Kulturë

Kadri Roshi, ikona e skenës dhe kinematografisë shqiptare

Published

on

Në këtë datë të hidhur, më 6 shkurt 2007, u nda nga jeta një nga figurat më të dashura dhe të nderuara të artit shqiptar, Kadri Roshi. Me largimin e tij, Shqipëria humbi një aktor të paharrueshëm, një njeri që la pas një trashëgimi të çmuar në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Kadri Roshi lindi më 4 janar të vitit 1924 në Ballsh, në një familje me prejardhje nga Libohova. Jeta e tij nisi në një mjedis të vështirë, duke kaluar një vegjëli të hidhur dhe të trazuar. Në moshën dyvjeçare, ai humbi nënën, ndërsa vetëm dhjetë vjet më vonë, edhe babai i tij e braktisi këtë botë, duke e lënë jetim. Megjithatë, këto humbje të hidhura nuk ia ndalën pasionin dhe ëndrrën për artin, duke e nxitur atë të ndjekë rrugën e aktorëve të mëdhenj.

Karriera e Kadri Roshit nisi në moshën 21-vjeçare, kur ai doli në skenën e Teatrit Popullor, i cili do të bëhej shtepia e tij e artit për shumë vite. Në vitin 1951, ai u diplomua në Pragë, një hap i rëndësishëm për t’u rikthyer më pas në atdhe, ku nisi të luante rolet e tij të para në Teatrin Kombëtar. Aty, ai do të gdhendte emrin dhe figurinë e tij të pashlyeshme në historinë e artit skenik shqiptar.

Kadri Roshi njihet për interpretimin e rreth 180 roleve në teatër dhe në kinematografi, duke lënë pas një portret të paharrueshëm në zemrat e shikuesve. Çdo rol që ai luajti ishte një thirrje e fuqishme për realitetin dhe për jetën e njerëzve, duke ndikuar thellë në shoqërinë shqiptare.

Rolet e tij janë të shumta dhe të larmishme: ai ishte skllavi Ezop, kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje, dhe plaku Mere i “Njeriu me top”. Nga ky mozaik rolesh, Kadri Roshi na ka dhuruar gjithashtu disa nga interpretimet më të paharrueshme në filma të tjerë, si: “Vdekja e burrit” (1991), “Apasionata” (1983), “Ballë për ballë” dhe “Këshilltarët” (1979), “Gjeneral gramafoni” (1978), “Njeriu me top” (1977), “Fije që priten” (1976), “Përballimi” (1976), “Malet me blerim mbuluar” (1971), dhe “I teti në bronz” (1970).

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, Kadri Roshi u nderua me disa çmime dhe vlerësime, përfshirë Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997, dhe u nderua me titullin “Nderi i Kombit” në vitin 1999. Ky ishte një akt vlerësimi për një njeri që e kishte përkushtuar jetën e tij për të pasuruar kulturën dhe artin shqiptar.

Kadri Roshi mbetet një emër që do të jetojë përjetësisht në kujtesën e publikut shqiptar. Ai është simbol i artit të pasionuar dhe të devotshëm, një ikonë që ndriçon skenën dhe ekranin shqiptar për të gjithë ata që vlerësojnë vlerat e artit të vërtetë./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Reka dhe Çitaku diskutojnë promovimin e filmave kosovarë në garën për Oscar

Published

on

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Blerim Reka, ka pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju-Jork, Lum Çitakun, drejtor i Programeve në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Në takim është diskutuar promovimi ndërkombëtar i kinematografisë kosovare.

Në fokus të takimit ishte filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili po shfaqet këto ditë në Nju-Jork dhe është propozimi zyrtar i Kosovës për edicionin e 99-të të çmimeve Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Në të njëjtën kategori garon edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, i cili, sipas raportimit të Telegrafit, është kualifikuar drejtpërdrejt pas fitimit të çmimit kryesor të jurisë, World Cinema Grand Jury Prize, në Festivalin e Filmit Sundance në janar të këtij viti.

Gjatë takimit, Reka theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për krijimtarinë filmike dhe promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi kinematografinë si një nga mënyrat e rëndësishme për përfaqësimin dhe afirmimin e vendit në botë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë, duke bërë të ditur se kjo hapësirë së shpejti do të jetë e gatshme për artistët dhe publikun.

Përmes një njoftimi, Bogujevci ka theksuar se rinovimi i teatrit ODA është pjesë e investimeve në infrastrukturën teatrore në vend.

Ajo ka përmendur edhe projektet e përfunduara, përfshirë rinovimin e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe të hapësirave teatrore në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, si dhe ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë.

Sipas ministres, punimet po vazhdojnë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrin “Adriana” në Ferizaj, ndërsa Qendra për Arte në Rahovec ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Ndërkaq, Teatri i Operës dhe Baletit në Prishtinë është në fazën e fundit të projektimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Palimpsest”, projekt artistik që rikthen në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare

Published

on

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar projektin artistik “Palimpsest”, i cili synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50.

Përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore, projekti sjell vepra të kompozitorëve Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja.

Në këtë mbrëmje artistike do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj në bariton dhe Maida Resulbegoviç në soprano, ndërsa e ftuar speciale do të jetë pianistja Norena Gaxha.

Koncepti artistik, hulumtimi arkivor dhe mbledhja e partiturave janë realizuar nga pedagogia Ardita Bufaj.

Projekti organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë muzikore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Çekia diskutojnë bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore

Published

on

By

Ambasadorja e Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj, ka zhvilluar një takim me drejtoreshën e përgjithshme të Institutit Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve të Republikës Çeke, Naděžda Goryczková, për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e trashëgimisë kulturore.

Gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e ekspertizës dhe praktikave profesionale ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve, me fokus të veçantë në konservimin, restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve.

Përvoja e gjatë e Republikës Çeke në ruajtjen e trashëgimisë kulturore u vlerësua si mundësi e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve dhe avancimin e standardeve të institucioneve të Kosovës në këtë sektor. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara