Lajmet

Këshillat kundër rrahjeve të çrregullta të zemrës

Lajmi i mirë është që jo të gjitha rastet e rrahjeve të shpeshta të zemrës janë një tregues i një problemi shëndetësor.

Published

on

A e keni përjetuar ndonjëherë ndjesinë sikur zemra do t’ju dalë nga kraharori?

Po ndjesinë e zemrës që sikur resht së rrahuri për një sekond?

Ajo për të cilën po flasim në këtë artikull ka të bëjë me rrahjet e shpeshta dhe të çrregullta të zemrës, një fenomen që zgjat krejt pak, por që mund të ndodhë shpesh, jo vetëm kur jeni në lëvizje, por edhe kur jeni ulur, shtrirë ose duke qëndruar në heshtje.

Lajmi i mirë është që jo të gjitha rastet e rrahjeve të shpeshta të zemrës janë një tregues i një problemi shëndetësor që ka prekur këtë organ.

Ndonjëherë, rrahjet e shpeshta të zemrës shkaktohen nga situatat kur zemra sforcohet nga stresi, sëmundjet, dehidratimi ose aktiviteti fizik. Shkaqe të tjera të rrahjeve të shpeshta të zemrës përfshijnë:

  • Shtatëzania
  • Përdorimi i tepruar i kafeinës
  • Simptoma të tjera mjekësore
  • Marrja e ilaçeve
  • Duhani dhe produktet e tij

Vazhdoni të lexoni këtë artikull dhe mësoni për pesë mënyrat më të mira se si mund të mbani nën kontroll rrahjet e çrregullta dhe të shpejta të zemrës në kushtet e shtëpisë, ose kur ju duhet të vizitoni një mjek, dhe mbi të gjitha për pasjen e një zemre të shëndetshme.

1. Provoni teknikat e vetëqetësimit

Stresi mund të shkaktojë ose përkeqësojë rrahjet e çrregullta të zemrës. Stresi dhe ekzaltimi i tepërt mund të rrisin nivelet e adrenalinës. Menaxhimi i stresit nëpërmjet vetë-qetësimit ju vjen në ndihmë.

Provoni të qëndroni ulur me këmbë të kryqëzuara dhe merrni frymë ngadalë me hundë dhe nxirreni nëpërmjet gojës. Përsëriteni këtë ushtrim disa herë deri sa të ndiheni më të qetë.

2. Ushtrimet për stimujt nervorë

Nervi vagus luan një sërë funksionesh përfshirë atë të ndërlidhjes së trurit me zemrën.

Ushtrimet që kanë të bëjnë me këtë nerv e stimulojnë atë dhe ndihmojnë në rregullimin e rrahjeve të zemrës. Stimujt nervorë mund t’i bëni në shtëpi, por së pari duhet të merrni mendimin e mjekut.

Bëni një dush të ftohtë. Shpëlajeni fytyrën me ujë të ftohtë ose vendosni mbi të një peshqir të lagur me ujë të ftohtë apo një kompresë për 20-30 sekonda. Shoku i të ftohtit ndihmon në stimulimin e këtij nervi.

3. Pini ujë

Dehidratimi mund të shkaktojë rrahje të çrregullta të zemrës, sepse gjaku përmban ujë dhe kur jeni të dehidratuar, gjaku trashet më shumë. Sa më i trashë gjaku, aq më fort duhet të punojë zemra ta dërgojë atë nëper vena.

Pulsi shtohet dhe rrahjet janë më të çrregullta dhe më të shpejta. Nëse e ndieni një gjë të tillë, pini një gotë me ujë. Nëse vini re se urina ka një ngjyrë të verdhë të errët, atëherë pini më shumë ujë për të shmangur rrahjet e shpeshta të zemrës.

4. Riktheni ekuilibrat e elektroliteve

Elektrolitet ndihmojnë në transmetimin e sinjaleve në të gjithë trupin. Disa prej elektroliteve që i bëjnë mirë zemrës janë: Kaliumi, Kalciumi, Magnezi. Shumica e këtyre elektroliteve merren më mirë nëpërmjet ushqimit.

Avokado, banania, patatja e ëmbël dhe spinaqi janë burime shumë të mira të kaliumit. Nëse dëshironi të rrisni dozën e kalciumit, konsumoni më shumë barishte me ngjyrë të gjelbër dhe produkte bulmeti.

Barishtet së bashku me arrorët dhe peshkun janë një burim i shkëlqyer i magnezit. Kujdes me kripën. Shumë njerëz marrin më shumë kripë nëpërmjet ushqimeve të paketuara, produkteve të mishit dhe ushqimeve të shpejta.

5. Shmangni stimuluesit

Zemra është e ndjeshme ndaj substancave të ndryshme.

Pijet dhe ushqimet me kafeinë

Alkoli i tepërt

Disa ilaçe kundër të ftohtit dhe kollës

Ilaçet kundër oreksit

Ilaçet kundër sëmundjeve mendore

Ilaçet kundër tensionit të lartë të gjakut.

Këto janë gjërat nga të cilat duhet të hiqni dorë ose të konsumoni më pak, nëse dëshironi që zemra të rrahë siç duhet./AgroWeb.org

Lajmet

Nëntë raste të dhunës në familje brenda dy ditësh në Kosovë

Published

on

Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të dhunës në familje në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjakovë, Rahovec, Vushtrri dhe Zubin Potok. Në disa prej tyre, të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa disa të tjerë ndodhen në arrati ose janë shpallur në kërkim.

Në Prishtinë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Po ashtu, në Prishtinë është raportuar një rast i kanosjes nga ish-bashkëshorti, i cili, përmes rrjeteve sociale, i kishte dërguar viktimës dhe familjarëve të saj mesazhe kërcënuese. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari, që jeton jashtë vendit, është futur në kërkim të policisë.

Në Fushë Kosovë, një burrë ka raportuar se është përballur me dhunë psikike nga djali i tij. Rasti po hetohet në procedurë të rregullt.

Në Ferizaj, një grua është sulmuar fizikisht nga partneri me të cilin bashkëjeton. I dyshuari nuk është takuar nga policia dhe ndodhet në arrati.

Ndërkaq, në Gjakovë janë raportuar tri raste. Në rastin e parë, një grua ka pranuar mesazhe kërcënuese nga djali i saj, i cili ndodhet jashtë vendit, dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës. I dyshuari është futur në kërkim të policisë.

Në rastin e dytë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në rastin e tretë, një grua ka raportuar se partneri i saj, për shkak të xhelozisë, i ka shkaktuar vazhdimisht dhunë psikike. Ajo është kthyer te familja me dëshirën e saj, ndërsa i dyshuari nuk është takuar dhe ndodhet në arrati.

Në Rahovec, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht babanë e tij. Të dy kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Një rast tjetër është raportuar në Vushtrri, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Policia ka sekuestruar dy pistoleta, një pushkë ajrore dhe shtatë fishekë, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Zubin Potok, një grua është fyer dhe kanosur përmes rrjeteve sociale nga ish-bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Policia dhe prokuroria po vazhdojnë trajtimin e rasteve sipas procedurave ligjore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Filmi kosovar “Shame and Money” prezantohet në mbrëmjen hapëse të festivalit në Hagë

Published

on

Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, është prezantuar në mbrëmjen hapëse të festivalit Eastern Neighbours Film Festival (ENFF), në Hagë të Holandës, duke sjellë kinematografinë kosovare para publikut ndërkombëtar.

Mbrëmja u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë, e cila kontribuoi në organizimin dhe promovimin e kulturës kosovare gjatë këtij aktiviteti.

Programi nisi me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së festivalit, Kostana Banovic, ndërsa u pasurua me një performancë muzikore nga pianisti kosovar Arben Ramadani, muzika e të cilit ndërthuri ndikime nga folklori shqiptar.

Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin filmin “Shame and Money”, i cili trajton historinë e një familjeje nga Kosova, përballë vështirësive ekonomike dhe pasojave të një tradhtie brenda familjes, që rrezikon jetesën e saj.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it në Prizren, i cili në këtë edicion ishte pjesë e jurisë së festivalit në kategorinë e talenteve të rinj.

Mbrëmja u përmbyll me një pritje për të ftuarit, ku u prezantuan edhe ushqime tradicionale dhe verëra nga Kosova.

Përmes këtij aktiviteti, kinematografia dhe kultura kosovare u prezantuan para publikut në Hagë, ndërsa pjesëmarrja e profesionistëve nga Kosova në festival kontribuoi në forcimin e lidhjeve me skenën ndërkombëtare të filmit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Google prezanton dy procesorë të rinj për inteligjencën artificiale, synon të sfidojë Nvidia-n

Published

on

Kompania teknologjike Google ka prezantuar dy sisteme të reja procesorësh për inteligjencën artificiale, duke zgjeruar përpjekjet për të konkurruar me Nvidia-n në tregun global të çipave të avancuar për IA, raporton Reuters.

Sistemet e reja, të emërtuara “TPU 8tx” dhe “TPU 8i Max”, janë versione të specializuara të njësive të përpunimit tensorik (TPU) të gjeneratës së tetë të Google dhe janë projektuar për nevoja të ndryshme të kompanive dhe institucioneve që përdorin inteligjencën artificiale.

“TPU 8tx” synon kryesisht institucionet qeveritare dhe kompanitë që operojnë në sektorë të rregulluar, ku mbrojtja e të dhënave konfidenciale është thelbësore. Sistemi përfshin teknologji sigurie të integruar në nivelin e pajisjeve, e cila mbron informacionin dhe parametrat e modeleve të IA-së edhe gjatë përpunimit.

Sipas Google, “TPU 8tx” mund të ofrojë deri në dyfishin e shpejtësisë në disa operacione, krahasuar me paraardhësin “TPU 8t”, pa ndikim të ndjeshëm në performancë nga masat shtesë të sigurisë.

Ndërkaq, “TPU 8i Max” është projektuar për aplikacione që duhet të përpunojnë sasi të mëdha informacioni njëkohësisht, si asistentët e programimit, analizat matematikore, kërkimet shkencore dhe zbulimi i barnave të reja.

Ky sistem bashkon dy procesorë “TPU 8i” në një paketë të vetme, duke dyfishuar fuqinë përpunuese, memorien e integruar dhe kapacitetin e memories me gjerësi të lartë brezi.

Google synon që procesorët e saj të përdoren gjithnjë e më shumë edhe nga klientë të jashtëm, përtej produkteve të kompanisë, si motori i kërkimit, YouTube dhe modelet Gemini. Për këtë qëllim, kompania po i ofron përmes shërbimeve Google Cloud, si dhe drejtpërdrejt për instalim në qendrat e të dhënave të klientëve.

Zgjerimi në këtë sektor vjen në një kohë kur kërkesa për kapacitete kompjuterike të inteligjencës artificiale po rritet me shpejtësi dhe kompanitë e mëdha teknologjike po investojnë në zhvillimin e çipave të tyre, për të zvogëluar varësinë nga furnizuesit e jashtëm.

Sipas të dhënave të Alphabet, kompania mëmë e Google, të ardhurat e Google Cloud arritën në 30.71 miliardë dollarë në tremujorin e tretë, duke shënuar rritje prej 103 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Shitjet e sistemeve TPU kontribuuan në këto rezultate.

Pas njoftimit, aksionet e Alphabet u rritën me më shumë se 3 për qind në orët e para të tregtimit në bursën amerikane.

Nvidia vazhdon të jetë një nga aktorët kryesorë në tregun e procesorëve për inteligjencën artificiale, por zhvillimi i çipave të personalizuar nga Google dhe kompanitë e tjera të mëdha teknologjike po shton konkurrencën në këtë industri.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci dhe ambasadori i BE-së diskutojnë për trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin e turizmit

Published

on

Ministrja Saranda Bogujevci dhe zëvendësministrja Nora Arapi Krasniqi kanë pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.

Gjatë takimit u diskutua për promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, zhvillimin e turizmit dhe pjesëmarrjen e vendit në programin “Evropa Kreative”, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Ministrja Bogujevci theksoi rëndësinë e mbështetjes evropiane dhe avancimit të projekteve në fushën e kulturës dhe turizmit.

Ndërkaq, ambasadori Schuebel ritheksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj së ardhmes evropiane të Kosovës, duke theksuar se mbështetja e BE-së përfshin edhe zhvillimin e kulturës dhe turizmit në vend.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara