Op-Ed
Kryediplomati grek, Dendias në Tiranë, ndarja e kufirit detar Shqipëri-Greqi
Published
6 years agoon
By
Betim GashiNga prof. Lisen Bashkurti – Tanimë ndarja e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë po troket sërish në derë. Për këtë duket që sot vjen në Tiranë ministri i jashtëm grek, Dendias.
Parimisht dhe praktikisht shtetet bregdetare kur ndajnë hapësira detare midis tyre janë të detyruara të futen në negociata. Kur çështjet nuk zgjidhen me marrëveshje te negociuar, palët i drejtohen institutive të tjera paqësore për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, siç është Arbitrazhi Ndërkombëtar apo Gjykata ndërkombëtare.
Pak kohë më parë, kryeministri grek, Micotacis u deklarua në parlament për shtrirjen e kufirit detar me 12 milje në hapësirat mes Greqisë e Shqipërisë. Në rastin konkret jemi përballë një dëshire të Greqisë për t’i zgjeruar zgjeruar hapësirat detare në 12 milje, pa konsideruar kushtet specifike, të Drejtën e Deteve dhe pa u dakorduar me Shqipërinë, me të cilat ajo i ndan ato hapësira detare. Nëse sjellje të tilla shtetet do të bënim, pra t’i deklaronin njëanshmërisht, pa marrëveshje me shtetet me të cilët ndajnë hapësirat detare kjo do e fuste botën në kaos dhe konflike.
Nga pikëpamja diplomatike nisma e palës greke është për t’u mirëpritur, sepse synon që Greqia të përcaktojë Zonën Ekonomike Ekskluzive, që është një nga hapësirat detare, krahas shelfit kontinental dhe ujërat territoriale.
Greqia ka përfunduar marrëveshje me Libinë, Egjiptin, Italinë e, natyrisht synon te realizojë një gjë të tillë edhe me Shqipërinë e më pas edhe me Turqinë, me te cilën ka probleme më të mëdha në Mesdheun Lindor dhe Egje. Zgjidhje të tilla me interesa strategjike shtetërore nuk mund të bëhen në mënyrë të njëanshme, por përmes dialogut, negociatave ose përmes instituteve për zgjidhjen paqësore të konflikteve, siç janë komisionet ndërkombëtare, arbitrazhi apo gjykata ndërkombëtare e të drejtës së deteve.
Historikisht Shqipëria pati përcaktuar 15 milje detare nga ujërat e brendshme, por më pas e ka korrigjuar sepse iu kërkua ndërkombëtarisht që t’i kufizonte në 12 milje. Shqipëria pra, i shtriu aq sa kishte mundësi konkrete. Madje, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, në rastet kur nuk ka shtet përballë ose të bashkangjitur në hapësirat oqeanike, shelfi kontinental me gjithë zonat ekonomike ekskluzive mund të shkojë deri 350 milje.
Në rastin me Shqipërinë, pala Greke ka propozuar të zhvillohen bisedime dhe nëse nuk zgjidhet përmes bisedimeve, mjeti është për t’ju drejtuar një mekanizmi ndërkombëtar. Deri tani, pavarësisht retorikave politike për shkaqe të ndryshme, ose të medieve, konkretisht nuk ka një vendim Grek. Por, ka një dëshire të Greqisë, që në ndarjen e hapësirave detare me Shqipërinë t’u japë ishujve një efekt të plotë dhe të përdorë vijën e mesit në ndarjen e tyre. Ky synim Grek përbën në fakt thelbin e problemit, në rastin konkret, edhe me Shqipërinë.
Ndarja e hapësirave detare midis shteteve fqinjë, parimisht dhe pragmatikisht duhet të mbështetet sepse ndarja e hapësirave detare, krijon mundësi reale që shtetet të shfrytëzojnë efektivisht dhe ekonomisht hapësirat që ju takojnë në bazë të normave të së Drejtës ndërkombëtare, ndërkohë që flitet që Mesdheu apo Adriatiku, hapësirat që ndajmë midis shteteve, kanë pasuri, hidrokarbure, gaz, naftë, pa folur për florën e faunën e pasur Mesdhetare. Pra, rëndësia është e mirë për të gjithë, pasi politikisht do shkarkonte tensionet dhe ekonomikisht do i bënte këto zona te shfrytëzueshme. Marrëveshjet e përfunduara apo vendimet a arbitrazheve apo gjyqësore relevante garantohen nga OKB, pasi regjistrohen në OKB, në Departamentin e Çështjeve Oqeanike dhe të Drejtës së Detit, dhe pastaj çdo shtete respekton, mbron dhe shfrytëzon hapësirat e veta detare.
Shqipëria i ka të rregulluara ujërat territoriale. Shqipëria, ujërat territoriale i ka te përcaktuara dhe kufijtë shtetëror i ka të sanksionuar, pavarësisht se, me marrëveshjet e pritshme mund të ketë hapësira për korrigjime të pakta të tyre. Ndërkohe, shelfi kontinental dhe Zonat Ekonomike Ekskluzive nuk ekzistojnë midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo është çështje e negociatave.
Në pjesën veriore të Greqisë, ose atë jugore të Shqipërisë problemi themelor qëndron me shelfin kontinental dhe zonat ekskluzive ekonomike në hapësirat detare, që kanë rëndësi të gjithanshme për të dy vendet. Greqia, duket se e ka një projekt të sajin në këtë aspekt. Pala shqiptare, duket se nuk ka akoma një projekt të sajin për distancat detare, bazuar në rrethanat gjeografike, pozicionin gjeomorfologjik, të drejtën e deteve, vendimet e gjykatave për raste të veçanta, apo modelet e marrëveshjeve të firmosura midis shteteve kudo ne bote e sidomos ne Mesdhe.
Mesa jemi të informuar prej 11 vitesh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të 2009 që hodhi poshtë marrëveshjen ndërqeveritare Shqipëri-Greqi për ndarjen e hapësirave detare, pala shqiptare nuk ka bërë asgjë në këtë çështje. Problemi po bëhet gjithnjë e më emergjent për përcaktimin e të gjitha hapësirave detare, ujërat territoriale, shef kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive. Padyshim që jemi shumë të vonuar. Parë në këtë këndvështrim, nisma diplomatike e Greqisë është pozitive pasi me zgjidhjet e këtij problemi madhor krijohen kushte për shkarkimin e tensioneve midis dy vendeve dhe u hapet rruga mundësive për shfrytëzimin e resurseve ekonomike. Në projektin Grek duket që synohet për të implementuar një lloj precedenti për t’u dhënë efekt të plotë të gjithë ishujve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Natyrisht kjo është në kundërshtim të plotë me normat e së Drejtës ndërkombëtare të deteve.
Bazuar në të drejtën e deteve për ndarjen e hapësirave detare, kemi dy parime të rëndësishme që lypet të udhëheqin negociatat Shqiptaro-Greke: së pari, parimin e ekuidistancës, pra të barazdistancës në çdo aspekt dhe, së dyti, parimin e ekitesë, pra të barazisë dhe ndershmërisë në kushte e rrethanat gjeografike dhe gjeomorfologjike të hapësirave që ndahen midis shteteve. Këto dy parime nuk përplasen midis tyre, por janë në funksion dhe në plotësim të njëri tjetrit. Na rastet ku ekiteja, pra barazia dhe ndershmëria mes palëve garantohet ose përfshihet përmes ekuidistancës, athere zbatohet ekuidistanca. Aty ku, për kushte gjeografike dhe gjeomorfologjike specifike krijohet pabarazi, pandershmeri dhe padrejtësi, sigurisht që duhet të korrigjohet. Është kjo arsyeja që parimi i ekitesë konsiderohet si drejtësi korrektuese, duke përbërë kështu zgjidhje, përmes së cilës shtetet përfitojnë në mënyrë të barabartë. E Drejta ndërkombëtare e sanksionon këtë në Nenin 74 i Konventës mbi të Drejtën e Detit kur bëhet fjalë për zonat ekonomike ekskluzive; në Nenin 83 kur bëhet fjalë për shelfin kontinental; në Nenin 15 kur flitet për ujërat territoriale. Kur theksohet ‘parimi i rrethanave të veçanta’ bëhet fjalë pikërisht për parimin e ekitesë.
Krahas parimeve të së drejtës së deteve, çdo shtete kur negocion për ndarje hapësirash detare me shtete fqinjë lypet të marrë parasysh edhe vendimet e gjykatës ndërkombëtare, të cilat fitojnë vlerën e të drejtës ndërkombëtare të deteve. Kështu kemi rastin në Kanalin Britanik, në vitin 1977 midis Francës dhe Britanisë, ku gjykata i ka dhënë ishujve midis dy shteteve efekt i pjesshëm, duke ndjekur parimin e ekitesë. Në rastin e Detit te Veriut midis Danimarkës, Holandës dhe Gjermanisë, e bregdeti konkav qe nuk i krijonte fare mundësi Gjermanisë që të kishte shelf kontinental, Gjykata ndoqi ekuidistancën e gërshetuar me parimin e ekitesë. Në Detin e Zi, në rastin midis Rumanisë me Ukrainës, ishulli i Gjarprit, për shkak të vogëlsisë, u mor në konsideratë nga Gjykata me një efekt shumë të pjesshëm, sepse krijonte një disproprocionalitet midis dy vendeve. Në rastin e ishujve Seal, në konfliktin mes ShBA-ve dhe Kanadasë, gjykata i dha efekte pjesore sepse krijonte pabarazi, pra dha vendim te bazuar te parimi i ekitesë, te ndarja e barabartë dhe e ndershme mes palëve.
Në rastet e zgjidhjeve në Mesdhe, Greqia ka konkluduar marrëveshjet me Egjiptin, Italinë dhe Libinë bazuar ne parimin e efekteve të plota, pra parimin e ekuidistancës dhe jo të ekitesë. Ne te tre rastet Mesdhetare situata paraqitet krejtësisht e ndryshme, pa ngjashmëri me situatën gjeografike dhe gjeomorfologjike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, ku ishujt janë pranë dhe ndikimi është shumë i madh.
Diplomacia Greke ka vepruar me kreativitet. Në rastin e Egjiptit, përmendet parimi i ekuidistancës dhe jo i ekitesë, për vetë pozicionin detar mes dy shteteve që krijon mundësinë që brenda parimit të ekuidistancës të zbatohet ekiteja. Pra hapësira është ndarë në mënyrë jo të barabartë, duke i dhënë efekt të plotë ishujve, por është tentuar të barazohet deri në maksimum. Pasi ka një disbalancë të vogël, duke përdorur efektin e plotë të ishujve, sepse bëhet fjalë për ishuj si Kreta të mëdhenj e të banuar. Ndërsa Egjipti bazuar në parimin e ekuidistancës realizon dhe madje tejkalon të gjitha të drejtat e tij. Me Libinë, Greqia bazuar ne ekuidistancë, zbaton njëkohësisht dhe parimin e ekitesë, duke marre praktikisht më shumë se sa Greqia. Ndërkohë, ndryshe nga rastet me Egjiptin e Libine, me Turqinë, Greqia duket se synon të ndjekë parime krejt të tjera, Turqia i kundërshton. Në rastin me Italinë marrëveshja është bërë, por nuk është marrëveshje përfundimtare për ndarjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive, po thjeshte është shprehje vullneti për të zbatuar normat e të Drejtës ndërkombëtare dhe barazinë mes shteteve për ndarjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive.
Në rastin e zgjidhjes Greqi-Itali, së pari, marrëveshja ka lënë te hapur çështjen e përcaktimit përfundimtar të kufirit, duke u shprehur që ‘kufiri do përcaktohet qartësisht kur të kemi dhe rezultatet e kërkimit për hidrokarburet dhe disa zona që ndajnë mes tyre. Së dyti, palët kanë negociuar dhe është realizuar mbrojtja e interesave italiane për peshkimin ne Adriatik dhe Jon. Së treti, palët kanë dhe një marrëveshje tjetër për ndarjen e Shelfit kontinental, përpara së të hynte në fuqi Konventa e Tretë mbi të Drejtën e Detit, në të cilën të dy vendet kanë zbatuar parimin e ekitesë. Të dy ishujt, Othonoi dhe Ericusa u konsideruan në funksion të parimit të ekitesë, pra me efekt pjesshëm. Marrëveshja Italo-Greke konsiderohet si model qe shpreh vullnetin politik të palëve për të bashkëpunuar dhe shfrytëzuar bashkërisht Zonën Ekonomike Ekskluzive. Natyrisht për këtë ka ndikuar projekti i madh i furnizimit Mesdhetar me gaz në linjën Izrael-Qipro-Greqi-Itali. Projekt që imponon dhe një bashkëpunim më të ngushtë shumëpalësh në Mesdhe.
Siç shihet në marrëveshjet e Mesdheut, në të tre rastet, nuk kemi injorim të parimit të ekitesë, por nëpërmjet parimit të ekuidistancës, njëkohësisht garantohet dhe parimi i ekitesë, që siguron proporcionin e drejtë mes palëve. Parimi ekitese zbatohet aty ku ka konflikte. Në parimin e ekitesë efektin më të madh, që e bënë të domosdoshëm, e kanë ishujt. Në ishujt kanë shumë rëndësi përmasat e tyre dhe nëse janë të banuar, të pabanuar apo masa shkëmbore. Parimisht dhe praktikisht masave shkëmbore, të vogla dhe të pabanuara nuk mund t’i jepet efekt në ndarjen e hapësirave detare, siç ka ndodhur në rastin e masës shkëmbore tejet të vogël dhe të pabanuar të Barketës në rastin midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Në përgatitjen e projektit të Shqipërisë për negociatat me Greqinë është e domosdoshme që të konsiderohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të RSh, i vitit 2009. Ky vendim i qartë jep parimet, por edhe metodologjine që nevojitet të ndiqet nga pala e Shqipërisë në procesin e negociatave me Greqinë, sidomos lidhur me efektin e ishujve në këtë proces. Të dyja, teoria dhe praktika e së Drejtës ndërkombëtare, vendimet e rasteve te ndryshme të gjykatës ndërkombëtare dhe modelet e zgjidhjeve në Mesdhe japin qartësisht se parimi i ekitesë shërben si drejtësi korrektuese në kushte specifike dhe në këto raste, nga elementët themelor që janë ishujt nga buron efekti që u jepet atyre në këto zgjidhje. Ishujt nuk mund të kenë efekte të njëjta dhe të plota në çdo rast. Ishujt marrin efekt të plotë kur janë të tille dhe ndodhen në hapësira të atilla që nuk prekin interesat e të tjerëve dhe garantojnë barazinë dhe ndershmërinë e zgjidhjeve.
E fundit, por jo nga rëndësia, negociatat Shqipëri-Greqi nuk janë në kohën e duhur për tre arsye. Së pari, Shqipëria është përpara zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, rrethana të cilat nuk favorizojnë një marrëveshje ndërkombëtare të çfarëdo lloji. Së dyti, Presidenti Meta ka shfaqur kontestimet e tij serioze dhe të përsëritura lidhur me mosinformimin e tij nga Qeveria për ecurinë e deritanishme të procesit të negociatave Shqipëri-Greqi dhe ka hezituar për plotfuqishmërinë e palës shqiptare në këto negociata. Së treti, Shqipëria aktualisht ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese, institucion që është i përfshirë konstitucionalisht në këtë proces. Në këto rrethana vizita e kryediplomatiti Grek, Dendias në Shqipëri është e mirëpritur, por efektet konkrete të saj, së paku lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Greqi për ndarjen e hapësirave detare midis tyre, duket se nuk do të ketë efekte konkrete.
You may like
lajme
Kur sulmohet gazetaria, rrezikohet demokracia, të vërtetën nuk e hesht as pushteti, as linçimi
Published
1 week agoon
July 25, 2026By
ubtnews
Sot, të jesh gazetar në Kosovë nuk është aspak e lehtë. Përkundrazi, është një profesion që kërkon kurajë, durim dhe integritet për të punuar në një klimë të rënduar nga gjuha e urrejtjes, linçimi publik dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve.
Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën. Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës
Ky lumë fyerjesh dhe diskursi degradues nuk e dëmton vetëm dinjitetin e gazetarit; ai cenon vetë kulturën demokratike dhe përpjekjet për ndërtimin e një gazetarie profesionale, të lirë dhe moderne. Megjithatë, zhurma nuk e zëvendëson kurrë të vërtetën. Faktet, argumentet dhe puna serioze gazetareske mbeten gjithmonë më të forta se propaganda dhe etiketimet.
Gjatë rrugëtimit tim shumëvjeçar në gazetari, veçanërisht në gazetarinë hulumtuese, jam përballur me kërcënime, presione e tentativa të ndryshme për të më heshtur. Asnjëra prej tyre nuk më ka ndalur. Përkundrazi, ato më kanë bindur edhe më shumë se gazetaria ka kuptim vetëm kur sfidon krimin e organizuar, korrupsionin politik e ekonomik dhe çdo formë të abuzimit me pushtetin.
Në çdo rrethanë kam qëndruar në mbrojtje të kolegëve, edhe atëherë kur disa prej tyre zgjodhën të heshtnin përballë sulmeve ndaj meje. Por ajo që sot më shqetëson më së shumti nuk janë sulmet që vijnë nga politika apo grupet e interesit. Më shqetëson servilizmi i një pjese të vogël të gazetarëve, të cilët, në vend se ta mbrojnë profesionin, shndërrohen në zëdhënës të pushtetit dhe përpiqen të diskreditojnë kolegët e tyre me narrativa të fabrikuara dhe argumente të imponuara.
Ky deformim i rolit të gazetarit është ndër goditjet më të rënda që mund t’i jepen profesionit. Gazetaria nuk mund të ushtrohet me nënshtrim, as me besnikëri ndaj pushtetit. Misioni i saj është t’i shërbejë publikut dhe interesit qytetar, jo interesave politike apo personale.
Askush nuk është i pagabueshëm. Edhe gazetarët dhe mediat bëjnë gabime. Por ekziston një dallim thelbësor mes gabimit profesional dhe fushatës së organizuar për ta njollosur një koleg. Është e papranueshme që gazetarët të përdoren si instrumente për të goditur gazetarët e tjerë. Solidariteti profesional nuk nënkupton pajtim me çdo qëndrim, por respekt për parimet mbi të cilat ndërtohet liria e medias.
Fatkeqësisht, këtë klimë përçarëse e ka ushqyer edhe retorika e pushtetit aktual, i cili në vazhdimësi ka zgjedhur përballjen me mediat, duke i etiketuar ato si “media të Serbisë” apo duke i sulmuar për faktin se funksionojnë si biznese mediatike. Këto janë narrativa që nuk i shërbejnë demokracisë dhe nuk i shmangin institucionet nga përgjegjësia për transparencë e llogaridhënie.
Mediat financohen nga puna e tyre, nga audienca, nga shërbimet dhe tregu që u lejon të mbijetojnë. Në një shtet demokratik, kjo është krejtësisht legjitime. Pyetja që shtrohet është një tjetër: kush mban përgjegjësi për mënyrën se si shpenzohen paratë publike dhe për çdo cent të taksapaguesve? Pikërisht këtu duhet të drejtohet vëmendja e pushtetit, e jo te përpjekjet për ta delegjitimuar gazetarinë kritike.
Respekt për të gjithë ata gazetarë që, pavarësisht presioneve, vazhdojnë ta mbrojnë integritetin profesional, etikën dhe besueshmërinë e medias. Janë pikërisht ata që e mbajnë gjallë misionin e gazetarisë së lirë dhe e dëshmojnë se e vërteta nuk mund të mposhtet nga propaganda, por vetëm nga heshtja. Prandaj, heshtja nuk duhet të jetë kurrë zgjedhje.
Një fjalë edhe për ata që, të fshehur pas profileve në rrjetet sociale, qofshin nga Evropa, Amerika apo kudo tjetër, e kanë shndërruar fyerjen, kërcënimin dhe linçimin virtual në mjet “debati”.
Kujdes me gjuhën që përdorni dhe me rolin që i jepni vetes. Askush nuk ka të drejtë të marrë në dorë “gjykimin” e gazetarëve, të shpallë fajtorë apo të nxisë urrejtje ndaj tyre, sikur Kosova të mos ishte shtet me ligje, institucione, polici dhe drejtësi.
Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën. Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës.
Musa Sabedini
Autori është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT
Op-Ed
Prof. Dr. Bahri Gashi për Kosharen: Beteja që theu mitin serb
Published
4 months agoon
April 9, 2026By
ubtnews
Në 27-vjetorin e fillimit të operacionit luftarak në Koshare, nga 9 prilli 1999 deri në çlirimin përfundimtar, kjo betejë kujtohet si akti historik i heqjes me luftë të kufirit shqiptaro-shqiptar. Beteja e Koshares përfaqëson një nga operacionet më të mëdha dhe më komplekse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u shndërruar në një pikë kthese të rëndësishme në luftën për liri dhe në një moment që theu mitin e pathyeshmërisë së ushtrisë serbo-jugosllave.
Në këtë kontekst, paraqitet një opinion i profesorit Bahri Gashi, nga Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT, i cili përmes një analize të detajuar ushtarake dhe historike, vë në pah përmasat e jashtëzakonshme të kësaj beteje, rëndësinë e saj strategjike, si dhe rolin e saj si një nga operacionet më komplekse dhe më të organizuara të UÇK-së, që shënoi jo vetëm një sukses ushtarak në terren, por edhe një moment të rëndësishëm simbolik në rrugën e çlirimit të Kosovës dhe konsolidimit të lirisë së saj.
[Dhjetë (10) fakte unike që duhet të dihen për BETEJËN E KOSHARES në 27 vjetorin e heqjes me luftë të kufirit shqiptaro – shqiptar në Koshare nga fillimi i operacionit më 9 Prill 1999 deri në çlirimin përfundimtar]
- Mobilizimi gjithëkombëtar; Stafi komandues (profilizimi ushtarak); Struktura ushtarake; Fazat intensive përgatitore; Fillimi i operacionit në shkallë të gjerë; Ritmet e betejës; Zotërimi i pozicioneve dominante; Përmasat; Ndërlikueshmëria; Efektet taktiko-operative, ato të ndërveprimit luftarak dhe të efektit superior në epërsi luftarake; Siguria e aspektit logjistik; Zbatimi i së drejtës humanitare në respektimin e ligjeve të luftës, ndaj (pengjeve të luftës) e formësojnë dhe lartësojnë këtë betejë: ‘BETEJA E KOSHARES’, Heqja me Luftë e Kufirit, si lufta e parë e zhvilluar në shkallë të gjerë në rajonin e Koshares si Beteja më e madhe e luftës për çlirim dhe operacionin më kompleks luftarak të UÇK-së.
- FILLIMI I OPERACIONIT LUFTARAK në Koshare është zhvilluar në një intensitet të lartë të luftimeve, duke marrë pozicionet strategjike dhe dominante të luftës, zotërimi i pozicioneve kritike të luftës si; Kazerma Ushtarake e Koshares e njohur nga APJ si [Karaulla Koshare], Rrasa e Koshares, Zhares dhe Oplazit, Pikat dominante të lartësisë së Rrasës së Zogut, Ujezëz – Gomureve, Maja e Kokës, Kërrshi i Yllit, pastaj Reparti Ushtarak Qafë Morinë; Pozicionet e ndërlikuara tek Vrojtoret, 7 Korriku, Shkoza, Shkalla e Radanit, Gusha e Botushës, Oaza e Shpella e Molliqit, Gryka e Morinës etj, tregojnë qartazi për një betejë të përmasave të një lufte të madhe, duke u ballafaquar me një përballje të drejtpërdrejtë dhe një makineri shumë komplekse të fortifikuar të ushtrisë serbo-jugosllave, përfshi sulmet e sinkronizuara me këmbësori efektive, Komapania Tankiste e Motorizuar, Kompania “Beretat e Kuqe”, Batalioni 52 i Policisë Ushtarake, Batalioni Diverzanto Vëzhgues – Njësi të shumta elitare – paramilitare dhe mercenare; Topa goditës në distancë: “NORA”- shumë tutësh, “ORKAN” dhe “OGANJ”, sistemet kundër blindues: “MALUTKA” – “FAGOT”, helmet kimike të tipit Neuroparalitik – “VX” – “SARIN”, operacione manovruese tankiste, artileri të rëndë, aviacioni MIG 21, etj.
- DIMENSIONET E ARTIT TË LUFTËS SË KOSHARES; Operacionet luftarake gjatë betejave, ritmet e betejës dhe çlirimi përfundimtarë, përbëjnë tërësinë e kësaj lufte. Beteja e Koshares e cila në vete ngërthente aspektin e ‘Luftës së Përparuar’, aspektin taktiko-operativ – strategjik, aspektin politik, aspektin logjistik, aspektin humanitar e aspektin historik të saj, dëshmon për shumë dimensionalitetin dhe artin luftarak të gjithë kësaj lufte që theu mitin serb.
- MOTIVI PËR LUFTË; Unifikimi mbarëkombëtar, plani operativ i detajuar, pozicioni strategjik i luftës, zotërimi i shpejt i pozicioneve dominante të luftës, epërsia në rezultat deri në fund të luftës së Koshares, e bëjnë këtë betejë, unike, një, të vetme dhe të pakrahasueshme me betejat tjera të UÇK-së.
- FAZAT PËRGADITORE; për luftë frontale, taktike dhe operative; QSU-Papaj, aspektet e stërvitjeve luftarake nën kushte ekstreme të mbijetimit, strukturat sipas niveleve – njësive ushtarake (skuadër, tog, kompani, batalion, [I-II-III -IV] dhe brigadë) misionet luftarake para operacionit, misionet ushtarake gjatë operacionit, rritja e njësive dhe strukturave komanduese, luftimet shumë intensive dhe dinamike që zhvilloheshin përgjatë periudhës 09 Prill – 10 Qershor 1999 përbënin sfidat e një operacioni kompleks, duke e përmbushë misionin luftarak në Koshare.
- STRUKTURA E STAFIT KOMANDUES USHTARAK; Struktura komanduese e profilizuar me eprorë profesionist të shkolluar në akademi ushtarake, në gjini të ndryshme, përkatësisht të të gjitha llojeve të armëve për luftë, e dallojnë Betejën e Koshares prej çdo lloj organizimi strukturor luftarak brenda UÇK-së.
- TRYSNIA DHE TENTIMET E APJ-SË USHTRISË; serbo-jugosllave për rikthim të territorit të çliruar, për kundër këtij fakti, Komanda e Operacionit Luftarak të Koshares kishte zotëruar epërsi luftimi, riorganizim të pozicioneve luftarake, makineri ushtarake, pajisjet dhe mjete për luftë, njësi në detyrë sipas gjinive luftarake dhe me një territor luftarak në 7 Km thellësi dhe 22 Km gjerësi të frontit – distancës së luftës me goditje zjarri artilerik deri në 20 Km, përbëjnë poashtu Betejën e Koshares, betejë unike në veprim, një, dhe të vetmen betejë me përmasat më të mëdha të luftës së UÇK-së.
- MJETET DHE PAISJET LUFTARAKE; Duke filluat nga (Thika, revolet, automatikët, pushkët, llojet automatike, mitrolezët, snajperët deri në 12.7 mm, granata dore, mortaja krahu, RPG, Raketa hedhës, Zola, Osa, Embrusi Gjerman, etj. Armët artilerike të kalibrit: 60, 82,107, 120,160 dhe obusi 122mm, Armët Kundërajrore, topi kundërajror 20mm dhe TK 14.5 mm. Armët e topave padridhje 75,82 dhe topit 122mm, Njësitë mbështetëse Tankiste, Uniformat, Pelerinat, gjyksoret, mataret, gazmaskat, pakot e ushqimit për mbijetim, poashtu përbëjnë një dhe të vetme Betejën e Koshares, të pakrahasuara nga cilido formacion tjetër i UÇK-së.
- ASPEKTI I GJITHPËRFSHIRJES KOMBËTARE, DHE TË HUJAVE; Pjesëmarrja masive e luftëtarëve nga të gjitha trojet etnike, e gjithë Europa, Amerika, Kanada e Australia. Pjesëmarrja e luftëtarëve tē huaj nga Franca, Anglia, Gjermania, Turqia, Algjeria etj. Të rënë tre dëshmor të huaj në betejë, poashtu e shëndrrojnë Betejën e Koshares në një nga betejat, të vetme dhe më unike të UÇK-së.
- Përfundimisht, Lufta e Koshares, shënon misionin më kompleks luftarak i ndërmarrë në shkallë të gjerë, që nga dita (D) në rajonin e gjerë të Koshares, është lufta përgjatë shumë betejave, më e madhe e zhvilluar, operacione të ndërlikuara luftarake, beteja më e përgjakshme luftarake, me 114 Dëshmorë, të gjithë [Heronjë të Kosovës], derisa numëron qindra të plagosur dhe mijëra luftëtarë në front, përkatësisht operacioni më i madh luftarak i UÇK-së, i realizuar fillimisht nga (GO-III), tri formacione nga Ministria e Mbrojtjes, në përbërje të brigadave 131 dhe 134 dhe Batalionit Diverzanto Vëzhgues (BDV) – i njohur si Forcat Komando Delta, më von, pas një ristrukturimi të brigadave të Dukagjinit me 11 Maj me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së emërohet Brigada 138 “AGIM RAMADANI” – Zona Operative e Dukagjinit.


Aktualitet
Gazetaria hulumtuese, pasion dhe mision publik që kërkon guxim, përkushtim dhe durim
Published
6 months agoon
February 14, 2026By
ubtnews
Nga Musa Sabedini – Çdo hulumtim ka një mision, dhe çdo mision bart në vete një rrezik real. Ky përkufizim i thjeshtë mjafton për të kuptuar thelbin e gazetarisë hulumtuese, një profesion që jeton gjatë, sepse rrënjët e saj ushqehen nga e vërteta dhe drejtësia. Në thelb, gazetaria hulumtuese është edukim dhe vetëdije, një fuqi që përmirëson pushtete, reformon institucione dhe pastron ndërgjegje. Ajo ndjek të fuqishmit, i vë përballë fakteve dhe nuk i toleron të paskrupulltit që kërkojnë të ndërtojnë jetën mbi mashtrime, paragjykime apo krim.
Gazetaria hulumtuese është dhe do të mbetet në shërbim të shoqërisë, zëri i atyre që nuk kanë zë, mbrojtësja e guximshme e së vërtetës dhe e çdo njeriu që përballet me padrejtësi, pavarësisht nëse ajo vjen nga individë, grupe kriminale apo struktura të kriminalizuara institucionale.
Gazetaria hulumtuese, misioni që nuk ndalet
“Gazetaria është akt rebelimi kur shteti gënjen”. (Sweeney, 2020). Nuk është rastësi që zgjodha këtë fjali të John Sweeney, gazetarit britanik me përvojë të gjerë në raportimet nën regjime autoritare dhe hetimet për BBC “Panorama” e “The Observer”.
Ai njihet për stilin konfrontues, guximin për të ekspozuar gënjeshtrat e pushtetit dhe aftësinë për të raportuar në kushte ekstreme. Për Sweeney-n, gazetaria është një akt rebelimi dhe një armë kundër pushteteve abuzive.
Ky është mesazhi që duhet të përçojë çdo gazetar hulumtues, se rebelimi në kuptimin pozitiv është i domosdoshëm kur shteti gënjen, shtyp, diskrediton apo abuzon me shoqërinë duke keqpërdorur buxhetin publik, financat dhe duke instaluar “vrima të zeza” në strukturat e saj.
Gazetari hulumtues është roje vigjilente në çdo kohë, situatë apo krizë.
Përmes storieve të guximshme, ai sjell para publikut tregime të argumentuara, që japin.
shpresë dhe energji qytetarëve. Ne, gazetarët, jemi nën llupën e pushtetit ditë e natë, sepse ata që nuk duan të vërtetën na shohin si armiq. Por përballë tyre kemi një pasqyrë tjetër, publikun, që pret tregime të vërteta dhe të ndershme, ndërsa ne përpiqemi ta avancojmë gazetarinë hulumtuese moderne.
Shpesh është thënë se gazetaria hulumtuese, në sytë e publikut, është një “task forcë speciale” që depërton në çdo cep të pushtetit të inkriminuar, duke ekspozuar abuzimet dhe shkeljet e ligjit. Në këtë kuptim, ajo është një urë solidariteti me qytetarët që u shkelen të drejtat, qoftë nga pushteti i dhunshëm, qeveritë e korruptuara apo struktura të tjera të padrejta.
Për mua është e qartë, gazetaria hulumtuese, me metodat e saj të punës në terren dhe këmbënguljen profesionale, mbetet një avangardë kundër padrejtësive, një shtyllë e demokracisë dhe një mbrojtëse e interesit publik.
Si forcë e brendshme dhe mekanizëm që lëviz shoqëritë, gazetaria hulumtuese mbetet një ndër shtyllat më të shenjta të demokracisë moderne. Ajo është motori që shtyn përpara zhvillime të rëndësishme, zbardh afera, zbulon skandale, ndriçon situata konfliktuoze, çon drejtësinë në veprim dhe shpesh sjell arrestime e dënime që ndryshojnë realitete të tëra.
Gazetaria hulumtuese është gjithmonë aty e pranishme, e guximshme, e pa kompromis në çdo shtresë të shoqërisë, në çdo hapësirë ku e vërteta kërkon të dalë në dritë. Ajo na mëson kujdesin ndaj parasë publike, ndaj hajnisë së organizuar dhe krimit të maskuar me pushtet. Na paralajmëron për rreziqet që shpesh ia shkaktojmë vetes përmes heshtjes apo mosveprimit.
Misioni i gazetarisë hulumtuese: Nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd
Ky është një mision që nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd, pavarësisht pozitës, autoritetit apo pasurisë që dikush mund të ketë. Gazetaria hulumtuese nuk njeh frikë nga pushteti, sepse burimin e saj e ka te liria, përgjegjësia dhe ndërgjegjja qytetare.
Në thelb, gazetaria hulumtuese është edukim dhe vetëdije, një fuqi që përmirëson pushtete, reformon institucione dhe pastron ndërgjegje. Ajo ndjek të fuqishmit, i vë përballë fakteve dhe nuk i toleron të paskrupulltit që kërkojnë të ndërtojnë jetën mbi mashtrime, paragjykime apo krim.
Të merresh me gazetari hulumtuese do të thotë të ecësh nëpër një skaj të mprehtë, ku çdo hap kërkon kujdes, guxim dhe integritet. Është një udhëtim përmes të panjohurës, ku rreziqet, të papriturat dhe sfidat shfaqen në çdo kthesë.
Gazetari hulumtues i vërtetë e di se çdo hetim fillon në terr dhe përfundon në dritë, vetëm nëse udhëhiqet nga parimet themelore të profesionit: e vërteta, saktësia, përgjegjësia dhe ndershmëria.
Ai duhet të mendojë thellë, të analizojë me kujdes dhe të ndjejë me shpirt çdo histori që ndjek.
Kredibiliteti dhe autoriteti i gazetarit hulumtues nuk ndërtohen brenda natës, ato fitohen me vite përkushtimi, sakrifice dhe mbrojtjeje të çdo detaji e prove. Vetëm ai që ruan integritetin e çdo sekuence hetimore, që nuk ndalet para presioneve dhe nuk lëkundet para pushtetit, arrin të fitojë respektin e lexuesve dhe besimin e publikut.
Çdo shmangie nga e vërteta, çdo kompromis me faktet, është një plagë që dëmton jo vetëm gazetarin, por edhe vetë besueshmërinë e gazetarisë hulumtuese si profesion fisnik.
Gazetaria hulumtuese është një rrugë e vështirë, por e denjë, një ecje mbi tehun e së vërtetës, ku vetëm të guximshmit mbeten në këmbë.
Carl Bernstein, (2007), bashkëpunëtor i Bob Woodward për skandalin Watergate duke folur për kredibilitetin dhe autoritetin profesional të gazetarit hulumtues ka theksuar: “Kredibiliteti është monedha e vetme që ka një gazetar. Kur e humb, gjithçka tjetër bie”.
Këmbëngulësia, sinqeriteti, integriteti i fort dhe morali e motivi ndikues, janë shtyllat kyçe për një gazetar profesionist dhe hulumtues
Si një nga gazetarët e rrallë, që e ka përjetuar në lëkurë të bërit gazetari hulumtuese, duke trajtuar tema hulumtuese nga më të ndryshmet, kam arritur të kuptojë se profesionalizmi, guximi, vendosmëria, beteja mbi të vërtetën, lufta për ta ndaluar dhe ekspozuar të keqën, këmbëngulësia, sinqeriteti, integriteti i fort dhe morali e motivi ndikues, janë shtyllat kyçe që një gazetar profesionist dhe hulumtues, të arrijë të mbijetojë mbi faktet e ofruara, edhe atëherë kur të tjerët ju pengojnë, me të gjitha format e mjetet.
Në fakt gazetaria hulumtuese duhet të përjetohet nga secili gazetar, autor, kronist, hulumtues, argumentues, duke qëndruar “esull”, gjithmonë me dëshmitë e juaja, duke treguar elan, dashuri, përkushtim, sinqeritet, aftësi dhe njohuri për secilin ose secilit, që ju mendoni se mund të jenë pjesë hetimore e pistës suaj. Nga ky këndvështrim pista e juaj dhe agjenda ditore e javore duhet të jetë optimiste, duhet të qëndrojë në këmbë të shëndosha, përherë me risi dhe fakte të reja që juve, do ju mjaftojnë për të arritur kulmin strategjik dhe taktik të bërit hetime.
Gazetaria hulumtuese, ka ekzistuar gjithmonë dhe do të jetë përherë aktuale, aktive, e dobishme, e kërkuar nga të gjithë njerëzit që e duan jetën ndryshe, jetën pa krim e korrupsion, që e respektojnë jetën e të tjerëve dhe ofrojnë zgjidhje, duke zbuluar të vërteta e afera, që për të gjitha pushtetet e qeveritë, ato tentohen të mbahen të fshehura dhe larg publikut. Publiku i etur dhe gazetari i uritur për tema të mëdha dhe ndikim në jetën publike, janë faktor i rëndësishëm që ju të mendoni përherë për këtë formulë “magjike”.
David Randall (2003), në librin e tij: “The Universal Journalist” është shprehur qartë mbi rolin dhe misionin që ka një gazetar profesionist – hulumtues. “Kape lexuesin për fyti në paragrafin e parë, shtrëngo rripat në të dytin, dhe mos e lësho deri në rreshtin e fundit”.
Gazetaria hulumtuese as nuk blihet nga të tjerët, po as nuk përfitohet e zbatohet me ndihmën e të tjerëve.
Ju jeni bërthama e punës, injeksioni i hetimeve dhe hulumtimeve paraprake. Thjesht ju jeni kapaku pragmatik, që i shtynë përpara proceset hulumtuese, derisa ju mbetet të vraponi, kërkoni, verifikoni dhe analizoni me kujdes çdo material, dokument, video, fotografi, incizim, deklarim publik e jo publik, përcjellje maksimale në rrjetet sociale të njerëzve të dyshuar, mundësi për të fituar nga teknologjia moderne, e cila është mbështetëse e madhe e punës tuaj, por sigurisht që nuk është kryesorja, e aq më pak përfundimtarja.
Kurrë mos harroni se ju jeni një lloj “heroi”, “roje e demokracisë” ose edhe më saktë një “mbikëqyrës”, i të gjitha devijimeve dhe dukurive shqetësuese, në një shoqëri demokratike, ku dominojnë ligji dhe etika njerëzore, ngaqë lexuesi, shoqëria, publiku dhe të tjerët presin me padurim rezultatin tuaj hetimor e kërkimor.
Të krijosh në gazetarinë hulumtuese
Nuk është e lehtë të krijosh në gazetarinë hulumtuese, sidomos nëse nuk je i përgatitur profesionalisht, emocionalisht dhe psikologjikisht. Këto tri shtylla janë themeli mbi të cilin ndërtohet gazetari hulumtues, ai “valltar” i shpejtë, i kthjellët dhe i vëmendshëm në terren, që di të ruajë ekuilibrin në çdo situatë dhe të përmbyllë me sukses çdo mision që merr përsipër.
Në këtë udhëtim nuk mjaftojnë as minutat, as ditët, e as javët. Ajo që kërkohet është përqendrim i plotë, qëndrueshmëri emocionale, durim dhe një vetëdije e mprehtë për të kuptuar botën e ndërlikuar në të cilën vepron gazetari hulumtues.
Po aq e rëndësishme është që, në çdo situatë, në çdo takim me të dyshuar, dëshmitarë të mundshëm, zyrtarë të korruptuar apo individë të përfshirë në krime dhe tragjedi, gazetari të mbetet gjakftohtë, i kthjellët dhe me shikim të mprehtë.
Çdo lëvizje, çdo shprehje apo pyetje e tij mund të interpretohet ndryshe, ndaj kujdesi, profesionalizmi dhe vetëkontrolli janë mburoja e tij më e fortë.
Prandaj, notoni me ndershmëri mbi dokumentet, dëshmitë, arkivat, fotografitë, deklaratat, fakturat, bisedat, intervistat, incizimet dhe videot tuaja.
Çdo detaj është një pjesë e mozaikut që ndërtoni, përdoreni për ta bërë historinë tuaj më të plotë, më të besueshme dhe më prekëse për publikun.
Të gjitha këto atribute dhe finesa që e karakterizojnë gazetarinë hulumtuese flasin për seriozitetin dhe përkushtimin e atyre gazetarëve e studiuesve që e kanë përjetuar këtë profesion në shpirt, në palcë dhe në kurriz.
Vetëm ata që e kanë jetuar nga afër e dinë se sa e vështirë është të hulumtosh me ndershmëri, të kërkosh të vërtetën mes mjegullës së mashtrimeve dhe të dalësh faqebardhë në fund të çdo hetimi.
Gazetaria hulumtuese është shpesh një betejë e brendshme, një “tërbim” profesional që kërkon kohë të gjatë, përkushtim të palodhur dhe sakrificë personale.
Por kjo betejë është bërë edhe më e ndërlikuar sot, në epokën moderne digjitale, ku gazetari përballet me një sërë pengesash të reja nga dezinformimi dhe manipulimi i të dhënave, deri tek mungesa e kohës për verifikim dhe presioni për të publikuar sa më shpejt.
Teknologjia është një mjet i fuqishëm, por kërkon kujdes etik dhe aftësi profesionale
Teknologjia është një mjet jashtëzakonisht fuqishëm, por kërkon kujdes etik dhe aftësi të avancuara profesionale për t’u përdorur në mënyrë të sigurt dhe efektive në shërbim të së vërtetës.
E kam theksuar edhe më herët se as teknologjia dhe as digjitalizimi nuk mund ta përfundojnë vetë një mision gazetaresk. Ato mund të ndihmojnë, ta lehtësojnë apo ta përshpejtojnë procesin e hetimit, por në asnjë mënyrë nuk përbëjnë fazën përfundimtare të tij. Dokumentet fizike të vulosura, deklaratat e drejtpërdrejta të viktimave apo dëshmitarëve, incizimet autentike dhe përgjimet e realizuara ligjërisht mbeten prova shumë më të vlefshme në çdo proces hulumtues sesa çdo mjet teknologjik, i cili mund të krijojë edhe dilema ligjore ose etike.
Si gazetar me përvojë të gjatë në profesion dhe me një bagazh të pasur në fushën e gazetarisë hulumtuese, tashmë i vlerësuar me katër çmime nga juri të ndryshme, vazhdoj të besoj se intuita dhe vendosmëria janë dy shtyllat kryesore që e udhëheqin gazetarin drejt suksesit.
Intuita shpreh forcën intelektuale të gazetarit dhe aftësinë për të dalluar temat me interes publik, ato që prekin ndjeshëm shoqërinë dhe jetën e komunitetit.
Ndërsa vendosmëria është një lloj “ilaçi” moral që i mundëson gazetarit të qëndrojë i patrembur dhe i palëkundur përballë sfidave, presioneve apo situatave të pakëndshme që mund të shfaqen gjatë rrugëtimit të tij profesional.
Roli i intuitës në gazetarinë hulumtuese është i pamohueshëm, ajo është drita që ndriçon drejtimin e së vërtetës, aty ku të tjerët shohin vetëm mjegull.
Jeto për të hetuar, puno për të vepruar, sakrifikohu për të argumentuar të vërtetën
Mos e pyesni kurrë veten se çfarë sakrifice kërkon gazetaria hulumtuese, në vend të kësaj, brengosuni për atë që mund t’i ofroni publikut, më të mirën e mundshme nga puna juaj hulumtuese.
Jeto për të hetuar, puno për të vepruar dhe sakrifikohu për të argumentuar të vërtetën, atë të vërtetë që i pengon ata që jetojnë me krimin dhe cenojnë jetën e të tjerëve në emër të tij.
Gazetaria hulumtuese kërkon ndjekje sistematike të provave, ngjashëm me punën e detektivëve. Ajo kërkon guxim, përkushtim moral e profesional, madje edhe atëherë kur e vërteta bie ndesh me pushtetin e fortë.
Qëllimi i gazetarit duhet të jetë shërbimi ndaj publikut, jo kërkimi i famës apo vëmendjes personale.
Fama i takon argumenteve, provave dhe publikut të etur për të vërtetën. Ajo u përket gjithashtu njerëzve me të cilët ke bashkëpunuar dhe që do të jenë mirënjohës nëse hulumtimi yt ka qenë i drejtë dhe efektiv.
Fama është e përkohshme, historia, kronika dhe tema hulumtuese janë të përjetshme. Ato do të jetojnë gjatë në kujtesën e çdo lexuesi, nëse t`i i je përmbajtur me përpikëri agjendës dhe pikave kyçe të hetimit të thelluar.
James B. Stewart, (2025), emër i njohur në gazetarinë hetimore, thekson se qëllimi i profesionit nuk është fama personale, por shërbimi ndaj së mirës publike: “Gazetaria nuk ka të bëjë me vëmendjen apo njohjen; ka të bëjë me shërbimin për të mirën publike”.
Të ecësh vetëm në tehun e gazetarisë hulumtuese
A mjafton të ecësh i vetëm në këtë teh të shpatës, pa përkrahje, pa njohuri dhe pa mbështetje profesionale apo materiale Sigurisht që jo. Vetëm guximi nuk mjafton. Për të qëndruar gjatë dhe për të mbijetuar në këtë fushë të vështirë, gazetari duhet të ndërtojë rrjete besimi dhe burime të sigurta brenda institucioneve dhe jashtë saj.
Duhet të ketë besim tek ata, ashtu siç ata duhet të kenë besim tek ai sepse ky është parimi themelor, që e mban të gjallë komunikimin dhe e mbron integritetin profesional.
Kurrë mos e tradhto një prokuror të ndershëm, një polic hetues të guximshëm apo një burim të besueshëm. Mos e shpërndaj kurrë informacionin nëse nuk e ke aprovimin e atyre, që të kanë përkrahur e ndjekur me mbështetje, sidomos atë informacion që të është besuar dhe ruaj marrëdhëniet me ata që të ndihmojnë në momentet më të vështira.
Pikërisht këto lidhje, të ndërtuara me ndershmëri dhe respekt, janë shtylla që mbajnë në këmbë gazetarin hulumtues.
Në çdo rast të rëndë që kam hetuar apo hulumtuar, kam hyrë me guxim, ndershmëri dhe përgjegjësi. Në gazetarinë hulumtuese nuk ka version të parë apo të dytë, tema ose del në dritë, ose humbet në errësirë.
E vërteta duhet të dominojë mbi gjithçka, ndërsa morali i gazetarit duhet të qëndrojë i përqendruar, i pastër dhe i angazhuar deri në fund.
Fergal Keane, gazetar i BBC-së, që ka raportuar nga zona lufte, nënvizon rëndësinë morale të profesionit: “Arti i gazetarit duhet të jetë, mbi të gjitha, një festim i së vërtetës. Dhe nëse kjo e vërtetë ofendon diktatorët, kriminelët apo policinë sekrete… le të ndodhë”.
Gazetaria hulumtuese në Kosovë, arritje dhe sfida
Në Kosovë, gazetaria hulumtuese ka njohur një zhvillim të shpejtë. Janë publikuar dhjetëra afera dhe skandale që kanë përfshirë njerëz të pushtetit, kompani publike dhe institucione të ndryshme. Kjo është padyshim një shenjë pozitive, që dëshmon për rritjen e guximit profesional dhe përgjegjësisë publike.
Megjithatë, në këtë rrugëtim nuk kanë munguar gabimet dhe lëshimet profesionale, të cilat duhet të analizohen dhe të korrigjohen në të ardhmen.
Një prej mangësive më të dukshme është mungesa e gazetarisë hulumtuese kolektive, e cila bazohet në hetime afatgjata dhe të mirëstrukturuara. Në vend të saj, shpesh janë dominuar hulumtimet e shpejta, që edhe pse kanë tërhequr vëmendjen e publikut, nuk janë ndjekur deri në fund. Shumë storie janë mbyllur menjëherë pas publikimit të parë, pa një vazhdimësi logjike dhe profesionale.
Temat e mëdha, që prekin interesin publik, duhet të përcillen deri në fund. Publiku ka të drejtë të dijë çdo zhvillim, nga hetimi fillestar deri te epilogu final.
Shpesh ndodh që, pas publikimit të një hulumtimi, personat e përfshirë të përfundojnë në gjykatë apo edhe në burg. Por, nëse gazetari nuk informon më tej për rezultatet e procesit, dënimin apo përfundimin e rastit, atëherë historia mbetet e paplotë dhe vlera e saj gazetare zbehet.
Gazetaria hulumtuese në Kosovë, ndër sfida dhe angazhim publik
Është e drejtë të shtrohet pyetja nëse ka ekzistuar vërtet gazetaria hulumtuese në Kosovë dhe si ka filluar ajo të zhvillohet. Ka mendime se ajo mori formë pas shpalljes së pavarësisë, kur gazetarët fituan mundësi të hetonin shtetin e tyre, dokumentet dhe provat të arkivuara nga institucionet vendore.
Megjithatë, unë mendoj se gazetaria hulumtuese nisi të zhvillohej menjëherë pas luftës, edhe pse jo pa vështirësi. Pushteti absolut i UNMIK-ut, i mbështetur nga KFOR-i dhe i monitoruar nga OSBE-ja, ishte një pengesë serioze jo vetëm për gazetarinë hulumtuese, por shpesh edhe për gazetarinë e përditshme. Sidoqoftë, edhe në atë kohë pati skandale dhe afera të zyrtarëve ndërkombëtarë, të cilat u bënë publike falë mediave kosovare.
Sa aktive ka qenë kjo gazetari dhe sa interes ka ngjallur, është një çështje tjetër. Edhe sot, megjithëse gazetaria hulumtuese ekziston dhe zhvillohet, shpesh mungojnë temat esenciale, ato që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të thjeshtë.
Për fat të keq, shumica e hetimeve fokusohen tek afera korruptive apo skandalet seksuale brenda institucioneve publike, duke lënë në hije problemet e shumta të komuniteteve.
Kosova është një vend i vogël, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të vendeve perëndimore, dhe pritej që gazetaria hulumtuese të ishte më e zëshme dhe më e pranishme me tema goditëse. Nganjëherë krijohet përshtypja se mungon sensi dhe interesimi i duhur, pavarësisht mungesës së mjeteve financiare.
Megjithatë, ekzistojnë gazetarë që kanë sakrifikuar për vite me radhë, duke e mbajtur gjallë gazetarinë hulumtuese dhe duke u përpjekur ta avancojnë atë më tej.
Të investosh në gazetarinë hulumtuese dhe të kultivosh talent të aftë në këtë fushë përbën një garanci të rëndësishme për demokracinë, sepse forcon transparencën dhe llogaridhënien.
Kjo qasje duhet të kuptohet edhe në mediat dhe shoqërinë kosovare, duke mos e reduktuar gazetarinë hulumtuese vetëm në prodhim lajmesh, por duke e parë si një vlerë të domosdoshme për fuqizimin e demokracisë në një shtet që përballet me sfida të mëdha juridike dhe politike.
Investimi në gazetari hulumtuese nuk është thjesht investim në lajme: është investim në demokraci, transparencë dhe llogaridhënie.
Etika mbetet baza themelore e gazetarisë hulumtuese
Etika mbetet shtylla themelore e gazetarisë hulumtuese. Një gazetar hulumtues fiton besimin e publikut dhe forcën profesionale vetëm kur, përveç aftësive të tij në terren dhe në procesin hetimor, i kushton rëndësi të veçantë etikës në çdo hap të punës.
Pa respektimin e parimeve etike, çdo raportim rrezikon të humbasë kredibilitetin dhe qëllimin e tij publik. Gazetaria hulumtuese fillon të zbehet në momentin kur etika nënvlerësohet ose anashkalohet, sepse pikërisht ajo është garancia që e ndan të vërtetën profesionale nga manipulimi dhe sensacionalizmi.
Frika më e madhe për një gazetar hulumtues, mbetet përfundimi dhe argumentimi i historisë së tij
Në karrierën time profesionale kam dokumentuar mbi 35 kërcënime me vdekje, dhe asnjëherë nuk jam dorëzuar apo trembur. Ajo që më shqetësonte më së shumti ishte të sigurohesha që historia ime të ishte e plotë, e argumentuar dhe e bazuar në të vërteta të verifikuara.
Kur një storie përmban të gjitha provat dhe flet me një të vërtetë kritike e të bazuar në fakte, çdo sfidë tjetër bëhet vetëm pjesë rutinore e procesit.
Këshilla ime për gazetarët hulumtues është e thjeshtë, por e fuqishme, mos u dorëzoni para atyre të zhytur në krim dhe hakmarrje, por gjithmonë ruani kujdesin për veten dhe vëmendjen përreth, sidomos në një fushë të minuar nga njerëz dashakëqinj. Askush, në fund të fundit, nuk do të kujdeset për ju dhe familjen tuaj, edhe pse rreziku që ju përballeni i takon shoqërisë dhe njerëzve për të cilët punoni me përkushtim dhe pasion.
Jeni në rrezik nëse u jepni atyre arsyetime apo llogari, në vend të kësaj, injorojini kërcënimet dhe presionin, pa i marrë kurrë afër zemrës. Por gjithmonë kryeni detyrën tuaj me nder, saktësi, legjitimitet dhe kredibilitet, duke siguruar që storiet tuaja të jenë guximtare dhe të besueshme.
Autori është ligjërues në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në UBT
Lajmet
Kompleksiteti ushtarak-operacional i inteligjencës: “Maduro jasht” nuk ishte akt lufte, por zbatim i ligjit
Published
7 months agoon
January 5, 2026By
ubtnews
(Operacioni special për neutralizimin e objektivave dhe arrestimin e Nicolás Maduro-s përfaqëson kulmin e artit modern të zbatimit të ligjit përmes inteligjencës strategjike)
Kosova publikon listat e volejbollisteve dhe volejbollistëve për Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”
KDI mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së KQZ-së
Nga 1 shtatori vendoset tarifa e rikyçjes për konsumatorët që shkyçen për mospagesë të rrymës
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 3 gusht 1993-1998?
Ariana Grande tërhiqet përkohësisht nga skena publike pas përfundimit të turneut
“Varg e Vi” sjell artin bashkëkohor dhe humorin në Kamenica Summer Fest 2026
Uellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
Tri raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit
Tentativë për vrasje të rëndë në Rahovec: I maskuari me armë të gjatë qëllon mbi veturën e tre personave
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoYll Limani falënderon fansat pas dy netëve koncert në Tiranë
-
Sport3 days agoKëshilltari i lartë i Gianni Infantinos jep dorëheqje mes polemikave për planin e FIFA-s
-
Lajmet1 week agoSHBA vendos tarifa ndaj 60 vendeve për punën e detyruar
-
Lajmet3 days agoHamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

