Aktualitet

Konfirmohet aktakuza ndaj ish-shefit të AKI-së dhe dy të akuzuarve tjerë për rastin “Gylenistët”

Published

on

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi si dhe drejtorit të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Sylejmani akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm nga liria. Akuzat ndaj tyre ndërlidhen me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi gjatë vitit 2018.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet janë refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.

“Refuzohen si të pabazuara kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruara nga mbrojtësi i të pandehurit Driton Gashi, nga mbrojtësi i të pandehurit Valon Krasniqi, avokati Ekrem Hoxha, nga mbrojtësi i të pandehurit Rrahman Sylejmani, avokati Flakron Sylejmani, shkak se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat po akuzohen” thuhet në vendimin e Themelores.

Në vendimin e gjykatës thuhet se gjykata pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesave të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës ka gjetur se këto kërkesa janë të pabazuara.

Kurse, gjykata ka aprovuar si të bazuar kundërshtimin e mbrojtësit të të pandehurit Rrahman Sylejmani, avokatit Flakron Sylejmani lidhur me disa prova të propozuara nga PSRK.

“Aprovohet kundërshtimi i mbrojtësit të të pandehurit Rrahman Sylejmani, avokati Flakron Sylejmani për përjashtimin si provë të papranueshme të procesverbaleve të deklaratave të dëshmitarëve Hamit Rukiqi i datës 02.05.2019, dhe me datë 07.11.2019, deklaratat e dëshmitarit Fazli Fazliu e datës 12.03.2019 dhe me datë 01.11.2019, deklaratat e dëshmitarit Ibrahim Mustafa e datës 25.04.2019, deklarata e dëshmitarit Xhemajl Krasniqi e datës 02.04.2019, deklarata e dëshmitarit Shaban Gruda e datës 17.07.2019 dhe e datës 25.11.2019, në bazë të nenit 249 par 3. Të KPPRK-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo gjykatë ka shpallur si prova të papranueshme procesverbalet e deklaratave të dëshmitarëve të lartcekur.

Në arsyetimin e këtij vendimi, gjykata ka theksuar se ka vlerësuar kërkesat e të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës si dhe shkresave tjera të lëndës dhe ka gjetur se provat tjera të cilat të pandehurit kanë kërkuar të shpallen të papranueshme janë marr konform dispozitave të KPPRK-së.

Ndryshe, më 26 prill 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbajtur shqyrtimin e dytë për këtë rast, gjatë të cilës seancë të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre kishin paraqitur kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ish-shefi i AKI, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë hudhjen e aktakuzës ndaj tyre, duke kundërshtuar edhe provat që gjenden në të.

Ndërkaq prokuroja Habibe Salihi kishte kërkuar konfirmimin e aktakuzës, me të cilën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Driton Gashin, Valon Krasniqin dhe Rrahman Sylejmanin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, kurse Sylejmanin edhe për veprën penale të privimit të kundërligjshëm nga liria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas mbrojtësit të të akuzuarit Driton Gashi, avokatit Florent Latifaj, i mbrojturi i tij në asnjë moment nuk i kishte tejkaluar funksionet e tij apo keqpërdorur pozitën zyrtare, ashtu siç është i ngarkuar nga ana e PSRK-së.

“Kur e them këtë e them kemi parasysh sepse funksionet e drejtorit të AKI-së por edhe të agjencisë në përgjithësi edhe janë të përcaktuara me ligjin e AKI-së dhe aty taksativisht në nenin 3 parashihet se cilat veprime janë të ndalume, unë du me ju theksu se asnjërin nga ato veprimet te ndaluara të AKI-së nuk e ka bo Driton Gashi”, ishte shprehur Latifaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Ekrem Hoxha kishte thënë se në kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ka argumentuar dhe paraqitur prova të mjaftueshme, me të cilat vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk ka bërë asgjë përveç se ka zbatuar ligjin.

“I njëjti, në rastet se kur personat në fjalë janë vlerësuar se paraqesin rrezik për sigurinë e shtetit, i ka njoftuar vartësit e tij me përmbajtjen dhe ka kërkuar nga ta sipas procedurave ligjore që të zbatojnë ligjin, dhe zyrtarët tjerë të DSHAM-së në zbatim të ligjit në po të njëjtin gjykim kanë vlerësuar se përmbushet kushti ligjor nga nenin 6 se të njëjtëve duhet t’i revokohet leje qëndrimi dhe këtu përfundon i gjithë tregimi, nuk ka asgjë më shumë dhe asgjë më pak, i mbrojturi im ka zbatuar ligjin dhe kërkojmë që të hudhet kjo aktakuzë”, kishte deklaruar avokati Hoxha gjatë shqyrtimit të dytë.

Edhe avokati Flakron Sylejmani i cili përfaqëson të akuzuarin Rrahman Sylejmani, kishte thënë se i mbrojturi i tij të gjitha veprimet e tij i ka bërë në kuadër të fushëveprimeve të përcaktuara me rregulloren e brendshme të Policisë së Kosovës, si dhe në kuadër të përgjegjësive dhe detyrave që ka ai.

Ai kishte konsideruar se hetimet nga ana e PSRK-së janë bërë në kundërshtim me ligjin, pasi që sipas tij, aktvendimi për zgjerimin e hetimeve në këtë rast ishte paraqitur katër muaj më herët se aktvendimi për fillim të hetimeve.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej datës 23.03.2018, e gjer më 29.03.2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzoj tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, Drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në
Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejtë në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohet se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23.03.2018 dhe gjer më 29.03.2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletudhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, Drejtor i DMH, pranë MPB, më 29.03.2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 (gjashtë) shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99 par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM, ndërsa urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97 par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97 paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtoj të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoj dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzon Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoj kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29 par. 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale, privimi i kundërligjshëm i lirisë nga neni 196 par. lidhur me par. 3 të KPK-së.

Continue Reading

Aktualitet

Papa Leoni XIV në Francë: Mbi 500 mijë besimtarë priten në meshën e Parisit

Published

on

By

Papa Leoni XIV e nis të premten një vizitë katërditore në Francë, e para e një pape në këtë vend në 18 vjet, ndërsa momenti kryesor do të jetë mesha e madhe të shtunën në qendër të Parisit, ku pritet të marrin pjesë më shumë se gjysmë milioni njerëz.

Presidenti Emmanuel Macron e priti Papën në aeroportin “Orly” të premten në mëngjes. Më vonë, ai pritet të zhvillojë bisedime me të në Pallatin Élysée për çështje gjeopolitike dhe inteligjencën artificiale. Macron dhe Papa do të mbajnë gjithashtu një fjalim të përbashkët në Metz, raporton BBC.

Megjithatë, presidenti nuk do të marrë pjesë në asnjë nga meshat e Papës, kryesisht për të respektuar ndarjen e rreptë të shtetit nga feja në Francë. Në meshën në Champs-Élysées do të marrin pjesë bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, dhe kryeministri Sébastien Lecornu. Aty pritet të jenë edhe disa kandidatë për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, mes tyre Marine Le Pen, Edouard Philippe, Gabriel Attal dhe Bruno Retailleau.

Vizita është shoqëruar edhe me raportime për tensione mes Macronit dhe ekipit të Vatikanit që u angazhua për organizimin e saj. Sipas këtyre raportimeve, presidenti francez ishte i pakënaqur me kufizimin e karakterit ceremonial të vizitës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së: Presim të punojmë me Qeverinë dhe Kuvendin për paqen e stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konfirmuar gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet kryesore të vendit.

Përmes një deklarate, nga ambasada amerikane kanë bërë të ditur se mezi presin të punojnë me Qeverinë dhe Kuvendin për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta.

Sipas deklaratës, në fokus të këtij bashkëpunimi do të jenë forcimi i paqes rajonale, stabiliteti si dhe prosperiteti i ndërsjellë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tërmet në Greqi, lëkundjet u ndjenë edhe në Maqedoninë e Veriut

Published

on

By

Një tërmet me intensitet prej III gradësh sipas Shkallës Evropiane të Makroseizmikës është ndier mbrëmë rreth orës 22:18 në Manastir, Resnjë dhe zonat përreth.

Sipas Observatorit Sizmologjik në Shkup, epiqendra e lëkundjeve ishte në Greqi, rreth 120 kilometra në jugperëndim të Shkupit.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar nga ky tërmet.

Continue Reading

Lajmet

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, kryeministri Rama mban sot fjalimin

Published

on

By

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, kryeministri Rama mban sot fjalimin e tij në hapje të debatit

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Asamblenë e Partishme të OKB.

Sot, në rreth 17:00, sipas orës lokale, ai pritet të mbajë fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Rama pritet të flasë në hapje të debatit të Asamblesë së Përgjithshme. Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar në Michigan.

Në axhendën e tij janë parashikuar gjithashtu takime me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe organizatave ndërkombtare.

Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së zhvillohen nga 22 deri më 28 shtator. Në këtë vizitë, kryeministri Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, si dhe nga delegacioni zyrtar.

Gjatë qëndrimit në SHBA një grup shqiptarët kanë protestuar në momentin që kalonte delegacioni shqiptar. Autoritetet amerikane qe garantonin sigurinë e kryeministrit dhe të pranishmeve te tjerë; kane ndaluar një prej protestuesve, i cili hodhi veze në drejtim të delegacionit.

 

Continue Reading

Të kërkuara