Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar kundër dy personave të cilët kërcënuan gazetarin, njëherit kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha.
“Duhet me i var në litar kta tradhtar të Serbisë”, e ky është njëri nga disa kërcënimet që sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë i ka marrë Rexha, në komente në rrjetin social “Facebook”, gjatë periudhës kohore maj-qershor 2025. Për këtë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Selmanit dhe Blerim Haradinajt, të cilët akuzohen për veprën penale “Kanosja”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 tetor 2025, në pikën e parë akuzohet Fitim Selmani.
Aty thuhet se më 4 korrik 2025, i dëmtuari Xhemajl Rexha- gazetar dhe kryetar i AGK-së, ka lajmëruar në Polici se pas deklarimeve të tij publike lidhur me lirinë e mediave në Kosovë, në periudhën kohore maj- qershor 2025, në një publikim në “Gazeta Alfa” në rrjetin social Facebook, kishte pranuar komente kërcënuese me thirrje për vrasje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Qeta njerëz me pas kush mi vra ish ish qliru Kosova, ky eshte kurd qe ka msu shqipen kqyrja likuren zez si derrit magjup i kurdistanit”, kështu sipas aktakuzës ishte shprehur i pandehuri Fitim Selmani nga profili i tij, në komente në rrjetin social në Facebook, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit Rexha.
Me këtë, Selmani akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Blerim Haradinaj akuzohet se në të njëjtën periudhë kohore ka kanosur të dëmtuarin Rexha përmes profilit të tij në Facebook, ku i kishte shkruar koment me fjalët “duhet me i var në litar kta tardhtar të serbisë”.
Fjalët kërcënuese, Haradinaj, sipas aktakuzës i bëri kur i dëmtuari Rexha kishte dhënë një intervistë ‘online’ në rrejtin social Facebook, kështu me këto komente i ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.
Me këtë, Haradinaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.
Seanca fillestare për këtë rast pritet të mbahet në ora 14:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë./S.K/EO/