Lajmet

Iranianët zgjedhin presidentin

Published

on

Qytetarët në Iran votojnë sot për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës Islamike.

Votimet zhvillohen në kohën e zemërimit në rritje për gjendjen e dobët të ekonomisë, e cila është goditur rëndë nga sanksionet amerikane, keqmenaxhimi i shtetit dhe pandemia e koronavirusit.

Ebrahim Raisi, një klerik 60 vjeç i vijës së ashpër politike dhe udhëheqës i gjyqësorit, pritet të zëvendësojë presidentin Hassan Rohani, i cili ka shërbyer dy mandate.

Raisi ka qenë një nga gjykatësit iranianë në vitin 1988, i cili ka mbikëqyrur një seri gjyqesh të shpejta, në të cilat mijëra të burgosur politikë janë dënuar me vdekje dhe janë ekzekutuar.

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se ai është fajtor për krime kundër njerëzimit.

Këshilli i Gardianëve – një organ i fuqishëm i vetingut në Iran – ka penguar kandidatët e moderuar të garojnë.

Sfiduesi kryesor i Raisit dhe i vetmi i moderuar në garë është Abdolnaser Hemmati.

Ai ka shërbyer si shef i Bankës Qendrore të Iranit përpara se të shkarkohej, për të kandiduar për president.

Hemmati, 64 vjeç, teknokrat, ka fituar vëmendje në ditët e fundit, duke kritikuar kufizimet shtetërore. Megjithatë, sondazhet e opinionit publik sugjerojnë se mbështetja për të është me një shifër.

Dy sfidues të tjerë të Raisit nga vija e ashpër, ish-negociatori i çështjeve bërthamore, Saeed Jalili, dhe ligjvënësi Alireza Zakani janë tërhequr nga gara më 16 qershor – në ditën e fundit të fushatës zgjedhore. Të dy u kanë kërkuar mbështetësve të tyre të votojnë për Raisin.

Një reformator tjetër, ish-nënkryetari për Sporte, Mohsen Mehralizadeh, gjithashtu është tërhequr nga zgjedhjet të enjten.

Dy kandidatë të tjerë të vijës së ashpër, Mohsen Rezai, ish-komandant i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, dhe Amir Hussein Ghazizadeh Hashemi, i cili ka shërbyer si nënkryetar i parë i Parlamentit, mbeten në garë.

Votimet mund të shënojnë pjesëmarrjen më të ulët të qytetarëve ndonjëherë – një eventualitet ky që do të hidhte dyshime të mëtejshme mbi legjitimitetin e rezultatit.

Një sondazh i kryer nga Agjencia iraniane e Sondazheve të Studentëve ka sugjeruar se vetëm 42 për qind e 59 milionë votuesve iranianë do t’i hedhin votat. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit presidenciale, më 2017, ka qenë 73 për qind.

Nëse asnjëri kandidat nuk fiton një shumicë të përgjithshme të premten, dy kandidatët me më shumë vota do të shkojnë në rundin e dytë të votimeve.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në mesnatë.

Ministri i Brendshëm i Iranit, Abdolreza Rahmani Fazli, ka pranuar këtë javë se pjesëmarrja në zgjedhje “mund të jetë më e ulët, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme”.

“Konkurrenca e dobët është një arsye dhe situata me koronavirus është një tjetër”, ka thënë Fazli për gazetarët.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime, ndërsa ka fajësuar “armiqtë” e vendit për dekurajimin e njerëzve për të marrë pjesë në zgjedhje.

Khamenei ka akuzuar “mediat amerikane dhe britanike” dhe “mercenarët e tyre” për, siç ka thënë, “vrasjen e vetvetes, për të vënë në dyshim zgjedhjet dhe për të dobësuar pjesëmarrjen e qytetarëve”./REL

Lajmet

BE-ja pritet t’i japë Ukrainës 6.1 miliardë euro shtesë për mbrojtjen

Published

on

Bashkimi Evropian pritet t’i ofrojë Ukrainës 6.1 miliardë euro ndihmë shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Financimi është pjesë e paketës së huasë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, e cila përfshin 28.3 miliardë euro për ndihmë ushtarake dhe 16.7 miliardë euro për mbështetje buxhetore.

Për të mundësuar blerjen e sistemeve “Patriot”, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, BE-ja do të heqë kërkesën që pajisjet të jenë të prodhuara brenda Evropës. Përjashtimi do të vlejë edhe për disa dronë që përdorin komponentë kinezë.

Shuma prej 6.1 miliardë eurosh përbën këstin e fundit të fondit prej 28.3 miliardë eurosh të dedikuar për mbrojtjen. Deri më tani, Ukrainës i janë transferuar 8.35 miliardë euro për këtë qëllim.

Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se avantazhi ushtarak i Ukrainës varet nga sigurimi i shpejtë i pajisjeve kritike në sasitë dhe afatet e nevojshme.

Sipas tij, përshpejtimi i dërgesave përmes përdorimit të rezervave ekzistuese, rishikimit të prioriteteve të porosive dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese është thelbësor.

Ndihma e re vjen në kohën kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa aleatët po përpiqen të rrisin furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore përpara dimrit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bajrami: Puna e parë në Kuvend do të jetë kriminalizimi i shkeljes së Kushtetutës

Published

on

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se një nga veprimet e para të Kuvendit do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.

Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Bajrami ka shkruar në Facebook se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.

“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kritikuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “mashtrues” dhe e ka akuzuar se po synon ta rrënojë shtetin.

“Ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi vazhdon në orën 14:00 seancën konstituive, në rend dite zgjedhja e nënkryetarëve

Published

on

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot në orën 14:00 seancën konstituive, ndërsa në rend dite është pika për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës ishte ndërprerë të premten, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës lëshuan sallën, pas dështimit të zgjedhjes së Vlora Çitakut për nënkryetare.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan gjatë votimit për Çitakun, duke bërë që ajo të mos i merrte votat e nevojshme.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje PDK-së që të paraqiste një propozim tjetër, por partia nuk e bëri një gjë të tillë.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Sot pritet të shihet nëse do të ketë një marrëveshje për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi dështon sërish të përmbyllë seancën konstituive, PDK lëshon sallën

Published

on

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të përmbyllet edhe në vazhdimin e sotëm, pasi procesi mbeti te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Në votimin e veçantë për nënkryetarët, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh në këtë pozitë me 101 vota.

Ndërkaq, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk arriti të marrë votat e nevojshme për nënkryetare. Deputetët e LVV-së abstenuan gjatë votimit për kandidaturën e saj.

Pas këtij votimi, deputetët e PDK-së lëshuan sallën e Kuvendit, ndërsa kryetarja Albulena Haxhiu ndërpreu punimet e seancës.

Haxhiu tha se për vazhdimin e radhës së seancës deputetët do të njoftohen me kohë. Me këtë, Kuvendi ende nuk ka arritur ta përmbyllë procesin e konstituimit.

Seanca e sotme vjen në kuadër të përpjekjeve për përmbylljen e seancës konstituive dhe funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara