Botë

Kim: Arsenali bërthamor i SHBA-së paraqet kërcënim për ne

Published

on

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka vizituar bazat raketore për të inspektuar gatishmërinë e tyre për ndërmarrjen e veprimeve për “parandalim strategjik”, teksa tha se aftësitë bërthamore të Shteteve të Bashkuara janë kërcënim në rritje për shtetin e tij, raportoi media shtetërore koreanoveriore, KCNA.

Arsenali strategjik bërthamor i SHBA-së paraqet “një kërcënim gjithnjë e në rritje” për mjedisin e sigurisë të Koresë së Veriut dhe kjo gjë kërkon që Pheniani të mbajë një pozicion të rreptë kundërveprimi të forcave të saj bërthamore, citohet të ketë thënë Kim, sipas KCNA-së.

Koreja e Veriut është duke intensifikuar zhvillimin e raketave balistike dhe të arsenalit bërthamor, duke nxitur sanksione ndërkombëtare, dhe shteti po ashtu është duke krijuar raporte më të ngushta ushtarake me Rusinë.

Vizita e Kimit në bazat ushtarake vjen në kohën e rritjes së tensioneve të shtetit të tij me Korenë e Jugut dhe aleatëve të saj. Këtu përfshihen edhe pretendimet e Seulit se Koreja e Veriut ka dislokuar ushtarë në Rusi për të luftuar në Ukrainë, pretendim që është mohuar nga Pheniani.

Këshilltari për siguri kombëtare i Koresë së Jugut, Shin Won-sik, dhe kreu i byrosë të sigurisë kombëtare të Polonisë, Jacek Siewiera, gjatë një takimi në Seul shprehën shqetësimin e tyre lidhur me bashkëpunimin ushtarak mes Phenianit dhe Moskës.

Dy zyrtarët u pajtuan për bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar sa i përket kësaj çështjeje, njoftoi Zyra presidenciale në Korenë e Jugut.

Sipas KCNA-së, Kimi po ashtu bëri thirrje për modernizimin e forcave të armatosura dhe që në të ardhmen t’i jepet prioritet raketave strategjike, duke kërkuar “një parim të rëndësishëm të strategjisë për ndërtimin e mbrojtjes kombëtare”.

KCNA-ja nuk tregoi se cilat baza ushtarake i vizitoi lideri i Koresë së Veriut.

Aktualitet

Alarm nga OBSH: Europa rrezikohet nga javë edhe më vdekjeprurëse si pasojë e valës së re të të nxehtit ekstrem

Published

on

By

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar një paralajmërim emergjent se Europa mund të përballet me javë akoma më vdekjeprurëse gjatë kësaj vere.

Sipas një raportimi të agjencisë së lajmeve Reuters të martën, një tjetër valë e të nxehtit intensiv tashmë po formohet mbi Oqeanin Atlantik dhe pritet të godasë kontinentin, ku temperaturat në Portugali dhe në Spanjën jugore parashihet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në ditët e ardhshme.

Përballë këtij rreziku, drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, ka zhvilluar një takim emergjent me përfaqësues nga 41 vende të rajonit, Komisionin Europian dhe grupet e shoqërisë civile për të diskutuar mësimet e nxjerra nga vala e kaluar dhe përgatitjet për këtë të radhës. Kluge bëri të ditur se vendet që posedojnë plane shëndetësore veprimi reaguan dukshëm më shpejt dhe arritën ta mbrojnë më mirë popullsinë e tyre gjatë valës së nxehtësisë së qershorit. Megjithatë, shqetësues mbetet fakti se më pak se gjysma e shteteve anëtare europiane të OBSH-së kanë plane të tilla në dispozicion.

Ekspertët dhe shkencëtarët kanë konfirmuar se vala e nxehtësisë e regjistruar midis 20 dhe 28 qershorit, ku temperaturat shkuan në 40 gradë Celsius në disa pjesë të Europës, ishte më e rënda e dokumentuar ndonjëherë dhe erdhi pothuajse me siguri të plotë si pasojë e ndryshimeve klimatike. Ky mot ekstrem shkaktoi reduktime të rrymës, dëmtoi infrastrukturën dhe mbingarkoi sistemet shëndetësore, duke lënë pas vetes të paktën 3.700 vdekje të lidhura me motin vetëm në Francë, Holandë dhe Belgjikë, shifra këto që mbeten paraprake dhe mund të rriten.

Drejtuesi i OBSH-së tërhoqi vëmendjen se kategoritë më të ndjeshme, si banorët e qendrave të kujdesit, të pastrehët dhe të moshuarit e izoluar, ende nuk po marrin kujdesin e duhur në vazhdimësi në mbarë Europën. Sipas tij, puna tani duhet të përqendrohet urgjentisht në dy fronte: rregullimi i asaj që dështoi javët e kaluara përpara se të godasë vala e re, si dhe ndërtimi i sistemeve shëndetësore që janë plotësisht të gatshme t’i përgjigjen nxehtësisë ekstreme. /Reuters/ /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

NATO do të investojë 40 miliardë dollarë në mbrojtjen kundër dronëve

Published

on

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar se vendet anëtare të aleancës do të investojnë më shumë se 40 miliardë dollarë në zhvillimin e kapaciteteve kundër dronëve gjatë pesë viteve të ardhshme.

Deklarata e Ruttes u bë në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s në Ankara, ku ai prezantoi disa nga prioritetet e reja të aleancës në fushën e sigurisë.

Investimi vjen në një kohë kur lufta me dronë është shndërruar në një nga elementët kryesorë të konfliktit në Ukrainë. Rusia dhe Ukraina po përdorin qindra dronë çdo ditë në sulme ndaj njëra-tjetrës.

Forca Ajrore e Ukrainës ka bërë të ditur se 351 dronë rusë u drejtuan ndaj territorit ukrainas të dielën në mbrëmje, ndërsa zyrtarët rusë raportuan se më shumë se 430 dronë ukrainas u lëshuan drejt rajonit të Moskës gjatë natës.

Ndërkohë, vendet e NATO-s janë përballur edhe me raste të ndërhyrjeve të dronëve rusë në hapësirën e tyre ajrore gjatë luftës.

Muajin e kaluar, avionë luftarakë nga misioni i policimit ajror të NATO-s në Baltik rrëzuan një dron mbi Letoni, i cili sipas aleancës ishte rezultat i luftës elektronike ruse./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shpërthime në Damask, Macron i sigurt gjatë vizitës në Siri

Published

on

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është i sigurt pas raportimeve për shpërthime në qendër të Damaskut të martën në mëngjes, ka njoftuar Pallati Elysee.

Macron ndodhet në kryeqytetin sirian për një takim me homologun e tij sirian, Ahmed al-Sharaa, në pallatin presidencial. Sipas një burimi të sigurisë për BBC, shpërthimet janë shkaktuar nga dy mjete shpërthyese, ndërsa disa persona kanë mbetur të plagosur.

Pallati Elysee ka bërë të ditur se vizita e Macronit në Siri po vazhdon sipas planit. Pas përfundimit të saj, presidenti francez pritet të udhëtojë drejt Turqisë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

Pas shpërthimeve, në rrjetet sociale janë publikuar pamje të tymit dhe flakëve që ngriheshin nga një automjet pranë një hoteli në kryeqytetin sirian.

Televizioni shtetëror sirian raportoi se, në kohën kur u publikuan lajmet për shpërthimet, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa kishte pritur Macronin në pallatin presidencial.

Ekipi i BBC-së, duke analizuar pamjet e publikuara, ka vlerësuar se shpërthimet ndodhën rreth 125 metra larg hotelit “Four Seasons”, në trotuarin e rrugës Shoukry al-Quowatly, një nga akset kryesore të Damaskut.

Sipas zyrtarëve francezë, Macron nuk ka dëgjuar asnjë shpërthim gjatë rrugës për në takimin me presidentin sirian./A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Trump pritet t’i sinjalizojë Turqisë rikthimin në programin e avionëve F-35

Published

on

By

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të sinjalizojë këtë javë në Turqi se është i gatshëm t’i shesë këtij shteti avionë luftarakë F-35.

Kjo gatishmëri e presidentit të SHBA-së, siç raporton New York Times, pritet të bëhet gjatë samitit të NATO-s që mbahet në Ankara të Turqisë.

Ky veprim do të ishte gjesti më i madh deri më tani nga Trump, i cili po udhëton për në Ankara për të marrë pjesë në këtë samit të Aleancës veri-atlanike.

Trump e sheh presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan si një aleat të ngushtë dhe të dy vendet kanë gëzuar marrëdhënie më të ngrohta që kur Trump u rikthye në detyrë vitin e kaluar.

Mbetet e paqartë se si saktësisht planifikon Trumpi që të anashkalojë ndalimin e Kongresit për shitjen e avionëve luftarakë.

Trump e kishte ndaluar Turqinë të blinte avionët F-35 të prodhuar në Amerikë në vitin 2019, pasi vendi bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore të quajtur S-400. /NYT//E.A/

Continue Reading

Të kërkuara