Lajmet

Historike: UBT sjell për herë të parë Kongresin Evropian të Cilësisë në Kosovë

Published

on

Për herë të parë, Kosova mirëpret një nga ngjarjet e rëndësishme të komunitetit evropian të cilësisë, duke e vendosur Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në qendër të takimit të rëndësishëm ndërkombëtar të ekspertizës, inovacionit dhe vizionit për të ardhmen.

Me hapjen zyrtare të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi, UBT shënon një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe bashkëpunimin e saj evropian.

Hapjen e këtij Kongresi e bëri Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, njëherësh president i Quality Kosova dhe Zëvendëspresident i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), i cili vlerësoi se cilësia në epokën moderne duhet të tejkalojë konceptin tradicional të standardeve dhe certifikimeve, duke u shndërruar në një forcë strategjike për zhvillim, inovacion dhe transformim shoqëror.

“Cilësia nuk mund të kuptohet më vetëm si përputhje me standardet, procedurat ose kërkesat e certifikimit. Cilësia duhet të bëhet një kapacitet strategjik për më tepër, cilësia duhet të mbetet thellësisht e lidhur me vlerat njerëzore, sepse përparimi teknologjik pa besim është i brishtë, dhe inovacioni pa përgjegjësi është i paplotë”, theksoi Rektori Hajrizi.

Duke u ndalur te rëndësia historike e këtij organizimi për Kosovën dhe UBT-në, Rektori Hajrizi vuri në pah se pritja e Kongresit të EOQ-së për herë të parë në Kosovë paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve me komunitetin evropian dhe ndërkombëtar të cilësisë, si dhe një mundësi për prezantimin e potencialit të vendit në arenën ndërkombëtare.

“Për Kosovën, pritja e Kongresit të EOQ-së për herë të parë është veçanërisht domethënëse. Ajo përfaqëson një mundësi për të lidhur institucionet, profesionistët dhe të rinjtë tanë më ngushtë me komunitetin evropian dhe ndërkombëtar të cilësisë, duke paraqitur një Kosovë ambicioze, të hapur nga jashtë dhe të përkushtuar ndaj inovacionit dhe bashkëpunimit evropian”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Në këtë frymë, kongresi shërben si një platformë e rëndësishme për bashkimin e ekspertizës akademike, përvojës profesionale dhe vizionit institucional, duke krijuar hapësira të reja për bashkëpunim, shkëmbim të praktikave më të mira dhe avancim të standardeve të cilësisë në Kosovë dhe më gjerë.

Në hapjen zyrtare të kongresit mori fjalën edhe Presidenti i EOQ, Prof. Dr. Paulo Sampaio, i cili e vendosi këtë ngjarje në kontekstin e 70-vjetorit të EOQ-së, duke theksuar se ky përvjetor shënon jo vetëm një histori të gjatë të udhëheqjes në fushën e cilësisë, por edhe një thirrje për angazhim të përbashkët drejt së ardhmes.

“Është kënaqësi t’ju bashkohem këtu, në 70-vjetorin e Organizatës Evropiane për Cilësi dhe të uroj organizatën, si dhe UBT-në për bashkimin tonë në këtë ngjarje të përshtatshme dhe të rëndësishme. Ky përvjetor është një kremtim i shtatë dekadave të udhëheqjes në cilësi, por është gjithashtu një thirrje për veprim për Evropën dhe për Kosovën”, theksoi Prof. Dr. Paulo Sampaio.

Duke folur për rolin e njerëzve në zhvillimin e organizatave dhe në krijimin e vlerave të qëndrueshme, presidenti i EOQ-së nënvizoi se suksesi nuk mund të ndërtohet vetëm mbi strategji dhe plane, por mbi marrëdhënie të forta, besim dhe angazhim të përbashkët.

“Pasuria më e madhe e organizatës është te njerëzit e saj, te anëtarët e saj. Asnjë strategji nuk mund të zbatohet pa njerëz, dhe asnjë organizatë nuk mund të krijojë vlerë afatgjatë pa marrëdhënie”, u shpreh Sampaio.

Ai theksoi gjithashtu se e ardhmja e organizatave dhe e institucioneve varet nga aftësia për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët.

“E ardhmja nuk do të përcaktohet nga ajo që mund të arrijë një president, një bord apo një organizatë e vetme, por nga ajo që mund të arrihet bashkërisht përmes besimit dhe qëllimit të përbashkët”, deklaroi presidenti i EOQ-së.

