Lajmet

KE: Keqardhje që vendimi për dinarin u mor pa konsultime paraprake

Kjo rregullore parasheh përdorimin e euros për pagesat me para të gatshme.

Published

on

Komisioni Evropian u është bashkuar zërave kritikë ndaj Kosovës, pas hyrjes në fuqi më 1 shkurt të një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo rregullore parasheh përdorimin e euros për pagesat me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, që përdoret nga serbët që jetojnë në Kosovë.

Zëdhënësi kryesor i KE-së, Eric Mamer, gjatë një konference për media në Bruksel më 2 shkurt, tha se ky institucion shpreh keqardhjen për këtë vendim dhe iu bashkohet thirrjeve të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë që të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marr parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marr parasysh se nuk ka alternativa të tjera”, tha Mamer, raporton REL.

Mamer tha se KE-ja mbështet deklaratën e lëshuar një ditë më parë edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të mërkurën se zbatimi i rregullores për pagesat me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar, pa treguar sa do të zgjasë kjo.

“Komisioni merr në dijeni vendimin e BQK-së për të lejuar një fazë tranzicioni. KE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë që ky afat tranzitor të jetë mjaftueshëm i gjatë për të gjetur një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Mamer.

Në pyetjet pse KE-ja dhe BE-ja po kritikojnë një shtet që përdor euron dhe vendimin e një institucioni të pavarur, siç është BQK-ja, zëdhënësi Mamer tha se në këtë rast po kritikohet mënyra se si është miratuar vendimi.

“Nuk duhet të keqinterpretohet deklarata jonë. Nuk e kemi kritikuar Kosovën për vendosjen e euros apo vendimin se cila valutë duhet të përdoret. Kemi komentuar vetëm faktin se ky vendim u miratua pa konsultime paraprake. Sepse në këtë moment keni njerëz, institucione, përfshirë edhe spitale të cilat veprojnë në një kornizë, duke marrë ndihmë financiare nga Serbia, dhe ato duhet të kenë kohë të mjaftueshme që të përgatiten”, tha ai.

Ai tha se kjo çështje është dashur të adresohet në dialogun për normalizim, “para se të shpallej vendimi në mënyrë që të gjendej një zgjidhej praktike, që njerëzit dhe institucionet të përshtateshin”.

Edhe zëdhënësi i BE-së për çështje të sigurisë, Peter Stano, tha se blloku nuk po e kritikon vendimin, por mënyrën se si u mor ai.

“Nuk ka të bëjë absolutisht asgjë me euron, por me mënyrën se si ky vendim është miratuar dhe rrezikun që ai sjell”, tha Stano.

Zbatimi i rregullores së BQK-së për operacione me para të gatshme është kritikuar edhe nga Shtetet e Bashkuara.

“Dua ta përsëris çka kanë thënë Shtetet e Bashkuara, ne kemi shqetësime të thella dhe rezerva për zbatimin e saj para se ajo të jetë plotësisht e përgatitur. Mund ta them me siguri se ne e kundërshtojnë atë tani”, deklaroi më 1 shkurt ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Që nga paslufta më 1999, Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.

Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar dinarin edhe për pagesat në dyqane dhe restorante.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

Lajmet

KPK refuzoi ankesën e Atdhe Demës për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Published

on

Me një votë për dhe pesë vota kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) refuzoi ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema.

Dema kishte paraqitur ankesë në KPK, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural dhe material si dhe mospërputhje ndërmjet pikëzimit dhe arsyetimit të dhënë nga Paneli vlerësues.

Ai kishte kërkuar që ankesa të aprovohej si e bazuar dhe që Paneli vlerësues ta rishqyrtonte vlerësimin e tij, duke argumentuar se vlerësimi për intervistën dhe koncept-dokumentin nuk ishte mbështetur në fakte konkrete dhe arsyetim të mjaftueshëm.

Gjatë shqyrtimit të ankesës, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, tha se pretendimet e Demës për mungesë të arsyetimit nuk qëndrojnë. Sipas tij, kandidati nuk ka paraqitur prova që mbështesin pretendimet e ngritura dhe ankesa nuk tregon se cili element i vlerësimit duhet të ndryshohet.

“Kam kërkuar dokumente shtesë në ankesë, por nuk kam arritur ta gjej interesin e kandidatit në fjalë, se çfarë ka kërkuar të ndryshohet, pasi të drejtën që e ka kërkuar e ka fituar. Mendoj se diskrecioni ka qenë në përputhje me rregulloren. Ankesa nga kandidati duhet të mbështetet në prova. Ankesën e kemi pranuar vetë, i kam dëgjuar intervistat, por nuk mund të shkojmë tutje nëse nuk kemi interes juridik se çfarë duhet të ndryshohet, ngase ajo për të cilën është atakuar, ajo e drejtë është e fituar. Unë qëndroj në argumentimin tim që e njëjta ankesë të refuzohet”, tha ai.

Vuniqi shtoi se ankesa e Demës nuk specifikon ndonjë shkelje procedurale apo materiale, por shpreh vetëm mospajtim me pikëzimin e marrë.

Gjatë diskutimit, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, tha se Këshilli duhet ta vlerësojë ankesën vetëm mbi bazën e kritereve dhe shtyllave të përcaktuara në procesin e vlerësimit.

“Sa i përket barrës së provës, konsideroj se është duke u bërë një interpretim i gabuar, sepse kandidati, jo vetëm ky, por edhe të tjerët, nuk kanë se si të sigurojnë prova se çfarë ta mbështesin. Konsideroj se sa i përket barrës së të provuarit nuk mund të kërkohet që kandidatët të dorëzojnë dokumente që mbështesin pretendimet e tyre. Duhet të bazohemi në tri shtylla: vlerësimin e kryer nga paneli, të cilin nuk e kemi sot para vetes, intervistën, ku mund të shohim më së miri kandidatët, dhe e treta është kundërshtimi. Mbi këto baza mund të dalim në një vlerësim më të qartë”, tha ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se për të është me rëndësi të kuptohet se në çfarë mase KPK-ja ka pasur mundësi të ushtrojë kontroll efektiv mbi vlerësimin e bërë nga Paneli vlerësues.

Në të njëjtën mbledhje, me gjashtë vota për u miratua edhe autorizimi i drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për ta përfaqësuar Këshillin para Gjykatës Kushtetuese si dhe për dorëzimin e komenteve lidhur me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës./Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Themelohet grupi punues për hartimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm 2026–2027

Published

on

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm për periudhën 2026–2027.

Sipas ministrisë, programi do të përcaktojë kriteret, procedurat dhe mekanizmat e nevojshëm për hartimin dhe zbatimin e masave që synojnë mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse.

Ministria thekson se ky program synon të krijojë politika të qëndrueshme që mbrojnë qytetarët më të cenueshëm dhe garantojnë qasje më të drejtë në shërbime dhe mbështetje institucionale.

Sipas njoftimit, puna e grupit do të fokusohet në hartimin e një kornize që do të forcojë mbrojtjen sociale dhe do të përmirësojë qasjen e kategorive në nevojë ndaj mekanizmave të mbështetjes shtetërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ferizaj: Arrestohet një 16-vjeçar pasi sulmoi me thikë qytetarët dhe zyrtarët policorë

Published

on

By

Sot rreth orës 07:50 në Ferizaj, policia ka arrestuar një 16-vjeçar dhe nënën e tij 47-vjeçare, pas një incidenti që nisi në sheshin e qytetit dhe përfundoi me lëndimin e dy qytetarëve dhe tre zyrtarëve policorë.

Sipas njoftimit zyrtar, i mituri fillimisht ka sulmuar qytetarët me thikë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia e ka lokalizuar të dyshuarin në fshatin Greme, ku ai ka refuzuar të dorëzohet, ka hedhur benzinë në trup dhe ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë e me thikë. Gjatë kësaj kohe, nëna e tij ka ndërhyrë duke penguar veprimet e policisë. Nga përleshja kanë mbetur të lënduar tre policë, përfshirë njërin që ka marrë një goditje me thikë në qafë.

Pas ndërhyrjes, policia ka prangosur të dy personat dhe ka sekuestruar thikën si provë materiale. Me urdhër të prokurorit, 16-vjeçari është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova ndan licencat e para për udhërrëfyesit turistikë

Published

on

Kosova ka ndarë licencat e para për udhërrëfyesit turistikë, duke shënuar fillimin e një sistemi të rregulluar të licencimit me standarde të qarta për këtë profesion.

Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ky proces synon të sigurojë që udhërrëfyesit turistikë të ushtrojnë profesionin me përgatitje profesionale, përgjegjësi dhe njohuri të sakta, duke kontribuar në prezantimin dinjitoz të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së Kosovës para vizitorëve.

Në njoftim thuhet se udhërrëfyesit turistikë kanë një rol të rëndësishëm në lidhjen e vizitorëve me identitetin kulturor të vendit, prandaj licencimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të turizmit.

Ministria theksoi se krijimi i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit ka mundësuar një qasje më të strukturuar ndaj zhvillimit të turizmit, duke e trajtuar atë si një sektor me potencial të madh për Kosovën.

Me këtë rast, u uruan të gjithë udhërrëfyesit e licencuar për sukses në ushtrimin e profesionit dhe u vlerësua kontributi i tyre në promovimin e vlerave kulturore dhe turistike të Kosovës para vizitorëve vendas dhe të huaj./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara