Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka deklaruar se marrëveshja për mineralet e rralla midis Ukrainës dhe SHBA-së, megjithëse e rëndësishme, nuk do të mjaftonte për të ofruar një garanci të sigurisë për Ukrainën.
Komentet e tij erdhën pasi lideri i Reformës në Mbretëri të Bashkuar, Nigel Farage, sugjeroi se marrëveshja, e cila mund të çojë në mijëra amerikanë që punojnë në Ukrainë, mund të jetë një hap drejt sigurimit të së ardhmes së vendit.
Duke folur në parlament, Starmer theksoi se derisa SHBA-ja luan një rol jetik në peizazhin gjeopolitik, sigurimi i paqes në Ukrainë kërkon një strategji gjithëpërfshirëse dhe shumë-shtresore.
“Vetëm marrëveshja për mineralet nuk do të ishte e mjaftueshme. Ne kemi nevojë për më shumë se vetëm një marrëveshje ekonomike për të garantuar sigurinë e Ukrainës”, tha Starmer.
Starmer gjithashtu përdori rastin për të kritikuar Faragen për qëndrimin e tij të diskutueshëm ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili e ka udhëhequr vendin e tij në luftën e vazhdueshme me Rusinë.
Së fundmi, Farage kritikoi udhëheqjen e Zelenskyyn, gjë që bëri që Starmer të përgjigjet.
“A mund t’i kujtoj se Rusia është agresori dhe Zelenskyy është një udhëheqës lufte, vendi i të cilit është pushtuar. Ne të gjithë duhet ta mbështesim atë, jo ta largojmë nga Putini”, tha Starmer, duke dënuar çdo retorikë që minon udhëheqjen e Ukrainës në luftë.
– Përdorimi i aseteve të ngrira të Rusisë është i “komplikuar”
Starmer ripohoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, duke theksuar se SHBA-ja dhe Britania kanë role vendimtare për të luajtur në arritjen e paqes.
Ai gjithashtu tha se marrja e miratimit për të përdorur asetet e ngrira ruse për financimin e Ukrainës është “shumë e komplikuar”. Ai theksoi se përdorimi i aseteve të ngrira për Ukrainën është diçka që duhet bërë me vendet e tjera.
Kryeministri britanik po ashtu shprehu besim në sinqeritetin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në përpjekjet për paqe, por theksoi se rruga drejt paqes kërkon një përgjigje të bashkuar dhe të bashkërenduar ndërkombëtare.
Ai e përshkroi SHBA-në si një aleat “të domosdoshëm”, duke theksuar se “kjo javë ka treguar me qartësi të plotë se SHBA-ja është jetike në sigurimin e paqes që ne të gjithë duam ta shohim në Ukrainë”.
Starmer tha se askush nuk duhet të dyshojë për “një sekondë në sinqeritetin e Trumpit kur ai thotë se dëshiron një marrëveshje të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë”.
Kjo vjen pas një jave të diplomacisë intensive, e cila përfshinë diskutime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, liderët evropianë dhe presidentin Trump, por edhe një takim Trump-Zelenskyy të premten e kaluar që rezultoi shumë i diskutueshëm.
Në përgjigje të krizës në vazhdim, Starmer zbuloi një plan me katër pika që synon të punojë ngushtë me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës dhe për të forcuar aftësitë mbrojtëse të vendit kundër Rusisë.
Plani kërkon një rritje të angazhimit diplomatik, mbështetje të vazhdueshme ushtarake dhe rritje të bashkëpunimit ekonomik për të ndihmuar Ukrainën të rindërtojë dhe të sigurojë të ardhmen e saj.