Në ceremoninë hapëse mori pjesë edhe zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Jeton Mehmeti, i cili theksoi rëndësinë e Kongresit të 67-të të EOQ-së për zhvillimin e kulturës së cilësisë në Kosovë, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe forcimin e integrimit të tyre në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare.

“Për ne, cilësia nuk është thjesht zbatimi i standardeve apo i kërkesave teknike. Ajo është një element jetik i besimit të konsumatorit, një parakusht për konkurrencë të drejtë, një shtytës i inovacionit dhe një faktor i rëndësishëm në integrimin e bizneseve tona në tregun evropian dhe ndërkombëtar”, u shpreh Mehmeti.

Shefi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe të Integrimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda, foli për rëndësinë strategjike të cilësisë në procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke theksuar rolin e saj në forcimin e institucioneve, rritjen e konkurrueshmërisë dhe ndërtimin e besimit te qytetarët.

“Për Kosovën, ky mesazh është veçanërisht i rëndësishëm teksa ajo përparon në rrugën e saj evropiane. Konvergjenca me Bashkimin Evropian ka të bëjë me rrënjosjen e një kulture të cilësisë në qeverisje, në arsim dhe aftësi, në performancën industriale, në sistemet shëndetësore, në funksionimin e tregjeve të bazuara në rregulla dhe në besueshmërinë e institucioneve publike. Cilësia ndihmon në shndërrimin e reformave në rezultate dhe të ambicies në besim”, theksoi Gertruda.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit të Kosovës, Irfan Lipovica, foli për rëndësinë e akreditimit dhe avancimit të infrastrukturës së cilësisë, duke vënë në pah nevojën për harmonizim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe për forcimin e besueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve.

“Përmes akreditimit dhe besueshmërisë së rezultateve, mbrojtja e konsumatorit dhe besimi te produktet dhe shërbimet forcohen. Për Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit të Kosovës, avancimi i infrastrukturës së cilësisë, harmonizimi me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe arritja e njohjes ndërkombëtare të rezultateve të vlerësimit të konformitetit janë prioritete shumë të rëndësishme”, u shpreh Lipovica.

Kongresi i 67-të i EOQ-së shënon një moment me rëndësi të veçantë për pozicionimin e Kosovës në diskutimet evropiane mbi cilësinë, standardizimin, akreditimin dhe inovacionin. Përmes këtij organizimi, UBT krijon një hapësirë të përbashkët për dialog ndërmjet akademisë, institucioneve publike dhe komunitetit profesional ndërkombëtar, duke e sjellë Kosovën në qendër të shkëmbimit të ideve dhe përvojave që synojnë përmirësimin e vazhdueshëm të sistemeve të menaxhimit dhe avancimin e standardeve profesionale.

Me organizimin e këtij kongresi, UBT dëshmon rolin e tij si një institucion që krijon ura bashkëpunimi ndërkombëtar dhe hap horizonte të reja për zhvillimin akademik, profesional dhe teknologjik të Kosovës. Ngjarja përfaqëson më shumë sesa një takim të ekspertëve: ajo është një platformë ku vizioni evropian për cilësinë takohet me potencialin e Kosovës, duke krijuar mundësi për partneritete të reja, shkëmbim të dijes dhe përfshirje më të madhe në rrjetet ndërkombëtare të ekspertizës.

Sesionet e Kongresit do të vazhdojnë sot dhe nesër, ku ekspertët botërorë do të prezantojnë për tematika të ndryshme.

Vendi

Gjykata e arsyeton me “mbrojtjen e familjes” seancën që do të mbahet e mbyllur ndaj Jeton Sylajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim që shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, i akuzuar për kanosjen e ish-bashkëshortes së tij të ndjerë, Arlinda Zekaj, të mbahet i mbyllur për publikun.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, seanca u vendos të mbyllet me kërkesë të Prokurorisë, me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë. Gjykata i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe interesit më të mirë të fëmijës së mitur të çiftit, duke vlerësuar se mbrojtja e privatësisë së tij është me interes legjitim.

Jeton Sylaj akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë për veprën penale “Kanosja”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme psikike e fizike ndaj Zekajt, e ka detyruar të marrë kredi financiare, si dhe e ka kërcënuar seriozisht me jetë përmes telefonatave. Po ashtu, sipas aktakuzës, i dyshuari ia kishte nxjerrë dhe djegur rrobat e viktimës në oborr, duke ia dërguar pamjet me video, si dhe kishte ndikuar në shkëputjen e kontakteve mes nënës dhe djalit të tyre 12-vjeçar.

Rasti merr përmasa edhe më të rënda pasi Arlinda Zekaj u vra në fund të muajit tetor në Vitomiricë të Pejës, pak kohë pasi kishte denoncuar dhunën në polici. Dorasi i dyshuar i vrasjes është vëllai i të pandehurit, Albert Sylaj, ndërsa të dy vëllezërit ndodhen tashmë nën masën e arrestimit. /Betimi per Drejtësi/

Continue Reading

Lajmet

Profesoresha Lisjeta Thaqi Jashari mban ligjërata për inteligjencën artificiale në Universitetin e Salentos

Published

on

By

Profesoresha e gjuhës angleze në UBT, Lisjeta Thaqi Jashari, po qëndron për një vizitë akademike në Universitetin e Salentos në Lecce të Italisë, ku po zhvillon ligjërata dhe takime profesionale me kolegë të universitetit pritës.

Në qendër të ligjëratave të saj janë metodat bashkëkohore të mësimdhënies së diferencuar me mbështetjen e inteligjencës artificiale. Profesoresha e UBT-së po trajton mënyrat se si mësimdhënësit mund t’i shfrytëzojnë këto teknologji inovative për t’ua përshtatur materialet dhe aktivitetet mësimore studentëve me nivele të ndryshme të njohurive.

Gjatë kësaj vizite akademike po zhvillohen edhe takime që synojnë shkëmbimin e përvojave mbi përdorimin e teknologjisë në arsim, si dhe hapjen e rrugëve për bashkëpunime të reja akademike.

Continue Reading

lajme

Nga e kanë origjinën sportet botërore

Published

on

By

Garat sportive pëlqehen gjithandej në botë. Ka sporte që tërheqin audiencë në gjithë botën, të tjera pëlqehen më shumë në rajone të caktuara.

Disa kanë lindur mileniume e shekuj më vonë, të tjera janë më të reja. Por, ku ka garë ka interes. Audiencë miliardëshe, sikur futbolli, për shembull.

Por, ku kanë lindur këto sporte, cila është origjina e tyre. Ja një listë me sportet kryesore dhe me vendin e tyre të origjinës fillestare:

  1. Futbolli – Angli – 1863
  2. Basketbolli – Shtetet e Bashkuara – 1891
  3. Kriketi – Angli – shek. XVI
  4. Tenisi (në fushë) – Angli – 1873
  5. Bejsbolli – Shtetet e Bashkuara – 1845
  6. Hokeji në fushë – Angli – shek. XIX
  7. Golfi – Skoci – shek. XV
  8. Volejbolli – Shtetet e Bashkuara – 1895
  9. Badmintoni – Indi – 1873
  10. Pingpongu – Angli – vitet 1880
  11. Ragbi – Angli – 1823
  12. Boksi – Greqia e Lashtë – 688 p.e.s.
  13. Noti (garues) – Angli – shek. XIX
  14. Gjuajtja me hark – Mbarë bota – Parahistori
  15. Xhudo – Japoni – 1882
  16. Karate – Okinava – shek. XVII–XIX
  17. Mundja – Mesopotami – 3000 p.e.s.
  18. Hokeji në akull – Kanada – shek. XIX
  19. Surfimi – Polinezi – shek. XII

Continue Reading

Lajmet

Mungesa e kuorumit bllokon mbledhjen e Komisionit Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Mungesa e kuorumit të nevojshëm ka pamundësuar vazhdimin e mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Kryetari i komisionit, Burim Ramadani, bëri të ditur se mbledhja do të tentohet të mbahet sërish gjatë ditës së sotme për të vazhduar me pikat e rendit të ditës, ku kryesore është zgjedhja e ekspertëve të jashtëm.

Ndërkaq, deputeti Eman Rrahmani shprehu shqetësimin e tij për mungesën e përgjegjësisë së anëtarëve dhe vonesat e vazhdueshme, duke theksuar se bllokada të tilla po pengojnë punën e komisionit, përfshirë edhe kërkesën për të ftuar për raportim përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit apo edhe vetë kryeministrin. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara