Lajmet

Komunitetet kërkojnë më shumë buxhet, Krasniqi thotë se këtë vit janë ndarë 1 milion euro

Në këtë konferencë u diskutuan buxhetet komunale të komunave të Ferizajt, Fushë Kosovës, Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit.

Published

on

Organizatat Syri i Vizionit, Balkan Sunflowers Kosova, Roma and Ashkali Documentation Center dhe Voice of Roma, Ashkali and Egyptians – në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë mbajtur konferencën “Buxheti komunal i planifikuar për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” që ka për qëllim qasjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në implementimin e buxheteve komunale.

Në këtë konferencë u diskutuan buxhetet komunale të komunave të Ferizajt, Fushë Kosovës, Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se për këtë vit janë ndarë 1 milion euro për projekte infrastrukturore për komunitetet në Kosovë. Ai shtoi se nga viti 2021 në këtë ministri është krijuar një program prej 3 milionë eurosh që janë financuar projekte të ndryshme. Ai ka sqaruar se në 30 komuna janë caktuar zyrtarë për mbrojtje nga diskriminimi.

“Planifikimi buxhetor është pjesa më e rëndësishme për përmasimin e jetës. MAPL-ja për vitin 2022 ka ndarë 1 milion euro për projekte infrastrukturore për komunitetet në Kosovë. Në vitin 2021 Kemi krijuar një program të ri vitin e kaluar kanë qenë 3 milion euro që janë financuar projekte të ndryshme, e mira shtesë e këtyre mbështetjeve është që kanë nxitur komunat që të investojnë në zonat që për disa kohë nuk ka pasur investime. Këtë vit kemi financuar mbi 28 projekte dhe do të vazhdojmë edhe vitin tjetër. Në Gjakovë ka qenë një deponi ilegale që kemi filluar ta largojmë nga aty dhe do të krijohet një park. Në 30 komuna janë caktuar zyrtarë për mbrojtje nga diskriminimi. Synimi i Qeverise është nxitja e fokusit për grupet e margjinalizuara. Për ndryshim e situatës nuk mjafton vetëm angazhimi i institucioneve por duhet edhe angazhimi i vetë minoriteteve”, tha ai.

Nita Panduri, drejtoreshë e Administratës në komunën e Pejës, tha se kanë ndarë 200 mijë euro për investime kapitale në pjesët ku jetojnë më shumë komunitete.

“Për vitin e ardhshëm në komunën e Pejës janë ndarë 269 mijë euro buxhet nga të cilat 200 mijë janë për investime kapitale. Në këto 200 mijë euro do të bëhen investime në infrastrukturën në pjesët ku ka më shumë pjesëtarë nga këto komunitete, pjesa më e madhe e ndarë për komunitete është e ndarë për investime kapitale. Ne funksionojmë shumë mirë në këtë aspekt kërkesat e komuniteteve adresohen saktë tek ne”, tha ajo.

Vjosa Shabani, zyrtare për Financa nga komuna e Ferizajt, tha se në këtë komunë çdo vit bëhet rritja e buxhetit për Zyrën për Komunitete dhe Kthim.

“Në çdo vit bëjmë rritje të buxhetit për mallra dhe shërbime në zyrën për komunitete. Zonat ku banojnë komunitete janë zona që nuk është gjendja edhe e mirë. Projektet nuk i kemi të ndara specifikisht sepse janë pjesë e barabartë. Është planifikimi i ndërtimit të rrugicave, ndriçimit, kanalizimit dhe ujësjellësit. Ka shumë më pak kërkesa se sa është nevoja”, tha ajo.

Armend Behluli nga zyra për Komunitete në komunën e Gjakovës, tha se problem është gjendja e kanalizimeve, duke shtuar se nga secila drejtori kur të bëhet ndarje buxhetore një pjesë e ndan edhe për komunitetet.

“Kur kam filluar të punojë në komunë kamë bërë krekës për subvencione. As në Gjakovë nuk kemi pasur subvencione dhe çdo vit kërkojmë që të kemi rritje. Kur të planifikohet buxhet mendoj se ka mundësi për ndarje. Ne kemi arrit me bë që secila drejtori komunale të parasheh mbështetjen e komuniteteve me një shumë të vogël”, tha ai.

Sladjana Laziq, zyrtare nga komuna e Fushë Kosovës tha se në debatet publike ka pak pjesëmarrje nga komunitetet, duke shtuar se problem në këtë komunë është ndërtimi kolektiv i njësive banesore për personat që kthehen në Kosovë.

“Përgjigja është e vogël e qytetarëve në debatet publike. Mendoj që zyra duhet të jetë më e fuqishëm që të ketë mjete dhe t’iu ndihmoj atyre që kanë nevojë. Drejtorit që kanë parë unë mund të them që një breng kur bëhet fjalë që zyrat për kthim kanë probleme. Mendoj se mungon ndërtimi kolektiv i njësive banesorë që tu mundësoj strehim atyre që kthehen. Mendoj se problemet janë të njëjta, por duhet të ndahet më shumë buxhet për raste emergjente për t’u dalë në ndihmë”, deklaroi ajo.

Fehmi Gashi nga komuniteti rom në Fushë Kosovë, tha se komuna në bashkëpunim me organizatat e ndryshme kanë ndërtuar afër 450 shtëpi.

“Jemi afër 1200 familje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas që jetojmë në Fushë-Kosovë dhe 10 mijë banorë. Prej vitit 2002 deri me tash kemi ndërtuar 450 shtëpi për komunitetet në bashkëpunim me organizatat. Janë 650 nxënës të komuniteteve, kemi çerdhe. Ne mundohemi që komuniteteve t’i dalim në ndihmë”, tha ai.

Kadri Mavrja nga Peja, tha se në këtë bashkësi janë dy kuzhina popullore nga të cilat rreth 600 persona furnizohen me ushqim.

“Jemi bashkësi e përzier me komunitete. Në atë bashkësi numri i banorëve nuk jetojnë shumë keq infrastruktura është e mirë, kemi ndriçim, kanalizime. Dua të ju njoftoj që në bashkësinë tonë lokale kemi dy kuzhina popullore, mërgimtarët e ndihmojnë kuzhinën. Nga këto kuzhina 600 persona e marrin ushqimin nga kuzhinat”, tha ai.

Përderisa Mexhat Miroci nga Peja, tha se fokusi kryesor duhet të jetë në shkollimin e komuniteteve.

“Unë mendoj që komuniteti më i rrezikuar është komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Për mua është shumë më rendësi që të fokusohemi tekë shkollimi. Është shumë me rëndësi që të fokusohemi tekë edukimi fillorë. Duhet të gjinden metoda që fëmijët e komuniteteve të shkollohen”, deklaroi ai.

Senda Gushani, aktivist nga Gjakova, tha se është duke u folur se janë duke u kryer punë, por në realitet gjendja është ndryshe.

“Në realitet problemet janë më ndryshe, pa infrastrukturë, pa rrugë, pa asgjë. Thonë se është ndarë buxhet, por s’ka investime. Ka ende lagje në komunë që ende në vitin 2022 s’kanë kanalizim. Komunitetet problemet e tyre duhet t’i adresojnë në drejtorit komunale, kur nuk kanë zgjidhje nga zyra komunale për komunitet dhe kthim”, deklaroi ai.

Në fund të këtij diskutimi u dhanë rekomandime që të rritet buxheti për Zyrat për Komunitete dhe Kthim, po ashtu u kërkua që MAPL-ja të jetë monitoruese me strikte në kohën kur ndahen grandet.

Continue Reading

Lajmet

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Hapen qendrat e votimit në SHBA: Nis beteja zgjedhore me pjesëmarrje masive

Published

on

By

Procesi i votimit për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fazën më intensive, me hapjen e qendrave të votimit nga Bregu Lindor e deri në pjesën qendrore të vendit. Ndërsa miliona qytetarë po u drejtohen kutive të votimit në shtete kyçe si Pennsylvania, Florida, Georgia, Michigan dhe Ohaio, të dhënat zyrtare tregojnë se procesi ka nisur me një pjesëmarrje masive falë votimit të hershëm.

Mbi 58 milionë amerikanë e kanë ushtruar tashmë të drejtën e tyre të votës përmes postës ose personalisht ditët e fundit, duke reflektuar një interesim të lartë në këto zgjedhje përcaktuese.

Këto zgjedhje mbartin një peshë të jashtëzakonshme politike, pasi rezultati i tyre do të përcaktojë kontrollin e Kongresit Amerikan. Republikanët synojnë të mbrojnë shumicën e tyre të ngushtë në të dyja dhomat për të çuar përpara prioritetet legjislative të administratës, ndërsa Demokratët kërkojnë të përmbysin balances e forcave për të marrë në dorë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Vëmendja kryesore mbetet te shtetet e ashtuquajtura “fushëbetejë”, ku gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ngushtë dhe numërimi i votave mund të zgjasë me orë të tëra pas mbylljes së qendrave.

Prirja e garës është shoqëruar edhe me zhvillime të papritura brenda taborëve politikë, veçanërisht në shtetin e Michigan-it. Kongresmenja me përvojë nga radhët e Demokratëve, Haley Stevens, ka shkaktuar reagime të shumta brenda partisë së saj pasi doli publikisht në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Mike Rogers. Stevens e arsyetoi vendimin e saj duke kritikuar fushatën e rivalit demokrat El-Sayed për gjuhë përçarëse dhe qasje përjashtuese. Me qendrat e votimit që vazhdojnë të presin votuesit gjatë gjithë ditës, rezultatet e para zyrtare pritet të fillojnë të rrjedhin vetëm në orët e vona të mbrëmjes. /BBC/ – /REUTERS/ foto

 

Continue Reading

Lajmet

Policia do t’i kthejë patentat e shoferëve të mbajtura më gjatë se 8 ditë, pas vendimit të Supremes

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht për më shumë se afati ligjor prej tetë ditësh, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas Policisë, vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por përcakton se patentat fizike të shoferëve mund të mbahen për një periudhë maksimale prej tetë ditësh.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.

Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit duhet ta respektojnë atë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Kontrollet në trafikun rrugor do të vazhdojnë, ndërsa masat mbrojtëse, pikët negative dhe kufizimet e tjera ligjore do të verifikohen përmes evidencave përkatëse.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara