Lajmet

Izraeli drejt një qeverie të brishtë

Izraeli kaloi edhe një pengesë të tjetër në drejtim të krijimit të një qeverie të re pa kryeministrin, Benjamin Netanjahu, prej kohësh në këtë post. Tani parlamenti duhet ta votojë koalicionin e ri tetëpartiak.

Published

on

Koalicioni i bashkuar në Izrael që do të krijojë qeverinë e re mund të jetë një nga qeveritë më të pazakonta që ka parë ky vend në vitet e fundit, dhe kjo pa kryeministrin që qëndroi me vite në post, Benjamin Netanjahu. Pak para përfundimit të afatit, Jair Lapid, kreu i partisë liberale të së Ardhmes, Jesh Atid i ngarkuar me krijimin e një koalicioni qeverisës i dha lajmin e mirë presidentit, Reuven Rivlin. Ai mundet të krijojë një qeveri. “Ju premtoj zoti president, që kjo qeveri do të punojë që t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Izraelit, përfshirë edhe ata që nuk janë pjesëmarrës, do të respektojë ata që janë kundër saj, dhe do të bëjë gjithçka që të bashkojë të gjitha grupimet e shoqërisë izraelite.”

Aleanca e larmishme e partive bashkon aleatë të Netanjahut, ultranacionalistë të djathtë, centralistë, liberalë të majtë. Koalicioni i ri ka për herë të parë edhe mbështetjen e partisë së vogël arabe, Ra’am, krahut politik të lëvizjes islamike në Izrael, që e nënshkroi ujdinë dy orë para kalimit të afatit. Kreu i Ra’am, Mansour Abbas kishte dhënë si premtim zgjedhor një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve palestinezë të Izraelit në politikën e këtij vendi. Vendimi u vlerësua si “historik” nga mediat izraelite.

Jair Lapid

Fund i krizës politike?

E ashtuquajtura “qeveri e unitetit” apo “aleanca e ndryshimit” mund t’i japë fund krizës politike në Izrael, që zgjat prej dy vjetësh e që bëri të nevojshme katër zgjedhje parlamentare. Kjo qeveri do të mund të largonte edhe kryeministrin më afatgjatë në këtë post, Benjamin Netanjahu. Një “qeveri uniteti” mes Netanjahut dhe rivalit të tij të dikurshëm, Benny Gantz rezistoi vetëm për pak kohë, zgjedhjet e fundit të parakohshme u zhvilluan në mars. Gazeta ditore “Yedioth Ahronoth” shkroi, se “nuk ka marrë ende fund, por dje (03.03) Jair Lapid dhe Naftali Bennett bënë një hap të madh përpara në krijimin e një qeverie alternative”.

Pra ende nuk është vendosur gjithçka. Aleanca e re duhet të miratohet nga Knesseti, parlamenti izraelit, para së të betohet si qeveri. Mediat izraelite raportojnë për një presion të madh ndaj deputetëve, sidomos atyre ultra të djathtë të partisë, Jamina, në mënyrë që të mos e votojnë këtë koalicion në parlament. Në krahun e djathtë ka shumë pakënaqësi për këtë aleancë kaq të gjerë. Koalicioni i ri aktualisht ka një shumicë të ngushtë, vetëm 61 deputetë nga 120 vende në parlament. Ende nuk konsiderohet e sigurtë një shumicë parlamentare.

Megjithatë shumë vetë duan fundin e krizës politike. Studentja, Avia Farrah Hadal tha të mërkurën në Jeruzalem, se “më në fund mund të ndodhë që të ikë Bibi. Nuk bëhet fjalë, nëse ai ka qenë një kryeministër i mirë apo i keq, thjesht nuk është e shëndetshme, kur dikush është kaq gjatë në post.” Sipas saj, “kjo i bën njerëzit të korruptohen, dhe kemi nevojë për një ndryshim.” Kurse Ori Fridlich do dëshironte të shihte një zgjidhje tjetër. “Disi më vjen keq për këtë qeveri uniteti. Më shumë bëhet fjalë të jesh kundër ‘Bibit’, se sa për unitet. Unë e dua unitetit, por jo me çdo çmim”, thotë ai.

Naftali Bennett do të jetë kryeministër dy vite, nëse parlamenti e miraton koalicionin e ri

Arkitekti i një koalicioni tetëpartiak

Jair Lapid, kreu i partisë së dytë më të madhe, Jesh Atid, konsiderohet si arkitekti i këtij koalicioni të gjerë. Pa përpjekjet e tij dhe lëshimin, që Naftali Bennett të bëhet i pari kryeministër, kjo aleancë nuk do të ishte krijuar. “Deri në fund të kësaj jave mund të jemi në një epokë të re, me një kryeministër tjetër”, u shpreh 57 vjeçari.

Koalicioni tetëpartaik konsiderohet si një nga aleancat më të gjera ideologjike, që ka parë Izraeli në vitet e fundit. Këtu do të bëjnë pjesë në të ardhmen si Partia e Punëtorëve e orientuar nga qendra e majtë me Merav Micahelin, partia e majtë, Meretz, por edhe parti ultra të djathta, si “Shpresa e Re”, e ish-të besuarve të mëparshëm të Netanjahut, Gidon Saar dhe Avigdor Liberman.

Vëzhguesit politikë janë të mendimit, se ky koalicion do të përpiqet të qeverisë me emëruesin më të vogël të përbashkët dhe do të mënjanojë temat kontroverse, që nuk do të jetë e mundur në çdo rast. Partitë janë shumë larg njëra-tjetrës edhe përsa i përket temave fetare apo në qëndrimin ndaj komunitetit LGBTQ. Kuptohet që problemet janë të programuara dhe vëzhguesit janë skeptikë, nëse ky koalicion do të rezistojë gjatë.

Netanjhu nuk e krijoi dot qeverinë e re

Nga sipërmarrës High-Tech në politikan

Naftali Bennett, politikan i djathtë shihej që në zgjedhjet e fundit si politikani kryesor në krijimin qeverisë. Ai për një kohë të gjatë kishte qëndruar i papozicionuar, nëse do të bashkohej me koalicionin e djathtë-fetar të Netanjahut apo në një “koalicion të ndryshimit” me Jair Lapid. Ujdia me Lapid parashikon një parim rotacioni. Dy vitet e para do të jetë kryeministër, Bennett, dhe Jair Lapid ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër, më pas do të jetë Lapid kryeministër. Naftali Bennett vetë vjen si sipërmarrës nga bota e teknologjisë së informacionit dhe hyri në politikë para një dekade. Ai punoi për shumë vite me Netanjahun, dhe drejtoi Këshillin e Ngulimeve në Jordanin Perëndimor të pushtuar. Bennett e refuzon një shtet të pavarur palestinez dhe është shprehur për aneksim të pjesëve të Jordanit Perëndimor të pushtuar.

Fund i Netanjahut?

Kryeministri, Benjamin Netanjahu dhe partia e tij konservatore Likud janë humbësit më të mëdhenj. Pas 12 vitesh në post, ai duhet të largohet nga rezidenca qeveritare në Rrugën Balfour. Kjo lagje ishte për muaj arenë protestash kundër qeverisë. Netanjahu duhet të përgjigjet po ashtu për akuzat për korrupsion që nga viti i kaluar, e vetëm për shkak se ligji e mundësonte, ai nuk u dorëhoq si kryeministër. Por edhe partitë e tjera, ato ultraortodokse, partnerë të koalicionit e humbasin pushtetin. Kur u bë e qartë, se Lapid dhe Bennett do të hyjnë në një koalicion, reagimi i Netanjahut ishte i zemëruar. Ai u quajti Bennett “mashtrues të shekullit”. Netanjahu paralajmëroi, se ky koalicion i ndryshimit do të rrezikojë forcën kërcënuese të Izraelit. Nëse koalicioni miratohet në parlament, Netanjahu do të kalojë në opozitë

Continue Reading

Vendi

Prof. Dr. Denis Celcima pjesë e tryezës përmbyllëse të projektit kërkimor STI(G)MA

Published

on

By

Dekania e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Prof. Dr. Denis Celcima, ishte pjesë e tryezës së rrumbullakët që shënoi përmbylljen e ciklit kërkimor të projektit “STI(G)MA”, një iniciativë shkencore që vendosi në qendër fuqinë e fjalës dhe ndikimin e saj në ndërtimin e kuptimeve shoqërore.

Tryeza u organizua si moment reflektimi dhe diskutimi mbi rezultatet e projektit, i cili nisi nga një pyetje thelbësore: Çfarë bëjnë fjalët me ne — dhe çfarë bëjmë ne me fjalët? Në fokus të studimit ishte diskursi mediatik dhe mënyra se si stigmatizimi shpesh nuk shfaqet me zë të lartë, por depërton në mënyrë të heshtur përmes strukturave gjuhësore dhe modeleve të komunikimit. Koordinatore e këtij projekti ishte, profesoresha Eriola Bonja – Qafzezi. Prof. Dr. Denis Celcima, në cilësinë e ekspertes së fushës së psikologjisë, kontribuoi në diskutim duke theksuar rëndësinë e analizës së gjuhës si faktor kyç në formësimin e perceptimeve, qëndrimeve dhe sjelljeve sociale.

Ajo vuri në pah se fjalët nuk janë thjesht njësi komunikimi, por bartëse të kuptimeve, etiketimeve dhe përgjegjësive shoqërore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike dhe në marrëdhëniet ndërpersonale. Projekti STI(G)MA nuk u kufizua vetëm në një analizë teorike të diskursit, por u konceptua si një ftesë për të lexuar dhe dëgjuar me më shumë kujdes, për të kuptuar se stigmatizimi shpesh vepron në mënyrë subtile, duke lënë gjurmë të thella në individ dhe komunitet.

Nga “sti(g)ma” te “stima”, siç u theksua gjatë tryezës, fjalët bëjnë dallimin — nga etiketimi drejt vlerësimit, nga gjykimi drejt kuptimit. Në këtë aktivitet morën pjesë studiues, pedagogë, studentë dhe bashkëpunëtorë të projektit, të cilët përmes diskutimeve dhe pyetjeve të tyre kontribuan në një dialog të hapur ndërdisiplinar. U shpreh mirënjohje e veçantë për Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Universitetin “Fan S. Noli” për mbështetjen dhe besimin në këtë iniciativë kërkimore. Tryeza përmbylli zyrtarisht projektin, por jo edhe pyetjet që ai hapi.

Siç u theksua në përfundim, kërkimi shkencor është një proces i vazhdueshëm, ku përfundimet shpesh shërbejnë si pikënisje për rrugë të reja studimi. Dialogu mbi gjuhën, stigmatizimin dhe përgjegjësinë shoqërore mbetet i hapur, ndërsa rruga e kërkimit vazhdon aty ku kurioziteti shkencor nuk ndalet.

Continue Reading

Vendi

Hajrizi: Para 20 vjetësh kishim 5 studentë të IT-së, sot kemi me mijëra

Published

on

By

Edmond Hajrizi, Rektor i UBT-së, në EURO n’T7 ka thënë se ndër vite ka ndryshuar në tërësi kërkesa për drejtimet që të rinjtë duan të studiojnë; kjo tregon se edhe kërkesat për punë kanë ndryshuar.

Hajrizi, i cili me UBT shënon sivjet 25-vjetorin, tregon se kur kanë hapur degën për studime të teknologjisë informative kishin vetëm 5 studentë në këtë drejtim, derisa sot kanë me mijëra dhe kjo tregon se edhe nevojat e tregut kanë ndryshuar.

“Sot ka ndryshuar mindset-i i të rinjve. Fakti që ne si UBT kemi shkollën më të madhe të shkencave kompjuterike e nuk e kemi fakultetin juridik, i cili është më i vogli, tregon se të rinjtë duan të orientohen nga profesionet e së ardhmes siç janë IT, mjekësia dhe industria kreative, në funksione që faktikisht janë interesante. Njerëzimi sot ka nevojë për shumë profesione e profesionistë, sepse numri i të rinjve po bie, derisa ekonomia po rritet dhe nevojë për juristë të mirë e për ekonomistë të mirë do të ketë gjithmonë. Fakti që çdo vit regjistrohen me mijëra të rinj në fakultete si këto tregon se tregu ka nevojë për profesionistë si juristë ashtu edhe ekonomistë”, ka thënë Hajrizi.

Në anën tjetër, rektori i UBT-së ka kërkuar nga institucionet vendore që të largojnë të gjitha barrierat dhe t’u japin mundësi të rinjve për të studiuar duke mos kufizuar numrin e studentëve për drejtimet më të kërkuara, siç po ndodh në drejtimin e shkencave kompjuterike, ku kërkesa është e madhe derisa numri i studentëve është i kufizuar.

“Ne duhet ta ruajmë cilësinë e studimeve, por po ashtu duhet t’u japim mbështetje edhe më të madhe të rinjve që të kemi sa më shumë kuadro. Unë nuk mendoj se sot ne kemi ndonjë problem sa i përket përmbajtjes, infrastrukturës apo temave që trajtohen në botë; ne jemi në rrugën e njëjtë me të gjithë. Veç lodhesh duke menduar të shkosh diku jashtë për cilësi, sepse këtu i kemi të gjitha, sikur në Amerikë apo diku në Evropë”, ka shtuar Hajrizi.

Kreu i UBT-së po ashtu ka kërkuar nga niveli qendror e lokal i qeverisjes që të ndryshojnë mënyrën e qeverisjes për t’i dhënë më shumë hapësirë zhvillimit të vendit.

Continue Reading

Live

Izraeli nis sulmin kundër Iranit, shpall gjendje të jashtëzakonshme në vend

Published

on

By

Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.

Izraeli mbylli hapësirën ajrore të shtunën në mëngjes, tha Ministria e Transportit, pasi vendi kreu sulme ajrore ndaj Iranit, shkruan CNN.

Ende nuk është e qartë se si do të reagojë Irani. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar më parë se trupat amerikane në rajon mund të jenë në shënjestër nëse sulmohet.

(more…)

Continue Reading

Lajmet

“Ishte gjenocid” – Prof. Dr. Salih Krasniqi rrëfen tmerrin e spitaleve gjatë luftës dhe shpëtimin e qindra të plagosurve

Published

on

By

Kirurgu i përgjithshëm Prof. Dr. Salih Krasniqi ka rrëfyer në UBT podcast periudhën e luftës në Kosovë, ku përveç punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai shërbeu edhe në spitalet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke trajtuar qindra ushtarë dhe civilë të plagosur. Ai e cilëson atë periudhë si një ndër më të vështirat e jetës së tij, duke e quajtur hapur “gjenocid” atë që ndodhte në spitalet e kohës.

Sipas Krasniqit, vetëm rreth 10 për qind e stafit shqiptar kishte mbetur në punë në spitalet publike, ndërsa ai dhe kolegët e tij punonin paralelisht: gjatë javës në QKUK, ndërsa fundjavave në spitalet ushtarake në terren. Lufta, tha ai, mori përmasa të mëdha pas rënies së familjes Jashari, kur filloi të shtohej ndjeshëm numri i të plagosurve.

Ai ka dokumentuar 1,239 pacientë të trajtuar gjatë asaj periudhe, prej të cilëve 120 kanë vdekur në spital, sidomos pas fillimit të bombardimeve, kur – sipas tij – u rritën keqtrajtimet ndaj pacientëve shqiptarë në QKUK.

Krasniqi ka shërbyer në disa zona lufte, përfshirë Malishevën, Gradicën dhe Llapin. Në korrik të vitit 1998, ai mori pushimin vjetor për t’u angazhuar në Malishevë, ku numri i të plagosurve ishte shumë i madh. Në vitin 2001, ai u angazhua edhe në zonën e Likovës, ku për 43 ditë trajtoi rreth 375 të plagosur.

Rreziku më i madh, sipas tij, ishte rruga drejt spitaleve. “Na dilnin prita. Kishin mundësi të na likuidonin apo të na rrihnin,” rrëfen ai, duke përmendur raste kur mjekë shqiptarë janë keqtrajtuar fizikisht.

Ai ndau edhe dëshmi tronditëse për torturat ndaj pacientëve shqiptarë në spital: rrahje, lidhje për radiatorë, djegie me cigare dhe etiketime si “terrorist” në dokumente mjekësore. Në disa raste, ai arriti të shpëtojë pacientë duke i nxjerrë fshehurazi nga spitali dhe duke i dërguar në vende më të sigurta.

Prof. Dr. Salih Krasniqi e përshkruan atë që ndodhte në sistemin shëndetësor gjatë luftës si një përpjekje të organizuar për shkatërrimin e shëndetësisë shqiptare dhe frikësimin e popullatës civile. Ai thekson se largimi i stafit mjekësor shqiptar nga repartet kyçe, si gjinekologjia, kishte për qëllim pengimin e trajtimit dhe detyrimin e popullsisë për t’u larguar nga vendi.

Rrëfimi i tij mbetet një dëshmi e drejtpërdrejtë e sakrificës së mjekëve shqiptarë gjatë luftës dhe një dokumentim i rëndësishëm i asaj periudhe të errët të historisë së Kosovës.

Ju ftojmë të ndiqni episodin e parë të këtij podcasti: Podcasti

Continue Reading

Të kërkuara