Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 22 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

22 shtator 1993

 

Arsimtarët e Malishevës paguhen rregullisht

 

Në një njoftim të botuar në gazetën e sotme “Bujku”, thuhet se arsimtarët në komunën e Malishevës, falë Këshillit për Financim të kësaj komune, janë paguar rregullisht me nga 40 DM në muaj. Në njoftim thuhet se i vetmi problem tash për tash është çështja e udhëtimit të arsimtarëve në shkolla larg vendbanimit të tyre. Vitin e kaluar disa biznismenë të kësaj komune i patën hequr shpenzimet e udhëtimit për mësimdhënës, andaj shpresohet se ata do të aktivizohen edhe gjatë këtij viti shkollor duke ndihmuar këta arsimtarë.

 

 

22 shtator 1994

 

Represioni në Kosovë

 

Podujevë: – Dje, një inspektor i sigurimit dhe një polic serb, ishin në shtëpinë e Agim Hysenit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së dhe kryetar i Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Podujevë.

Meqë Agim Hyseni nuk gjendej në shtëpi, inspektori serb i la thirrjen që të paraqitet sot në orën 8:00 në stacionin e policisë në Podujevë.

Pardje, një patrullë e policisë serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve, ishte në shtëpinë e Halim Bajgorës në fshatin Dobratin. Me t’i parë policët, Halim Bajgora zuri të ikë, ndërsa kur një polic shtiu me revole në drejtim të tij, ai u ndal.

Njoftohet se policia e mori me vete Halim Bajgorën në stacionin e policisë në Podujevë.

Skënderaj: – Pardje, policia serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve, mori në shtëpinë e tij dhe e dërgoi në stacionin e policisë në Skënderaj, Gani Grudën, i cili u mbajt rreth katër orë.

Njoftohet se Gani Gruda është fyer e kërcënuar nga ana e policisë. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish dje në polici, së bashku me djemtë e axhës së tij Azem e Xhavit Grudën.

Dje, rreth orës 15, policia serbe arrestoi Hajdin Aliun me banim në Skënderaj, dhe djalin e tij Mehdiun.

Gjatë marrjes në pyetje policia përdori dhunën me qëllim që ai të pranonte bashkëpunimin dhe të tregonte se kush mban armë. Ai u mbajt në polici tri orë, kur edhe i lirojnë me kusht që Mehdiu të paraqitet sërish në polici më 23 shtator.

Kamenicë: – Më 19 shtator, policia serbe mori në shtëpinë e tij, Basri Keçmezin nga Koretini i Kamenicës. Policia nga Basri Keçmezi kërkoi armë, të cilat edhe i dorëzoi.

Njoftohet se policia Basri Keçmezin e dërgoi në burgun e Gjilanit, i cili ende nuk është liruar.

Prizren: – Nga 14 shtatori, inspektorët serbë morën tri herë në pyetje Bajram Kureçin. Inspektorët serbë nga Bajram Kureçi kërkojnë që ai të dorëzoi një revole.

Pardje, rreth orës 11:00, tre policë serbë bastisën shtëpinë e Hajdar Karavidajt në fshatin Mazrrek të Prizrenit, tek i cili u gjet një revole. Njoftohet se së bashku me policët ishte edhe shitësi i revoles, Rexhep Bellanica nga Krusha e Madhe.

Më 19 shtator, inspektorët serbë morën në pyetje edhe Daut Gashin nga Skënderaji i Ulët, drejtor i firmës “Sed tours” në Prizren.

Inspektorët serbë nga Daut Gashi u interesuan të dinë rreth një vizite të tij, që ai ua kishte bërë kohë më parë vëllezërve të tij në Zvicër.

Vushtrri: – Më 21 shtator Agim Musliu nga fshati Shkabë (ish-Orlloviqi) i Prishtinës, tash me vendbanim në Pantinë të Vushtrrisë u rrah nga policia serbe.

Më 21 shtator, rreth orës 13,30, inspektorët e sigurimit shtetëror serb ishin në shtëpinë e Islam Mulakut nga Vushtrria, ish-i burgosur politik, i cili është i dënuar me dy vjet burg në procesin e montuar të dënuarve “politik” në grupin e të 19-ve, me të drejtë mbrojtjeje në liri. Islamit deri më tash nuk i ka ardhë kurrfarë vendimi i shkallës së parë të gjygjit serb. Inspektorët e sigurimit e pyetën Islamin, se përse deri tashti nuk është ankuar në vendimin që e ka marrë dhe e thirrën që të paraqite t në “bisedë informative” në orën 10.

Sot Islami u paraqit në organet e sigurimit shtetëror serb, por atij i thanë që të paraqitet të hënën në të njëjtën kohë se kinse ishin të ngarkuar me punë.

Më 21 shtator u ftua në “bisedë informative” Hamdi (Bajram) Krasniqi nga Vushtrria. Gjatë kësaj “bisede” ai u pyet rreth SP të Kosovës. Ai është ftuar për t’u paraqitur në polici sërish.

 

 

22 shtator 1995

 

“Rilindja” botoi dy vëllime të Faik Konicës

 

E pritur me dekada, madje me një interesim të jashtëzakonshëm të dashamirëve të letërsisë e të artit, të shkencës e të kulturës, më në fund, filloi të botohet Vepra e krijuesit dhe e intelektualit erudit Faik Koncia (1876-1942), shkruan sot “Bujku”.

Së pari, më 1993, në Tiranë doli “Vepra” e Faik Konicës me disa nga krijimet e tij letrare e publicistike, përgatitur nga Nasho Jogaqi e Xhevat Lloshi.

Kurse ndërmarrja botuese “Rilindja” në Prishtinë nxori këto ditë veprën e Konicës në dy vëllime, ku janë përfshirë krijmet më kryesore të Faik Konicës.

Këto vëllime përfshijnë autobiografinë dhe Testamentin e tij, krijimet letarre: poezia dhe proza polietike, tregime të shkurta, prozat: “Katër përralla nga Zullulandi”, “dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, kritikën letrare dhe esetë, portretet dhe shkrimet publicistike, përkthimet e krijime të autorëve të ndryshëm të botës, si dhe libri i përrallave nga “1001 net” “Në hijen e hurmave”, e vetmja vepër e botuar në të gjallë të tij.

 

 

22 shtator 1997

 

Në Stubëll të Epërme u mbajtën takimet tradicionale “Takimet e Dom Mikelit”

 

Pardje, në Stubëll të Epërme të Vitisë, u mbajtën takimet tradicionale “Takimet e dom Mikelit”.

KI i Degës së LDK-së në Viti njofton se në këtë takim, morën pjesë edhe Hydajet Hyseni e Anton Nokaj, nënkryetarë të LDK-së dhe Adem Demaçi, kryetar i PPK-së.

Në “Takimet e Dom Mikelit” u mbajt edhe një tribunë shkencore, ndërsa punimet e tyre i lexuan dr. Exhlale Salihu, dr. Jahja Drançolli etj. Ndërkaq për dymijëvjetorin e krishtërimit foli dr. dom Shan Zefi.

Gjatë këtyre takimeve u organizua edhe mesha solmene, të cilën e udhëhoqi imzot Mark Sopi, ipeshkëk i Kosovës, si dhe u shënua 60- vjetori i lindjes së monsinjor Damjan Kurtit.

Në këto takime u organizua edhe një orë letrare, ku punimet e tyre i lexuan disa krujues kosovarë.

 

 

 

22 shtator 1998

 

Sulm i gjerë i forcave serbe kundër fshatrave rreth Bjeshkës së Çiçavicës

 

Sot në mëngjes, forcat serbe kanë filluar një sulm masiv nga shumë anë kundër fshatrave në një pjesë të rajonit të Drenicës dhe rreth bjeshkës së Çiçavicës.

Në bazë të të dhënave nga terreni, forcat serbe kanë filluar të sulmojnë nga ana e Mitrovicës, ana e Vushtrrisë, ana e Gllogocit, ana e Obiliqit dhe nga ana e Skënderajt.

Ditëve të fundit dhe gjatë natës së shkuar, drejt kësaj pjese të Kosovës kanë shkuar qindra tanke e automjete të ushtrisë, policisë e njësive speciale serbe.

Nga burimet e ndryshme mirret vesh se po granatohen fshatrat Prilluzhë, Gllavotin, Bivolak, Strofc, Zhilivodë, Beçuk, Prekaz, Mikushnicë, Polac, Lubovec, Gllobar, Çikatovë e re, Çikatovë e Vjetër, Poklek i Ri, e tjerë. Shumë prej këtyre fshatarve janë në tym e flakë. Sulmet serbe duket se synojnë të depërtojnë në Qirez ku ak dhjetëra mijëra refugjatë. Në Qirez janë ndaluar dje nga pjesëtarët e UÇK-së 13 politikanë dhe deputetë të Kosovës.

Në Mikushnicë dhe në Prekaz janë plagosur së paku 16 shqiptarë, prej tyre 2 fëmijë dhe pesë femra.

Granatimet janë shumë të fuqishme dhe po dëgjohen edhe në Prishtinë.

Sllatinë, Komoran, Gllogoc: Nëpër Sllatinë gjatë natës dhe sot kanë shkuar forca të mëdha ushtarake nga Prishtina në drejtim të Komoranit. Mbrëmë, në orën 17:00, kanë shkuar 18 tanke dhe 10 automjete, ndërsa sot në orën katër të mëngjesit ka shkuar një konvoj i madh i tankseve të ushtrisë, autoblindave të policisë dhe i autobusëve e kamionëve me policë e pjesëtarë të njësive speciale.

Nga Sllatina sot dëgjohen fare qartë shpërthimet e granatimeve gjatë sulmit në Çiçavicë.

Para orës 6:00 nëpër Komoran drejt Gllogocit kanë shkuar rreth 130 automjete. Ato kanë filluar të sulmojnë lagjen Binaku në Gllobar të Gllogocit. Kjo lagje po gjuhet nga tri anë, nga “Agro Drenica”, nga një udhëkryq që del prej Gllogocit në drejtim të Skënderajt, nga një urë që shkon për Baincë në udhëkryq të Çikatovës së Re që quhet Balec dhe prej Feronikelit.

Rruga për Prishtinë është bllokuar në tërësi. Popullata po bën përpjekje të ikë prej sulmeve, por nuk ka nga t’ia mbajë.

 

Skënderaj: Sot në orën 7:00, forcat serbe kanë filluar një sulm të fuqishëm kundër fshatit Prekaz. Ky fshat po granatohet nga forcat serbe prej pozicioneve te Fabrika e Municionit dhe nga Polaci.

Një burim i LDK-së njoftoi se forcat serb po granatojnë fshatrat Mikushnicë, Prekaz, Polac, Lubovec.

Granatimet po bëhen nga Tërnofci dhe pozicionet përgjatë rrugës Skënderaj – Mitrovicë.

Derisa po dilnin nga shtëpitë e veta në Prekaz dhe në Mikushnicë janë plagosur 16 civilë, prej tyre 2 fëmijë nën moshën 5 vjeçare dhe 6 femra.

Popullsia e fshatrave janë zhvevdosur drejt vendeve më të qeta. Gjendja është katastrofale.

 

Vushtrri: Forca të mëdha ushtarake e policore serbe arritën sot në komunën e Vushtrrisë nga drejtimi i Prishtinës dhe janë sulur drejt fshatrave rrëzë Çiçavicës. Granatimet e forcave serbe serbe kanë filluar që nga ora 7:00. Një pjesë e forcave të armatosura gjenden të stacionuara në Bruznik.

Në orën 9:00 është granatuar fshati Gllavotin. Nga Gllavotini shihet tym i dendur.

Vushtrria dhe të gjitha fshatrat e kësaj komune që shtrihen buzë Çiçavicës janë vënë në një shtetrrethim të hekurt.

Sot për herë të parë forca të mëdha serbe janë vendosur përgjatë lumit Sitnicë. Forcat serbe janë të pajisura edhe me autoblinda.

Gjatë ditës së djeshme situata është tensionuar në komunën e Vushtrisë për shkak se janë vërejtur një numër shumë i madh i serbëve të armatosur. Gjatë gjithë ditës ka vazhduar armatosja e civilëve serbë.

 

Obiliq: Sot në orët e hershme të mëngjesit, forcat serbe kanë filluar t’i granatojnë fshatrat e Obiliqit rrëzë Çiçavicës.

Njoftohet se forca të mëdha të policisë serbe janë stacionuar në fshatin Plemetin të Obiliqit me një arsenal të madh armatimi, mbi 100 tanksa dhe mjete të tjera luftarake, ku është vendosur edhe ura montazh mbi lumin Sitnica në Plementin.

Forcat serbe janë pozicionuar edhe në Prilluzhë të Vushtrrisë dhe në disa vende të tjera të kësaj komune. Njoftohet se forcat serbe kanë rrethuar tërë pjesën e Çiçavicës, ndërsa që nga ora 5:00 e mëngjesit, forcat serbe po i granatojnë fshatrat Hamidi, Sibovc, Shipitullë, Graboc e Lahthishtë të Obiliqit.

Shkabaj, Prishtinë: Dje dhe sot në fshatin Shkabaj, që gjendet afër Prishtinës bri rrugës Prishtinë-Obiliq-Vushtrri-Mitrovicë, kanë arritur forca të mëdha ushtarake serbe me tanke e autoblinda. Forcat serbe po lëvizin në drejtimin Gazimestan-Shkabaj-Prishtinë me flamuj dhe duke kënduar dhe duke i drejtuar tytat drejt fshatit.

Serbët e fshatit janë armatosur dhe kanë vendosur roje në fshat bashkë me policinë serbe. Natën e ditën roja bëhet te Tyrbja, në afërsi të varrezave të fshatit Mazgit. Njoftohet se dje, civilët serbë kanë maltretuar fshatarët që kanë shkuar për të varrosur një të vdekur.

Në këtë fshat janë mbi 200 familje shqiptare dhe 15 familje serbe.

 

 

Kofi Anan: “Në Kosovë po përsëriten tmerret e Bosnjës”

 

Duke folur në Asamblenë e 53-të të përgjithshme të OKB-së, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate Kofi Anan theksoi se “në Kosovë bashkësia ndërkombëtre po bën sehir, ndërsa tmerret e Bosnjës po përsërien – për ç’gjë, ne të gjithë jemi betuar se nuk do të ndodhë”.

“Ne edhe një herë u gjetëm para përpjekjeve dëshpruese humanitare, duke u përballur me pasojat në vend se të merremi me rrënjët politike të konfliktit”, tha mers të tjerash Anan.

 

 

Continue Reading

lajme

Presidentja Shiroka-Pula dekoron gjeneralin amerikan Steven Osborn me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekoruar gjeneralin amerikan Steven Osborn, Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas, me Medaljen Presidenciale Ushtarake të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekorata i është ndarë gjeneralit Osborn në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e tij, kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë ceremonisë, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, i cili tashmë prej 15 vjetësh ka ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Presidentja gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet strategjik për Kosovën, duke u mbështetur në besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.

Në fund, Shiroka-Pula ka nënvizuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kos: Amendamentet për Specialen rrezikojnë të minojnë përparimin e Kosovës në BE

Published

on

By

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë me dije se BE-ja është në dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializeditura, duke paralajmëruar se këto ndryshime ligjore mund të minojnë ecurinë e vendit në integrimin evropian.

Gjatë një deklarate mbi përparimin e Kosovës në procesin e reformave, zyrtarja e lartë e BE-së shprehu shpresën se me Qeverinë e re vendi do të shfrytëzojë mundësinë për të ecur përpara, por nënvizoi se iniciativat rreth Ligjit për Specialen mbeten një shqetësim serioz që kërkon diskutime direkte.

Lidhur me hapat e mëtutjeshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në bllokun evropian, Kos spikati se i takon 27 shteteve anëtare të pajtohen për t’i kërkuar Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës.

Sipas komisioneres, BE-ja është e gatshme të veprojë, mirëpo për t’i bindur shtetet skeptike anëtare, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme dhe përparim i vazhdueshëm në reforma kyçe, pasi sa më i fuqishëm të jetë ky proces, aq më i forte do të jetë edhe argumenti i Kosovës në rrugëtimin evropian. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpiak Vlora Hysenin: Rrëzohet kërkesa për zbutjen e masës

Published

on

By

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zbutjen e kësaj mase.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës se nuk ekziston rreziku i largimit nga vendi apo i dëmtimit të provave, togat e zeza në Apel kanë miratuar vendimet e Shkallës së Parë.

Në vendimin e zbardhur theksohet gjithashtu se, në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i plotë i këtij akti deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Pala mbrojtëse ka të drejtë të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. /Top Chanel/

Continue Reading

Lajmet

Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

Published

on

By

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.

Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.

Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.

Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Politika pengoi reformat

Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.

Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.

Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.

Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.

Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.

 

Drejtësia, një nga pikat më të dobëta

Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.

Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.

Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.

Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.

Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.

Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.

Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.

Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.

Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.

Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

 

Media të lira, por me sfida

Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.

Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në zonat me shumicë serbe, sidomos në veri, ku mjedisi kufizues nxit autocensurën.

Raporti kërkon miratimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe rishikimin e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi institucionale.

Shqetësime ngrihen edhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë rrënimin e pronave private në veri pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, ndërkohë që kundërshtimet gjyqësore ishin ende në shqyrtim.

 

Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.

Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.

Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.

Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.

Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.

Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara