Lajmet

​Kurti kërkon mbështetje për projektbuxhetin: Buxheti për mbrojtje dhe siguri

Kurti shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm është “buxhet i komunave”, ku theksoi se tre milionë euro janë paraparë për Luginën e Preshevës.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë i mbrojtjes dhe sigurisë, ku kanë paraparë 370 milionë euro. Ai theksoi se në buxhetin e paraparë prej më shumë se 3.3 miliardë euro do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se në vitin aktual. Gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit për vitin 2024, Kurti në seancë plenare tha se janë planifikuar tre milionë euro për Luginën e Preshevës dhe 742 milionë për komunat e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ftoi deputetë të pozitës dhe opozitës që të mbështesin projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë, për çfarë kemi ndarë 370 milionë euro ose 22 për qind më shumë se sa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më së shumti ndonjëherë. Ushtrisë sonë të cilës ia kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfish prej kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3, do të ia shtojmë edhe 600 ushtar më shumë në vitin 2024. Kurse policia jonë që ka 850 policë të rinj gjatë qeverisjes tonë, vitin tjetër do t’i ketë edhe 500 rekrut të tjerë dhe 21,7 milionë euro për investime kapitale ose nëntë milionë euro më shumë se sa këtë vit”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm është “buxhet i komunave”, ku theksoi se tre milionë euro janë paraparë për Luginën e Preshevës.

“Buxheti i komunave në vitin 2021 ishte 547 milionë euro, sivjet është 654 milionë euro. Në vitin 2024 ai do të jetë gati 200 milionë më shumë se sa në vitin e parë të qeverisjes sonë, ose 742 milionë euro. Prej të cilave 635 milionë euro janë grant për komunat nga qeveria, kurse pjesa tjetër janë të hyra vetanake të komunave. Ky buxhet i qeverisë është po ashtu edhe buxhet i komunave. Për më tepër, buxheti i vitit të ardhshëm përsëri do të jetë buxhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, atij po ja shtojmë edhe një milion krahasuar me vitin aktual. Pra, nga dy në tre milionë euro për vitin 2024”, shtoi ai.

Gjatë qeverisjes së tij, Kurti tha se ekonomisë ju shtuan 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja.

“Vetëm përmes platformës së punësimit ‘Super Puna’, për tetë muaj që nga funksionalizimi i saj janë punësuar mbi 7700 të rinj mes moshës 18 dhe 25 vjeç, që i bie përafërsisht hiç më pak se 1000 të punësuar në muaj. Andaj për të vazhduar me nxitjen e punësimit në sektorin privat, në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit. Ndërkaq, sa i përket sektorit publik siç kemi thënë edhe në shkurt të këtij viti, koeficienti i pagave në sektorin publik për vitin 2024 do të jetë 110 euro”, u shpreh ai në seancë plenare.

Në prezantimin e projekt-buxhetit, Kurti shtoi se kanë paraparë ndarjen e mbi 90 milionë euro për nënat lehona dhe fëmijët nën 16 vjeç.

“Do të vazhdojmë të investojmë në renovimin e spitaleve, në përmirësimin e shërbimeve dhe blerjen e pajisjeve të teknologjisë së fundit ashtu që më të dashurve tanë në momentet më të vështira të tyre të ju mundësohet kujdesi i duhur. Për vitin 2024, ShSKUK-së i është shtuar buxheti për 25 për qind, kurse shëndetësinë si sektor në tërësi kemi ndarë mbi 340 milionë euro, përfshirë edhe grantin për komunat. Për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave dhe mbështetjen e të rejave dhe të rinjve me bursa, së bashku me grantin që ju ndahet komunave, sektorin e arsimit do ta mbështesim me 370 milionë euro apo rreth 20 për qind më shumë se sa në vitin 2023. Ministrisë së Drejtësisë ja kemi ndarë 31 për qind më shumë buxhet, ashtu që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësisë”, u shpreh ai.

Shefi i ekzekutivit u shpreh se do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore dhe fusha të tjera.

“Për vitin tjetër gjithashtu ndamë 14 milionë euro për banimin social, 11 milionë euro për blerjen e objekteve të ambasadave të Republikës së Kosovës nëpër botë dhe 65 milionë euro për bujqësi. Do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore, hekurudhore në zona të reja ekonomike, në diga e rrjete të ujësjellësit dhe në kapacitete të reja energjetike, e për këtë kemi paraparë një buxhet prej 860 milionë euro. Vetëm për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kemi ndarë 58 milionë euro për investime kapitale, në sport e infrastrukturë për vitin që po vjen. Sepse festën dhe gëzimin për kandidaturën e suksesshme për Lojërat Mesdhetare 2030 duhet ta përcjellim me investime të menjëhershme dhe përgatitje të hershme për një organizim të suksesshëm”, përfundoi Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë prioritet sa i përket nevojave të qytetarëve dhe për një ekonomi më të fortë.

Lajmet

Bedri Hamza: Të gjitha format demokratike e ligjore janë opsion pas vendimit të Hagës

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia do ta analizojë në mënyrë të detajuar situatën e krijuar pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të enjten, para fillimit të mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza bëri të ditur se subjekti i tij politik po shqyrton çdo hap të mundshëm institucional e politik, ndërsa qëndrimet përfundimtare do të bëhen publike pas përfundimit të diskutimeve të brendshme.

“Ne do ta diskutojmë situatën, do ta diskutojmë detajshëm. Ne e kemi thënë, që të gjitha format demokratike dhe ligjore janë opsion. Më tutje do të diskutojmë dhe pastaj do të shohim se cilat janë qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi ai.

Lidhur me pyetjen e gazetarëve se a do të ndërmarrë PDK-ja ndonjë iniciativë për shfuqizimin apo zhbërjen e Gjykatës Speciale, Hamza nuk e ka përjashtuar si mundësi, duke nëvizuar shkurt se “të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”.

Continue Reading

Lajmet

Joseph: Vendimi i Hagës është shokues, Serbia do ta përdorë për ta diskredituar UÇK-në

Published

on

By

Profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph, e ka cilësuar si shokues verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila i dënoi me 81 vjet burgim në total katër ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në një intervistë për televizionin “ABC News”, Joseph paralajmëroi se Serbia, së bashku me aleatët e saj strategjikë si Rusia dhe Kina, do ta shfrytëzojnë këtë vendim si një mjet politik për të dëmtuar imazhin e Luftës Çlirimtare dhe për ta izoluar edhe më tej Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Kjo gjë do të përdoret nga Serbia si mjet për të diskretituar UÇK-në dhe veprimtarinë e saj. Do të përdoret nga Rusia dhe Kina, të cilat do përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën. Ne kemi parë këtë muaj në Serbi se si është nderuar imazhi i këtij personazhi, kemi parë ceremoni dhe është përdorur gjuhë urrejtjeje në Beograd. Dënimi i shqiptuar sot nuk është fare i barabartë me dënimet që kanë marrë figurat serbe që kanë kryer krime”, theksoi Joseph.

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 17 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

17 shtator 1993

Në Ferizaj vazhdojnë arrestimet dhe bastisjet e policisë serbe

Dje, rreth orës 10, në stacionin e policisë në Ferizaj, inspektorët serbë morën në pyetje Rexhep Rexhepin, përgjegjës i Komisionit për Informim të LDK-së së Ferizajt. Gjatë të ashtuquajturës bisedë informative, inspektorët serbë nga Rexhepi shfaqën interesim veçanërisht rreth vrasjes së Banush Sadikut dhe plagosjes së Fekir Fejzës, që ndodhi para pak ditësh nga ana e ushtrisë serbe në tëbanet e blegtorëve në fshatin Firajë.

Rexhep Rexhepi në stacionin e policisë në Ferizaj u mbajt rreth dy orë.

Po ashtu, dje rreth orës 11 në fshatin Slivovë të Ferizajt, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Milaim Kadriut. Pas bastisjes policët serbë morën me vete plakun 60 vjeçar Milaim Kadriun, të cilin e keqtrajtuan fizikisht.

Milaim Kadriu u lirua rreth orës 15, me kusht që të lajmërohet sërish në stacionin e policisë sot në orën 10.

 

 

17 shtator 1994

Për ndërtimin e shtëpisë së familjes Ramadani në Shajkofc duhen ende mjete

Pas një njoftimi të publikuar në Informatorin tonë nr. 808 të datës 10 gusht për gjendjen e rëndë të anëtarëve të familjes së Hasan Ramadanit të vrarë në shtëpinë e tij nga forcat serbe më 7 gusht, qytetarët nga Kosova dhe mërgata shqiptare filluan një aksion për të ndihmuar këtë familje dhe për t’i ngritur asaj një shtëpi banimi, pasi shtëpia e tyre u dogj nga forcat serbe.

Salih Agushi, kryetar i Komisionit për grumbullimin e ndihmave për ngritjen e shtëpisë tha se ngritja e shtëpisë ka filluar më 16 gusht. Deri më tash aksionin e kanë ndihmuar qytetarët nga Podujeva, nga Kosova dhe nga mërgata shqiptare. Ai tha se me punë fizike dhe me mjete të punës aksionin e kanë ndihmuar rreth 500 persona. Deri më tash në emër të këtij komisioni të formuar nga Nëndega e LDK-së, janë dhënë pesëdhjetë dëftesa për pranimin e mjeteve materiale.

Sipas fjalëve të z. Salih Agushi shtëpia është në ndërtim e sipër, por që të kryhet duhen ende mjete financiare. Ai foli pastaj për gjendjen e rëndë të tetë anëtarëve të familjes së të ndjerit Hasan Ramadani, të cilët banojnë në një dhomë të përkohshme të axhës së tyre.

Fshatarët e Shajkofcit shfaqin drojën se dimri mund t’i gjejë anëtarët e familjes Ramadani pa kulm mbi kokë.

Krahas thirrjes që u bëjnë ata shqiptarëve për të ndihmuar në ngritjen e shtëpisë, ata propozojnë që institucionet e Kosovës ta formojnë një fond për të intervenuar në raste të ngjashme.

 

 17 shtator 1995

Kolonistët serb protestuan dje në Istog

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së njofton se dje, rreth 150 kolonisë serbë që arritën me autobus nga Banja, protestuan në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Istogut.

Mirret vesh se ata shprehën pakënaqësi për shkak se nuk u ishin plotësuar kushtet që u ishin premtuar.

Serbët e instaluar në administratën komunale, në përpjekje për t’i qetësuar kolonistët i dërguan ata në Dubravë duke u premtuar tokë për ngritjen e shtëpive.

Pas një kohe sërish ata u kthyen të pakënaqur në ndërtesën e Kuvendit dhe me vonë u dërguan sërish në Banjë.

Gazeta serbe “Jedinstvo” shkruante të premtën se administrata e instaluar serbe planifikonte t’u ndante rreth 98 hektarë tokë kolonistëve serbë në Istog për troje. Në njoftim thuhej se atyre që do të pranonin të jetonin përgjithmonë në Istog do t’u ndaheshin prej 2 deri në 5 hektarë tokë, varësisht nga madhësia e familjeve.

Gazeta paralajmëronte se vendimet për pronësi kolonëve do t’u ipeshin më 16 shtator gjatë një solemniteti ku do të merrnin pjesë edhe përfaqësues të Serbisë nga Beogradi.

Gazeta njoftonte po ashtu se ishte ndryshuar plani urbanistik për hapësirën rreth “Dushkajës” dhe “Rasatnikut”, pasi në atë hapësirë planifikohen të ngritën edhe 120 shtëpi të tjera për kolonë.

Por, ditëve të fundit, ka pasur njoftime se kolonët po shfrytëzojnë çdo rast për t’u larguar nga Kosova përkundër insistimeve dhe kushtëzimeve nga ana e policisë serbe.

Gazeta “Jedinstvo” njoftonte këto ditë se nga Zveçani janë larguar për në Serbi 55 kolonë. Njoftohej po ashtu për largimin e kolonëve nga Gjakova.

Ndërsa burimet shqiptare në Vushtrri kanë njoftuar se prej 305 kolonëve sa kishin arritur deri më tash në këtë komunë, janë larguar 156.

Dega e LDK-së në Gllogovc njofton se me 9 shtator policia ndërhyri ashpër kundër 15 kolonëve që tentuan të iknin nga baraka ku janë vendosur.

Janqë shpeshtuar edhe njoftimet në gazetat serbe për mungesën e ushqimeve për kolonistët.

 

 

17 shtator 1997

Ndërhyrje e policisë serbe në shkollën fillon “Hasan Prishtina” në Prishtinë

Dje, rreth orës 13 një patrullë e policisë serbe e udhëhequr nga njëfarë Sllavolub Paunoviq ndërhyri në sallën e arsimtarëve të shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Ai kërcënoi personelin mësimor, i cili në atë rast gjendej në sallën e arsimtarëve, ndërsa drejtorit të shkollës Ali Gashit, arsimtarit të fizikës, Nezir Gashit dhe punëtorit teknik Nuhi Hasanit ia lanë nga një thirrje për t’u paraqitur në stacionin e policisë në Mahallë të Muhaxherëve.

Drejtori u paraqit në të njëjtën ditë në orën 16:00. Nga ai i kishin kërkuar armë. Pas një ore të marrjes në pyetje e lëshuan me urdhëresë që të paraqitet sot më 17 shtator në orën 16:00. Ndërsa Neziri dhe Nuhiu ishin thirrë për t’u paraqitur në polici sot në orën 14:30, përkatësisht në ora 15:30.

Që nga dita e parë e fillimit të këtij viti shkollor, policia serbe herë pas here është duke ndërhyrë në objektet shkollore të Prishtinës.

