Lajmet

Këshillat kundër rrahjeve të çrregullta të zemrës

Lajmi i mirë është që jo të gjitha rastet e rrahjeve të shpeshta të zemrës janë një tregues i një problemi shëndetësor.

Published

on

A e keni përjetuar ndonjëherë ndjesinë sikur zemra do t’ju dalë nga kraharori?

Po ndjesinë e zemrës që sikur resht së rrahuri për një sekond?

Ajo për të cilën po flasim në këtë artikull ka të bëjë me rrahjet e shpeshta dhe të çrregullta të zemrës, një fenomen që zgjat krejt pak, por që mund të ndodhë shpesh, jo vetëm kur jeni në lëvizje, por edhe kur jeni ulur, shtrirë ose duke qëndruar në heshtje.

Lajmi i mirë është që jo të gjitha rastet e rrahjeve të shpeshta të zemrës janë një tregues i një problemi shëndetësor që ka prekur këtë organ.

Ndonjëherë, rrahjet e shpeshta të zemrës shkaktohen nga situatat kur zemra sforcohet nga stresi, sëmundjet, dehidratimi ose aktiviteti fizik. Shkaqe të tjera të rrahjeve të shpeshta të zemrës përfshijnë:

  • Shtatëzania
  • Përdorimi i tepruar i kafeinës
  • Simptoma të tjera mjekësore
  • Marrja e ilaçeve
  • Duhani dhe produktet e tij

Vazhdoni të lexoni këtë artikull dhe mësoni për pesë mënyrat më të mira se si mund të mbani nën kontroll rrahjet e çrregullta dhe të shpejta të zemrës në kushtet e shtëpisë, ose kur ju duhet të vizitoni një mjek, dhe mbi të gjitha për pasjen e një zemre të shëndetshme.

1. Provoni teknikat e vetëqetësimit

Stresi mund të shkaktojë ose përkeqësojë rrahjet e çrregullta të zemrës. Stresi dhe ekzaltimi i tepërt mund të rrisin nivelet e adrenalinës. Menaxhimi i stresit nëpërmjet vetë-qetësimit ju vjen në ndihmë.

Provoni të qëndroni ulur me këmbë të kryqëzuara dhe merrni frymë ngadalë me hundë dhe nxirreni nëpërmjet gojës. Përsëriteni këtë ushtrim disa herë deri sa të ndiheni më të qetë.

2. Ushtrimet për stimujt nervorë

Nervi vagus luan një sërë funksionesh përfshirë atë të ndërlidhjes së trurit me zemrën.

Ushtrimet që kanë të bëjnë me këtë nerv e stimulojnë atë dhe ndihmojnë në rregullimin e rrahjeve të zemrës. Stimujt nervorë mund t’i bëni në shtëpi, por së pari duhet të merrni mendimin e mjekut.

Bëni një dush të ftohtë. Shpëlajeni fytyrën me ujë të ftohtë ose vendosni mbi të një peshqir të lagur me ujë të ftohtë apo një kompresë për 20-30 sekonda. Shoku i të ftohtit ndihmon në stimulimin e këtij nervi.

3. Pini ujë

Dehidratimi mund të shkaktojë rrahje të çrregullta të zemrës, sepse gjaku përmban ujë dhe kur jeni të dehidratuar, gjaku trashet më shumë. Sa më i trashë gjaku, aq më fort duhet të punojë zemra ta dërgojë atë nëper vena.

Pulsi shtohet dhe rrahjet janë më të çrregullta dhe më të shpejta. Nëse e ndieni një gjë të tillë, pini një gotë me ujë. Nëse vini re se urina ka një ngjyrë të verdhë të errët, atëherë pini më shumë ujë për të shmangur rrahjet e shpeshta të zemrës.

4. Riktheni ekuilibrat e elektroliteve

Elektrolitet ndihmojnë në transmetimin e sinjaleve në të gjithë trupin. Disa prej elektroliteve që i bëjnë mirë zemrës janë: Kaliumi, Kalciumi, Magnezi. Shumica e këtyre elektroliteve merren më mirë nëpërmjet ushqimit.

Avokado, banania, patatja e ëmbël dhe spinaqi janë burime shumë të mira të kaliumit. Nëse dëshironi të rrisni dozën e kalciumit, konsumoni më shumë barishte me ngjyrë të gjelbër dhe produkte bulmeti.

Barishtet së bashku me arrorët dhe peshkun janë një burim i shkëlqyer i magnezit. Kujdes me kripën. Shumë njerëz marrin më shumë kripë nëpërmjet ushqimeve të paketuara, produkteve të mishit dhe ushqimeve të shpejta.

5. Shmangni stimuluesit

Zemra është e ndjeshme ndaj substancave të ndryshme.

Pijet dhe ushqimet me kafeinë

Alkoli i tepërt

Disa ilaçe kundër të ftohtit dhe kollës

Ilaçet kundër oreksit

Ilaçet kundër sëmundjeve mendore

Ilaçet kundër tensionit të lartë të gjakut.

Këto janë gjërat nga të cilat duhet të hiqni dorë ose të konsumoni më pak, nëse dëshironi që zemra të rrahë siç duhet./AgroWeb.org

Lajmet

Osmani pret në takim Kryeministrin Edi Rama, diskutohet bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku u fokusuan mbi zhvillimet rajonale dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Sipas Presidentes Osmani, një nga temat kryesore të diskutimit ishte “koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike”.

Liderët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si një faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, si dhe rolin konstruktiv të dy shteteve në iniciativa ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe dialogun.

Diskutimet përfshinë gjithashtu bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes dhe angazhimin e përbashkët në iniciativa globale që mbështesin sigurinë dhe vlerat demokratike.

Në takim u riafirmua gjithashtu vullneti për thellimin e partneritetit ekonomik dhe realizimin e projekteve të përbashkëta që sjellin përfitime direkte për qytetarët e të dy vendeve. Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e konsideruar këtë një përparim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.

Në përmbyllje, Kryeministri Rama e uroi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

Sipas programit zyrtar, në ora 15:00, Kryeministri Rama do të zhvillojë edhe një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Continue Reading

Lajmet

UBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit

Published

on

By

Në një ceremoni solemne të mbajtur në Parkun Edukativ, Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik – UBT Smart City, UBT – Higher Education Institution shpalli ndarjen e “Dekoratës Jetësore të Nderit – Life Long Honor Decoration” për Familjen Jashari, në shenjë mirënjohjeje për guximin, rezistencën heroike dhe sakrificën e tyre në luftën për liri, drejtësi dhe pavarësi. Dekorata iu dorëzua Rifat Jashari, si përfaqësues i familjes, duke bërë këtë një akt institucional nderimi dhe respekti moral para historisë.

Presidenti i UBT-së, Edmond Hajrizi, gjatë fjalës së tij me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25-vjetorit të themelimit të UBT-së, theksoi se Familja Jashari simbolizon sakrificën sublime për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ai citoi ish-administratorin ndërkombëtar Bernard Kouchner:

“Sikur të kishte Çmim Nobel të Lirisë, ai do t’i takonte Familjes Jashari.”

Tutje, Hajrizi shtoi: “Me flijimin e familjes Jashari, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, kjo familje i dha Kosovës lirinë dhe vendosi standardin moral; se liria nuk fitohet pa gjak, se dinjiteti nuk mbrohet pa sakrificë dhe se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi kujtesën tonë kombëtare e historike.”

Në fjalën e tij, Hajrizi theksoi edhe rrugëtimin 25-vjeçar të UBT-së, duke e konsideruar universitetin një akt besimi në të ardhmen e vendit dhe një përgjigje ndaj nevojës për arsim cilësor me standarde ndërkombëtare. Ai vuri në pah rangimet dhe sukseset ndërkombëtare të UBT-së, duke theksuar se liria merr kuptim të plotë vetëm kur shndërrohet në dije, punë dhe vizion.

UBT, gjatë 25 viteve të saj, ka edukuar mijëra të rinj në Kosovë, ka dhënë kontribut shkencor dhe inovativ në nivel global, dhe ka marrë pjesë aktive në ndërtimin e institucioneve dhe organizatave të vendit. Bazuar në këto rezultate, UBT është përzgjedhur si universiteti më i mirë në botë për angazhimin dhe impaktin në shoqëri nga Organizata Botërore për Rankimin e Universiteteve, duke lënë pas universitete shumë prestigjioze ndërkombëtare.

Institucione të njohura ndërkombëtare që e kanë vlerësuar UBT-në për performancën dhe inovacionin përfshijnë: SCImago Institutions Rankings, World University Rankings for Innovation (WURI), Association of Chartered Certified Universities (ACCU), Times Higher Education.

Hajrizi përfundoi ceremoninë duke rikujtuar rëndësinë e trashëgimisë historike dhe duke theksuar përgjegjësinë e UBT-së për të vazhduar misionin e edukimit të brezave të rinj.

 

Continue Reading

Lajmet

NEWBORN 18 me frymë Kintsugi

Published

on

By

NEWBORN Monument ka marrë një pamje të re për 18-vjetorin e pavarësisë, duke u shndërruar në një vepër që flet për plagët, sfidat dhe forcën e një shteti të ri. Në zemër të Prishtinës, simboli i pavarësisë këtë vit vjen me konceptin “NEWBORN 18”, i frymëzuar nga arti japonez Kintsugi – teknika që i kthen thyerjet në vlerë përmes arit.

Autori i monumentit, Fisnik Ismaili, thekson se ideja pas transformimit lidhet me rrugëtimin e Kosovës ndër vite. Ashtu si në Kintsugi, ku plasaritjet nuk fshihen por theksohen me ar, edhe sfidat e një shoqërie mund të shndërrohen në forcë dhe identitet.

Monumenti aktualisht është ende në proces përfundimi, i rrethuar me skelet mbështetëse, ndërsa ngjyrat dhe motivet artistike i kanë dhënë një dimension të ri vizual. Veçanërisht bie në sy shkronja “R”, ku çarjet e arta simbolizojnë “ngjitjen” e plagëve – një metaforë e qartë se përvoja dhe sakrifica e bëjnë një komb më të fortë.

Që nga zbulimi më 17 shkurt 2008, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, NEWBORN është rilyer çdo vit, duke reflektuar tema që lidhen me njohjet ndërkombëtare, migrimin dhe integrimin evropian. Nga e verdha e ndezur e fillimit, deri te konceptet më të thelluara sociale e politike, ai ka mbetur një pasqyrë artistike e realitetit të vendit.

Me “NEWBORN 18”, mesazhi është i fuqishëm dhe i qartë: plagët nuk fshihen- ato ndriçohen. Dhe nëpërmjet tyre, Kosova vazhdon të ndërtojë identitetin e saj, duke e kthyer çdo sfidë në vlerë.

Continue Reading

Lajmet

Edi Rama në vizitë zyrtare në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 16.02.2026, një ditë para shënimit të Pavarësisë së Kosovës, në vend do të qëndrojë për vizitë zyrtare Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë qëndrimit të tij, Policia e Kosovës do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për menaxhimin e trafikut. Për shkak të lëvizjes së eskortës nga Aeroporti dhe zhvillimit të aktiviteteve sipas agjendës zyrtare, pritet të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, me mundësi devijimi në rrugë alternative.

Mirëpo, ende nuk është bërë e ditur se kush nga krerët institucional në Kosovë do ta pres në takim Kryeministrin Rama.

Continue Reading

Të kërkuara