

Hetuesit kanë nisur punën në terren për të mbledhur dëshmitë dhe provat e nevojshme, ndërkohë që rasti po hetohet në koordinim me prokurorin si lëndim i rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje.

Continue Reading

Të kërkuara