Disa afishe origjinale të filmave shqiptarë, të dëmtuara nga përdorimi dhe ekspozimi i herëpashershëm u restauruan nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, transmeton ATSH.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se afishet u restauruan nga laboratorët e AQSHF -së dhe DPA-së të specializuar për restaurimin e letrës.
“Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i kushton rëndësi të veçantë edhe koleksioneve të tjera artistike që janë po aq me vlerë sa edhe ato filmike. Falë bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe laboratorin e tyre të specializuar për restaurimin e letrës, u realizua restaurimi i disa afisheve origjinale të filmave shqiptarë, të dëmtuara nga përdorimi dhe ekspozimi i herëpashershëm”, theksoi Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh “një punë e kujdesshme e restauratores Marinela Ndria, që riktheu në jetë këtë pjesë të historisë së filmit shqiptar”.
Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.
Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv, AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi, negativa te fotove, materiale të promovimit të veprës, partiturat e muzikës së filmave dhe posterat e tyre. Ky dokumentacion origjinal shoqërohet me të dhëna të tjera të shumta bibliografike, materiale shtypi, botime të ndryshme për filmin, fotografi të historisë së kinematografisë, të dhëna biografike të kineastëve shqiptarë, si dhe një dokumentacion aparaturash dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me muzeologjinë e filmit.1 nga 2
Në shënim të Ditës së Çlirimit, tre ansamble kombëtare shqiptare do të bashkohen në koncertin festiv “Liria na Bashkon”, duke sjellë një mbrëmje me këngë, valle dhe interpretime nga kultura shqiptare.
Në këtë ngjarje do të marrin pjesë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nga Shqipëria, si dhe Ansambli Nacional i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Koncerti do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, më 12 qershor 2026 në ora 19:00. /A.K/
Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” hapet ekspozita fotodokumentare “KFOR and Kosova +25”.
E realizuar në bashkëpunim me organizatën Heartstone, ekspozita sjell përmes fotografive të dokumentaristit britanik Nick Sidle një rrëfim mbi Kosovën në vitet e para të pasluftës, duke pasqyruar angazhimin e KFOR-it, por edhe jetën, sfidat dhe shpresat e qytetarëve gjatë periudhës së rindërtimit.
Ekspozita ishte prezantuar fillimisht në vitin 2001 dhe rikthehet tani, 25 vjet më vonë, në një version të restauruar dhe të zgjeruar, me synimin për të nxitur kujtesën, reflektimin dhe dialogun mbi paqen dhe bashkëjetesën.
Hapja do të mbahet sot nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”./A.K/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shkrimtarët dhe kuratorët Dan Hicks dhe Françoise Vergès, të shoqëruar nga studiuesja letrare Diona Budima.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti i përgëzoi mysafirët për diskutimin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në kuadër të programit “Në bisedë”, të moderuar nga Budima.
Dan Hicks është profesor i arkeologjisë bashkëkohore në Universitetin e Oksfordit dhe kurator në Pitt Rivers Museum, ndërsa Françoise Vergès njihet si aktiviste feministe, shkrimtare, kuratore e pavarur dhe autore e shumë botimeve mbi kulturën, historinë dhe drejtësinë shoqërore.
Sipas njoftimit, të dy kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në debatet ndërkombëtare mbi trashëgiminë kulturore, kujtesën historike dhe rolin e institucioneve kulturore në shoqëri./A.K/
Peja Outdoor Festival ka nisur sot programin e tij me aktivitete të ndryshme në hapësirat publike të qytetit, duke sjellë një ditë të dedikuar sportit, mjedisit dhe atmosferës festive.
Sipas organizatorëve, aktivitetet kanë filluar me mbjelljen e drunjve në qytet, një nismë që synon promovimin e kujdesit ndaj mjedisit dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbra urbane.
Programi vazhdon me vrapim rekreativ përgjatë lumit Lumbardhi i Pejës, ku qytetarë dhe pjesëmarrës të shumtë pritet t’i bashkohen aktivitetit sportiv dhe komunitar.
Dita do të përmbyllet me hapjen zyrtare të festivalit, e cila nis në orën 20:30, ku pritet një program festiv dhe pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve dhe vizitorëve.
Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e aktiviteteve, duke theksuar se festivali synon të promovojë jetën aktive, aventurën dhe turizmin në natyrë./A.K/