Lajmet

Imri Ahmeti jep betimin për kryetar të Lipjanit, zotohet se do të punojë me përgjegjësi

Ahmeti tha se verdikti i votuesve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit e ka bërë krenar.

Published

on

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka dhënë betimin për herë të tretë si kryetar i kësaj komune.

Kryetari i rizgjedhur, Ahmeti në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Lipjanit tha se verdikti i votuesve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit e ka bërë krenar, por edhe përgjegjës që në mandatin e ardhshëm katër-vjeçar të punojë fort e me për të zhvilluar qytetin.

“Vërtet për mua është jo vetëm ditë e veçantë që për të tretën herë po rifilloj detyrën e kryetarit të komunës. Prandaj, i jam mirënjohës qytetarëve që më kanë bërë krenar për vlerësimin tuaj, por ju edhe më obligoni shumë që ne të punojmë fort, të punojmë me përgjegjësi për të zhvilluar komunën tonë. Për mua para së gjithash është obligim dhe përgjegjësi e jo privilegj. Është detyrë e shenjtë e jo pozitë, është synim e vizion i zhvillimit të mëtutjeshëm të komunës tonë e jo punë e zakonshme, por edhe detyrim për të vazhduar me dinamikë e insistim ndërtimin dhe zhvillimin e komunës tonë”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha po ashtu se parimi i respektimit të ligjit do të jetë bazament i përhershëm i punës së tij në komunën e Lipjanit.

“Parimet tona qeverisëse dua sot t’ua rikujtoj dhe t’ua rikonfirmoj të gjithëve që parimi i respektimit të ligjit përkatësisht normave qeverisëse do të jenë bazament i përhershëm i punës tonë. Gjatë mandatit që po e rifillojmë, parimi i qeverisjes ligjore dhe transparente do të jetë udhërrëfyes dhe shteg që s’dalim përtej saj dot, pavarësisht sfidave, interesave, presioneve që mund të prodhohen gjatë punës tonë”, theksoi ai.

Ahmeti me këtë rast ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë qytetarët e Lipjanit dhe me të gjitha strukturat e partive pa dallim në të mirë të zhvillimit të mëtutjeshëm të Lipjanit, qytetit dhe fshatrave të komunës.

Imri Ahmeti nga LDK-ja ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve pa balotazh në zgjedhjet e 17 tetorit ku në garë ishte me kandidatët Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, Hyzer Rizani nga PDK-ja dhe Bashkim Budakova nga AAK. 

Vendi

Inspektorati i Punës vazhdon aksionin: Ndalohen punimet në kantiere ndërtimi

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektues në të gjithë territorin e Kosovës, duke u fokusuar në sektorët me rrezikshmëri të lartë. Në raportin e fundit 48-orësh, i cili shënon ditën e gjashtë të këtij aksioni, fokusi ka qenë tërësisht te sektori i ndërtimtarisë, ku janë realizuar 100% e inspektimeve.

Gjatë kësaj periudhe, inspektorët kanë shqiptuar masa të menjëhershme ndaj subjekteve ku janë hasur shkelje. Çdo rast ku është urdhëruar ndalimi i punimeve, shoqërohet automatikisht me kërkesë për dënim në Gjykatën për Kundërvajtje.

Ky proces synon që të gjitha bizneset që nuk respektojnë rregullat e sigurisë dhe shëndetit në punë, të përballen me pasojat ligjore menjëherë pas përfundimit të aksionit.

Inspektorati bën me dije se në ditët në vijim do të nisin riinspektimet për të parë nëse janë eliminuar parregullsitë e konstatuara. Punimet do të lejohen të vazhdojnë vetëm atëherë kur subjektet të vërtetojnë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar gjendjen e sigurisë në kantiere. Ky angazhim i Inspektoratit mbetet pjesë e përpjekjeve për të garantuar një mjedis më të sigurt për të gjithë punëtorët në vend.

Continue Reading

Vendi

FINALISTËT E KUPËS SË KOSOVËS PËRCAKTOHEN PAS NDESHJEVE DRAMATIKE

Published

on

Dukagjini dhe Ferizaj kanë siguruar kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës, pas dy përballjeve të forta gjysmëfinale që u karakterizuan me tension dhe rivalitet deri në minutat e fundit.

Dukagjini triumfoi ndaj Ballkanit me rezultat 3-2, duke e mbyllur këtë duel me rezultat të përgjithshëm 6-2 dhe duke konfirmuar formën e mirë në fazën vendimtare të garës. Në anën tjetër, Ferizaj arriti të sigurojë finalen pas një ndeshjeje shumë të luftuar ndaj Llapit, e cila përfundoi 0-0 në kohën e rregullt. Ferizaj doli më i suksesshëm me rezultat të përgjithshëm 2-1.

Finalja e madhe e Kupës së Kosovës pritet të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një përballje që premton emocione dhe spektakël për trofeun e çmuar të garës.

Continue Reading

Vendi

Themelohet Garda për Mbrojtjen e Natyrës: Bashkëpunim kundër krimeve mjedisore

Published

on

By

Në shënim të Ditës Botërore të Tokës, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, një iniciativë që synon forcimin e bashkëpunimit mes qytetarëve dhe institucioneve.

Në një ceremoni ku morën pjesë Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit që i hap rrugë funksionalizimit të kësaj garde.

Sipas njoftimit, anëtarët e kësaj strukture do të punojnë ngushtë me Policinë e Kosovës për të parandaluar dhe trajtuar në mënyrë efikase krimet mjedisore në gjithë territorin e vendit.

Ministri Sveçla theksoi se mbrojtja e natyrës tashmë po kthehet në një angazhim të strukturuar dhe të organizuar, me qëllim ruajtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm.

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci në Gjermani: Kosova dhe Gjermania forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka vizituar Gjermaninë ku është pritur në Ministrinë Federale të Mbrojtjes nga Sekretari i Parlamentit të Shtetit, Nils Schmid.

Gjatë këtij takimi zyrtar u diskutua për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e vazhdueshme gjermane për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri Maqedonci vlerësoi lart kontributin e Gjermanisë në kuadër të KFOR-it dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, duke vënë theksin te rritja e ndërveprueshmërisë dhe zgjerimi i programeve për trajnime të përbashkëta.

Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje për rolin konstruktiv të Gjermanisë dhe ritheksoi përkushtimin e Kosovës për forcimin e partneritetit strategjik dhe zhvillimin e ushtrisë sipas standardeve të NATO-s për ruajtjen e paqes në rajon.

Continue Reading

Të kërkuara