Kulturë

Katër dekada në skenë, Duran Duran me album të ri

Grupi u krijua në vitin 1978.

Published

on

Kur pop grupi britanik, Duran Duran bëri debutimin në industrinë muzikore 40 vjet më parë, nuk e dinin se sa gjatë do të mbijetonin në këtë industri. Por pas 40 vjetësh, grupi veçse po fuqizohet, duke publikuar albumin e 15-të me radhë, “Future Past”, album ky që u publikua të premten.

“Asnjëherë s’do ta besonim se do të bënim muzikë pas gjithë asaj kohe. Ne ishim fëmijë që u bashkuam në një grup. (Në) fund të viteve të ’70-ta, kur askush nuk mendonte për një periudhë afatgjate, ne mendonim se a do t’ia dilnim të performonim vitin e ardhshëm?”

Grupi që u krijua nga Taylor dhe tastieristi Nick Rhodes në vitin 1978, arriti famën me hitet sikurse “Girls on Film” dhe “Rio”.

Grupi me këngëtarin kryesor Simon Le Bon dhe bateristin Roger Taylor, ka shitur më shumë se 100 milionë disqe në mbarë botën dhe ka fituar dy çmime Grammy.

Kënga e tyre e re me titull “Anniversary” shënon 40-vjetorin e publikimit të albumit të tyre të parë në vitin 1981.

“‘Anniversary’ është këngë me të cilën ne e festojmë periudhën sa ishim bashkë si grup, por është këngë edhe për të gjithë ata që duan të festojnë”, deklaroi Taylor.

Grupi filloi punën rreth këtij albumi në fund të vitit 2018 dhe punoi rreth tij edhe në vitin 2019. Por pandemia COVID-19 i shtyu ata ta ndalin punën për dhjetë muaj./UBTNews

Lajmet

Nisin xhirimet e filmit “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga Leart Rama

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga regjisori kosovar Leart Rama.

Filmi sjell historinë e Valit, një studenti të ri të filmit, i cili zgjohet pas një ëndrre në të cilën sheh trupin e tij të vdekur buzë detit. Përballë pritshmërive të familjes dhe të fejuarës së tij, Tringës, që ai t’i rikthehet jetës së planifikuar për të, Vali strehohet pas filmit të diplomës.

I bindur se përmes filmit mund të shprehë atë që nuk ka guxuar ta thotë vetë, ai përballet me një proces të brendshëm mes asaj që pritet prej tij dhe asaj që dëshiron të shprehë.

Në rolet kryesore interpretojnë Redon Kika, Florist Bajgora, Gjeni Basha, Don Shala dhe Alban Ukaj, së bashku me aktorë të tjerë.

Xhirimet po zhvillohen në Kosovë dhe Shqipëri dhe pritet të përfundojnë në mesin e tetorit.

Filmi është bashkëprodhim mes Plan Bee Films nga Kosova, me producente Valmira Hyseni, dhe ArtAlb Film Productions nga Shqipëria, me bashkëproducentë Blerina Hankollari dhe Gentian Koçi.

Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ministria reagon pas incidentit me alpinistët pranë “Liqenit të Zemrës”

Published

on

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka reaguar pas rastit të raportuar në zonën e Gjeravicës, pranë “Liqenit të Zemrës”, ku një grup alpinistësh dyshohet se janë penguar gjatë rrugëtimit dhe janë përballur me fjalë dhe kërcënime nga një person i pranishëm në atë zonë.

Ministria ka bërë të ditur se për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit ka kërkuar informacione nga institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Komunën e Junikut.

Sipas Ministrisë, është e rëndësishme që destinacionet natyrore dhe turistike të jenë të qasshme për qytetarët, turistët dhe vizitorët, duke respektuar njëkohësisht të drejtat, sigurinë dhe rregullat që vlejnë për të gjithë.

Ndërkohë, Komuna e Junikut ka reaguar më herët duke bërë thirrje që rasti të trajtohet nga organet kompetente. Komuna ka sqaruar se, ndonëse incidenti ka ndodhur brenda territorit të saj administrativ, personi i përfshirë, sipas informatave të deritanishme, nuk është banor i Junikut.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka theksuar se në zhvillimin e turizmit duhet të respektohen të drejtat dhe siguria e vizitorëve, por edhe e banorëve dhe komuniteteve lokale.

Rrethanat e incidentit pritet të sqarohen nga institucionet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Filharmonia e Kosovës hap sezonin e ri me “The Planets” të Gustav Holstit

Published

on

Filharmonia e Kosovës do ta hapë sezonin koncertal 2026/2027 me veprën monumentale “The Planets” të kompozitorit britanik Gustav Holst.

Koncerti do të mbahet më 25 shtator, nga ora 19:30, në Klan Arena në Prishtinë. Në skenë do të jenë rreth 110 muzikantë, në një format të zgjeruar të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

Në koncert do të marrin pjesë edhe instrumentistë mysafirë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Holanda, si dhe Kori i Grave i Filharmonisë së Kosovës.

Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti Gregory Charette, i cili është edhe dirigjenti kryesor mysafir i sezonit 2026/2027.

“The Planets” përbëhet nga shtatë pjesë, të dedikuara për planetet Mars, Venus, Merkur, Jupiter, Saturn, Uran dhe Neptun.

Koncerti shënon nisjen e sezonit të ri të Filharmonisë së Kosovës dhe pritet të sjellë një program të zgjeruar orkestral para publikut në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Uta në Sharr”, filmi i animuar shfaqet në Prishtinë dhe Prizren

Published

on

Filmi i shkurtër i animuar “Uta në Sharr”, i bazuar në librin me të njëjtin titull, do të shfaqet më 22 shtator në Kino ARMATA në Prishtinë dhe më 23 shtator në Dokukino në Prizren.

Shfaqjet do të mbahen në orën 17:30, 18:00 dhe 18:30, ndërsa hyrja është falas. Për shkak të kërkesës së madhe, pjesëmarrësit duhet të rezervojnë biletat paraprakisht.

Filmi, i cili zgjat 10 minuta, sjell në ekran bukuritë natyrore të Kosovës dhe e përdor natyrën si hapësirë për bashkim dhe mirëkuptim mes komuniteteve.

Në qendër të tregimit janë Uta dhe Deltari, të cilët udhëtojnë nëpër malet e Sharrit, duke i ftuar fëmijët të zbulojnë këtë botë së bashku, pavarësisht komunitetit nga i cili vijnë.

Animacioni është realizuar nga Anibar Studios, ndërsa skenari dhe tregimi janë të Tuba Safçiut. Kënga “Uta në Sharr” është kompozuar, shkruar, interpretuar dhe prodhuar nga Arbër Salihu (La Fazani), me vokal nga Lisa Zuka.

Projekti është pjesë e nismës “Uta në Sharr – Edukim Gjithëpërfshirës dhe Ndërgjegjësim Mjedisor përmes Tregimit të Historive, Animacionit dhe Mësimit në Natyrë”, e financuar nga Sida përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe e zbatuar në partneritet me Save the Children Kosova/o.

Nisma po zbatohet në 12 komuna të Kosovës dhe synon të promovojë edukimin gjithëpërfshirës, ndërgjegjësimin mjedisor dhe tregimin e historive për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara