Botë

Irani minimizon mundësinë për rinisjen e shpejtë të bisedimeve bërthamore

Published

on

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, e përjashtoi mundësinë për rinisjen e shpejtë të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai aktualisht nuk po flet me Iranin, duke ndryshuar qëndrimin e deritanishëm se bisedimet me Iranin do të rinisnin këtë javë.

Gjatë një interviste të publikuar më 30 qershor, Araqchi u pyet për deklarimin e Trumpit javën e kaluar se negociatat bërthamore me Iranin do të rinisnin së shpejti.

Nuk mendoj se negociatat do të rifillojnë kaq shpejt”, tha ministri i Jashtëm iranian gjatë intervistës për transmetuesin amerikan, CBS.

Që ne të vendosin për rikthim në bisedime, fillimisht ne duhet të sigurohemi që Amerika nuk do të kryejë sulm ushtarak ndaj nesh gjatë negociatave”.

Nevojitet më shumë kohë për të shqyrtuar të gjitha pikat, tha ai, duke shtuar se “dyert e diplomacisë nuk do të mbyllen kurrë plotësisht”.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin zhvilluar pesë runde bisedimesh indirekte lidhur me programin bërthamor të Teheranit, përpara se ato të dështonin dhe Izraeli të fillonte sulmet ajrore ndaj objekteve bërthamore dhe infrastrukturës ushtarake iraniane më 13 qershor.

SHBA-ja iu bashkua sulmeve të Izraelit më 22 qershor kur bombardoi tri ndërtesa kyç bërthamore të Iranit, përfshirë ndërtesën nëntokësore në Fordo.

Araqchi u pyet gjithashtu për një vlerësim të bërë nga kreu i agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara, Rafael Grossi, sipas të cilit Irani ka gjasa që mund të fillojë prodhimin e uraniumit të pasuruar brenda pak muajsh.

Nuk mund të shkatërrosh teknologjinë dhe shkencën e pasurimit përmes bombardimeve”, tha ai.

Nëse ekziston vullneti nga ana e Iranit, vendi “do të jetë në gjendje t’i riparojë dëmet me shpejtësi dhe të kompensojë kohën e humbur”, shtoi ai.

Në një postim në platformën e tij Truth Social më 30 qershor, Trump shkroi se ai “nuk po i ofroj Iranit asgjë… dhe as nuk jam duke folur me ta, që kur i kemi shkatërruar plotësisht objektet e tyre bërthamore”.

Shkalla e dëmit të shkaktuar në programin bërthamor të Iranit gjatë luftës 12-ditore me Izraelin mbetet e paqartë. Irani thotë se ndërtesat e tij bërthamore kanë pësuar dëme të mëdha, por është zotuar se do të vazhdojë me programin bërthamor, që insiston se është paqësor.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 2015 të arritur me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore, Iranit iu lejua të pasurojë uranium në një nivel më të ulët se 3.67 për qind të pastërtisë, për qëllime të prodhimit të energjisë në termocentralet bërthamore.

Trump u largua nga kjo marrëveshje më 2018, dhe Irani u kundërpërgjigj duke prodhuar uranium të pasuruar deri në 60 për qind – një nivel më i lartë se ai për përdorim civil, por më i ulët sesa niveli i kërkuar për armë bërthamore.

Rafael Grossi, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, deklaroi se ka shumë gjasa që centrifugat që janë përdorur për pasurimin e uraniumit në Fordo të jenë dëmtuar rëndë. Por, ai shtoi se Irani mund të rinisë me pasurimin e uraniumit “brenda muajsh”.

Ai po ashtu tha se ka disa tregues që Irani mund të ketë zhvendosur një pjesë të uraniumit të pasuruar para sulmeve ajrore amerikane.

Grossi theksoi se Irani e kishte informuar atë më 13 qershor se po ndërmerrte masa për të mbrojtur pajisjet dhe materialin bërthamor. Sipas tij, kjo sugjeron se Irani mund të ketë zhvendosur uraniumin./REL

Aktualitet

Irani kërcënon botën: Nafta do të shkojë në 200 dollarë, vazhdojnë sulmet në det

Published

on

By

Irani ka deklaruar se bota duhet të përgatitet që çmimi i naftës të arrijë në 200 dollarë për fuçi, ndërsa forcat e tij sulmuan anijet tregtare të mërkurën në Gjirin e bllokuar. Paralelisht, Irani hodhi predha drejt Izraelit dhe objektivave të tjerë në Lindjen e Mesme, duke dëshmuar se mund të kundërpërgjigjet përkundër asaj që Pentagoni i ka përshkruar si sulmet më intensive amerikano-izraelite deri më tani.

Çmimet e naftës, të cilat u rritën ndjeshëm në fillim të kësaj jave, janë stabilizuar disi dhe bursat janë rimëkëmbur, pasi investitorët po vënë bast se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të gjejë një mënyrë të shpejtë për t’i dhënë fund luftës që nisi krah Izraelit rreth dy javë më parë.

Trump, i cili vazhdimisht është përpjekur të qetësojë tregjet, tha në një intervistë telefonike për Axios se “praktikisht nuk ka mbetur asgjë” për të goditur në Iran. “Pak këtu e pak atje… Kurdo që unë dua që kjo të përfundojë, do të përfundojë,” u shpreh ai.

 

Ndërprerja më e rëndë e furnizimit që nga vitet ’70

Përkundër optimizmit të tregjeve, në terren nuk ka shenja të zbutjes së konfliktit apo ndonjë sinjal se anijet mund të lundrojnë të sigurta përmes Ngushticës së Hormuzit. Aty është bllokuar një e pesta e naftës në botë, duke shënuar ndërprerjen më të madhe të furnizimit me energji që nga goditjet e naftës në vitet 1970.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka rekomanduar lëshimin e 400 milionë fuçive nga rezervat strategjike globale për të stabilizuar çmimet—ndërhyrja më e madhe në histori, e cila u miratua menjëherë nga Uashingtoni. Megjithatë, ritmi me të cilin vendet mund ta lëshojnë këtë rezervë përbën vetëm një pjesë të vogël të furnizimit që zakonisht kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.

“Bëhuni gati që nafta të shkojë në 200 dollarë për fuçi, sepse çmimi i naftës varet nga siguria rajonale, të cilën ju e keni destabilizuar,” deklaroi Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i komandës ushtarake të Iranit, në një mesazh drejtuar Shteteve të Bashkuara.

Çmimet e naftës, të cilat të hënën arritën për pak kohë në gati 120 dollarë, që atëherë janë stabilizuar rreth 90 dollarëve, gjë që sugjeron se investitorët shpresojnë në një përfundim të shpejtë të luftës dhe rihapjen e ngushticës. /Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Von der Leyen: 10 ditë luftë në Iran i kushtuan Evropës 3 miliardë euro shtesë në energj

Published

on

By

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë alarmin të mërkurën para ligjvënësve në Strasburg, duke bërë të ditur se përshkallëzimi i luftës në Iran ka goditur rëndë ekonominë e bllokut.

Sipas saj, tronditja e tregjeve ka bërë që çmimet e gazit të rriten me 50% dhe ato të naftës me 27%.

“Nëse e përktheni këtë në euro, 10 ditë luftë u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë tre miliardë euro shtesë në importe të lëndëve djegëse fosile”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar me prerje se “ky është çmimi i varësisë sonë”.

Gjatë fjalimit të saj, ajo vuri në dukje se për dallim nga tregjet e jashtme, çmimi i energjisë së rinovueshme dhe asaj bërthamore evropiane ka mbetur i qëndrueshëm, duke dëshmuar rëndësinë e pavarësisë energjetike.

Presidentja e KE-së ishte e prerë në qëndrimin e saj kundër thirrjeve për t’u rikthyer te burimet ruse të energjisë si zgjidhje për krizën aktuale, duke e cilësuar këtë si një rrezik për sigurinë e bllokut.

“Ky do të ishte një gabim strategjik. Do të na bënte më të varur, më të prekshëm dhe më të dobët”, ka thënë ajo, duke hedhur poshtë çdo mundësi që BE-ja të thyejë sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus.

Von der Leyen e përfundoi fjalimin duke insistuar se Evropa duhet t’i rezistojë çdo tundimi për t’u kthyer pas, pasi rruga e vetme drejt stabilitetit është forcimi i burimeve të veta dhe largimi i plotë nga lëndët djegëse fosile të importuara nga zonat e konfliktit.

Continue Reading

Aktualitet

Sulme me dronë ndaj bazave amerikane në Irak

Published

on

By

Një dron ka goditur të martën një objekt të rëndësishëm diplomatik të SHBA-së në Bagdad, pa shkaktuar të lënduar. Besohet se ky sulm është kryer nga milicitë e mbështetura nga Irani në Irak.

Droni goditi Qendrën Diplomatike Mbështetëse në Bagdad, e cila shërben si një qendër e madhe logjistike për diplomatët amerikanë pranë aeroportit të qytetit. Sipas një njoftimi të brendshëm të SHBA-së, të cituar nga Washington Post dhe Reuters, goditja ka ndodhur pranë një kulle roje.

Washington Post raporton se gjithsej gjashtë dronë ishin lëshuar në drejtim të kompleksit, pesë prej të cilëve u rrëzuan nga sistemet mbrojtëse.

Sipas raportimeve, sulmi ka gjasë të jetë kryer nga grupet e armatosura që veprojnë nën ombrellën e “Rezistencës Islamike në Irak” (IRI). Ky koalicion i grupeve të mbështetura nga Irani ka rritur intensitetin e sulmeve që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën e tyre kundër Iranit.

Ndërkohë, në veri të Irakut, të paktën tre dronë janë interceptuar në periferi të Erbilit, në rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit. Deri më tani nuk raportohet për viktima apo të lënduar nga ky operacion.

Pranë aeroportit të Erbilit ndodhet një bazë ushtarake amerikane, ndërsa vetë qyteti ka qenë vazhdimisht cak i sulmeve hakmarrëse të Iranit dhe milicive pro-iraniane. /BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Vazhdojnë sulmet ajrore në Lindjen e Mesme: Irani kërkon ndihmë për shënjestrimin e bazave amerikane dhe izraelite

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli shkëmbyen sulme ajrore me Iranin në mbarë Lindjen e Mesme të mërkurën, ndërkohë që qeveria e rrethuar e Teheranit paralajmëroi se forcat e saj të sigurisë shtetërore janë gati me “gishtin në këmbëz” për t’u përballur me çdo protestë anti-qeveritare.

Pas një shkëmbimi të bombardimeve ndër më të rëndat në rajon të martën, palët luftuese rinovuan sulmet mbi objektivat kundërshtare në Izrael, Liban dhe Gjirin Persik, ndërsa lufta ka hyrë në ditën e saj të 12-të.

Konflikti ka bllokuar efektivisht rrugët jetike detare përmes Ngushticës së Hormuzit, duke ndërprerë rrjedhën e një të pestës së furnizimeve botërore me energji fosile nga Gjiri i pasur me naftë.

Pas një rritjeje të madhe të çmimeve të naftës bruto të hënën, çmimet globale të energjisë kanë pësuar rënie dhe bursat janë rimëkëmbur, teksa investitorët shpresojnë se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të kërkojë përfundimin e shpejtë të luftës.

Duke i shtuar optimizëm tregut, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka propozuar nxjerrjen më të madhe të rezervave të naftës në historinë e saj për të stabilizuar më tej çmimet e naftës bruto, raportoi të martën Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë njohës të çështjes. Reuters nuk ka mundur ta verifikojë menjëherë këtë raportim.

Sidoqoftë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit u zotua të bllokojë dërgesat e naftës nga Gjiri, përveç nëse sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndalen. Ndërkohë, sulmet ajrore mes dy palëve nuk treguan asnjë shenjë të menjëhershme zbutjeje.

Një anije mallrash u godit nga një projektil i panjohur në Ngushticën e Hormuzit, gjë që shkaktoi zjarr në bord dhe detyroi ekuipazhin të evakuohej e të kërkonte ndihmë, sipas autoritetit të Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) të mërkurën.

Ky trup detar gjithashtu njoftoi se ka marrë një raport për një incident të veçantë pranë bregdetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku kapiteni i një anijeje konteinerësh raportoi dëmtime nga një projektil i dyshuar, por i panjohur.

Shtëpia e Bardhë përsëriti të martën kërcënimin e Trumpit për ta goditur rëndë Iranin pas lëvizjeve të Teheranit për të ndaluar rrjedhën e furnizimeve energjetike përmes Ngushticës së Hormuzit. Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se 16 anije iraniane për vendosjen e minave janë “asgjësuar” pranë ngushticës të martën.

IRANI BËN THIRRJE PËR NDIHMË NË SHËNJESTRIMIN E SHBA-SË DHE IZRAELIT

Miliona izraelitë u detyruan të hyjnë vazhdimisht në vendstrehime gjatë natës, pasi ushtria paralajmëroi se Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit – një shenjë kjo që Teherani ruan kapacitetin për të goditur Izraelin pas gati dy javësh armiqësi.

Zhurma e shpërthimeve nga mbrojtja ajrore që interceptonte raketat ndërpreu errësirën e para-agimit, ndërsa sirenat e alarmit ajror ranë dhe izraelitët nxituan drejt dhomave të sigurta dhe strehimoreve. Nuk pati informacione të menjëhershme nëse ndonjë prej raketave ka prekur tokën.

Zëdhënësi i forcave të armatosura të Iranit, Abolfazl Shekarchi, u bëri thirrje të mërkurën vendeve të rajonit dhe besimtarëve myslimanë të tregojnë “vende-fshehjet e SHBA-Zionistëve (Izraelitëve)” për të maksimizuar saktësinë dhe ndikimin e sulmeve iraniane, duke minimizuar dëmtimin e civilëve, të cilët, sipas tij, po përdoren si “mburoja njerëzore”.

Shekarchi tha gjithashtu se Irani do t’u përgjigjet sulmeve të fundit amerikano-izraelite në zonat e banuara.

Sulmet e fundit nga Irani përkuan me një breshëri të re izraelite mbi Bejrut, që synonte eliminimin e grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani, i cili ka gjuajtur drejt Izraelit nga Libani në shenjë solidariteti me qeverinë e Teheranit.

Tubime në shkallë të gjerë janë mbajtur në Iran në mbështetje të liderit të ri suprem, Mojtaba Khamenei, një linjë-ashpër i zgjedhur për të pasuar babanë e tij, i cili u vra në ditën e parë të luftës. Një procesion funerali për komandantët e lartë ushtarakë iranianë të vrarë herët në luftë do të mbahet në Teheran këtë të mërkurë nga ora 13:30. /Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara