Një operacion i bazuar mbi inteligjencën e siguruar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, i ndërmarrë nga Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosoves ka rezultuar me zbulimin dhe konfiskimin e rreth 250 kilogramëve të substancës narkotike të llojit kanabis, të fshehur me kujdes në një automjet transportues.
“Operacioni është realizuar gjatë orëve të pasdites, kur njësia e Antikontrabandës e Doganës ka ndalur për kontroll një kamion që po lëvizte në drejtim të Prishtinës në autostradën ‘Ibrahim Rugova’”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.
Dogana njofton se gjatë inspektimit janë përdorur pajisjet e dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Pas një inspektimi të detajuar, dhe duke përdorur pajisjet profesionale të dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarët doganorë kanë arritur të demontojnë panelet e fshehura të automjetit, ku ishin vendosur substancat narkotike. Në vendngjarje kanë dalur edhe njësia antidrogë e Policisë së Kosovës dhe Prokurorja kompetente. Personi përgjegjës është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa procedurat ligjore janë në zhvillim”, thuhet mes të tjerash në komunikatën për medie.
Dogana e Kosovës ka vënë theksin tek kontributi që AKI ka dhënë.
“Dogana e Kosovës vlerëson lartë kontributin dhe bashkëpunimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në këtë rast, dhe thekson përkushtimin e saj për të vazhduar koordinimin e ngushtë me të gjitha institucionet në vend. Ky operacion paraqet një tjetër dëshmi të vendosmërisë së institucioneve tona për të luftuar kontrabandën dhe trafikimin e substancave të ndaluara, duke mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe integritetin ekonomik të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë./S.K/EO/