 

 

17 shtator 1998

Klinton për Kosovën: “Nuk duam përsëritje të Bosnjës”

President amerikan Bill Klinton tha të mërkurën se prioritet në Kosovë është parandalimi i një tragjedie humanitare të shqiptarëve të Kosovës që janë përzënë nga shtëpitë e veta dhe tani gjenden në male.

Përballë kërkesave gjithnjë e më të mëdha për një veprim më të vendosur amerikan për ta ndalur ofensivën e forcave serbe, Klintoni tha se SHBA-të me aleatët e vet tani kanë si synim të parë evitimin e një “katastrofe të madhe humanitare”.

Është imperativ që të pengohet kjo, “e pastaj të gjindet një zgjidhje politike”, tha presidenti i SHBA-ve gjatë një konference për shtyp me mysafirin e tij, kryetarin e Çekisë, Vaclav Havel.

“Populli amerikan duhet ta dijë se po kërcënon një problem i madh humanitar, krejt afër Bosnjës”, tha Klinton, duke vënë re se ndërmjet 50 mijë e 100 mijë të zhvendosur po jetojnë në bjeshkë e male. “Po vjen dimri. Aty mund të ketë katastrofë të madhe humanitare”, tha ai.

Klintoni nuk bëri me dije se në çfarë mënyrë mund të ofrohet ndihma, por disa ekspertë në Uashington kanë lënë të kuptohet se NATO-ja mund të lëshojë nga ajri ndihma në ushqime dhe barna, shkruan agjencia e lajmeve Rojter.

Presidenti amerikan tha se Millosheviqi duket i vendosur të sigurojë një zgjidhje ushtarake e jo diplomatike për t’ju dhënë shqiptarëve autonomi, e cila u përket atyre.

Duke njoftuar nga e njëjta konferencë për shtyp, agjencia amerikane e lajmeve The Associated Press (AP) nxirrte në plan të parë atë që ajo quante “ngritje e idesë” për intervenim të NATO-s për ta ndalur ofensivën serbe në Kosovë.

“Nuk duam një përsëritje të Bosnjës”, tha Klintoni, ndërsa duke folur për mundësinë e intervenimit të armatosur, ai tha: “Po bëjmë plane në NATO dhe po konsultohemi me aleatët tanë”.

Përveç kësaj, SHBA-të po përpiqen të promovojnë një zgjidhje paqësore, tha ai.

Më herët të mërkurën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Xheimz Foulli tha se “ka një rritje të ndjenjës së urgjencës” për planifikimet e NATO-s dhe një vendosmëri më të madhe ndër anëtarët e Aleancës për të vepruar në qoftë së gjendja në Kosovë keqësohet më tej.

“Të gjitha opcionet, duke përfshirë edhe opcionin ajror (e sulmeve nga ajri), janë të hapura”, tha Foulli.

Ndonëse diplomacia është zgjidhja më e mirë, NATO-ja është e gatshme të përdorë forcën në qoftë se Millosheviqi “na detyron ta bëjmë këtë”.

Presidenti Klinton nuk përmendi përpjekjet e Britanisë dhe Francës për të fituar përkrahjen e SHBA-ve dhe të Rusisë për një rezolutë në OKB që do të kërkonte nga Millosheviqi dhe luftëtarët pro-pavarësistë të ndalin luftimet në Kosovë, shkruan Rojter.

Diplomatë të OKB-së kanë thënë se të dy vendet do të donin ta vendosnin rezolutën në kuadrin e Nenit VII të Kartës së OKB-së që do të autorizonte përdorimin e forcës për ta mbështetur rezolutën.

 

Continue Reading

Lajmet

Joseph: Serbia, Rusia dhe Kina do të përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën

Published

on

Profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph, e ka cilësuar shokues vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në një intervistë në “ABC News”, Joseph u shpreh se këtë vendim, Serbia do e përdorë për të diskretituar UÇK-në dhe veprimtarinë e saj.

Joseph shtoi se Serbia dhe aleatët e saj, Rusia dhe Kina, do përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën.

“Kjo gjë do të përdoret nga Serbia si mjet për të diskretituar UÇK, veprimtarinë e saj. Do të përdoret nga Rusia dhe Kina. Do përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën. Ne kemi parë këtë muaj në Serbi, që është nderuar imazhi i këtij personazhi, kemi parë ceremoni, është përdorur gjuhë urrejtjeje në Beograd. Ne kemi dëshmuar sesa të gjata janë dëmet që janë dhënë. Dënimi nuk është i barabartë me dënimet që kanë marrë figurat serbe, që kanë kryer krime”, theksoi ai./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara