Aktualitet

Holanda, Danimarka e Spanja, “po” hapjes së negociatave për Shqipërinë

Published

on

Holanda ishte shteti që para disa ditësh deklaroi një “po” për Shqipërinë. Pas saj, edhe dy shtete të tjera konfirmojnë po-në për Shqipërinë.

Holanda ka konsoliduar zyrtarisht vlerësimin pozitiv të përmbushjes së kushtëzimit për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë edhe me mbështetjen e Parlamentin holandez. Po ajo nuk është e vetme, përcjell albinfo.ch.

Mediat në Shqipëri kanë mësuar nga burime zyrtare daneze se Parlamenti i Danimarkës nuk është bërë pengesë për vendimin pozitiv të Qeverisë së Danimarkës lidhur me hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Burime daneze kanë thënë për ABC se Parlamenti i Danimarkës nuk i është kundërvënë vendimit të qeverisë daneze për dritën jeshile lidhur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë. Në këtë vendim, qeveria daneze mbështet raportin e Komisionit Evropian të prezantuar në 12 maj në Këshillin e ministrave të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm për mbajten e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Ndërkohë, burime zyrtare spanjolle kanë bërë të ditur për ABC qëndrimin zyrtar të Spanjës. Spanja mbështet raportin e Komisionit Europian të 12 majit, sipas të cilit kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri janë përmbushur.

Sipas këtyre burimeve, Spanja konsideron se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë progres lidhur me reformat e integrimit dhe meritojnë fiksimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur (22 qershor). Spanja kundërshton ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, ashtu si shumë shtete të tjera të Bashkimit Evropian.

Burimet zyrtare spanjolle kanë sqaruar për ABC, se sipas procedurave të qeverisë spanjolle, Parlamenti i Spanjës njoftohet për vendimin zyrtar të qeverisë spanjolle lidhur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë, por nuk ka mandat specifik dhe paraprak lidhur me marrjen e këtij vendimi.

Edhe nëse arrihet unanimiteti lidhur me vlerësimin pozitiv për Shqipërinë, çështja e aprovimit të kuadrit negociues me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbahet aktualisht pezull nga Bullgaria për shkak të vetos që i ka vendosur Maqedonisë së Veriut. Kjo veto ka të bëjë me pretendime të autoriteteve bullgare për çështjen e gjuhës dhe historisë lidhur me Maqedoninë e Veriut. Pa aprovimin e kuadrit negociues, nuk mund të fiksohet një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Rrjedhimisht, takimi i 22 qershorit, siç e ka njoftuar paraprakisht ABC, nuk pritet të prodhojë vendim lidhur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Kjo ka më shumë gjasa të ndodhë gjatë presidencës sllovene, që merr kryesinë e Bashkimit Evropian nga 1 korriku deri më 31 dhjetor 2021.

Burimi: Indeksonline

Aktualitet

WFP: Lufta në Iran mund të zhysë 45 milionë njerëz në uri akute deri në qershor

Published

on

By

Sipas analizës së Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të publikuar të martën, dhjetëra miliona njerëz të tjerë do të përballen me uri akute nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, raporton Reuters.

Sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, që nisën më 28 shkurt, kanë bllokuar rrugët kryesore të ndihmës humanitare, duke vonuar dërgesat jetike për disa nga krizat më të rënda në botë.

Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i WFP-së, Carl Skau, u tha gazetarëve në Gjenevë se parashikohet që edhe 45 milionë njerëz të tjerë të bien në uri akute si pasojë e rritjes së kostove të ushqimit, naftës dhe transportit. Kjo do ta çonte numrin global mbi nivelin rekord aktual prej 319 milionë njerëzish.

“Kjo do t’i çonte nivelet globale të urisë në një rekord historik dhe është një perspektivë e tmerrshme,” tha ai.

“Edhe para kësaj lufte, ne ishim në një ‘stuhi të përsosur’ ku uria nuk ka qenë kurrë aq e rëndë sa tani, si në numra, ashtu edhe në thellësinë e saj,” shtoi ai.

Skau tha se kostot e transportit janë rritur me 18% që nga fillimi i sulmeve më 28 shkurt dhe se disa dërgesa është dashur të ridrejtohen. Ai shtoi se këto kosto shtesë vijnë krahas shkurtimeve të thella të shpenzimeve nga WFP, ndërkohë që donatorët po fokusohen më shumë te mbrojtja. /Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin bullgar: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit në siguri dhe politikë të jashtme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim njoftues ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Kraevski e uroi ministrin Konjufca për mandatin e tij të ri, duke rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Fokus i diskutimit ishte thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe koordinimin e politikave të jashtme.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se partneriteti ndërmjet Prishtinës dhe Sofjes mbetet stabil dhe me interes të ndërsjellë për stabilitetin rajonal.

Me këtë rast, ambasadori Kraevski i dorëzoi ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Ky takim i rëndësishëm i nivelit rajonal pritet të mbahet në Sofje gjatë muajit qershor të vitit 2026.

Në fund të takimit, u rikonfirmua se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për të avancuar partneritetin me Bullgarinë, si një shtet mik dhe mbështetës i rrugëtimit euro-atlantik të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për finalizimin e Spitalit të Ferizaj

Published

on

By

Pas një pritjeje të gjatë dhe shumë sfidave procedurale, është hedhur hapi final për kryerjen e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar sot se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve, një projekt ky që kap vlerën prej 24 milionë eurove.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh”, ka bërë të ditur Vitia.

Ai ka shtuar se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon dhe se do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore.

Përzgjedhja e fituesit erdhi pas një procesi të gjatë prokurimi ku morën pjesë tetë grupe operatorësh ekonomikë. Ndonëse fituesi ishte shpallur që në nëntor të vitit 2025, nënshkrimi u zvarrit për shkak të ankesave në Ministri dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky hap pason kontratën për riprojektimin e plotë të spitalit që ishte nënshkruar në mars të vitit 2024, duke i hapur rrugë tenderit aktual për ndërtim.

Kontrata e parë për nisjen e punimeve ishte nënshkruar në janar të vitit 2018, në kohën kur ministria udhëhiqej nga Uran Ismaili, i cili asokohe premtonte përfundimin e objektit brenda tri viteve.

Megjithatë, punimet ishin ndërprerë në vitin 2021, duke lënë projektin në pritje deri në riprojektimin e fundit që i dha rrugë marrëveshjes së sotme.

Continue Reading

Lajmet

REL: Mali i Zi bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim pasi Serbia blen raketa kineze

Published

on

By

Zyra e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Podgorica mbetet e përkushtuar ndaj “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” dhe bashkëpunimit në rajon, pasi Serbia konfirmoi blerjen e raketave kineze CM‑400AKG me aftësi sulmuese.

Në një përgjigje për portalin malazez, Vijesti, zyra e Millatoviqit deklaroi se Mali i Zi ka besim dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në rajon, duke theksuar se këto janë parakushte të rëndësishme për “paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

Sipas deklaratës, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017 “e ka forcuar sigurinë” e këtij vendi dhe një gjë e tillë mbetet themeli i sistemit të tij të mbrojtjes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi javën e kaluar se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike nga Kina, CM‑400AKG, duke u bërë vendi i parë në Evropë që i posedon ato.

Ky veprim ndezi alarmin në rajon, sepse objektivat e këtyre raketave, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se me këtë blerje, Serbia shpërfaqi tendencat hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për blerjen e raketave kineze nga Serbia, ndërsa presidenti kroat, Zoran Millanoviq, tha se nuk e kupton “përse Serbia furnizohet me armë sulmuese”, duke përmendur edhe shqetësimet për prishjen e mundshme të sigurisë rajonale.

Vuçiq tha se Serbia “nuk po përgatitej për sulm”, por pretendoi se vendet fqinje, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, janë duke krijuar një aleancë ushtarake, të cilën Beogradi e sheh si kërcënim.

Tri vendet i hodhën poshtë këto pretendime.

Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të anëtarësohet, tha se rruga e saj evropiane kërkon “zgjedhje të qarta strategjike”, përfshirë shmangien e varësive që nuk janë në përputhje me integrimin evropian.

NATO-ja, partnere e së cilës është Serbia, nuk reagoi ende. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara