Lajmet

REL: NATO përgënjeshtron Rusinë për militarizimin e Ballkanit Perëndimor

Published

on

Teksa Moska pretendon se Aleanca ushtarake perëndimore po militarizon Ballkanin Perëndimor me qëllim përballjen me Rusinë dhe se Perëndimi po minon sigurinë në Bosnjë e Hercegovinë, nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian vijnë mesazhe të kundërta, duke theksuar se prania ndërkombëtare në vend ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit, e jo krijimin e konflikteve.

Megjithatë, nga NATO thonë se po vërejnë trendë shqetësues në Ballkanin Perëndimor, para së gjithash kërcënimet secesioniste në Bosnjë e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, si dhe ngecjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Vendet autoritare si Rusia përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, duke shfrytëzuar dobësitë e brendshme në rajon për të përhapur përçarje. Çdo ndërhyrje e jashtme në proceset e brendshme demokratike është e papranueshme. Kjo përfshin hakimin, kërcënimet informative, frikësimin dhe aktivitete të tjera destabilizuese”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) një zyrtar i NATO-s.

Pretendimet për militarizimin dhe destabilizimin e rajonit u paraqitën në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në mars, të mbajtur në Vjenë, ku përfaqësuesja ruse Iulia Zhdanova deklaroi se aktiviteti ushtarak dhe politik i NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor vazhdon të shkaktojë shqetësim të thellë.

Tema e takimit ishte zbatimi i Marrëveshjes për Kontrollin e Armëve, e cila buron nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit dhe i referohet Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.

Zhdanova tha se aktivitetet e NATO-s e minojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe drejtpërdrejt Nenin 4 për kontrollin e armëve.

Në kundërshtim me pretendimet e Rusisë, Bashkimi Evropian në një deklaratë të përbashkët pas takimit të OSBE-së theksoi se Marrëveshja për kontrollin subrajonal të armëve tashmë prej tre dekadash kontribuon në stabilitetin e rajonit, veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë.

Pretendime të pabaza ruse

Delegacioni rus gjatë fjalimit në Vjenë tha se “natyra e përgjithshme krize e situatës së brendshme politike është e përcaktuar nga roli destabilizues i vendeve perëndimore, të cilat ndërhyjnë në punët e Bosnjë e Hercegovinës sovrane, duke nxitur artificialisht tensione ndëretnike”.

Rusia akuzoi vendet perëndimore se duan të shkatërrojnë “sistemin e balancuar” të vendosur në Dejton, si dhe se synojnë ta riformatojnë Bosnjë e Hercegovinën sipas standardeve të tyre, duke shkelur interesat e popujve në këtë shtet.

Zhdanoa për “destabilizimin e situatës” fajësoi po ashtu edhe përfaqësuesin e lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, të cilin Rusia e konsideron jolegjitim, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë që as nuk ka qenë e nevojshme.

Përfaqësuesin e lartë e emëron Këshilli për Zbatimin e Paqes (PIC) në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që është bërë edhe në rastin e përfaqësuesit aktual të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Schmidt.

“Jemi të bindur për domosdoshmërinë e mbylljes urgjente dhe pa kushte të institucionit të protektoratit të huaj në Bosnjë e Hercegovinë”, tha përfaqësuesja ruse, duke fajësuar Perëndimin edhe për ndërprerjen e financimit rus të PIC-it, si dhe për mospjesëmarrjen në punën e këtij institucioni.

Për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, Bosnjë e Hercegovina duhet të përmbushë 5+2 kushte dhe objektiva, ndër të cilat janë ndarja e pronës ndërmjet shtetit dhe niveleve të tjera të pushtetit, zgjidhja për pronën ushtarake, zbatimi i vendimit përfundimtar për Distriktin e Bërçkos, qëndrueshmëria fiskale e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe sundimi i ligjit, kushte që vendi ende nuk i ka përmbushur.

Analisti ushtarak Gjuro Kozar tha për REL-in se pretendimet ruse janë të pajustifikuara.

“Në situatën e sigurisë ndikon negativisht ndikimi i politikës ruse në Bosnjë e Hercegovinë, i cili manifestohet përmes politikës destruktive të udhëheqjes së Republikës Sërpska ndaj shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, të udhëhequr nga lideri i opsionit separatist, kryetari i SNSD-së, Millorad Dodik. Në përpjekjet për shpërbërjen e Bosnjë e Hercegovinës, establishmenti i RS-së ka mbështetjen e Rusisë, e cila kundërshton anëtarësimin e Bosnjë e Hercegovinës në NATO”, tha Kozar.

Për Rusinë edhe forcimi i EUFOR-it është i pabazuar

Në fjalën e saj, Zhdanova tha gjithashtu se Rusia po ndjek me vëmendje përparimin e operacioneve të forcave paqeruajtëse evropiane në Bosnjë e Hercegovinë (EUFOR).

“Paralajmërojmë se është e papranueshme përfshirja e forcave ndërkombëtare në proceset e brendshme politike. Konsiderojmë se rritja e numrit të forcave të BE-së është e pabazuar”, tha ajo gjatë fjalimit.

Në vitet e fundit, numri i pjesëtarëve të EUFOR-it është rritur, kryesisht si masë parandaluese pas rritjes së tensioneve në vend për shkak të miratimit të ligjeve jokushtetuese dhe secesioniste në entitetin e Republikës Sërpska, të cilat më pas u shfuqizuan.

Një zyrtar nga selia e NATO-s, i cili nuk dëshiroi që të përmendej me emër, i tha REL-it se NATO-ja vazhdon të ofrojë mbështetje për EUFOR-in, me qëllim ruajtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Bosnjë e Hercegovinës.

“Ne e respektojmë plotësisht të drejtën sovrane të çdo shteti që të zgjedhë në mënyrë të pavarur rregullimet e veta politike dhe të sigurisë. Ky është një parim themelor i sigurisë evropiane, të cilin e kanë pranuar të gjitha shtetet, përfshirë edhe Rusinë”, tha ky zyrtar i aleancës.

Eksperti ushtarak Kozar vlerësoi se as prania e shtabit të NATO-s, e as ajo e EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë nuk nënkupton militarizim.

“Shtabi i NATO-s ka afër 100 persona, kryesisht civilë, dhe detyra e tyre është të ndihmojnë në forcimin e Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës në kuadër të Partneritetit për Paqe të NATO-s, në të cilin Bosnjë e Hercegovina është që nga viti 2006”.

Kozar shtoi se Moska, përmes kritikave ndaj forcimit të EUFOR-it, synon tërheqjen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) nga Bosnjë e Hercegovina, “në mënyrë që të mund të realizohen objektivat separatiste të Republikës Sërpska”.

Çfarë përfshin Marrëveshja për kontrollin e armëve?

Marrëveshja për kontrollin subrajonal të armëve, që ishte në fokus të takimit në Vjenë, u nënshkrua në vitin 1996, nën ndërmjetësimin e OSBE-së.

Marrëveshja parashikon kufizime të përcaktuara saktë për armët, përfshirë tanket, mjetet e blinduara luftarake dhe artilerinë.

Sipas Bashkimit Evropian, shtetet nënshkruese, përfshirë edhe Bosnjë e Hercegovinën, gjatë viteve të zbatimit kanë reduktuar sasinë e armatimit të rëndë dhe numrin e pjesëtarëve të forcave të armatosura nën nivelet e parashikuara nga marrëveshja.

Që nga viti 2014, shtetet nënshkruese kanë marrë përgjegjësi të plotë për zbatimin e marrëveshjes, gjë që në deklaratën e BE-së të marsit të vitit 2026 përmendet si shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal dhe ndërtimit të besimit.

Deklaratën e përbashkët, e cila e vlerëson Marrëveshjen si “një përjashtim në një kohë kur shumica e marrëveshjeve për kontrollin e armëve nuk po zbatohen”, përveç vendeve anëtare të BE-së e kanë nënshkruar edhe Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Lihtenshtajni, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Republika e Moldavisë, San Marino, Serbia dhe Ukraina.

“Në qershor të këtij viti mbushen 30 vjet të zbatimit të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të Marrëveshjes për kontrollin e armëve. Si e tillë, ajo është bërë një pjesë e qëndrueshme e politikës së sigurisë në rajon”, thuhet në deklaratë.

NATO nuk do të lejojë vakum sigurie në Ballkanin Perëndimor

Nga NATO-ja janë të qartë se Ballkani Perëndimor mbetet “lart në agjendë” dhe ka rëndësi strategjike për aleancën.

“Përkushtimi ynë ndaj stabilitetit të rajonit është i fortë dhe nuk do të lejojmë krijimin e një vakumi sigurie”, tha një zyrtar për Radion Evropa e Lirë.

Përkushtimi i NATO-s ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor reflektohet në disa aktivitete.

Më herët u përmend mbështetja për EUFOR-in dhe Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa nga NATO thanë gjithashtu se po thellojnë dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik me Bosnjë e Hercegovinën, “përfshirë përmes Shtabit të NATO-s në Sarajevë, Njësisë për mbështetje të angazhimit politik, si dhe programit të sapomiratuar të partneritetit të përshtatur në mënyrë individuale”.

Nga NATO thanë po ashtu se misioni më i gjatë dhe më i madh paqeruajtës në historinë e aleancës është në Kosovë, KFOR, i cili vazhdon të kontribuojë në një mjedis të sigurt dhe stabil për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Forca dhe dislokimi i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, në përputhje me zhvillimin e rrethanave, në mënyrë që misioni të mbetet funksional dhe i përshtatshëm për qëllimin. Aktualisht, KFOR numëron afër 4.600 ushtarë nga 33 vende, përfshirë aleatët e NATO-s dhe shtetet partnere”, tha zyrtari i aleancës.

Rusia, në paraqitjen e saj në takimin e OSBE-së, tha se përveç se “tendenca e militarizimit ka përfshirë vendet e rajonit që janë anëtare të aleancës”, me udhëzimet e instruktorëve të NATO-s. aftësitë luftarake të Kosovës po rriten në mënyrë aktive.

Në Moskë kërcënim shihet edhe mbajtja e stërvitjeve në vendet e Ballkanit Perëndimor me NATO-n.

“Aleanca nuk e fsheh faktin se Ballkani në tërësi, e sidomos pjesa e tij perëndimore, është i destinuar të bëhet një trampolinë e rëndësishme në kuadër të përgatitjeve të NATO-s për një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me vendin tonë brenda tre deri në pesë vjetëve, për çka Brukseli po përgatitet intensivisht”, pretendoi Moska.

Megjithatë, NATO theksoi se partneritetet afatgjata me vendet e rajonit, para së gjithash me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, bazohen në dialog politik dhe bashkëpunim praktik.

“Do të vazhdojmë të avancojmë dialogun dhe bashkëpunimin për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale, si dhe për të kundërshtuar ndikimin malinj, përfshirë dezinformimin dhe kërcënimet kibernetike që vijnë si nga aktorë shtetërorë, ashtu edhe nga ata joshtetërorë”, tha zyrtari i NATO-s për REL-in.

Paralajmërime nga SHBA-ja për ndikimin malinj të Rusisë në Ballkanin Perëndimor

Në raportin “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026”, agjencitë amerikane të inteligjencës paralajmëruan se Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me tensione të shtuara politike dhe ndikime të jashtme, duke veçuar rolin e Rusisë në destabilizimin e rajonit.

Rusia, sipas raportit që u publikua më 18 mars, “nxit paqëndrueshmëri ndërmjet Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, por gjithashtu “mbështet shkëputjen e entitetit Republika Sërpska nga Bosnjë e Hercegovina”.

Shërbimet amerikane vlerësojnë se ndarjet etnike dhe politike në rajon mbeten të theksuara dhe përbëjnë rrezik potencial për sigurinë, sidomos në kombinim me ndikimin e aktorëve të jashtëm.

Ballkani Perëndimor në raport përshkruhet si një hapësirë ku përplasen interesat e fuqive të mëdha, ndërsa krizat ekzistuese dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura, përfshirë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe raportet e brendshme politike në Bosnjë e Hercegovinë, mbeten burime kyç të paqëndrueshmërisë.

Continue Reading

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara